Hapja e negociatave, shqiptarët hyjnë në tregun e punës së BE-së

Postuar në 19 Tetor, 2013 08:18

Përfitimet pas dhënies së statusit kandidat. Alarmohet media britanike: Shqiptarët do të punësohen më lehtë

Fatjona Mejdini

Një mundësi e madhe për shqiptarët pritet të jetë hapi i radhës pas marrjes së statusit kandidat në Bashkimin Europian, pasi ka shumë gjasa që tregu europian i punës të bëhet i prekshëm për shumë profesione. Burime nga Komisioni Europian, por edhe media të kontinentit, shprehen se pritet që fuqi punëtore nga Shqipëria të mësyjnë Europën. Marrja e statusit kandidat nga ana e Shqipërisë, procedurë që pritet të sjellë shpejt edhe hapjen e negociatave për anëtarësim të plotë, duket se ka mobilizuar një pjesë të opinionit publik europian që kërkon ndalimin e zgjerimit të Bashkimit Europian. Debati, më shumë se çështjet parimore dhe politike të zgjerimit, po zhvillohet për sa i përket së drejtës që mund të marrin shqiptarët shumë shpejt për të punuar në vendet e Bashkimit Europian. Të parët që kanë prekur këtë mundësi janë mediat britanike, që e lidhin statusin për Shqipërinë me faktin e punësimit të shqiptarëve në vendet e BE-së në punë të lakmuara nga vetë qytetarët e Eurozonës. Ky sinjal është pasqyruar dje dhe në një artikull të gazetës së njohur britanike “Express”. “Miliona shqiptarë janë një hap më afër marrjes së të drejtës për të ardhur dhe për të punuar në Britani, pasi Brukseli i hapi vendit ‘dritën jeshile’ për të ecur në rrugën e bashkimit me unionin”, theksohet në këtë gazetë, ku citohen dhe politikanë dhe grupe interesi të ndryshëm nga Britania e Madhe, të cilët theksojnë se nuk është e drejtë që shqiptarëve në pak kohë t’i jepet e drejta të punojnë në vendet e BE-së, pasi aktualisht treguesit ekonomikë të vendit tonë janë shumë larg vendeve të zhvilluara europiane, si Britania e Madhe. Sipas legjislacionit të Bashkimit Europian, aksesi në tregun e punës bëhet me marrëveshje të Brukselit dhe Shqipërisë, të cilat natyrisht do të negociohen në bazë të suksesit që do të ketë qeveria shqiptare në zbatimin e kritereve të reformës administrative, efikasitetit të gjyqësorit, reformës në arsim etj. Heqja e vizave për qytetarët shqiptarë në vendet e BE-së ishte një hap i madh që në fakt shërbeu edhe si provë, e cila nuk u kalua deri tani negativisht nga shqiptarët që udhëtuan në vendet e zonës Shengen. Hapi i dytë, që është aksesi në tregun e punës, pritet të bëhet për profesione të rregulluara dhe me kritere të përcaktuara, që natyrisht do të kërkojnë procedura të sakta. Por gjithsesi, shqiptarëve do t’ju duhet kohë të fitojnë këtë drejtë, pasi ajo mundësi çelet vetëm pasi vendi të ketë hapur negociatat për anëtarësim të plotë. Por përpara se të ndodhë ky hap i integrimit, duhet që në muajin dhjetor, të 28 ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian të jenë të gatshëm njëzëri për t’i dhënë fillimisht Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Pas kësaj faze, Shqipërisë i duhet të plotësojë pesë kushtet e vendosura nga Komisioni Europian për të ecur përpara në rrugën e hapjes së negociatave për anëtarësim të plotë. Implementimi i reformave të administratës publike, pavarësia e sistemit të drejtësisë, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, duke përfshirë dhe ato të komunitetit rom janë kushtet e vëna, të cilat Shqipëria duhet t’i plotësojë përpara se të ecë në rrugën drejt hapjes së negociatave për anëtarësim të plotë. Pavarësisht se qeveria e re është shprehur se ajo do ta ketë integrimin prioritetin kryesor, puna për përmbushjen e këtyre kushteve kërkon një mobilizim të madh dhe reforma të cilat prekin dhe institucione të pavarura si gjykatat dhe organet e tjera të drejtësisë. Shqipëria ka humbur tre vite kohë për marrjen e statusit kandidat dhe kjo ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve të palëve politike, duke mos lejuar ecjen përpara të reformave që kërkohen nga Bashkimi Europian.

Shqip

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Hapja e negociatave me SHqiperine do te jete shume e veshtire pasi disa vevde te BE jane shume skeptike ne lidhje me hapjen e negociatave pasi shqiperia ka ende shume pune per te bere dhe ceshte me e rendesishmja eshte vetingu dhe cuarja perpara pergjegjsise politikanet e koruptuar qe ne shqiperi jane me shumice i pari qe eshte SAJMIR TAHIRI dhe te tjeret qe fshihen pas tij qe nga kryeministri dhe ministrat e tij te koruptuar kete e them me plot bindje

Submitted by Klinton (not verified) on

Pas hapjes se negociatave , bie e kspulsioni ?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.