Pakti me djallin

Postuar në 18 Tetor, 2012 04:13
Ben Andoni

Ndër njerëz të ndryshëm, pyetja më e rëndomtë që ngjalli vrasja e ish-kryeministrit reformator serb Xhinxhiç, ishte shumë pragmatike: Pse u vra xhanëm? Me atë kurs pro evropian, që po ndiqte i ndjeri dhe me një brand të natyrshëm të moderuar, pas regjimit të Sllobos, hamendësitë ishin të shumta. Ndër disa prej personaliteteve të njohur pyetur në Serbi, ishte dikush që do përgjigjej në mënyrën më lakonike. “Ai bëri pakt me djallin. Dhe kur djalli të thërret, nuk ke se çfarë t’i bësh më...”. Përgjigja linte shteg për shumë interpretime, por arsyetimi ishte shumë i drejtpërdrejtë. Ashtu si ndodh me vrasjet e politikanëve të njohur, kujtojmë në këtë aradhe figurën e madhe të J.F.Kenedit, Malkolm X, Luter King, Aldo Moros koha la vend për shumë spekulime. Dhe, kur këto ndodhin në vende me hapësira demokratike të madhe, atëherë çfarë mund të presësh për ballkanasit.

Një e tillë, për fat të keq, u ka ndodhur të përndjekurve shqiptarë. Flirti që kanë bërë me politikanët e sotëm i ka bërë të jenë shumë të cënueshëm ndaj lloj-lloj skenarëve. Pakti i tupshëm  me këtë djall të madh që është politika shqiptare e dy krahëve sot i ka kushtuar realisht shumë të përndjekurve shqiptarë. Ata, vetë, megjithë deklaratat dhe grevën e gjatë, nuk jetojnë dot pa politikën.

Akti i gradës së fundit së dyve syresh prej tyre për të djegur veten publikisht ka treguar fundin e një kauze, e cila nuk u respektua dhe nga vetë të përndjekurit që janë në fuqi. Paradoksi është edhe më i madh kur mendon se ndërsa qeveria në fuqi, aleate organike me këtë shtresë i përqesh dhe i anatemon në mënyrën më të turpshme, krahu tjetër politik mbartës i ngarkesës emocionale të së shkuarës, ka marrë flamurin e mbrojtjes.

Nga ana tjetër, deri ditën e vetësakrifikimit ekstrem, por edhe më pas shqiptarët janë treguar tejet indiferentë me ta. Intelektuali Sami Repishti dhe vetë i kësaj kategorie, do e apelonte me dhimbje fenomenin nga SHBA. Dhe, arsyeja është e thjeshtë, paçka se zotëria nuk e ndjen dot nga largësia. I përndjekuri shqiptar ka marrë atribute që e kanë larguar nga e vërteta. Shumë syresh pa asnjë kontribut janë shitur dhe kanë uzurpuar pa fund privilegje. Vetëm me kartën e të përndjekurit lloj-lloj surretërish pa asnjë kontribut kanë përfituar benefice të pamerituara, duke përzënë masivisht të tjerë, që kanë punuar vetëm falë profesionit dhe kokëuljes. Modestia e tyre në Shqipëri quhet dobësi. Ndërsa egërsia e akteve të shumë prej njerëzve që luanin kartën e të përndjekurit ishte tejet kufijve. Këtë makutëri e shfrytëzoi shumë mirë qeveria, që nga ana tjetër vonoi dhe vonoi me lloj skemash dëmshpërblimin e shumë të përndjekurve të vërtetë, me dinjitet, apo edhe që s’kishin më fuqi të kërkonin atë që u takonte. Ndaj, të tjerët, ata që s’vuajtën si ata, u bënë gjithnjë e më shumë indiferentë prej tyre.

E vërtetë, ndërsa i përndjekuri i dytë bënte sërish një akt të tillë publik me vetëdjegje, z.Ngjela një i përndjekur që i ka provuar të dy krahët politikë madje deri në kupolën zyrtare të drejtësisë shqiptare bënte një promovim luksi të kujtimeve të tij. Pak orë më vonë, një gjysmë e përndjekur, kryetarja e Kuvendit znj.Topalli do bënte shoë në parlamentin shqiptar duke ironizuar kolegët e saj deputetë dhe duke shmangur telashin e njerëzve të kategorisë së saj. E më shumë akoma, ndërsa të përndjekurit lëngonin në çadrën e tyre, Tirana zyrtare me shumë nga ata që tundin flamurin e të përndjekurit, hidhte fishekzjarrë triumfi për hapjen e negociatave evropiane.

Në të gjithë këtë hulli, ata që kanë humbur më shumë: kanë qenë ata të përndjekur që nuk e ngritën kurrë zërin sepse nuk mund të përballnin xhunglën, që krijuan lloj-lloj pseudosh për kinse përndjekjen e tyre. Të kujtosh: Nuk janë më shumë se 1100 të pushkatuar për të gjitha fajet dhe janë shumë pak familjet që realisht vuajtën dhe që Shqipëria u detyrohet, por tashmë je i frikësuar nga sasia e frikshme e të dhënave që serviren. Nëse Shqipëria do të kishte realisht kaq disidentë atëherë rezistenca do të ishte shumë e shumë më e madhe dhe jo aq e pazëshme si ndodhi realisht në Shqipëri. Por, ky është kapitull tjetër, ashtu si kapitulli i të humburve dhe të pushkatuarve, që kinse nuk gjenden. Pasi, në një shtet si shteti i Enver Hoxhës, ku çdo gjë ishte e dokumentuar është e pamundur të mos gjenden evidencat e shumë njerëzve ende pa varr. Por, edhe kjo nuk mundet?! Pasi shumë nga ata që vërtetuan ‘fajet’ e tyre ishin në pushtet në kohën e socialistëve. Ashtu si po ndodh sot me shumë nga pseudo e shumtë të PD-së në fuqi, që i përdorën fillimisht si kauzë gjetjen e tyre dhe tashmë as nuk kujtohen më për të pavarrët. Kjo mbetet ana e zezë por edhe mjerane e të persekutuarve shqiptarë. Ndaj at Zef Pëllumbi mundohej të rrinte sa më veç kësaj rrahje gjoksi, apo Kardinal Koliqi, shtynte ditët e fundit në vetmi. Në vend të tyre dolën një sorollop i tërë që krenoheshin për gjëra që s’kishin asfare lidhje dhe që e molën Shqipërinë në mënyrën më të ndyrë.

Dhe, ndërsa ata që vuajtën realisht burgun që ngrysën jetën nëpër internime, të afërmit e atyre që u pushkatuan jetuan në çdo moment rrinin me kokën kthyer nga lajmet në gazetë të merrnin vesh ndonjë lajm, për ndonjë këst shpërblimi, u persekutuan me indiferencë, nga kinset që u morën gjithçka. Dhe, sot ashtu si dikur me ata që përdornin gjakun e martirëve të Luftës së Dytë Botërore dhe patriotëve, një takëm tjetër u bë më makut dhe transformoi çfarëdo mundej. Ishin të persekutuarit me paktin me djallin që bënë Ata i dhanë neo-komunistëve, që sot janë në parlamentin shqiptar mundësinë të përdornin të gjithë historinë e tyre, në kurriz të pjesës tjetër të popullsisë.

Dhe, ndaj njerëzit janë gjithnjë e më indiferentë për ta dhe për grevat e urisë, që zgjasin pafund apo për deklaratat e dy partive në fuqi dhe dy partizave të tjera, që ende si kemi parë në zgjedhje, por që rreken të tundin flamujt e një kodi të ri marrëdhënie. Ku të gjithë e dimë se me paratë që ka shteti shqiptar s’përballon dot jetën e jetimëve, të familjeve të varfra etj. Është një pakt me djallin që të gjithë e kuptojnë se po e vuajnë, por tashmë s’ka më kthim pas.

Jo shumë javë më larg, askush s’kujtohej më për Xhinxhiç. Për burrin që kishin dalë gati 1 milionë veta në funeral, kishin kuptuar se pakti me djallin e kishte shpërblyer në këtë mënyrë. Ashtu si të shpërblen kurdo djalli.

Marrë nga GSH

Comments

Submitted by reformer (not verified) on

<p>Po c&#39;te besh kur djalli te shfaqet si engjell.</p>

Submitted by PO PO (not verified) on

<p>me ne fund nje shkrim vertete i mire.&nbsp; Kjo eshte e verteta. Te tjerat jane pazare ditore e hesape pushteti, lakmie dhe perfitimi.</p>

Submitted by Mateo (not verified) on

Dua

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.