“Dasma e Teatrit” dhe Beu i Fushës

Postuar në 02 Korrik, 2018 20:20

Në vitin 1998 regjisori Vladimir Prifti ekranizoi një novelë të Vath Koreshit me titull “Dasma e Sakos”. Ngjarjet zhvilloheshin në një qytet fantazmagorik që përjetonte tranzicionin e periudhës mesjetare. Sakoja është një hyzmeqar beqar që punon prej kohësh për llogari të beut të zonës. Ky i fundit, ashtu si edhe babai i tij më përpara, i ka premtuar qëmoti Sakos se në shkëmbim të punës së tij të lakmueshme do t’i gjejë një nuse e do t’i bëjë dasmën.

Në fund, beu nuk e kishte harruar premtimin, por e organizoi sipas skenarit të tij. I solli Sakos nusen të hipur në një kalë dhe kur të gjithë prisnin që nusja të zbulonte fytyrën doli se mbi kalë ishte karagjozi i fshatit i përngjyer me buzëkuq.

Metafora që përcillet është se në thelb shpërdorimi i pushtetit është i njëjtë por ka shfaqje të ndryshme, ku sfida më e madhe e njeriut është liria dhe një dinjiteti i vërtetë njerëzor. Akt i një drame sa personale aq edhe politike, ku tradita shërben për të kuptuar raportin që pushteti ka ruajtur me këtë shoqëri por edhe me tiplogjinë e bejlerëve apo shërbëtoreve (sakove).

Për analogji Shqipëria po bëhet gati për një dasëm të madhe, atë që qeveria po përgatit me kompaninë “Fusha sh.pk” për ndërtimin e një kompleksi kullash dhe të ashtuquajturin Teatër të Ri. Qeveria po e servir si një bamirësi të madhe që po i bën popullit të saj të varfër, duke u thënë se shteti i tyre i telendisur e ka të pamundur për të ndërtuar vetë Teatrin. Për të celebruar këtë skenar kryeministri nuk e ka patur të vështirë të gjejë personazhet. Mirela Kumbaron, Erion Veliaj dhe natyrisht ai vetë.

Nusja e kësaj mblesërie duhet të ishte Mirela Kumbaro, e cile si ministre e Kulturës kishte barrën t’i prezantonte publikut projektin e Kullave me Teatër përpara. Por e pazonja për të nusëruar në këtë pozicion, më shumë duke heshtur sesa duke folur, Kumbaros iu hoq menjëherë roli, ndonëse ligjërisht i takon asaj të përgjigjet për Teatrin. Kryeministri reagoi shpejt dhe futi në aktrim nusen rezervë, kryebashkiakun Erion Veliaj. Imazhi  që qarkullon për të është ai i një shërbëtoi të palodhur dhe i një nikoqiri par excellence .

Ndonëse pa asnjë autoritet për të negociuar mbi projektin e Teatrit Kombëtar, ky i fundit iu paraqit publikut me gjithë pajën që sjell nusërimi i tij për llogari të dasmës që po bën qeveria me kompaninë “Fusha.sh.pk”. 6 kulla dhe një teatër.  Nuk është rastësi që këtë rol e mori zoti Veliaj, një personazh i talentuar dhe i sprovuar në fushatat që kanë si qëllim manipulimin e publikut. Në finale dasmorët do zbulojnë se mbi kalë nusja e vërtetë është Mirela Kumbaro megjithë kallangjepsjet që do lërë pas mënxyra e mblesërisë, Fusha-Rama-Veliaj.

Në fakt beu i kësaj historie është kryeministri Rama, i cili është ai që lëviz fijet e të gjithë kësaj shfaqjeje që nuk është gjë tjetër veçse demostrim i arrogancës së pushtetit dhe një abuzim i pastër në favor të interesave private. Një tallje me shqiptarët në dritë të diellit nga ata që mund të quhen beljerët modernë të veshur me qillota dhe atlete.

l.mitro

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Natyrisht, kapitali i ve ne levizje politikanet, pasi i sjell edhe arkes se shtetit, (perfshi edhe ate te Bashkise se Tiranes) taksat e derdhura. Problemi eshte cfare projekti mendohet aty te ngrihet! Nje kulle, propocionale me kullat e tjera perreth dhe larg idese se teatrit, apo nje ndertese e bukur moderne ne stonim me ndertesat e tjera perreth (si gjithkund tashme ne Tirane), ku mund te pershtatet deri diku nje teater modern, apo-apo do ngrihet nje ndertese gati e ngjashme me teatrin e sotem, i cili pershtatet deri diku me ndertesat e krahut te tij perendimor, por qe nuk e merr persiper njeri ta ndertoje, sepse arka e shtetit nuk ka ku ti gjeje ato para!?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.