Paktet e vërteta kërkojnë një opozitë tjetër

Postuar në 07 Dhjetor, 2017 11:41

Kryeministri Edi Rama ka ofruar dje përmes një shkrimi në faqen e vet në Facebook një pakt të ri me PD-në. pakti kësaj radhe është për Prokurorin e Përgjithshëm dhe siç argumenton Edi Rama ai do të duhet të hapte një mundësi që negociatat me BE-në të çeleshin në pranverë. 
Nisma e z. Rama është komike dhe e pasinqertë. Komike sepse pas miratimit të reformës në drejtësi, nuk mund të bëhet thirrje për pakt për zgjedhjen e prokurorit që është pjesë e detyrimeve që cakton reforma. 

E pasinqertë sepse ajo u publikua pasi në media doli Memoja e ekspertëve të Kuvendit të Shqipërisë, sipas të cilëve Prokurori i ri nuk mund të zgjidhet pa 84 vota. Prej kohësh flitet se mazhoranca synon zgjedhjen e një prokurori të ri tranzitor me shumicë të thjeshtë, apo pa shumicë fare deri sa të konstituohen organet e reja që kanë të drejtë të zgjedhin kreun e organit të akuzës. Në vend se të kërkonte konsensus, z. Rama e çon më tej ofertën drejt një pakti. Që është pra në këtë kuptim që u shpjegua më sipër, i pakuptimtë edhe nga pikëpamja terminologjike. 

Kjo ofertë pason pazarin e 18 majit që prodhoi anomalinë politike dhe ekzekutive të një bashkëqeverisjeje që vazhdon në forma të tjera. Një anomali e diktuar nga diçka e panjohur për publikun, nga një Pazar të cilin z. Rama po lutet edhe sot që ta vazhdojë. Paktet kombëtare nuk firmosen për objektiva 6 mujore dhe ato nuk mund të nënshkruhen nga dy palë që nuk i ndan ideologjia apo vizioni, por paraja publike. 
Në sfond të kësaj lëvizjeje taktike të kryeministrit qëndron një notë e mirë nga Brukseli. Një notë që la të befasuar të gjithë meqenëse shumëkush beson se Europa është më serioze sesa ambasadorët e vet në vende si Shqipëria. 

Është fatkeqësi kombëtare të shohësh sesi disa zyrtarë të Brukselit si Juncker dhe Mogherini, certifikuan si histori suksesi Republikën e Kokainës dhe të Kanabisit për ta konvertuar hapjen e negociatave nga një lajm i mirë, në një pilulë me efekte anësore shumë të rënda. 
Është detyra e opozitës të kundërshtojë këtë kurth strategjik që z. Rama dhe lidhjet e tij në Europë po i ngrenë Shqipërisë. Ajo që sot në BE perceptohet si stabiliteti i domosdoshëm i Ballkanit Perëndimor është asgjë më shumë sesa një tregëti e thjeshtë politike me indigjenët e këtij rajoni. Askush nuk e di se çfarë ja ndryshoi mendjen Junckerit në pak javë, askush nuk e di sesi Shqipëria ku ne jetojmë dhe dimë se çfarë është, nisi të shkëlqejë në sytë e këtyre zyrtarëve që solidarizohen me suksese imagjinare

Kjo gropë që po hapet për vendin, popullin e të cilit e gënjejnë me përrallën e integrimit dhe negociatave, ndërkohë që i kujtojnë përditë se trokitja për punë në Europë nuk është e mirëpritur, kërkon  një rol të ri të opozitës. E cila nuk do dhe nuk di të sillet ndryshe nga sa po shohim. Z. Rama e ka në xhep kreun e PD-së, politikanin aksidental Lulzim Basha, i cili përbën sot pikën kritike të krizës ku ka hyrë sistemi. Zotëria po rrezikon të shndërrohet me vetëdije dhe vullnet në një levë të pushtetit, të suksesit cinik të tij, falë një Europe që thjesht tallet dhe bën pazarin e vet. 
Do të mjaftonte vetëm të shikohej historia e pakteve të ofruara nga z. Rama që nga ndryshimi për një ditë i Kushtetutës, te fjalët e stërmëdha të paktit me LSI-në dhe deri te tallja e 18 majit për të kuptuar se për çfarë bëhet fjalë edhe kësaj radhe. 

Comments

Submitted by AL (not verified) on

Pse beheni kaq te "zgjuar"ju te "Respublica" qe asgje skeni shqiptare e veç villni vrer kundra çdo gjeje pozitive qe behet ne Shqiperi. Athere shkoni ju ne vend te Juncker dhe Mogherini, dhe beni politik.
Ju jeni antishqiptar -per mendimin tim!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.