Shqipëria ndihmon SHBA-të dhe NATO-n me analizë gjeostrategjike

Postuar në 18 Prill, 2018 21:38

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka është shfaqur sot në një intervistë për Zërin e Amerikës ku ka folur për kërkesën që i është drejtuar SHBA-së për vendosjen e bazave në Shqipëri. Ministrja justifikohet për kërkesën me argumente qesharake, kur teksa pyetet me këmbëngulje nga gazetarët e ZA-së, nëse ka një kërkesë të tillë nga NATO apo SHBA, përgjigjet në mënyrë të tërthortë se Jo.

Xhaçka merr mandej kurajon që t’i paraqesë NATO-s dhe SHBA një analizë të vetën, apo të ministrisë dhe qeverisë për situatën gjeostrategjike në Ballkanin Perëndimor, të cilën ndoshta aleatët perëndimorë kanë harruar ta bëjnë.

Kërkesa jonë, kërkesa e Ministrisë së Mbrojtjes në takimin me sekretarin Mattis vjen edhe si rezultat i faktit që NATO sot nuk ka kapacitete të saj në Ballkanin perëndimor. Duke pasur këtë parasysh, duke patur parasysh edhe rolin stabilizues të Shqipërisë në Ballkan, bëmë një kërkesë për të vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet tona, qofshin këto baza ushtarake, apo kapacitete ajrore, detare e tokësore si mundësi për të ofruar një garanci për NATO-n dhe për SHBA-të për të përballur sfida që vijnë nga Lindja dhe nga jugu

është shprehur Xhaçka. E cila ndoshta ka edhe të drejtë në këtë lëvizje që mund të quhet strategji kinematografiko-politike. Kujtoni filmin “Wag the Dog”, sesi Shqipëria vjen në mendje si pjesë e skenarit politik jo si rrjedhë logjike, por si invencion intuitiv, si emër goditës i cili bën sa për të ndezur flakën, por mbi të cilin nuk mund të hetosh asgjë. Ndoshta zonja Xhaçka ka dashur t’i kujtojë z. Mattis ekzistencën e një opsioni strategjik ndërkohë që publikut i thotë se NATO nuk ka prezencë në Ballkanin Perëndimor. Ministrja është e kujdesshme kur edhe pse vendosjen e bazave në Shqipëri nuk ja kërkon Aleancës, por SHBA-së, deklaron se kërkesa është bërë se “në Ballkan nuk ka baza të NATO-s”.

Në përgjigje të pyetjeve ironike të gazetares e cila i kujton ministres se kërkesa nuk është miratuar, zonja Xhaçka është mbrojtur me argumentin e “sekretit”, që mesa duket në këtë botë të ndërlikuar I ka rënë për hise edhe qeverisë shqiptare.

Ndoshta këto nuk janë çështje për t’u biseduar dhe eksploruar në një studio televizive, por është e vërtetë ajo që ju thashë pak më parë: influenca ruse në rritje, pra, rreziqet që vijnë nga lindja, por edhe rreziqet që vijnë nga jugu përmes ekstremizmit fetar, apo përmes aktorëve të tjerë joqeveritarë, të cilët përpiqen të destabilizojnë rajonin në funksion të interesave të tyre. Këto janë çështje të sigurisë, që bashkë me aleatët ne i konsiderojmë; ka për t’u marrë seriozisht, ka për të mos u marrë seriozisht.

Por kërkesa ime ka të bëjë me faktin që një prani e NATO-s ose e SHBA-ve për Ballkanin perëndimor unë besoj që në këtë moment do të ishte shumë e domosdoshme. Janë rrethant që diktojnë vendime dhe nëse rrethanat janë të tilla, që kërcënimet dhe sfidat që vijnë nga lindja dhe nga jugu janë të tilla për të na diktuar këtë vendim unë shpresoj që ata do ta konsideronin me seriozitet

shprehet Xhaçka.

Ndoshta ministres i duhet të lëshojë ca fjalë sa për të gënjyer shqiptarët se me Amerikën socialistët e kanë grurë, por në fakt pakkush harron se Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe se siç pohoi pak javë më parë edh Rudolf Giuliani, në vendin tonë nuk ndihet influence ruse. Po kështu nuk ka asnjë dokument të NATO-s që të përcaktojë rreziqe konvencionale për Shqipërinë nga forca të huaja, ndërkohë që destabilizimi i famshëm për të cilin zonja ministre flet, mund të ndodhë kudo. Dhe për këtë ka një zgjidhje: Zgjedhje të reja dhe marrëveshje politike.

Comments

Submitted by Arben (not verified) on

Amerika mund te harroje, se ka nje aleat shume me peshe ketu, partine Socialiste! Prandaj Xhacka ben mire qe ua kujton!

Nuk ka faj, talenti shqiptar arrin majat e veta ne fushen e servilizmit dhe nga ky talent ndoshta del dicka! Ne rastin me te keq, kur Amerikes i terheqim 0% vemendje me talentin tone, te pakten kemi fituar besimin e masave te varfera tek ne, qe kemi ne krah Ameriken, ne krah te PS!

Submitted by Mark (not verified) on

Po jemi ne NATO, ama nuk kemi nje ushtri dinjtoze, fabrikat e Gramshit, POlicanit, Mjeksit jane mbyllur. Njerezit vazhdojne te largohen, ndersa ne vendet e tjera te NATOs industria e armeve lulzon.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.