Nga këshilltar i Ramës te Katoliku i mirë Sandër

Postuar në 04 Nëntor, 2018 13:57

Qeveria dhe kryeministri Edi Rama ndodhen sot para një krize për Ministrinë e Brendshme. Teknika e menaxhimit të saj është e njohur: kopeja e portaleve leh zhurmon pafundësisht derisa të gjithë, apo një shumicë të binden se këtu është një stan bagëtish. 

Përtej këtij aspekti, në rastin e Sandër Lleshit po nxjerr krye edhe një tjetër element që tregon të tjera probleme. Ky është solidariteti për z. Lleshi si katolik, i cili po venerohet prej disave si njeriu me moral të fortë, me formim perëndimor, që mu pikërisht për arsye të përkatësisë fetare i manifeston këto cilësi. Ndaj edhe po u sulmoka si i kundërti i Të Tjerëve. 

I pari në listën e atyre që kullojnë djersën për të nxjerrë në pah të mirat e një katoliku përballë rrëpirës morale myslimano-orotodokso-jugore është Agron Gjekmarkaj. Me të 200 fjalët e tij të preferuara, zotëria u lëshua me një opinion ku na sqaronte njeriun Lleshi, katolikun Sandër që po vinte si një livandoja e qeverisjes së Edi Ramës. 

Sot, pasi bektashiu Ilir Meta nuk dëgjoi, por refuzoi ta pranonte Lleshin, është lëshuar i dyti Ardian Ndreca. Zoti Ndreca nuk flet hapur për përkatësitë fetare, por nuk do shumë të lexohet te këto mushqeta të allnuara zelli komunitar. Zell i cili shprehet me kundërvënie logjike edhe në paragrafë të tillë: 

Qesharakja e çështjes ishte se Meta u shpreh se nuk kishte krijue bindje për kandidatin për ministër. Meta s’ka bindje, të asnji llojit, ka vetëm instinkte, të cilat siç dihet janë të verbëta. Bindja nënkupton nji ngjyrim etik, që s’i përket etologjisë politike shqiptare.
Refuzimi i Metës ndaj Sandër Lleshit, shprehet me vetëdije por buron prej nënvetëdijes, ai asht refuzimi me pasë nji Ministri të Punëve të Brendshme, asht dëshira me e shkri atë, shërbimin sekret, policinë, gjithçka që mund të kthehet në nji rrezik për partinë ma të fuqishme që ka Shqipnia sot, e kam fjalën për atë partinë transversale që përshkon jetën politike e ekonomike të vendit sa majtas djathtas pa qenë as e majtë dhe as e djathtë

Ta lëmë mënjanë qenien primitive Meta. Por mos vallë te kjo partia transversale bën pjesë edhe Kryeministri me të vetët? Apo këta përjashtohen si partia e të mirëve që me katolikun Lleshi po duan të bëjnë shtetin? 

Mund të kuptohet dëshira dhe një lloj solidariteti kur vjen puna që dikush që e ke të afërt bëhet dikush në detyrë. Por kur ky afinitet përdoret si metër për të gjykuar vendime politike që në fund të fundit janë njëlloj të pista apo të kushtëzuara nga po ai moral mafioz që kushtëzon çdo vendim në këtë vend, atëherë ky zbulon një vetëperceptim segregues që pak ka të bëjë me çështjen në fjalë. Këtu edhe ky aspekt emotiv thjesht do përdoret nga po ata që sot kalërojnë institucionet e që njëherë dekretojnë enciklika, e njëherë tjetër nisin dialogje me popullin, njëherë ngrenë dy gishta lart, njëherë tjetër…shohim e bëjmë.

Ky lloj debati buron për ta thënë me fjalët e Ndrecës, nga nënvetëdija e një partikularizmi që është reduktuar në snobizëm të disave që e shesin për vetëdije fetare dhe qytetërimore. Ky është bast i humbur, pasi në fund të fundit këta partizanë të qytetarisë nuk propozojnë ndonjë gjë të re veç zërit të tyre në një polemikë shterpe për interesin publik. 

Comments

Submitted by Taras (not verified) on

Kjo meseleja e Lleshit po behet lesh arapi dhe keta katoliket e kazanit te rames po tjerin gunat e tyre per t'u ngrohur ne acarin e dimrit me qimet e Shen Sandrit te Mirdites•
Dilli u shnrin ka hera ktyne kryqalive. Keshtu mendojne keto tribu......

Submitted by Anonymous (not verified) on

Do të kishte qenë më e dobishme të prisnit e të kritikonit dhe gjykonit punën e Sandër Lleshit, kur të fillonte si ministër, nëse do të dekretohet. Apo të paktën në rolin e gazetarit, të informonit publikun sesi ka punuar Sandër Lleshi në të shkuarën në detyrat që ka pasur. Pema njihet nga frytet. Ato duhet të kritikoni, apo pse jo, të dilni kundra natyrës, edhe të lavdëroni. Është e lehtë të shohësh ashklën në syrin e vëllait, veçanërisht kur e konsideron armik.

Submitted by redaksia on

Po e nis nga fundi: Nuk konsiderojmë kënd armik. Z. Lleshi jo e jo. Plus nuk është detyrë e medias të krijojë armiq.

Rasti në fjalë nuk po lidhet me cilësitë e z. Lleshi, por me instrumentalizimin që po i bëhet dhe që Ai po pranon t’ia bëjnë. Nga ana tjetër nuk ka shumë kuptim kjo qasja sektare sepse sa për dijeninë e të gjithëve, nuk kompleksohet kush. Ndarjet implicite katolik-perëndimor nuk ndihmojnë për ndonjë gjë, vceçse ndërhyjnë në debat për të gjetur arsye specifike, aty ku ka vetëm arsye të përgjithshme.  

Submitted by Anonymous (not verified) on

Faleminderit për përgjigjen. Shqetësimi dhe zelli i artikullshkruesit do të kishte qenë i kuptueshëm nëse kryeministri do ta kishte bërë pjesë të kriterit qenien katolik apo jo për të emëruar dikë për postin e MB. Nëse një pjesë e opinionit, i shprehur edhe publikisht, e konsideron avantazh pasjen e prirjeve/bindjeve katolike perëndimore, ky është thjesht opinioni. Ajo që do të duhej të na shqetësonte realisht do të ishte pyetja nëse përkatësia katolike e z. Lleshi do të ndikonte që ai ta kryente detyrën e MB siç ia kërkon ligji ose jo.

Submitted by redaksia on

Per sa kemi pare publikisht, z. Lleshi eshte prezantuar si shqiptar, si nje qytetar me angazhim dhe ushtarak. Cilesoret qe shtohen sot ne opinione te ndryshme ishin tema e shkrimit qe nuk shoh se pershkruhet nga ndonje fare zelli. 

Ne kete prezantim te deritanishem fillon dhe mbaron pergjegjesia e z. Lleshi ndaj atij nuk i rendon kurrfare "akuze" ne kete drejtim nese mund te shprehemi sakte keshtu. 

Sa per kryeministrin, ai eshte ne nje pozicion politik qe do te duhet t'i peshoje te gjitha. Nese nuk e ben, pune e tij dhe gabim i tij. Debati nese te qenit katolik ndikon ne detyre eshte i paqene, ai po shpiket nga ata qe Ju i konsideroni si thjesht percues opinionesh. Shqiperise i duhet nje minister i Brendshem qe ben punen, jo nje minister qe si garanci per integritet ka perkatesine fetare qe ja vene ne dukje zelltaret qe shkruajne ne media. Nese perkatesia fetare na sugjerohet si garanci, Jo falemnderit. Nuk na duhet. Dhe zoti Lleshi - modestisht po them - do te duhet te distancohet. 

Do te ishte tjeter ceshtje nese zoteria do te ishte kandidat per president apo per minister te Jashtem. 

PS: Shkrimi nuk merrej me zgjedhjen e Kryeministrit gjithesesi, por me qasjen qe ka nisur te nxjerre koke neper disa opinione. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.