Letër Mirit - At Joanit, nga një shok i dikurshëm*

Postuar në 21 Shtator, 2018 22:56
Robert Thomanikaj

Para dy-tre javësh mua më vdiq plaka.

Miri - më fal që nuk jam mësuar akoma të të thërras me emrin e ri, At Johani, se u bënë dy dekada e kusur që s’jemi parë e takuar, si shumica e shqiptarëve përgjatë tranzicionit të tejzgjatur, e kështu nuk kam patur mundësi ta përdor emrin tënd kishtar.

Them “më fal” sepse kam frikë mos bëj edhe në këtë rast –siç kam bërë gjithnjë– ndonjë gabim politik, sepse dhe ju të kishës keni rregullat tuaja të rrepta, siç i kishim asaj kohe të diktaturës së proletariatit e siç i kemi edhe sot e kësaj dite këtu ku jam në perëndim...Ja dreqi e marrtë, sërish nuk më rri goja rehat, ndaj po dal në temë, në shqetësimin tim... që në fakt duhet të jetë shqetësimi yt, si njeri i fesë, që je.

Ajo e shkreta, për plakën time e kam fjalën, e cila iku e qetë dhe në moshën e duhur të pleqërisë këtu në Gjermani, seç kishte këto dy-tre dekadat e fundit një zjarrmi me librat fetarë, merrte e lexonte gjithnjë bibla dhe ungjillra të shkurtuar, libra për Jezuin, atë socialistin e parë, libra me historitë Çe–gueveriane të Moisiut mitik, revista nga ato të atyre të Jehovait, që i sugjestionojnë njerëzit me dashurinë dhe mirësinë e pakufishme njerëzore.

Ja këto lloj shkrimesh e librash kish qejf dhe lexonte gjithnjë. Punë e saj, mua nuk më prishte punë, as që preokupohesha fare pse nuk besonte në evolucionin e Natyrës, as që merakosesha fare pse kish nisur ta parafytyronte atë Zotin tuaj biblik si ai formuesi i formave në fonderinë tonë të gizës dikur.  

Tani problemi është se herë-herë në të gjallë të saj shfaqte ndonjë dëshirë e përkujdesje për kohën e pas-vdekjes së saj. Njëra nga të cilat ishte që, kur të vdiste, ta çonin në kishë ose të vinte prifti e ta përcillte për në banesën e fundit. Pra, donte diçka nga kisha juaj. Dhe unë natyrisht që u përpoqa t’ia plotësoja këto dëshira, duke mos i lënë të gjitha për në ditën e fundit të jetës së saj, por i përgatisja të gjitha dita me ditë me telefon më parë. Gjithçka më dukej se ecte mirë, teorikisht të paktën. Mirëpo tek kisha juaj më ngeci sharra në gozhdë.

   -A ka qenë e pagëzuar nëna juaj?– më vinin nga përtej receptorit fjalët e para, me cilindo që u lidha nga ata të kishës tuaj ortodokse.

   -Nuk e di! – përgjigjesha, se as e kisha pyetur plakën nëse ishte pagëzuar këto tre dekada të fundit, e as më kish thënë diçka, por vazhdoja duke sqaruar se ajo ishte me origjinë nga Vlora, pra një krahinë me shumicë myslimane, siç edhe kishte emrin, Besie, dhe ishte e lidhur vitet e fundit në libra me Krishtin, si dhe kish shprehur dëshirën që pas vdekjes të shoqërohej në kishën tuaj, apo nga një prifti i juaji.

Kjo përgjigje, që në fakt ishte tërësisht brenda kuadrit të së vërtetës, më jepte shpresë se punonjësit dhe priftërinjtë tuaj do të ekzaltoheshin sado pak, do të përmalloheshin, duke menduar se sa me vlerë qenkësh Kisha e tyre, sa fuqi paskësh Jezui i tyre, që edhe njerëz nga fetë e tjera, apo pa fe fare, i afronte tek vetja. Të tillë njerëz –besoj se duhet të mendonin në këtë rast njerëzit e kishës– ne duhet ti shoqërojmë për pak momente drejt banesës së fundit, përderisa kanë shprehur këtë dëshirë!...

Mirëpo s’qe e thënë! Paskësh rregulla të rrepta në kishën tuaj! Plaka ime –duket– nuk kishte teserën e Kishës Ortodokse, që qenkësh pagëzimi! Po si në kohën e Partisë së Punës, biles më keq, se asaj kohe edhe të linin ndonjëherë të merrje pjesë në ndonjë mbledhje të organizatës bazë të partisë të repartit ku punoje, po ta kërkoje diçka të tillë. Por sot ka rregulla të rrepta. Dashuria e njerëzve të thjeshtë për Krishtin dhe Kishën tuaj shpërblehet me rreptësinë e rregullit tuaj! Mbi këtë rregull zhvlerësohet edhe gjithë ajo dashuri që pretendohet se përhapet nga librat dhe kishat e Jezuit. Çfarë ironi e fatit! Fatit të jetës! Fatit të epokave, ku jetojmë!

E them këtë sepse asaj kohe, kur feja ishte e ndaluar, ti si fetar (paçka se jo i hapur), ashtu dhe unë si ateist (paçka se në thonjza më së shumti), nuk kishim rregulla ndarëse në marrëdhëniet tona. Ti me predikime fetare dhe unë me ato evolucioniste të dialektikës së Hegelit dhe Marksit. Rrinim, bisedonim, diskutonim, dhe sërish nuk vumë kufinj ndarës e as iu mërzitëm njëri-tjetrit. Jo vetëm ne të dy, por i gjithë ai kolektiv i punës tënde (Riaftësimit), ku na kalonte një pjesë e ditës.

Si në një film të vjetër, por të ruajtur mirë, më kujtohen sa e sa skena së bashku, me të gjithë kolegët e tjerë; me Sadeten, Presor Kopin, Nikollën, Bardhën, Katin, Mirandën, Benin, Terin, apo edhe me Qamilen, Verën, Vitën tek pavioni i kalamajve përkashi, apo të tjerë më tej si me Afrimin, Pëllumbin, Besimin, etj.. A të kujtohet kur vajtëm si grup tek Sari Salltëku, në malin e Krujës dhe në kthim u dukeshim krutanve si turistë të huaj?! Çfarë kënaqsie! Bëmë dhe fotografi tek vendi fetar. Po ashtu edhe në qytet. Sadetja me dy shoqet-kolege të saj me syze dielli moderne, Terri e ndonjë tjetër me flokë të paqethura, unë me flokë të gjata e i parruar prej javësh. E si mos t’u dukeshim krutanve ne si të huaj!? Duhet të ketë qenë 1987-a ose 1989-a, në mos gaboj.  

Po kur ne të dy iu ngjitëm dhe kaluam malin e Dajtit, në disa fshatra të humbur të Qafë Priskës, ti për të kërkuar themele kishash të rrënuara, ndërsa unë thjesht për aventurë, sepse më pëlqente t’u ngjitesha maleve, a të kujtohet? Si ata personazhet e Ismail Kadaresë, që kërkonin fshehurazi sinoret e tokave të tyre të shtetëzuara. Vetëm se ne të dy ndryshonim nga këto personazhe, pasi nuk shkonim natën dhe fshehurazi, por shkonim hapur ditën me diell dhe pyesnim ata pak fshatarë që takonim. Të shkretët ata thuaj, të habitur, ndoshta na merrnin edhe si të zbritur nga qielli, sepse ti i rruar dhe i qethur si kinez, me veshje të rregullt e të pastër, ndërsa unë me flokë të gjata e pa rruajtur, me pantallona të grisura tek xhepat dhe në gjunj, si pantallona mode të huaj, përballë tyre e ata na tregonin jo vetëm themele kishash të rrënuara, por edhe historikun e tyre. Në fillim të ndrojtur e më pas më të çliruar. Duhet të ketë qenë 1986-a ose 1987-a, apo 1989-a, nuk më kujtohet mirë! Pak rëndësi ka, sepse kohët kishin ndryshuar disi pas vdekjes së xhaxhit. Nuk është për t’u mburrur. Rëndësi ka që ti u kënaqe me ato rezultate të vogla që arritëm, unë u kënaqa thjesht nga bredhja me këmbë nëpër malin e Dajtit. Ti fetari dhe unë ateisti. Dhe më e rëndësishmja ishte ajo borë me flokë të mëdha që na zuri në zbritje.

–Ja, shpërblimi i Zotit, - the ti pak a shumë.

–Ndoshta! – nuk kundërshtova dhe aq unë dhe vazhduam të bisedonim dhe diskutonim për atë borë aq fisnike, pa u puqur –si gjithnjë– me njëri-tjetrin.

Vazhduam zbritjen (sa figurë simbolike që është) pa u zënë dhe grindur për problemet e qiellit, për t’u takuar tani pas 30 e ca vjetësh përmes linjës elektronike të internetit, (e ndoshta edhe nuk të bie në sy kjo letër e sotmja), të zbritur tashmë në skaje rregullash ndarës, por të vetëdijshëm të dy, si atëhere edhe sot, se Qielli atje lart është aq madhështor e i pakufishëm në punët/ ligjësitë e veta, sa çdo grindje njerëzore për ‘Të do t’i shkaktonte këtij Qielli një buzëqeshje të lehtë habie e ironie.

Kështu edhe unë në ditët e sotme, pasi u përpoqa t’ia plotësoj dëshirën plakës time dhe u përlasa me ca rregulla absurde të Kishës tënde, vetëm sa nënqesha pak me ironi, i bindur se njeriu e merr shpërblimin Qiellor – nëse vërtet ai ka një shpirt – pavarësisht disa rregullave fetare të këtij apo atij institucioni fetar, pavarësisht kësaj e asaj feje. Unë e bëra punën time, i thoja me mëndje plakës time, qysh kur ishte gjallë në ditët e fundit të saj. Në fakt i drejtohesha më tepër atij Universit tonë të pafundëm e të mistershëm. Dhe u përpoqa deri në momentet e fundit para varrimit të saj në Tiranë më kot. Nuk arrija ta kuptoja se përse dashuria e predikuar kristiane, ku besonte dekadat e fundit edhe plaka ime, paskësh të tillë rregulla rreptësie!

 Mirëpo ja që për fat Shqipëria dhe shqiptarët i kanë caktuar Qiellit rregulla të tjera, e ndoshta bëjnë mirë se i thyejnë disa rregulla kishtare, që i vendosin njerëzit dhe jo Qielli. Mirë bëjnë në këtë rast të paktën! Njëri prej kushërinjve të mi, i cili – më duhet ta pohoj – i zgjidh një shumicë të punëve të tij përmes njohjeve dhe miqësive, (gjë që unë nuk di ta bëj, ti më njeh), gjeti një prift për t’ia plotësuar plakës time atë dëshirë të saj të shfaqur qysh në të gjallë të saj.

Dhe erdhi i shkreti prift, çfarë ia di për nder, erdhi pa shpërblim, ndonëse pa diçka të vogël unë nuk mund ta lija të ikte më vonë. Erdhi jo zyrtarisht, por miqësisht, siç është e zakonshme në Shqipëri; (duket sepse shumë nga ligjet e reja janë thjesht kopje e keqe e disa ligjeve të ardhura dekadat e fundit nga jashtë). Bëri ato ritet e tij e tha ato psallmet e librit fetar, e zgjati pak më shumë nga sa e kisha menduar, por nejse, në këto raste jemi të duruar dhe ndoshta shpirti i plakës time – nëse vërtet ne njerëzit kemi një shpirt, siç dua ta besoj me gjithë shpirt– duhet të ketë ngelur e kënaqur nga atje lart, nga ku e ka parë. (Emrin e priftit nuk po ta them, se kam frikë mos e dënoni për shkelje të rregullave tuaja të rrepta kishtare.) Kjo qe historia që nuk munda të rri pa ta treguar.

Po e mbyll këtë letër Miri, duke të uruar gjithë të mirat, paçka se unë nuk i kam kuptuar shumë nga rregullat tuaja fetare e kishtare, duke i konsideruar absurde dhe të vendosura nga koka e njeriut të vockël të planetit tonë!

Po e mbyll këtë letër Miri duke të kërkuar falje që po ta prish sado pak biografinë, sepse unë kam mbetur edhe sot e kësaj dite këtu në perëndim po ai bisht qeni politik i asaj kohe diktature të “proletariatit”, e biles ca më keq sot, ca më i shtrembëruar nga atëhere - që ta besosh këtë mjafton të më shohësh mjekrën si më është zbardhur prej vitesh, e ta kuptosh se sa peripeci kam kaluar tek e ashtuquajtura demokraci perëndimore, ndërkohë ti me disa vjet më i madh nga unë – me sa të kam vënë re në ndonjë lajm gazetash online – e ke mjekrën akoma të pazbardhur!

Po e mbyll këtë letër Miri, e njëkohësisht At Johani, duke të falenderuar për lutjet që mund të kesh bërë edhe për mua ateistin përgjatë gjithë këtyre viteve, siç edhe ke bërë më parë, sepse ndonëse unë nuk puqem me asnjë lloj feje të njerëzve dhe aq më pak me rregullat e tyre, besoj se Energjia e Universit tonë prek pak apo shumë cilindo njeri në botë! 

Shoku yt i dikurshëm, Berti.     

*Titulli i autorit: Për këtë lloj Kishe u përpoqe Miri? 

 

Comments

Submitted by Andreas (not verified) on

Pak dashakeqese dhe e pakuptimte per profilin e sitit tuaj kjo leter!

Submitted by redaksia on

Letra ka per autor nje person qe thote se eshte i njohur i vjeter i klerikut ne fjale. Dhe ne te vertete ngre nje shqetesim qe nuk paragjykon ndonje besim fetar, por konstaton nje rregull konservator qe nuk eshte se perputhet shume me dinamiken emocionale te nje besimtari. 

 

Submitted by Andreas (not verified) on

Fakti qe letra ka per autor nje te njohur te klerikut, nuk ben gje tjeter veçse i shton keqedashjen dhe paragjykimin. Perse ne te kundert nje leter midis dy miqsh te vjeter qe normalisht duhet te jete private, publikohet neper gazeta?!! Per çfare "shqetesimi" po flet? Perse gjithnje keto "shqetisme" kane kahun nga ateisti tek besimtari dhe kurre ne te kundert? Autori perserit nga fillimi deri ne fund te letres "nuk kuptoj kete e nuk kuptoj ate..." Problemi eshte pikerisht qe personi ne fjale NUK KUPTON dhe pike. Sa per dinamiken emocionale te nje besimtari, nuk e kuptoj çfare eshte koncepti i besimtarit per ju, nderkohe qe si besimtar orthodoks, mund tju them me bindje se nuk kam paqartesi dhe as brejtje ndergjegje, per pergjigjet qe ka mare zoteria i letres nga kisha. Nje besimtar orthodhoks, çdo te djele thote lutjen ...Omologo en vaptisma eis afesin amartion... Se si e koncepton besimin ne zot nje joorthodoks apo me teper akoma nje ateist praktikant, ky nuk besoj se eshte nje problem qe duhet te therrase ne kauze orthodhoksine.

Submitted by Dhimiter Ziu (not verified) on

Omologo en vaptisma eis afesin amartion... ?Perse,greqisht luten ne Kishen "autoqefale" shqiptare?
Perpara Robert Thomanikajt,edhe Krishti eshte mekatare,aq i paster eshte ne shpirt Berti.
Konstatimi qe ben Berti tregon,qe Kisha eshte jo vetem nje Parti politike ne token e Gjergj Kastriotit,
por edhe greke!

Submitted by Fillestari (not verified) on

Per mendimin tim, pervec anes emocionale dhe ngarkeses se saj tek autori qe une ejustifikoj plotesisht, kjo leter nuk ka pike kuptimi. Ne Shqiperi jemi mesuar qe te diskutojme e ti bejme bisht cdo rregulli, shume here per miqesi e ndonjehere per korrupsion, pak rendesi ka motivi. Por nese rregullat e tokes ne jemi mesuar ti shkelim me kembe, le te kemi me shume respekt per ato qe shkelin rregullat e qiellit; ritet kristina )ne kuptimin katolik, ortotoks dhe te tere kishave te tjera per te cilat me eshte dhene rasti te degjoj) e kerkojne me domosdoshmeri pagezimin perpara kryerjes se riteve.
Per mua autori kt i bie me qafe At Joanit dhe i mohon miqesine Mirit te dikurshem, nuk eshte faji i tij...

Submitted by autori-r.th. (not verified) on

Keto pasazhe komentesh me nxiten qe te bej sqarime te metejshme. "letra... nuk ben gje tjeter veçse i shton keqedashjen dhe paragjykimin..." Nese kjo leter, e cila ringriti per te milionten here ne token shqiptare problemin e afrimit te sherbimit fetar edhe per njerez afetare apo te nje feje tjeter, do ti shtonka At Johanit tuaj keqdashjen nga te tjere, atehere mund te them mjaft i qete, aq me mire qe doli ne gazete, sepse ne te kundert keqdashja do te rrinte e mbyllur si nje mine me sahat tek njerez shabllone, te ceket e injorante. Keshtu e hapur keqedashja zbrazet dhe merr udhe.
" nje leter midis dy miqsh te vjeter qe normalisht duhet te jete private, publikohet neper gazeta?" I dashur besimtar, nuk eshte thjesht aspekti teknik, qe une nuk kam adrese te Mirit, se kete kerkim pas kerkimi e gjen pas disa javesh e muajsh, por une mund te bisedoj me Mirin privatisht per probleme fetare, filozofike, te Zotit, etj., sic kemi biseduar, nese e sjell biseda; por pse duhet ta bej private une nje bisede qe prek nje rregull (absurd) te institucionit kishtar ortodoks, e cila me doli rastesisht perpara ne rastin familjar?! Biles une kam gjetur nje metode aq te embel per ta vene ne dukje kete rregull absurd tuajin, sa ne fakt duhet te merrja nga ti si besimtar falenderimet e duhura. Apo do ti qe te mbajme rregulla te tille, keshtu edhe ndarje te shoqerise?!
"Per mua autori kot i bie me qafe At Joanit dhe i mohon miqesine Mirit te dikurshem, nuk eshte faji i tij" Kjo ishte si qershiza mbi torte e te gjitha komenteve, (pervec atij te redaksise). Ndaj dhe une ne forme qershize do te thoja, nese Miri eshte At Johani dhe At Johani eshte Mirir i dikurshem, dhe une shpresoj se eshte po ai i pandryshuar ne natyren e tij, as nuk e merr kete leter te hapur si bjerje me qafe as e lidh me ndonje pergjegjsi personale per te mbajtur faj. Ai thjesht do gezohet qe degjon zerin e nje shoku te dikurshem, ai qarte do ta kuptoje shqetesimin tim te rastesishem te shfaqur hapur, ai me dashamirsi do te ndikoje qe rregulla absurde te kokes se njeriut te zbuten ose te hiqen fare.

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

I nderuari r.th. ne kete bote demokratiko - pluraliste secili ka te drejte te shprehe mendimin e tij per gjithecka. Ky duket si nje postulat i pacenueshem dhe sigurisht ju keni te drejten tuaj ta paraqitni problemin ashut si desheroni, por do t'ju ftoja te mendoheni pak me gjate rreth asaj qe ju e konsideroni si rregull absurd te Kishes Ortodokse. Qe te zhdukim cdo keqkuptim, une nuk i perkas besimit ortodoks, por me duket e padrejte nga ana juaj te konsideroni ABSURD nje rregull te nje komuniteti te cilit jo vetem nuk i perkisni, por duke qene ateist ushqeni ndoshta edhe ndjenja te tjera jo miqsore, pavaresisht nga miqesia me Mirin. Ju duke qene ateist mund t'ju duken absurde jo vetm rregullat e komuniteteve fetare, por ndoshta per ju Feja ne pergjithesi dhe te gjitha Besimet ne vecanti mund te jene absurde. Nejse, nuk jeni ju as i pari e as i fundit qe cileson si absurde elemente te besimit, apo rregullat e tyre. Puna eshte se per mendimin tim nuk mund te jesh "judgemental", sidomos ndaj dickaje te ciles nuk i perket, ose qe ndoshta as nuk e kupton. Shendet!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.