Estrada presidenciale e konsultave

Postuar në 14 Shkurt, 2018 17:51

Sot është bërë publik lajmi se Ministria e Jashtme i ka dorëzuar Presidentit të Republikës kërkesën për marrjen e plotfuqisë për negociatorët që do të përfshihen në bisedime me Greqinë. Fjala është për marrëveshjen e detit, që kërkon ekspertizë teknike.

Kërkesa për plotfuqinë është ligjore, por ajo rrjedh edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Kemi të bëjmë pra me kompetenca të Presidentit që ka tagrin për të dhënë autorizimin e negociatave.

Por presidenti i Republikës ka zgjedhur ta transformojë procedurën në teatër politik teksa ka paralajmëruar një proces diskutimesh me paraardhësit e vet. Pra me Bujar Nishanin dhe Sali Berishën. Të paktën ky është raportimi mediatik dhe duke e marrë atë të mirëqenë, mund të themi se kemi një tjetër dëshmi të instrumentalizimit të institucionit të presidencës.

Kjo sepse Ilir Meta nuk ka asnjë detyrim për të kërkuar këto konsultime. Ai ka të gjithë të drejtën për t’u njohur me dosjen e negociatave, përmbajtjen e saj dhe të krijojë kështu një njohje të plotë të asaj që po flitet.

Nga kjo pikëpamje, presidenti ka çdo mundësi që të refuzojë ose jo plotfuqinë duke parë atë që ka bërë deri më tani qeveria dhe kjo është praktikë normale. Ilir Meta ka zgjedhur ta transferojë këtë në tavolinën e debatit politik, kur fton për bisedime edhe Sali Berishën me Nishanin që kanë prononcime publike së fundmi për çështjen e detit nisur vetëm nga lajmet e mediave. Nuk dihet nëse Meta do të japë garanci për paraardhësit apo do të kërkojë mendim, por ky është një hap i panevojshëm dhe një shtirje politike shumë e trashë.

Z. Berisha është ai ish-kryeministër që shpërfili kërkesën për plotfuqi të presidentit në marrëveshjen e parë siç u konstatua na Gjykata Kushtetuese, ndaj është shumë politikë e ngushtë kjo “manovër e konsensusit” që ndërmerr z. Meta. Presidenti nuk ka asnjë tagër që të pezullojë negociatat që në praktikën institucionale nuk marrin për bazë raportimin e mediave.

Të bësh pjesë të procesit dy ish-presidentë kur asnjë detyrim nuk ta kërkon këtë, është asgjë më shumë sesa një dëshmi sesi bacili i LSI-së transmetohet si kulturë konsensusi edhe në drejtimin e presidencës.

Presidenti mund të kërkojë tryeza, informacione, ai mundet edhe të flasë përditë për të mirat që ka klima malore, por në disa gjëra është mirë ta kufizojë veten me shfaqje të tilla. Pasi qoftë ata që e shohin Metën nga jashtë, qoftë ata që e dinë se çfarë është brenda, e kanë të qartë, se në këtë rast nuk ka gjë në dorë dhe sidomos nuk ka mundësinë por edhe dëshirën që të bllokojë përmirësimin e marrëdhënieve me Greqinë. Thjesht bën të vështirin për të tërhequr pak vëmendje mbi vete.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Jo vetem e shperfilli, por se fundmi u shpreh se nuk ka qene e nevojshme sepse mjaftonte plotfuqishmeria e kryeministrit sipas tij. Plotefuqia jepet kur ka nje vendim te Keshillit te Ministrave qe e miraton marreveshjen ne parim. Dmth me plotefuqishmerine negociohet mbi marreveshjen e arritur ne parim. Deri tani nuk ka asnje VKM te tille. Hidhini nje sy Kushtetutes dhe ligjit per marreveshjet nderkombetare, se s'ju ben dem.

Submitted by redaksia on

Ne fakt Gjykata Kushtetuese konstatoi se plotfuqishmeria duhej marre te Presidenti meqenese marreveshja lidhej ne emer te Republikes. 

Sa per pjesen e dyte, fakti qe ministri i Jashtem ka kerkuar autorizimin nga Presidenti per plotfuqine, do te thote qe nje projektmarreveshje ekziston edhe nese VKM-ja per te mund te mos jete publikuar. 

Submitted by Anonymous (not verified) on

Po pra. Dhe prandaj nuk kishte pse te shkonte ne takim me presidentin kur sipas tij ska nevoje per plotefuqishmerine e tij. E tha tek Zone e Lire para pak kohesh. VKM duhet publikuar ne fletore zyrtare, si rregull. Gjithsesi.

Submitted by redaksia on

Me duket se nuk po kuptohemi. Berisha mund te thote se nuk me duhej plotfuqishmeria, por Gjykata Kushtetuese konstatoi te kunderten dhe ligji e thote qarte se autorizimi per plotfuqine kerkohet detyrimisht per marreveshje qe lidhen ne emer te Republikes. Qeveria e asaj kohe nuk e beri dhe e mbrojti kete pozicion ne Gjykate. 

Sot qe flasim, qeveria ka kerkuar autorizimin per plotufqine per institucionet qe do te jene pjese perberese e delegacionit. Neni 6 i ligjit per traktatet thote ate qe thoni ju, qe duhet  nje VKM per projektmarreveshjen e miratuar ne parim, mandej te ecet me plotfuqine. Por nga sa pyetem ne Ministrine e Jashtme na u tha se kerkesa e Bushatit eshte per ngritjen e grupit negociator. Per firmosjen e marreveshjes do te kerkohet serish leje ne presidence. Dicka qe eshte shume e dyshimte ne kuptim te ligjit ne fuqi. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.