Kakaritësi profesionist i "zhvillimit"

Postuar në 20 Gusht, 2018 13:46

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka zbuluar përmes një interviste në revistën “fDi”, pjesë e Financial Times, atë që ai e quan filozofi pune. Ja pasazhi që na rrëfen heroin e punës qytetare:

“Një këngë e Rolling Stones thotë: “Koha është në anën tone”, – jo, koha nuk është në anën tonë, koha vetëm ecën”, thotë ai. “Ne duhet ta shohim këtë si një urgjencë të shëndetshme; kur më pyesin cila është metafora e bashki, unë u them se kjo bashki duhet të funksionojë si një “pulë”. Një pulë që duhet të bëjë një vezë çdo ditë, ndonjëherë dy, tre, por çdo ditë ne duhet të bëjmë diçka. Publiku duhet të shohë të paktën një gjë që nuk ka ndodhur dje; kjo u jep njerëzve ndjesinë e përparimit, por gjithashtu edhe një ndjenjë shprese”.  Sa i përket urgjencës për ta kthyer qytetin në një kryeqytet modern europian: “E quaj obsesion… një obsesion i shëndetshëm”, – qesh Veliaj. Dhe me këtë ai përfundon intervistën duke hipur në biçikletën e tij, për të vizituar një nga kantieret e radhës

Ngjan si skenari i një dokumentari optimist për forcën e njeriut të ri, të dikujt që e ka hararet të madh meditimin, reflektimin, apo edhe pushimin. I shikon këto aspekte të veprimtarisë si humbje kohe, shënjë dembelizmi, ndërkohë që ato janë kaq të vyera për të shmangur gabimet.

Në rastin e z. Veliaj, gabime nuk ka. Ka diçka më keq. Krime. Krime mjedisore, gënjeshtra elektorale, krime urbanistike dhe një imponim të presionit psikologjik të zhurmës dhe pluhurit të një qyteti që perceptohet si kantieri i eksperimenteve personale. Por edhe krime mediatike, për sa kohë shohim sesi gazetarë, analistë, mendimtarë të çquar, apo edhe televizione kombëtare janë vënë në rresht të përmalluar nga djaloshi që po revolucionarizon edhe vetë jetën tonë.

Pula e bashkisë që bën një vezë në ditë, është ajo që shqep rrugët e Tiranës për natë, që inskenon punime dhe rehabilitime në çdo aks, që shpik korsi dhe ngjyra ndriçimi, që promovon kompani të ndryshme, koncerte gjithfarëshe dhe që zë me kohë pune që nga lulishtari e deri te sejmenët e Lalit në zyrën e shtypit.

Por këto nuk janë punë transformuese siç pretendon zotëria. As edhe përcjellin ndonjë ndjesi pozitive apo shpresë. Ato janë gangrena e një qyteti që nuk po gjen qetësi, e biznesit ndaj të cilit përveç presionit fiskal, i shtohet edhe presioni i zhbërjes së peziazhit urbanistik që sjell me vete kosto të mëdha, është gangrena e faturave që vijnë bashkë me këto prrallisje të një mashtruesi të liçencuar si krybashkiaku i Tiranës, që në mungesë të çdo vizioni për zhvillimin, paketon fjalë dhe fjali për t’i lëshuar me bindje si receta e duhur. Do ecim lart në vend se të shtrihemi, ja një prej tyre që përligj kullat për të cilat zotëria ka rekomandime nga tjetër kush. Nuk dihet sesi këto kulla i shërbejnë qytetarëve meqenëse siç thotë z. Veliaj, kjo është bashkia e tyre. Apo qendrat tregëtare që po hedhin themele në mes të Tiranës.

Asnjë fjalë për shpërthimet në kopshte aop çerdhe, për problemet me mbipopullimin në shkolla për të cilat na u shtua edhe një taksë shtesë. Asgjë. Zotëria është autik në këtë drejtim. Propaganda e tij është drejtvizore në logjikë dhe në fjalë. Flitet vetëm për gjëra të mira. Përflitet çdo kundërshtar si armik i zhvillimit dhe trumbetohen si arritje epokale investimet në 30 m2 trotuar. Fallsifikatori i akuzuar që drejton sot Bashkinë e Tiranës blen majtas dhe djathtas dashurinë komerciale të mediave, jep intervista anglisht dhe shqip ku flet vetëm në emrin tonë. Ai e ka harruar veten, ai e ka sakrifikuar rininë e tij për ne, mirëqenien tonë. Z. Veliaj është një frymor që ekziston për qytetin, ai është qytetari i parë dhe i fundit i tij, që çohet herët e ngryset vonë vetëm e vetëm që jeta jonë të jetë më e mirë. Ai po lufton ngado, me prapambetjen, cinizmin, ligësinë, me gjumin, interesat e mëdha. Dhe po triumfon.

Ai po na dhuron një qytet më të mirë, të ndryshuar, të transformuar sipas imazhit të kryeministrit, por të ri. Ushtar i pamposhtur i zhvillimit, Erion Veliaj po shitet si dhuratë për Tiranën e lodhur dhe të zhurmshme, si një destin që nuk duhet hedhur poshtë.

Ka ndikim kjo lloj propagande. Ka ndikim te brezi i ri, që shikon biçikletën e Veliajt, duke përtuar të dyshojë për fjalët e tij. Një brez që sheh kallëpin e dikujt që është në modën e kohës, por që nuk shquan dot hajdutin e kohës dhe mashtruesin e premtimeve të pambajtura. Sepse sot politika e ka klonuar veten me perceptimin e ri që nuk mat ndonjë gjë sipas të mirës dhe të keqes, por që e sheh vendimmarrjen si diçka të deleguar larg, te Dikush që merr vesh.

Patjetër që z. Veliaj i interesojnë “qytetarë” të tillë, miopë të fjetur në mirëqenien parazitare të tranzicionit, që i bien shkurt dhe e unifikojnë votën me një like. Dhe ndodh kjo edhe sepse opozita dhe mediat nuk kanë ndonjë llogari të hapur me këtë individ që po infekton si murtajë mjedisin social në Tiranë, këtë individ që është lakuriq në gënjeshtrat e tij, por të cilin të gjithë duan ta shohin të veshur. Edhe kur paaftësia e tij e vendos në karrigen e akuzës siç ishte së fundmi rasti i përmbytjes, apo ca më keq, kur është përfolur për vdekje personash. Suksesi i këtij kallëpi nuk është çështje aftësie personale, por reflekton një situatë të gjerë sociale dhe ky është problemi qendror me këtë kakaritës të bezdisshëm dhe tanimë të rrezikshëm.

Comments

Submitted by GR (not verified) on

Vete artikulli duket si kakarisjet e nje pule qe as ka bere e as pritet te beje ndonje veze ne jete te vet... Pak rendesi ka si eshte Veliaj, fakti eshte qe kesaj forme te beri lajm apo analize i ka ikur vakti me kohe... Mllefo-Analizat spijne uje me as per te rregulluar balancat e prishuara hormonale te autorit.... Keqardhje per nje nivel kaq te ulet Respublica. Dikur ishit ne balle te luftes, tani jeni bere si komentuesit e ndonje portali ordiner qimpekëror... Nuk merret vesh kush shkruan artikullin, gazataret apo ndonje komentues me probleme prostate...

Submitted by GRRR (not verified) on

Ne vend qe te analizoje punen e atij qe paguhet nga taksapaguesit e qe po abuzon me besimin e dhene duke shumefishuar taksat ne menyre absurde e te pajustifikuar, andrologu GR merret me autorin e shkrimit. Provo te degjosh njerezit se cfare mendojne per "punen" e Veliajt qe edhe genjeshtrat e abuzimet urbanistike i shet per suksese. Futu ne zyrat e UKT-se te degjosh se si mallkohet zullumqari mashtrues i bashkise. Beri gjithe ate fushate kunder betonizimit e sot po na del kullaxhi i thekur. Nuk po i hyj ketu aspekteve penale dhe ligjore te cilat i ka shkelur me kohe e me vakt por edhe ajo qe ai e shet si pune me artikuj te paguar e me video te paraergatitura duket si nje kakarisje e lodhur vere. A e ke pare se si kane perfunduar ato pemet e mbjella? Po trotuaret e shkaterruara e pluhuri qe ka mbuluar Tiranen me punimete per permiresimin e infrastruktures se ujesjellesit? Kudo ne bote behen punime te tilla por me pas nuk lihen pllakat gjysme te shkaterruara, pluhur e baltesi si gjurme te nje operacioni te kryer shkele shko. Nuk ndertohet nje shesh ne qender te qytetit qe te permbyte Bashkine e Biblioteken Kombetare e qe nuk ka kerrkund shenjen e nje estetike te pelqyeshme per qytetin. Perkundrazi trafiku eshte cmendur , rreziku per aksidente eshte shumefishuar e parkingu nen toke eshte bere nje cerdhe PM10 vdekjeprurese.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.