Moshimi i popullsisë, shteti dhe shoqëria

Postuar në 18 Shtator, 2018 13:19
Prof. Dr. Ilia TELO - Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Demografëve

***

Nuk ka të dhëna statistikore të sakta në lidhje me popullsinë e planetit për periudhat shumë të hershme, ndërsa të dhënat e kohëve të fundit janë të sakta, pasi ato janë të përcaktuara sipas regjistrimeve të përgjithshnme të popullsisë. Popullsia e botës në përgjithësi dhe shpërndarja hapësinore e saj është rrjedhojë e një evolucioni shumë të gjatë, fillimi i të cilit lidhet me shfaqjen e species njerëzore në tokë. Nga ana tjetër, ritmet e shpejta të shtimit të popullsisë në 10-vjeçarët e fundit janë një dukuri historike e re që nuk ka ndodhur në të kaluarën.
Të dhënat mbi numrin e popullsisë dëshmojnë se rruga tepër e gjatë qysh me njeriun e parë, deri në njeriun e sotëm me origjinë nga "homo sapiensi", ka kaluar dy faza që dallohen shumë midis tyre. Faza e parë është e gjatë prej qindra mijëra vjetësh, përfshin rreth 99 për qind të evolucionit të njerëzimit, ku shtimi i numrit të popullsisë ishte shumë i ngadaltë.
Faza e dytë karakterizohet nga një rritje shumë e lartë e popullsisë pas Luftës së Dytë Botërore, që çoi në formulimin e termit "eksplozion demografik".
Ja disa të dhëna për numrin e popullsisë së botës:

Tabela 1Mosha mesatare e popullsisë në vite

Në demografi përdoret termi eksplozion demografik që është periudha kur popullsia rritet me ritme të larta. Kjo ka ndodhur në botë (edhe në vendin tonë) pas Luftës së Dytë Botërore. Demografi i njohur amerikan Robert Cook në vitin 1953 ka përdorur shprehjen "bombë e popullsisë".
Në bazë të të dhënave statistikore rezulton se në të kaluarën janë dashur shumë vjet që popullsia e planetit të bëhet 1 miliard banorë. Me kalimin e kohës gjithnjë është ulur numri i viteve që popullsia të arrinte 2, 3, 4 miliardë veta dhe deri në 7 miliardë që arriti numri i popullsisë së botës në vitin 2011.
Pas Luftës se Dytë Botërore popullsia e botës ka një rritje sistematike nga viti në vit. Rritja e numrit të popullsisë ka ndodhur jo vetëm si rezultat i rritjes së lindshmërisë, por edhe si rezultat i rritjes së treguesit të zgjatjes mesatare të jetës. Për sa i përket popullsisë në vendin tonë, të dhëna të plota janë siguruar për vitin 1923 nga regjistrimi i parë i përgjithshëm i popullsisë. Ja disa të dhëna për popullsinë e vendit tonë:

Viti Mijë banorë
1923 814
1945 1122
1989 3182
2014 2884

Burimi: Ilia Telo "Moshimi, shteti dhe shoqëria". Tiranë, 2011, fq 39.

Të dhënat mbi dinamikën e popullsisë në vendin tonë po i paraqesim në grafikun që vijon:

Siç del nga të dhënat statistikore dhe nga grafiku, në periudhën para çlirimit të vendit popullsia është rritur me ritme të ulëta, gjatë viteve të regjimit të kaluar rritja ishte shumë e lartë (u trefishua popullsia) si rezultat i lindshmërisë së lartë, ndërsa pas vitit 1990 jo vetëm që nuk ka rritje, por ka ulje të popullsisë si rezultat i emigrimit të jashtëm me përmasa shumë të mëdha (rreth 35% është popullsia është larguar jashtë vendit pas vitit
1990) dhe i uljes së madhe të lindshmërisë.
3. Rritja e popullsisë së moshuar:shqetësim serioz në botë dhe në vendin tonë Pas Luftës së Dytë Botërore popullsia e botës është rritur me ritme shumë të larta. Në një periudhë 60-vjeçare popullsia e botës thuajse është trefishuar. Kjo ka ndodhur si rezultat i rritjes së lindshmërisë dhe të treguesit të zgjatjes mesatare të jetës (të shpresës së jetës).
Në vitet e fundit në të gjithë botën vihet re fenomeni i uljes së lindshmërisë dhe i rritjes së mëtejshme të treguesit të zgjatjes së jetës. Kjo bëri që të rritet nga viti në vit moshimi i popullsisë (mplakja e popullsisë).
Ja disa të dhëna në lidhje me shtimin e grupeve të ndryshme të popullsisë botërore në vitin 2011 në krahasim me vitin 1950.

Rritja e popullsisë botërore në herë

Popullsia Herë
Popullsia gjithsej 2.5
Popullsia 1-15 vjec 2.0
Popullsia e moshave 15-65 vjeç 2.5
Popullsia 65 vjeç e lart 3.9

Në tabelën që vijon po japim të dhëna mbi strukturën (në përqindje) e popullsisë botërore sipas grupmoshave. Të dhënat e vitit 2050 janë prognozë e parashikuar nga studiuesit e OKB-së.

Struktura e popullsisë së botës, në %

Grupet e popullsisë sipas moshës 1950 2011 2050
Mosha e parë deri në 15 vjeç 34.2 28.1 23.0
Mosha e dytë 15 - 65 vjeç 60.7 64.2 65.0
Mosha e tretë 65 vjeç e lart 5.1 7.7 12.0

Të dhënat e tabelës së mësipërme tregojnë se është ulur dhe do të ulet më tej në të ardhmen pesha specifike e popullsisë së moshës së parë dhe po rritet popullsia e moshës së tretë, pra popullsia vjen duke u moshuar.
Në tabelën që vijon po japim disa tregues në lidhje me moshimin e popullsisë së botës për periudhën 2011-2012 dhe prognozën për vitin 2050.

Zgjatja mesatare e jetës së popullsisë së botës në vite

Të dhënat që kemi paraqitur deri tani janë në shkallë botërore, mirëpo ka ndryshime të mëdha midis kontinenteve dhe vendeve sipas zhvillimit ekonomik.
Migrimi i popullsisë nga vendet e prapambetura në Europë, në ShBA etj., ku popullsia është më e moshuar, përbën vetëm një zgjidhje të përkohshme për plotësimin e nevojave për krahë pune në vendet e zhvilluara, ku ka mungesë për fuqi punëtore. Në të ardhmen, po të vazhdohet me këtë rrugë, atëherë vendet ku popullsia është e moshuar duhet të përballojnë me pensione apo ndihma ekonomike edhe popullsinë që ka emigruar në vendet e zhvilluara.
Rruga më e drejtë do të ishte që në vendet ku popullsia është e moshuar, popullsia në moshë pune dhe sidomos popullsia e grupmoshës së parë është e vogël, të zbatohen politika pronataliste duke stimuluar lindshmërinë.
Nga ana tjetër, është e domosdoshme që vendet e prapambetura, ku standardi i jetesës është shumë i ulët, të ndihmohen ekonomikisht, të investohet më shumë kapital nga vendet e zhvilluara, me qëllim që të sigurohen fronte pune për punësimin e njerëzve në vendin e tyre.
Procesi i moshimit të popullsisë pas vitit 1990 po shfaqet edhe në vendin tonë dhe me kalimin e kohës popullsia e moshuar do të shtohet me ritme të larta.
Faktorët për moshimin e popullsisë në vendin tonë mund të përmblidhen si vijon:
Së pari, ulja e treguesit të lindshmërisë.
Vitet e fundit lindshmëria (numri mesatar i lindjeve për 1000 banorë)
është ulur në shifra absolute dhe relative. Në qoftë se para vitit 1990 numri i lindjeve në shkallë vendi ishte rreth 80 mijë fëmijë, vitet e fundit numri i lindjeve është rreth 35 mijë fëmijë. Numri i fëmijëve që lindte një nënë në jetën e saj në vitet '50 dhe '60 të shekullit të kaluar ishte 5-6, ndërsa aktualisht është më pak se 2.
Së dyti, emigrimi i jashtëm me ritme shumë të larta.
Pas vitit 1990, me miratimin e ligjit sipas të cilit çdo banor e zgjedh vetë vendbanimin e tij, kanë emigruar rreth 1 milion e 400 mijë veta ose rreth 35% e popullsisë së vendit. Pjesa më e madhe e popullsisë që është larguar pas vitit 1990 i përket popullsisë në moshë pune. Kjo ka ndikuar në rritjen e treguesit të moshimit të popullsisë.
Së treti, rritja e treguesit të zgjatjes mesatare të jetës.
Treguesi i zgjatjes mesatare të jetës (shpresës së jetës) është treguesi më i rëndësishëm demografik dhe social, i cili shpreh mirëqenien e popullsisë.
Rritja e treguesit të zgjatjes mesatare të jetës është faktor shumë i rëndësishëm, i cili ndikon në moshimin e popullsisë. Kur njerëzit jetojnë më gjatë, shtohet dhe përqindja e njerëzve të moshuar. Nga 51,6 vjeç që ishte treguesi i zgjatjes mesatare të jetës në vitin 1950, vitet e fundit arriti në 76,3 vjet (Vjetari Statistikor 2010-2014, INSTAT, fq. 15). Në vijim po japim të dhëna mbi përbërjen e popullsisësipas grupmoshave (në përqindje) dhe prognozën për vitin 2050.

Të dhënat tregojnë se ka prirje të ulet popullsia e moshës së parë dhe të rritet popullsia e moshës së tretë. Sipas prognozës, në vitin 2050 numri i popullsisë 70 vjeç e lart do të jetë thuajse i barabartë me popullsinë e përgjithshme të vitit 1950.
Fenomeni i moshimit të popullsisë shikohet edhe në piramidat e përbërjes së popullsisë sipas gjinisë dhe moshës dhe te treguesit e numrit të personave të moshës së tretë për 6 persona të moshës së parë. Aktualisht për 6 persona të moshës së parë kemi 3 persona të moshës së tretë, ndërsa në vitin 2050 do të kemi 7 persona të moshës së tretë. Pra, në vitet e ardhme do të kemi më shumë të moshuar mbi 65 vjeç se fëmijë deri në 15 vjeç.
Të dhënat absolute dhe relative tregojnë se edhe në vendin tonë popullsia do të plaket, ashtu si në vendet e tjera europiane, dhe kjo kërkon marrjen e masave qysh tani për të përballuar kërkesat në rritje të popullsisë së moshës së tretë me qëllim që të krijohen marrëdhënie korrekte midis brezave.

4. Problemet shqetësuese të të moshuarve dhe çfarë ndodhi pas vitit 1990
Numri dhe pesha specifike e popullsisë së moshuar në vendin tonë rritet nga viti në vit. Aktualisht pesha specifike e popullsisë 65 vjeç e lart është rreth 12 për qind dhe në vitin 2050 do të arrijë në afro 20 për qind.
Edhe në vendin tonë, si dhe në vende të tjera, numri më i madh i të moshuarve janë femra për vetë faktin se treguesi i zgjatjes mesatare të femrave është rreth 5 vjet më i madh se ai i meshkujve.
Me rritjen e moshës së të moshuarve, ulet shpresa e jetës dhe vështirësohet jeta e tyre. Në vendin tonë, edhe si rezultat i emigrimit të jashtëm në përmasa të mëdha, afro 40 për qind e familjeve të të moshuarve janë me 2 veta (1/4 e të cilave janë vetëm me një person).
Sipas të dhënave të gjendjes civile për të moshuarit mbi 65 vjeç, janë të martuar vetëm 87 për qind e meshkujve dhe vetëm 1/2 e femrave. (Si rezultat, pjesa tjetër e grave janë të veja). Të moshuarit kanë probleme të mëdha shëndetësore. Me rritjen e moshës rritet sëmundshmëria dhe prevalenca e aftësisë së kufizuar.
Përvoja e vendeve të ndryshme të botës si dhe përvoja e vendit tonë tregojnë se me rritjen e moshës së popullsisë rritet sëmundshmëria, rritet aftësia e kufizuar dhe jeta për popullsinë e moshuar bëhet më e vështirë.
Në bazë të anketimeve që janë bërë, rezulton se një 70-vjeçar shpenzon rreth 25 herë më shumë ilaçe për mbrojtjen e shëndetit krahasuar me një 20-vjeçar.
Siç kemi theksuar, me kalimin e moshës dobësohen të gjitha organet e njeriut. Kjo është arsyeja e shprehjes që përdoret: "Të moshuarin duhet ta pyesësh se çfarë nuk të dhemb dhe jo çfarë të dhemb".
Nga regjistrimi i popullsisë i vitit 2011 dhe nga anketimet që janë bërë po japim disa tregues për gjendjen shëndetësore të të moshuarve mbi 65 vjeç:
Sipas anketimeve që janë bërë, rezulton se vetëm 30 për qind e të moshuarve pohojnë se ndihen mirë, dhe 40 për qind kanë probleme me shëndetin, disa edhe shumë shqetësuese.
70 për qind e të moshuarve vuajnë nga sëmundje kronike, nga të cilët 30 për qind vuajnë nga dy ose më shumë sëmundje të tilla. Një pjesë e madhe e të moshuarve vuajnë nga depresioni, 70 për qind e meshkujve dhe më shumë se gjysma e femrave.
Nga përpunimi i të dhënave të censusit të popullsisë dhe banesave të vitit 2011 rezulton se përafërsisht 73 mijë persona 65 vjeç e lart klasifikohen me aftësi të kufizuar (në komunikim, në kujdesin e përditshëm, në kujtesë, dëgjim, shikim, lëvizje). Nga personat me aftësi të kufizuara, pjesa më e madhe janë femra.
Për fat të keq, një pjesë e të moshuarve, sidomos meshkujt, janë duhan dhe alkoolpirës, gjë që ndikon negativisht në shëndetin e tyre.
Me gjithë këto probleme, aktualisht pensionet urbane dhe sidomos ato të fshatit janë shumë të ulëta. Në vitet e fundit pensioni minimal në qytet ishte 12,264 lekë në muaj dhe pensioni mesatar 14,710 lekë. Në një kohë që minimumi jetik i përllogaritur për frymë është 16-17 mijë lekë në muaj.
Punonjësit para vitit 1990 dilnin në pension: burrat në moshën 60 vjeç dhe gratë në moshën 55 vjeçe (përveç të punësuarve në disa punë të vështira që dilnin në një moshë më të ulët në pension).
Pensionistët në vendin tonë janë të diskriminuar për faktin se raporti i pensionit mesatar urban krahasuar me pagën mesatare në sektorin publik është rreth 30 për qind, në një kohë që në vendet e tjera të Europës ky tregues arrin deri në 73 për qind. Para vitit 1990 pensioni përbënte 70 për qind të pagës.
Kjo gjendje është krijuar si rezultat i vështirësive që u krijuan pas vitit 1990.
Para vitit 1990, madhësia e pensionit llogaritej me një formulë të thjeshtë: pensioni përbënte 70 për qind të pagës. (Pensioni llogaritej sipas pagës së tre viteve në 10 vitet e fundit të punës, sigurisht kur ajo ishte më e lartë).
Pas vitit 1990, me përmbysjen e sistemit të kaluar ndodhën ndryshime të rëndësishme në punësim, në numrin e kontribuesve në skemën e sigurimeve shoqërore dhe në numrin e pensionistëve.
Në tabelën që vijon po japim disa të dhëna kryesore për treguesit që ndikojnë në madhësinë e pensioneve.

Treguesit që ndikojnë në madhësinë e pensioneve, në mijë

Çfarë tregojnë të dhënat e mësipërme? Të dhënat e mësipërme tregojnë se numri i popullsisë, numri i të punësuarve dhe numri i kontribuesve në skemën e tanishme të sigurimeve shoqërore janë shumë të ulët. Nga ana tjetër, numri i pensionistëve është rritur nga viti në vit dhe aktualisht është 80 për qind më i lartë se ai i vitit 1990.
Siç kemi analizuar në paragrafët e mëparshëm, pas vitit 1990 numri i popullsisë është zvogëluar si rezultat i emigrimit të popullsisë jashtë vendit në përmasa shumë të mëdha dhe i uljes së lindshmërisë. Gjatë këtyre viteve, përveç zvogëlimit të numrit të përgjithshëm të popullsisë, ka ndryshuar dhe struktura moshore e saj. Duke qenë se pjesa më e madhe e emigrantëve janë në moshë pune, është zvogëluar numri i popullsisë në moshë pune. Kjo nga njëra anë dhe zvogëlimi i lindshmërisë kanë bërë që të zvogëlohet pesha specifike e popullsisë në moshë pune dhe e popullsisë së moshës së parë dhe të rritet popullsia e moshës së tretë (pra e pensionistëve).
Shqetësimi më i madh është se raporti midis kontribuesve dhe pensionistëve ndodhet në një gjendje kritike. Në vitin 1990, për një pensionist numëroheshin 5-8 kontribues, ndërsa në vitet e fundit për një pensionist numërohen vetëm 1.2 kontribues.
Të dhënat mbi kontribuesit dhe pensionistët në vitin 1990 dhe në vitet e fundit po i paraqesim në grafikun që vijon:

Rruga kryesore për rritjen e pensioneve në vitet e ardhme është rritja e punësimit dhe të gjithë të punësuarit të jenë kontribues në skemën e sigurimeve shoqërore.

5. Edhe me këtë nivel të zhvillimit ekonomik pensionet duhet të rriten

Një tregues i rëndësishëm i cili shërben për të vlerësuar zhvillimin ekonomik të vendit dhe standardin e jetesës së popullsisë është prodhimi i brendshëm bruto për frymë. Në bazë të të dhënave të FMN-së, në një nga vitet e fundit ky tregues në vendin tonë ishte 4565 USD, kur mesatarja e Bashkimit Europian ishte 34060 USD në vit.
Prodhimi i brendshëm bruto dhe ai për frymë të popullsisë është vetëm njëra anë e çështjes, ana tjetër shumë e rëndësishme është treguesi i raportit midis të ardhurave të buxhetit të shtetit në krahasim më prodhimin e brendshëm bruto. Mesatarja e këtij treguesi për vendet e Bashkimit Europian është 45 %, ndërsa në vendin tonë është 24%.
Për vitin 2013 PBB ishte 12.8 miliardë USD dhe të ardhurat e buxhetit të shtetit vetëm 3,096 miliardë USD. (Raporti midis të ardhurave të buxhetit dhe GDP ishte 24%). Në rast se vendi ynë do të kishte raportin që ka Bashkimi Europian (45%), atëherë buxheti do të kishte të ardhura 12,8 x 45% = 5,760 miliardë USD, ose 2,664 miliardë USD më shumë (5,760- 3,096).
Niveli i ulët i të ardhurave të buxhetit të shtetit në vendin tonë është rrjedhojë e informalitetit dhe korrupsionit. Ky është faktori kryesor i nivelit të ulët të shpenzimeve për çështje sociale krahasuar me PBB. Puna e madhe që bën qeveria për uljen e informalitetit dhe korrupsionit duhet përkrahur nga të gjithë sepse do të ndikojë në rritjen e të ardhurave të buxhetit të shtetit dhe të popullsisë.
Në shpenzimet për çështjet sociale bëjnë pjesë këto katër kategori shpenzimesh:
1) Shpenzimet për sigurimet shoqërore.
2) Shpenzimet për sigurimin shëndetësor.
3) Pagesat për papunësinë.
4) Ndihmat ekonomike.
Krahas vëllimit të këtyre shpenzimeve në shifra absolute, llogaritet edhe pesha specifike e tyre në prodhimin e brendshëm bruto. Në tabelën që vijon po japim të dhëna mbi shpenzimet për mbrojtjen sociale në raport me prodhimin e brendshëm bruto për periudhën 2010- 2014:

Shpenzimet për mbrojtjen sociale në raport me GDP

Në vendet e BE-së, pesha specifike e shpenzimeve për çështje sociale është 29.5%.
Faktet që u përmendën tregojnë se prodhimi i brendshëm bruto në vendin tonë është shumë më i vogël krahasuar me vendet e tjera europiane, por e keqja është se si rezultat i informalitetit dhe korrupsionit të ardhurat e buxhetit të shtetit janë shumë më të ulëta krahasuar me prodhimin e brendshëm bruto dhe kjo bën që të zvogëlohen shumë shpenzimet për çështjet sociale (ku përfshihen edhe pensionet). Tani le të bëjmë një llogaritje të thjeshtë:
- Prodhimi i brendshëm bruto i vendit tonë në vitin 2013 ishte 12781 milionë USD.
- Shpenzimet për çështjet sociale po atë vit ishin 10.68% ose 1365 milionë dollarë.
Në rast se shpenzimet për çështje sociale do të ishin 30%, aq sa i ka pasur Bashkimi Europian, atëherë shuma absolute e tyre do të ishte 3834 milionë dollarë.
Shtesa e shpenzimeve për mbrojtjen sociale do të ishte 2469 milionë dollarë (3834 – 1365) ose e 3-fishuar. (Llogaritjet janë bërë sipas Vjetarit Statistikor 2010-2014, fq. 44, 100.)
Nga të dhënat e përllogaritura me sipër, rezulton se si pasojë e korrupsionit në përmasa të mëdha, nuk mblidhen të ardhurat në buxhetin e shtetit dhe kjo zvogëlon shpenzimet për mbrojtjen sociale (pra dhe për pensione). Në bazë të kësaj analize arrihet në përfundimin se po të ulet informaliteti dhe korrupsioni, me këtë vëllim të prodhimit të brendshëm bruto shpenzimet për çështjet sociale (ku vendin kryesor e zënë pensionet), do të 3-fishohen, gjë që do të ndikonte në uljen e varfërisë dhe në përmirësimin e jetës së pensionistëve dhe shtresave të varfra të shoqërisë.
Krahas kësaj, në fushën e pensioneve duhet të bëhet një reformë e thellë, me qëllim që të zbatohet plotësisht parimi që madhësia e pensionit të përcaktohet sipas kontributeve individuale. Për këtë kërkohet:
Të zbatohet plotësisht parimi "PAYNG AS YOU GO", që ka kuptimin të paguash sot me qëllim që përfitosh nesër.
Të përcaktohet minimumi i paprekshëm siç e kërkon legjislacioni. E theksojmë këtë se në vendin tonë mungon minimumi jetik zyrtar.
Pensioni nuk duhet të ngatërrohet me asistencën sociale, se pensioni është kthim parash për kontributet që ke derdhur.
Në fushën e pensioneve nuk duhet të punohet me dy standarde. Shteti nuk duhet të rregullojë pensionet e reja dhe disa kategorive të pensionistëve u bëhet padrejtësi me dispozitat ligjore në fuqi. Qeveria nuk mund të justifikohet me faktin se "këto pensione i kanë vendosur qeveritë e mëparshme dhe ne do të rregullojmë vetëm pensionistët e rinj".

6. Problemet që do krijohen në të ardhmen me rritjen e moshës dhe të viteve të kontributeve për të përfituar pension të plotë
Gjatë vitit 2014 qeveria ndërmori disa reforma të rëndësishme, ku përfshihet edhe reforma në sistemin e pensioneve. Në fund të muajit korrik 2014 Kuvendi miratoi ligjin nr. 104/2014 "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, 'Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë', të ndryshuar". Ky ligj ka ndryshuar pjesën më të madhe të neneve të ligjit të mëparshëm dhe amendamenteve të miratuara deri në vitin 2014. Duke filluar që në vitin 2015, krahas të tjerave, parashikohen ndryshime në moshën e daljes në pension dhe në vitet e derdhjes së kontributeve për të marrë pension të plotë.
Sipas ligjit të ri, parashikohet që mosha për daljen në pension të njësohet si për meshkujt dhe për femrat dhe për kategori të ndryshme të punës.
Deri në vitin 2014 mosha e daljes në pension ndryshonte jo vetëm sipas gjinisë (meshkuj dhe femra), por edhe sipas kategorive të ndryshme të punës. Sipas ligjit të ri, parashikohet që në vitin 2056 mosha e daljes në pension të jetë 67 vjeç për të dyja gjinitë dhe për kategori të ndryshme të punës. Kjo do të arrihet nëpërmjet rritjes graduale vjetore të moshës për të marrë pension të plotë.
Në tabelën që vijon po japim të dhëna për moshën e daljes në pension për disa vite:

Mosha e daljes në pension (shprehur në vite)

Sipas të dhënave të tabelës së mësipërme, shikohet qartë se rritje më e madhe e moshës së daljes në pension parashikohet për gratë, pasi ato dilnin në pension, si rregull, 5 vjet më parë se burrat, ndërsa në vitin 2056 mosha e daljes në pension parashikohet e njëjtë.
Duke studiuar ndryshimin e moshës së daljes në pension sipas kategorive të punës, vëmë re se rritje më e madhe parashikohet për kategorinë I, pasi si për burrat, ashtu dhe për gratë, mosha për të dalë në pension për këtë kategori ishte shumë e ulët.
Përsa u përket viteve të kontributeve, sipas ligjit të ri parashikohet që në vitin 2056 të jetë 40 vjet për të dyja gjinitë, po kështu për të gjitha kategoritë e punës.
Në tabelën që vijon po japim të dhëna në lidhje me pensionet e mbyllura të pleqërisë në vitin 2014.

Koha mesatare e gëzimit të pensioneve (2014)

Emërtimi Meshkuj Femra Gjithsej
Pension urban 19.4 23.9 21.5
Pension rural 19.7 24.0 22.7
Gjithsej 19.5 23.9 21.8

Burimi: ISSh. Raporti vjetor, 2014. F.72

Në tabelën që vijon do të paraqesim disa të dhëna krahasuese mbi vitet e kontributeve dhe vitet e gëzimit të pensioneve në vitet e fundit dhe në vitin 2056.

Kontributet dhe koha mesatare e gëzimit të pensionit

Emërtimi Vitet e fundit Parashikimi 2056
Vitet e kontributeve 35 40
Vitet e gëzimit të pensionit 21.3 14.3
Raporti i viteve të kontributit me vitet e pensionit 1.6 2.8

Të dhënat e tabelës së mësipërme po i paraqesim në grafikun që vijon:

Të dhënat e tabelës dhe grafiku tregojnë qartë se në vitet e ardhshme parashikohet që të rriten kontributet dhe mosha e daljes në pension dhe në të njëjtën kohë parashikohet që të zvogëlohen vitet e gëzimit të pensionit.
Sigurisht, në vitet e ardhme mund të ketë një rritje të vogël të treguesit të zgjatjes mesatare të jetës, gjë që do të ndikojë në shtimin e viteve të gëzimit të pensionit (por kjo rritje është e vogël).
Praktika e deritanishme ka treguar se njerëzit duhet të punojnë dhe të kontribuojnë më shumë vite për të dalë në pension. E theksojmë këtë për faktin se personi që ka plotësuar vitet e kontributeve nuk mund të dalë në pension se nuk ka plotësuar moshën përkatëse. Kështu mosha e punës (sigurisht dhe e shkollës) në të ardhmen do të jetë 15-67 vjeç (d.m.th. 52 vjet). Sigurisht, një pjesë e popullsisë (sidomos në fshat) do të jetë e detyruar të punojë dhe të kontribuojë më shumë se 40 vjet.
Zbatimi i karakterit kontributiv të madhësisë së pensioneve kërkon që si mesatare shuma e kontributeve të jetë e barabartë me shumën e pensioneve. Në të kundërtën, do të krijohen probleme në derdhjen e kontributeve dhe në të ardhurat e buxhetit të sigurimeve shoqërore.

Marrë me shkurtime nga Revista "Demografia"(http://www.revistademografia.al/ilia_telo_artikulli_demografise_nr1_2017...)

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Me duket se nuk ka emigruar 35% e popullsise shqiptare, por me teper se gjysma e saj. Vete fakti qe fshatrat jane te boshatisura, vete fakti qe rreth 70-80 % e familjeve kane nje e me shume te emigruar jashte shtetit, tregon se gati 2/3 e shqiptarve kane emigruar jashte.

Submitted by Fillestari (not verified) on

Nje problem qe autori nuk ka cekur, eshte problemi i borxhit te shtetit. Kjo do te paguhet me te ardhurat e shtetit qe ne nje popullesi te moshuar do te bien. Keshtu qe, nese nuk merren me hua nga shteti dhe nese popullesia do te ulet 2-3 here ne shqiperi deri me 2050, i bie qe borxhi per fryme te dyfishohet, cka do te jete e papperballueshme. Politikat ekonomike duhet urgentisht te mendojne se cfare po u leme peshqesh brezit te ardhshem.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.