Rasti "Skripal 2.0" në Kosovë?

Postuar në 01 Prill, 2018 00:30

Në pak ditë Kosova ka përjetuar dy ngjarje që vënë në pikëpyetje serioze aftësinë e qeverisë së saj për të administruar territorin dhe për të qenë në gjendje t’i përgjigjet sfidave të sigurisë.

Arrestimi dhe shoqërimi me pranga i zyrtarit të lartë serb Marko Gjuriç nxori në pah faktin se kryeministri Ramush Haradinaj nuk ishte në dijeni të vendimit për të bërë atë që u bë.

Mediat raportuan se ishte presidenti Hashim Thaçi ai që kishte dhënë urdhërin për ndalimin e Gjuriç, ndërkohë që dy ditët e fundit, vendi zien nga një tjetër ngjarje. Ndalimi dhe deportimi i gjashtë shtetasve turq të cilët Ankaraja zyrtare i akuzon si persona të lidhur me lëvizjen e Fetullah Gulen.

Edhe për këtë ngjarje, kryeministri nuk ishte në dijeni dhe pikërisht për këtë arsye ai shkarkoi ministrin e Brendshëm dhe shefin e shërbimeve sekrete. Për këtë akt, Haradinaj u qortua nga presidenti turk Erdogan i cili madje kërcënoi se “Haradinaj do ta paguante”. Z. Erdogan duket se ka pranuar hapur se dy zyrtarët e qeverisë së Kosovës që janë shkarkuar janë në fakt njerëz të tij dhe vetëm mes shqiptarësh kjo gjë nuk përbën asgjë më shumë sesa një ngjarje që kalon si të tjerat.

Përveçse një shtet qesharak, kjo e rrëmbimit të qytetarëve të huaj dhe më keq, nxjerrjes së tyre jashtë vendit për llogari të një shteti të huaj do të duhet të kishte sjellë dorëheqjen e kryeministrit. Më së paku mund të thuhet se Kosova nuk është vend i sigurtë. Se aty ligji është diçka fakultative për të cilën kryeministri edhe nuk di gjë.

Por kjo ngjarje ka edhe një tjetër përmasë. Disa media dhe aktorë opozitarë të Erdogan po shpalosin një skenar shumë më kompleks për atë që ka ndodhur. Sipas Stockholm Center for Freedom, një entitet opozitar me Ankaranë zyrtare, personat në fjalë janë rrëmbyer dhe madje janë mbajtur në ambasadën turke në Prishtinë. Duke ju referuar mediave të ndryshme turke, qendra në fjalë raporton se përgjegjës i operacionit ka qenë kreu i zyrës së shërbimit sekret turk për Kosovën, Nurettin Canay Kavuncu. Sipas po këtij burimi, personi në fjalë punon si Sekretari i Parë në Ambasadën e Turqisë në Prishtinë, ku mendohet se janë mbajtur edhe gjashtë personat në fjalë përpara se të deportoheshin.

Qendra shton se ambasada ka luajtur një rol thelbësor në këtë aksion të paprecedentë që përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Turqia sot mund të justitifkohet se kërkesa zyrtare i është dorëzuar ministrit të Brendshëm që siç rezultoi vepronte në padijeni të kryeministrit, por që nga koha e rrëmbimit të Adolf Eichman në Argjentinë, veprime të këtilla konsiderohen shkelje serioze.

Logjika e kërkon që autoritetet kosovare do të duhet të hetojnë për rolin e ambasadës turke në Prishtinë për të mos e lënë atë një raportim thjesht mediatik. Përveç se  të shkarkojë ministrin dhe shefin e shërbimit sekret, që janë të dy për pranga, qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë edhe veprime diplomatike të forta. Përndryshe për çfarë duhet gjithë ai investim politik e financiar?

Është e njëjta situatë me rastin Skripal që shpërtheu një aksion diplomatik të paprecedentë në Perëndim, ndonëse vetë Londra nuk pretendon se ka prova dhe hetim përfundimtar. Në rastin e Kosovës është vetë presidenti turk që pranon një rol të shërbimit sekret turk dhe madje duke pranuar edhe se ministrin kosovar e ka në xhep si dashamirës.

Nga kjo pikëpamje është e çuditshme sesi ndaj ambasadës turke mbahet heshtje, sesi nuk kërkohet që zyrtarë të saj të shpallen non grata. Nëse një gjë e tillë ndodh, mbetet për t’u parë nëse Kosova do të kërkojë solidaritetin ndërkombëtar – Kosova është nën autoritet të KFOR dhe EULEX – dhe nëse Shqipëria do t’i bashkohet një thirrjeje të tillë. Rrëmbimi i gjashtë shtetasve të cilët teorikisht mund edhe të dënohen me vdekje është po aq i rëndë sa helmimi i një personi që ka statusin e kundërshtarit politik,   

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Me vdekje si denon dot, se ne kohen e kryerjes se "veprave" per te cilat akuzohen, nuk ka pasur te parashikuar denim me vdekje. S'besoj qe te cmenden te miratojne ligj penal me fuqi prapavepruese. Per me teper, thjesht rikthimi i denimit me vdekje i nxjerr nga Keshilli Europes, si shtet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.