Edhe njëherë mbi kampin e Tepelenës: Nuk ishte Aushvic!

Postuar në 07 Prill, 2018 18:42
Pëllumb Xhufi

Këto ditë ka shpërthyer një debat i ashpër në shtyp mbi ish-kampin e internimit në Tepelenë. Jam përfshirë edhe unë në atë debat, madje në një farë kuptimi u bëra shkas për ndezjen e tij. E di që kjo përplasja ime me një numër individësh, që beftën nga të katër anët pas një vlerësimi timin “ekstravagant” për kampin në fjalë, i ka bezdisur njerëzit, që përballen me probleme të tjera jetike. Por, gjykoj se debati ka dobi dhe interes publik, ndaj lutem të bëjnë pak durim e le ta kapërdijnë edhe këtë shkrim timin, që është i fundit lidhur me këtë çështje.

Prej disa muajsh, me nismë të Kryetares së Autoritetit të Hapjes së Dosjeve, zonjës Genta Sula, është lancuar e promovuar një projekt për rehabilitimin e ish-kapit të internimit të Tepelenës dhe kthimin e tij në një vend të memories, të ballafaqimit të vizituesit me një nga faqet më të errëta e të dhimbshme të periudhës së diktaturës. Deri këtu, asgjë e keqe, megjithëse për një qëllim të tillë do duheshin parë me precedencë absolute kryesimbolet e represionit komunist, burgjet e tmerrshme të Burrelit e të Spaçit. Për kthimin e tyre në muzeu të terrorit, është folur shumë në fillim të viteve ’90, por s’po flitet fare tani, në fillim të shek. XXI.

Gjithsesi, nuk dallova ndonjë “qëllim të fshehtë” dhe m’u duk relativisht korrekte edhe mbështetja që i bënë projektit Bashkia e Tepelenës, Ministria e Kulturës, sigurisht edhe ndonjë OJQ, institutet dhe shoqatat e të përndjekurve politikë. Por, me kohë fillova të shoh ndryshimin e gjuhës së ideatorëve, të cilët, në deklarata publike të lëshuara nga Tirana, Berlini e Washingtoni, nisën ta njësojnë, gjithnjë e më shpesh kampin e Tepelenës, si një “kamp të shfarosjes në masë”, si “Aushvicin shqiptar”.

Dalja në skenë e z. Agron Tufa, Drejtor i Institutit për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, apo e zonjës Jonila Godole, shefe e një OJQ-je të përfshirë në projekt, persona, për integritetin moral e intelektual të të cilëve kam pasur rezerva të hershme, më bëri të qartë, se pas projektit të Tepelenës fshihej edhe një qëllim ende i pashpallur: ai i demonizimit të qëndresës antifashiste, i rehabilitimit të kolaboracionizmit e fashizmit, i barazimit të regjimit të Hoxhës me atë të Hitlerit, edhe pse në vitet 1949-1953 ai regjim ende nuk i kishte nxjerrë plotësisht kthetrat.

Por mbi të gjitha më revoltuan insinuatat tinëzare që ushqenin demonin antishqiptar të ndarjeve Veri-Jug, të ringjallur në vitin e mbrapshtë 1997 nga individë me identitet ende të pasqaruar. Kështu, si pa dashje, shtypi filloi të mbushej me detaje të helmatisura, që kishin të bënin “mbi prejardhjen veriore” të të internuarve në kampin e Tepelenës dhe “mu mbi këtë arsye” filluan të ngriheshin rrëfimet mbi burrat e gratë e masakruar nga puna e rëndë dhe nga torturat, mbi fëmijët, ende njomishte, që shfrytëzoheshin barbarisht, njëlloj si të rriturit e që liheshin qëllimisht të vdisnin, pa bukë e pa ilaçe; rrëfimet mbi pirgjet e të vdekurve, të cilët i shtynin me buldozer në varret masive.

Nuk mungoi edhe një dalje jo elegante e Prof. Sami Repishtit, i cili botoi një letër të tij të hershme të vitit 1968, drejtuar shkrimtarit e intelektualit të shquar, atë kohë ministër, André Malraux, ku rrekej ta bindte majtistin francez për tmerret e komunizmit, duke treguar sesi në Shqipëri “kishte parë me sytë e vet komunistët të piqnin në prush fshatarët dhe të kryqëzonin me gozhdë, si Krishtin, gratë”.

Atëherë kuptova se projekti i kampit të Tepelenës po degradonte në një projekt antihistorik e mbi të gjitha, antikombëtar. M’u kujtua se në vitin 1913, një serb, Vladan Gjeorgjeviç, shkroi librin “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha”, ku i paraqet shqiptarët si qenie inferiore, popull i egër e i paaftë të bëjë shtet, madje edhe si njerëz me bisht. Serbi Gjeorgjeviç jo rastësisht e botonte librin në vitin 1913, kur në Londër Fuqitë e Mëdha vendosnin fatin e Shqipërisë: iu thoshte atyre se këta “nën-njerëz”, pra shqiptarët, nuk e meritonin vëmendjen e tyre, nuk e meritonin shtetin e tyre.

Tani unë pyes, sot pas 100 vjetësh historie të shtetit shqiptar, çfarë duan Tufa me tufë t’i tregojnë botës mbarë? Që shqiptarët s’mund të bëhen bashkë; se shqiptarët vazhdojnë të jetojnë në epokën e barbarisë dhe se, përveç atyre, “antikomunistëve qëndrestarë”, gjithë të tjerët (sidomos “jugorët”) janë kafshë me fytyrë njeriu? Këta manipulatorë injorantë, të cilët gdhihen e flenë duke rrëfyer bëmat e tyre kundër komunizmit, duhet ta dinë se çdo episod i historisë shqiptare, veçse përgënjeshtron idetë e tyre të mbrapshta. Këtë bën edhe historia e kampit të internimit të Tepelenës. Ishte padyshim një kamp i vuajtjes, i izolimit dhe i internimit për familje të tëra shqiptare.

Por, jo një kamp i shfarosjes në masë, jo Aushvic. Raportet e komandës së kampit, të Ministrisë së Shëndetësisë, të Ministrisë së Arsimit e të vetë CIA-s amerikane, e mbi të gjitha tregime të personave që kanë vuajtur në atë kamp e të banorëve të Tepelenës, konkordojnë kur thonë se në atë kamp nuk është varur, nuk është pushkatuar e nuk është dhunuar fizikisht as burrë, as grua dhe sidomos, fëmijë.

Kushtet ishin pa dyshim të rënda, sidomos për fëmijët, por gjithsesi më të mira se në kampet e tjera. Nuk ishte një kamp shfarosjeje, por nuk ishte as edhe një kamp pune: ata pak burra në moshë (dok. i CIA-s thotë 20-120 vetë) çoheshin të punonin në shpatet afër kampit, kryesisht për të prerë dru, që përdoreshin për kuzhinën e nevojat e tjera të kampit. Fëmijët nuk dërgoheshin me të rriturit “për të bërë punë masakruese”, por siç e tregojnë dëshmitë e banorëve të vjetër të Tepelenës dhe vetë urdhri i ministrit të Arsimit, Shemsi Totozani, i 16 tetorit 1950, u çuan në shkollat e Tepelenës, ku mësonin bashkë me fëmijët e atij qyteti.

Madje, edhe të rriturit, që kishin mundësinë, u lejohej të shkonin në qytet për të blerë ndonjë ushqim. Të sëmurët nuk shkonin në punë, kur ishin rëndë shtroheshin në spitalin e qytetit dhe kur bëhej fjalë sidomos për fëmijë, mbaheshin në kujdes të veçantë në spitalin e Gjirokastrës. Dokumenti i CIA-s, i konfirmuar edhe nga tregimet e dëshmitarëve, thotë gjithashtu, se në nëntor të vitit 1950, me rastin e ditës së Çlirimit, u liruan 150 familje si dhe të gjithë fëmijët e kampit, të cilët u shpërndanë te të afërmit e tyre.

Sigurisht, mbi të liruarit rrinte pezull paralajmërimi se “në rast se nuk silleshin mirë, do t’i kthenin përsëri në kamp!”. Tani, jam unë më i pari që nuk i marr si të vërteta apo plotësisht të vërteta gjithë sa rreshtova më sipër. Jam i bindur se kushtet higjienike e sanitare ishin për faqe të zezë, se ushqimi ishte i keq dhe buka e pamjaftueshme, se mortaliteti, sidomos mbi fëmijët, ishte i lartë, se mbi të internuarit është ushtruar edhe dhunë…

Po nga kjo, të bësh kërcim pindarik e të thuash se kushtet në kampin e Tepelenës ishin ku e ku më të këqija edhe se në Aushvicin nazist, se në Tepelenë zbatohej shfarosja e programuar e të internuarve, duke nënvizuar dhelpërisht origjinën veriore të tyre, është të thuash një të pavërtetë e të fyesh kujtimin e miliona hebrenjve dhe antifashistëve, që Hitleri donte t’i shuante vërtet si “racë” në kampet e tij famëkeqe të Aushvicit, Mathausenit, Treblinkës, Dachaut, Birkenaut etj.

Kam pasur rastin që të vizitoj kampet naziste në Aushvic e BergenBelsen si dhe Muzeun e Holokaustit në Uashington. Më besoni, e di mjaft mirë ç’është “shfarosja në masë”. Jo aq mirë, por gjithsesi fare i painformuar nuk jam edhe për vendet e vuajtjes së dënimit gjatë regjimit komunist në Shqipërinë e Enver Hoxhës. Veç të tjerash, kam pasur e kam miq, shokë e të njohur, që kanë vuajtur në burgjet e kampet e internimit, nga shumë qytete e krahina të Shqipërisë, përfshirë edhe Peshkopinë, nga ku e ka origjinën antagonisti im kryesor në këtë diatribë, Agron Tufa.

Kur kam folur për ide ekstremiste, përçarëse e pra, antikombëtare e fashiste, që kanë depërtuar në projektin e kampit të Tepelenës, kam pasur parasysh këtë njeri. Kam pasur arsye. Në këto 3-4 ditët e fundit, ai nuk ka bërë gjë tjetër, veçse ka shpalosur ide të tilla, deri sa në datën 3 prill, në auditorin e Universitetit Europian të Tiranës, (ku veç personaliteteve të nderuara të kulturës e shkencës, qëllon të ftohet edhe ndonjë i padenjë), Agron Tufa u përsëriti studentëve refrenin e “Aushvicit shqiptar”.

Kësaj here nuk u përmbajt, por e shpalosi hapur credo-n, që qëndron në themel të botëkuptimit të tij. “Ajo që ndan Aushvicin nga Tepelena”, deklaroi Tufa, “është fakti se nazistët vërtet i çonin hebrenjtë në krematoriume, në gas, por duke bërë kështu, ua shkurtonin vuajtjet”. Në këtë pikë, mua më zë neveria. Dhe për të ndërruar bisedë e bashkëbisedues, dua t’u drejtohem të gjithë ish-të përndjekurve politikë, përfshirë edhe ata që kanë vuajtur në kampin e Tepelenës.

Edhe ata që këto ditë më kanë leqendisur. Jam i bindur se shumica dërrmuese e tyre e dinë fort mirë se Europa e sotme ngrihet mbi parimet e larta të antifashizmit, të lirisë e të refuzimit të çdo forme diktature. Ju e dini fort mirë se Franca dhe Europa moderne i detyrohen shumë Revolucionit Francez, pavarësisht se një ish-pjesëmarrës në të, Napoleon Bonaparti, restauroi sistemin e absolutizmit. Nuk hedhin poshtë Revolucionin për shkak të Napoleonit. Citova pak më sipër prof. Repishtin.

Nuk më pëlqyen deklaratat e tij për rastin e kampit të Tepelenës, sepse më shumë se komunizmin, dëmtojnë imazhin e Shqipërisë e të shqiptarëve. Por, unë prof. Repishtin e vlerësoj shumë sepse asnjëherë nuk ka fshehur historinë e vet, që është edhe historia e një antifashisti të vendosur. Unë mendoj se individë si Agron Tufa e komprometojnë rëndë historinë dhe statusin e të përndjekurve politikë. Dhe jo vetëm të tyren. Deklaratat e tij të çartura komprometojnë rëndë edhe shtetin e shoqërinë tonë.

Duke abuzuar me statusin e të përndjekurit politik, ky njeri po hedh në erë një nga veprat më fisnike e më të vlerësuara botërisht të shqiptarëve, atë të shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës së II Botërore. Me statusin e tij të profesorit, nëpërmjet ideve të tij të pakontrolluara, ky njeri po deformon e helmon mendjet e studentëve. Le t’i ushtrojë diku gjetkë, makar edhe në Institutin e Historisë, talentet e tij të shumta.

Jeta prej murgu e një instituti shkencor, do ta ndihmonte, ndoshta, edhe për t’u çliruar nga vreri që ushqen ndaj të tjerëve. Këtë vrer, A. Tufa e derdhi me bollëk edhe kundër meje, siç ka bërë me shumë të tjerë, në shkrimin e tij të datës 4 prill, botuar në gazetën “Panorama”. Ashtu si qelbësi i njohur i Arkivave të Ministrisë së Brendshme, ka rrëmuar nëpër letra për të gjetur ndonjë gjë komprometuese për mua.

Më në fund, paska gjetur një shkresë të administratës së Akademisë së Shkencave të vitit 1981, ku flitet për një specializim jashtë shtetit, bashkë me një kolegun tim. Kaq mjafton që Tufa të shpërthejë e të më quajë “të privilegjuar” e “të superprivilegjuar”, madje edhe “patriot të shtirur” që paskam shkuar në “Greqinë armike” me bursë të shtetit shqiptar! Le ta marrë me mënd lexuesi i nderuar, se me ç’fjalë, nga ato që s’thuhen, i kam pritur unë këto pohime e gënjeshtra meskine.

Kam studiuar, jam doktoruar e jam specializuar në shumë vende, para dhe pas vendosjes së demokracisë. Gjithnjë me bursa të huaja dhe asnjëherë me paratë e shtetit. Madje edhe sot, punën e shtetit e bëj shpeshherë me të ardhurat e mia, që me siguri janë shumë më të ulëta se ato të polivalentit Tufa. I privilegjuar se kam studiuar jashtë shtetit? Kam punuar fort, or Tufë, dhe bashkë me mua kanë studiuar atë kohë edhe shumë të tjerë, në Francë, Itali, Rumani, Kinë, Egjipt etj. Të gjithë bijë familjesh të ndershme e të thjeshta me prindër nëpunës, kooperativistë, punëtorë, ekskavatoristë, mësues, bukëpjekës…

Asnjë “këlysh blloku”, siç ke qejf të shprehesh ti. Me ne ishte edhe shoku im, A. R., nga Peshkopia, që përfundoi nëpër burgje e kampe internimi. Ti thua se ke qenë i persekutuar, se nuk të ka dalë e drejta për studimet universitare. Por, as motrës sime nuk i doli e drejta për universitet. Ishte rregull: jo më shumë se dy veta me universitet për familje. Dhe për komunistë të llojit siç ishin prindërit e mi, rregulli zbatohej!

Por përtej qenies sime prej “të privilegjuari”, në shkresën rutinë të Akademisë, Tufa ka zbuluar një mister, që sipas tij, hap skenarë të tjerë shumë seriozë për personin tim. Çfarë, do thoni ju? Pas studimeve të imta prej eksperti, ka konstatuar se aty mbiemri im është shkruar “Xhuvi” në vend të “Xhufi”.

Gabim i kuptueshëm, do reagonit ju, aq më shumë që ajo shkresë ka edhe plot gabime të tjera. Mirëpo, “djalli fshihet në detaje” thotë Tufa. Dhe si djalë i thellë që është, del në përfundimin alarmues se unë qenkam njeri me dy identitete dhe se me identitetin e dytë, atë të agjentit të shërbimeve sekrete (!), kam kaluar në atë vit 1981 kufirin shqiptaro-grek!

Po i përmbaj edhe njëherë brenda vetes fjalët e rënda që më vijnë vetvetiu në raste të tilla. Me shpirt në dhëmbë po i jap një përgjigje të kulturuar, duke botuar faksimilet e pasaportës së vitit 1981 dhe të një vërtetimi të Universitetit të Athinës, që vërtetojnë se në Greqi kam hyrë e kam dalë me mbiemrin tim, Xhufi.

Gjithsesi, përtej humorit tim të sforcuar, ky rast i fundit tregon se Tufa me shokë po i shoshitin mirë dosjet e mija. S’më mbetet, veç t’i them: “Rrëmo, or Tuf, tufa me miza do gjesh”! E megjithatë, një pyetje më bëhet ta bëj. Agron Tufën e kanë emëruar Drejtor të Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit për të mbledhur fakte mbi viktimat e persekutimit apo për të zhbiriluar në jetët e atyre që nuk honepsen nga ai dhe nga punëdhënësit e tij. Punëdhënësit e tij? Kush janë punëdhënësit e tij? Kjo është një tjetër pyetje që ma prish gjumin.

Panorama

Comments

Submitted by rrem vogli jr. (not verified) on

Po lere kete muhabet o Pellumb !
ishte kamp I punes se detyruar te njerezve te pafajshem, te padenuar as nga gjyqet komuniste,
kryesisht pleq, gra e femije. me qindar vdiqen per nga kushtet dizhumane.
ishte kamp mizor qe mbulon me turp ideatoret dhe dhunuesit e atjeshem....
por dhe racen tone per mizori ndaj bashkeatdhetareve sepse nuk jane te tyret.

Ne se ti mendon se ishte konvaleshence shko atje kur te behet muze si eksponat :
jeto, puno, dhunohu e vuaj si ata... sepse fundja fundja nuk do jete Aushvic.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.