Drejtësia mbi pronën është sfidë për burra shteti. A ka kjo qeveri!

Postuar në 29 Tetor, 2018 23:24
Prof. As. Dr. Artan Xh. Duka

“Elefanti” në dhomë!

Syresh nuk përfituan asgjë nga privatizimi i pasurisë publike ndërkohë që 230 000 familje përfituan apartamente, dyqane, magazina etj. Ndonse me letra, me mijra familje mbetën të pastreha sepse i zuri 90-ta në shtëpi pronarësh (Gjykata Kushtetuese që fillimisht u doli krah, më vonë doli kundër vetvetes duke i hapur udhë arbitraritetit qeveritar). Plot trashëguan tokë që nuk e gëzojnë dot prej tre dekadash ndërkohë që shteti legalizon uzurpimin e tokës dhe paradoksin e mbivendosjes së tapive…disa po i heqin të gjitha këto kusure njëkohësisht ndërkohë që të tjerë përfituan me “zotësi” gjithandej! Ndaj sot padrejtësia mbizotëron dhe gjithçka lidhet me pronën dhe respektimin e saj.

Ç’vlerë ka të anatemosh monizmin për qëndrimin ndaj pronës kur në “demokraci” ajo nëpërkëmbet me 7501 që legalizoi mbivendosjen e paprecedentë të tapive, legalizohet grabitja e tokës sipas motos “toka jo tek i zoti por tek më i “zoti”, katandiset kokoshi një thelë vlera e kompensimit financiar, bëhen diferencime në privatizimin e pasurisë publike etj?

Koha tregoi se prona u nëpërkëmb plot tre dekada me dashje në funksion të korrupsionit politik, pasurimit të shpejtë dhe populizmit ekstrem.  Ndaj dhe sot që flitet për reformë në drejtësi, dosja e parë e drejtësisë së re duhet të jetë prona.

Vendi u mor tre dekada peng, sepse me katrahurën e pronës u prish klima e investimeve në vënd, u institucionalizua korrupsioni masiv dhe elitar që prishi balancat në treg dhe konkurrencën korrekte, u vra pakthim shpresa qytetare duke nxitur emigrim masiv etj..

Fati i pronës nuk është thjesht fati i pronarëve dhe trashëgimtarëve të tyre, por fati i mbarë shoqërisë. Nëse sot nëpërkëmbet prona historike e legalizohet preçedenti negativ me të, nesër “lapsi” mund të kapë këdo.   

Toka tek i zoti, jo tek më i “zoti”

Respektimi i pronës historike nuk ka pse të pështjellojë balancat e brishta sociale apo rëndojë financat në vënd. Zgjidhjet janë, lipset vetëm vullneti politik. Qasja duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe e hapur ndaj të gjitha alternativave që respektojnë parimet kushtetuese në vënd. Kështu:  

  1. Në shumë fshatra, pavarësisht 7501, secili ka shkuar në tokën e tij. Në të tjerë, sidomos atje ku ka patur lëvizje migratore gjatë monizmit, efekti “domino” apo zanafilla e posedimit të tokës së tjetrit lidhet me sistemimin (sipas 7501) të një numri modest të ardhurish para ’90.  Një alternativë do të ishte mundësia e kompensimit për këta të fundit (natyrë apo financiar) duke mundësuar më pas që vëndalinjtë të shkojnë secili tek tokat e tyre (rasti kur dikush ka marrë tokën e kushëririt apo fqinjit sepse tokën e tij e kanë marrë të tjerë). Nëse pas 7501 është investuar në të, atëhere ose të kompensohet ky investim ose të përjashtohet ajo pjesë nga kthimi fizik.  
  2. Nëse zgjidhja e mësipërme është e pamundur atëhere pronarët (ose ata që u kanë zënë tokën tashmë me ligj) tëkompensohen në natyrë gjetiu - rrethana të ngjashme me pronën apo me sipërfaqe që varion nga vlera e tregut (bregdet, kodër, afër, larg qëndrave urbane, pyje etj). P.sh. urbanizimi i përfolur në bregdet – Golem, Gjiri Lalzit etj dëshmon se mundësitë janë.
  3. Kompensimi në natyrë mund të shtrihet edhe si pronësi në objekte shtetërore apo private ku shteti posedon pjesëpërkundrejt dhënies së liçensës së ndërtimit, konçesioneve PPP etj (psh. hyrje në blloqe banimi, mjedise tregtare, garazhe etj në kulla tregtare, pronësi në parkingjet qytetase, aksione në struktura turistike, në kompani shtetërore apo pjesërisht shtetërore, pronësi mbi njësi tregtare të lëvizshme në qëndrat urbane (psh. kioska shërbimi, fast-food), aksione në vepra publike etj). PPP dëshmon se prona mund të kompensohet me asete edhe në këtë mënyrë.
  4. Vetëm në pamundësi apo refuzim të kompesimit në natyrë, shteti duhet të ofrojë kompesim financiar por ai duhet të jetëreal. Nëse shteti gjykon vërtet se kompensimi është realist(!), le t’ja ofrojë atë atij që ka zënë tokën e pronarit sot. Ai nuk do e pranonte kurrë sepse, fjala vjen, qindra rrënjë ullinj nuk shlyhen me pak milionë të vjetra lek. Koha ka treguar se shteti po të dojë i “hyn” detit me këmbë. Siç ndërpreu arbitrarisht shpërblimet e familjeve të dëshmorëve, siç kompeson prej vitesh vuajtjet e disidencës duhet që gradualisht të kompensojë realisht edhe pronën historike.
  5. Ndërkohë që taksapaguesi e ka detyrim respektimin e kompesimin real të pronës si gur themeltar i demokracisë, si burime financiare shtesë mund të përdoren edhe të ardhurat prej konfiskimeve të pasurive të paligjshme, taksa të përkohëshme për ata që u ra “llotaria” e përfituan nga prona publike apo e të tretëve (toka në fshat, dyqane, magazina etj), detyrimi me ligj që kushdo që ka përfituar tokë nga legalizimi i pasurive informale të lëshojë pronën që posedon tek vëndi i origjinës etj.
  6. Në funksion të kompensimit financiar duhet të angazhohet edhe sistemi bankar duke ofruar kredi afatgjata pa interes për përfituesit prej 7501 apo ligjit të legalizimeve (interesi të paguhet nga shteti sepse shoqëria ka pjesën e përgjegjësisë ndaj nëpërkëmbjes së pronës historike). Krediae kanalizuar si kompensim për pronarin historik garanton respektimin e pronës dhe i jep vlerë morale tapisë së re.
  7. Kompensimi financiar, me pëlqimin e pronarit dhe në analogji me ish të persekutuarit, mund të shtrihet ndër vite (me indeksim inflacioni) për të mos rënduar buxhetin e shtetit. Tek e fundit rëndësi ka dhënia e drejtësisë pavarësisht vonesave rrugës. Po aq sa burgu e internimi, të persekutuar të bën edhe privimi prej të drejtës hyjnore të pronës.
  8. Si alternativë kompensimi mund të ofrohet edhe karta e pronarit që do të mundësonte lehtësim të barrës financiare për ta e trashëgimtarët e tyre në vite (disa lehtësira hasen edhe tek statusi i të përndjekurit) në vlerë të përafërt me pronën e pakthyer – psh. lehtësimi apo çlirimi nga taksat e tarifat për shërbimet shtetërore e vendore, faturat utilitare shtetërore – uji etj, pagesat për shkollim, mundësi për kreditim pa interes dhe subvensionim në këstet e pagesave në funksion të krijimit të njëaseti të ri (apartament, dyqan etj) si kompensim të tokës së pamarrë etj.

Prona nuk ka dy kute

Shteti nuk duhet të abuzojë me ligjin dhe gjykatat duke aplikuar dy standarte ndaj pronës si deri më sot që cënojnë sigurinë juridikedhe bien ndesh me të drejtat kushtetuese të qytetarit. Aq më tepër kur sot drejtësia është në “stol”. Nuk është modeli që edukon qytetarinë në vënd.

Kështu, ndërkohë që ligji shpërfill pronën historike, ai i jep tapi me tam-tame atyre që e zunë arbitrarisht atë (duke parashikuar edhe fonde për urbanizim ndërkohë që nuk kompeson pronarin historik), zbaton me 7501 parimin “toka i përket atij që e punon” (vallë a punohet?) pa menduar më parë për kompesimin etj.

Vetë vlera e kompensimit financiar është diskriminim brënda për brënda kategorisë së pronarëve sepse me ndryshimin e ligjeve, tkurret dhe masa e kompensimit duke provokuar debate edhe mes vetë pasardhësve nëse duhet pranuar njëzëri apo jo (një pabarazi si ajo e pensioneve kjo që duhet riparë me prioritet).

Po kështu, ndryshe ndaj pronarëve të tokave, ligji favorizon pronarët e banesave duke nxjerrë arbitrarisht nga to qeraxhinjtë me letra e të futur aty jo me inisiativë (sikurse ndodhi me zonat informale) por nga shteti vetë.

Populizmi e ethet elektorale nuk duhet të nëpërkëmbin të drejtën e pronës historike dhe vetë kompensimi financiar nuk duhet të jenë opsion i detyrueshëm por alternativë.  Vlera që ofrohet me ligjin e sotëm nuk mbulon as interesin e pronës së privuar tre dekada me rradhë pale më vlerën reale të indeksuar me inflacionin në tranzicion. Kompensimi që ofron sot qeveria ka vlerë vetëm nëse rikthehemi në vitet ’40 të shekullit të kaluar dhe qeveria zor se ka shpikur ndonjë “makinë kohe” për t’u kthyer pas në kohë.

E shkuara ka lënë shumë litarë jashtë dhe prona është një ndër to. Zgjidhja nuk është hedhja e topit tek tjetri, as larja e duarve me zgjidhje arbitrare e bërja e të “fortit” nga qeveria e rradhës por ballafaqim kurajoz e i denjë për një burrështeti e qeveri reformatore. E drejta nuk është gjithnjë me shumicën sikurse padrejtësia qoftë dhe ndaj një individi është padrejtësi ndaj gjithë shoqërisë.

E sa për merakun e votës, burri i shtetit nuk motivohet në politikat e tij nga interesi elektoral por nga drejtësia pa ekuivok. Dhe kur e arrin atë, edhe vota vjen vetvetiu sepse bën për vete edhe votuesin kundërshtar që deri më tani voton për inerci dhe justifikohet me faktin se të gjithë janë njëlloj! Respekti e drejtësia ndaj pronës nuk të bën as të majtë e as të djathtë. Thjesht demokrat dhe të drejtë. Dhe burrë shteti nëse je në krye të qeverisë.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Me kompesime e sterkompesime nuk rregullohet problemi i tokes dhe prones. Atje ku ishte e mundur, dhe kjo ishte e mundur ne mbi 90% te tokes dhe familjeve ne fshat, te shkonte tek toka e vet. Dhe per fat 80% e tokes shkoi tek i zoti, te pakten tek ai qe ishte ne fshat, ndersa rreth 20% e tokes u nda neper kushurinj e te tjere njerez, ata me shume femije. Pas kesaj duhej te behej ligji i tokes (prones se tokes), qe do t'parashikonte madhesine e lejuar, shitblerjen, huazimin, etj., sic e ka gjithe bota. Me kete paralel do te beheshin ne fshatra e qytete (dhe biles ekzistonin) projektplanet per zonat ndertimore, sepse nuk mund te lejoheshin (sic u lejuan) te ndertohet kuturu ne toke bujqesore. E pastaj gjerat do ecnin vete ne udhen e tyre. Kush te donte te blinte ose huazonte toke bujqesore, do ta bente kete, kush donte per ndertim, do ta kerkonte kete, dhe cmimi do te varej si kudo nga kerkesa dhe oferta. Tani nuk kerkon dot toke per te blere, sepse jane dy-tre pronare per nje cope vend dhe te ikin parate per lesh.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.