Thjeshtësia e pabesueshme e kryetarit të Gjykatës së Lartë

Postuar në 10 Janar, 2018 22:30

Intervista e djeshme e kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, dhënë për “Gazeta  Shqiptare” kaloi pa u vënë re.

http://www.gsh.al/2018/01/09/ekskluzive-xhezair-zaganjori-politikane-me-...

Një raportim i thjeshtë në ndonjë faqe dhe asgjë më shumë. Është një tjetër provë e Shqipërisë anormale, i një vendi keu interesantja si cilësor marketingu i përdorur shpesh nga kryeministri, është një lloj eufemizmi cinik për të thënë se jemi ndryshe.

Zaganjori deklaroi se ka patur ndërhyrje nga politika për pezullim të vendimeve penale. Nuk bëhet fjalë për ndërhyrje për reduktim dënimi, apo sanksioni, as për lobim avokatie për të përfituar nga hapësirat interpretative që lejon ligji. Jo. Kërkesë direkte për pezullim vendimi PENAL. Me këtë kemi të bëjmë me akuza dhe vendime që trajtohen nga Kodi Penal ky hyjnë krimet e rënda ndaj personit, pronës apo edhe trafiqet.

Për këto vepra pra politika ndërhyn drejtpërdrejt te kryetari i Gjykatës së Lartë të Republikës me kërkesën e thjeshtë: Ndryshoje.

Sigurisht që z. Zaganjori, që dikur mëtoi të bëhej president i Republikës, nuk i ka denoncuar publikisht këto akte. Ai nuk e ka bërë detyrën e qytetarit të mirë, as edhe ka përmbushur detyrimet që rrjedhin nga detyra e tij e lartë dhe nga besimi që investohet mbi të. Zotëria ka gjetur koniunkturën e fortë të krijuar nga korrenti i vettingut për të larë duart si Pilati dhe për të thënë që: Po. Ka shumë probleme.

Ky është një pohim i vonuar, në vendin dhe kohën e gabuar. Sepse nga kryetari i Gjykatës së Lartë priten të tjera qëndrime dhe tjetër profil. Zotëria duket se kërkon të prezantohet si një viktimë e politikës, presionin e të cilës e ka përballuar duke refuzuar kërkesat e saj. Diçka që duke njohur realitetin është e vështirë të pranohet. Sepse një klasë politike që akuzohet se bën presione të kësaj natyre, sigurisht që do të kishte larguar me kohë njerëz të pakapur si Zaganjori.

Është një deklaratë që lë shijen jo të mirë të një mungese sinqeriteti apo naiviteti të qëllimtë për të kaluar në “anën e të mirëve”, e cila etikisht dhe moralisht është e papranueshme. E megjithatë, ajo është më normale përkundrejt heshtjes me të cilën u rrethua nga media dhe nga aktorë të ndryshëm publikë.

Ajo na provon sesi janë tretur përfundimisht kufijtë e autoritetit moral të institucioneve në një vend që ende sot po gënjehet përditë se reforma në drejtësi do të bëjë çudinë. Nuk ka korpus rregullash dhe normash që mund të sjellë ndryshim kur ato thjesht pluskojnë mbi një kod shoqëror që po dorëzohet para realitetit se drejtësia kështu është: E pavërtetë dhe e shtrembërt. Është një tërësi normash që do të thellojnë edhe më tej karakterin artificial të krijuar mes sofistikimit të procedurave dhe një mungese në rritje të besimit se nuk ka drejtësi as për një gjobë të thjeshtë.

Kjo lloj interviste, këto qëndrime dhe kjo qasje e një kryetari gjykate, na japin të drejtë ta imagjinojmë se çfarë presidenti do të kishte qenë z. Zaganjori. Pa e paragjykuar, por dobësi të këtilla në prezantimin publik, edhe nëse mund të keqkuptohen, apo të mos na thonë të gjithë të vërtetën komplekse të punës së gjyqësorit, zbulojnë shumëçka nga pezhishka e ngatërruar e raporteve korruptuese që në thelb ndërtojnë ekulibirin e sotshëm.

Cila është ajo formulë vettingu që mund të japë garanci për të ardhmen e një njeriu që betohet e stërbetohet për të shkuarën e tij, por nesër, mund të vijë në të njëjtin pozicion si z. Zaganjori? Me siguri asnjë dhe e vetmja mundësi korrigjuese ngjan ndëshkimi qoftë edhe përmes një debati publik i rasteve të këtilla flagrante. Të paktën nuk duhet lejuar aureola false që mban gjallë një elitizëm që ka si alibi “profesionalizmin”, por neglizhon integritetin.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

like.

Submitted by Anonymous (not verified) on

Shume sakte!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.