Kryetari i Gjykatës së Lartë: "Ndërhyrje nga politika për anullim vendimesh penale"

Postuar në 09 Janar, 2018 11:39

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, ka deklaruar përmes një interviste për “Gazeta Shqiptare” se ka patur ndërhyrje politike për anullimin e vendimeve penale.

Një vendim merr një gjyqtar apo prokuror, e kur ai nuk i pëlqen apo prek interesat e politikës, zbulohet menjëherë e shkuara, deri tek gjeneza personale e ndoshta edhe familjare e gjyqtarit apo prokurorit. Edhe për sa i përket çështjeve konkrete, nuk mund të them se nuk ekziston fenomeni i ndërhyrjes.

Ka pasur ndonjë rast që edhe mua më janë drejtuar politikanë të ndryshëm, të cilët në emër të personave të përfshirë në konflikte në zonat e tyre zgjedhore, etj., më kanë kërkuar përshpejtimin e gjykimit, zgjidhjen e konfliktit apo pezullimin e ndonjë vendimi penal. Jam përpjekur t’u shpjegoj se ata nuk mund të ndërhyjnë në çështje konkrete, qoftë si persona privatë apo funksionarë shtetëror

shprehet ai.

Zaganjori vetë ka qenë pjesë axhendës politike kur kandidoi për President të Republikës. Në intervistë ai flet edhe për trajtimin e çështjeve gjyqësore, afatet e trajtimit të tyre dhe vettingun. Një tjetër çështje e trajtuar ka qenë edhe ajo e korrupsionit në radhët e gjyqtarëve, për të cilën Zaganjori ka një propozim të vetin.

Mendoj se një nga mjetet më efektive në të ardhmen, duhet të jetë një “kontroll” apo vlerësim i vazhdueshëm, i të gjithë vendimeve që marrin gjyqtarët dhe prokurorët. Jo rrallë, korrupsioni apo njëanshmëria në trajtimin e çështjeve gjyqësore, duket qartësisht nga vendimet e marra, por pothuajse kurrkush nuk merret dhe nuk bëhet asnjë debat për këto vendime. Nga ana tjetër, leximi apo vlerësimi i vazhdueshëm i vendimeve ndikon pozitivisht edhe në transparencën dhe ruajtjen e konsistencës së vetë sistemit të drejtësisë.

Në këtë kuptim, mendoj se të gjitha gjykatat, por veçanërisht Gjykata e Lartë, duhet të ketë një drejtori apo njësi të veçantë të përbërë nga juristë me përvojë, të cilët duhet të merren më çështjet e njehsimit dhe konsistencës së praktikës gjyqësore si dhe problemet që kanë të bëjnë me respektimin e parimit të sigurisë juridike në vendimmarrje, parim aq i domosdoshëm për forcimin e shtetit të të së drejtës, mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe interesave publike në Shqipëri

shprehet ai.

http://www.gsh.al/2018/01/09/ekskluzive-xhezair-zaganjori-politikane-me-...

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.