Nuk është larg së besuari se kombi shqiptar ka tani një profet*

Postuar në 27 Qershor, 2017 13:59
Genc Burimi

Ashtu si dhe Sali Berisha më 2009, që i dha një mandat të dytë radhazi PDsë me 70 vende në Kuvend, edhe Kryeministri aktual arriti të njëjtën performancë për një qeverisje të paktën 8- vjeçare. Shpresojmë që krahasimi të përfundojë këtu. Mandati i dytë i Berishës nuk la kujtim të mirë. Ai bëri gabimet më të mëdha kur e kujtoi veten në zenitin e fuqisë së tij. Ky rrezik e kanos Edi Ramën sot kur po akumulon në duart e tij levat kryesore të pushtetit efektiv: parlamentin, qeverinë dhe drejtësinë e re të post-vettingut.

Ciceroni thoshte: “Kur ke mëdyshje, arrin tek e vërteta”. Rama njihet si temperament që ka fare pak mëdyshje. E tregoi si me kodet krejtësisht personale të të veshurit, ashtu dhe me dinamitin që i vuri qeverisë së vet vetëm një muaj para zgjedhjeve. Me këtë fitore absolute që po i shtrin krahët, Rama nuk synon më të arrijë tek e vërteta. Ai mendon realisht e në mënyrë tani thuajse mistike se është e vërteta. Ai nuk është larg së besuari se kombi shqiptar ka tani një profet.

Shqiptarëve në fakt nuk u kanë munguar kurrë në histori profetët, por realizimi i profecive të premtuara. Në atë pikë sa ata kanë mbërritur në fundin e një cikli të gjatë pritjeje. Abstenimi i lartë që preku më shumë se një zgjedhës në dy është nota e parë fallco në preludin e lavdisë që po luan orkestra e selisë rozë-mavi. Leksionin e dytë ia dha kampit të fitores koordinatori i OSBE/ODIHR-it, për të cilin këto zgjedhje nuk përbëjnë progres në raport me të mëparshmet. Për këtë vëzhgues të huaj, gjëja e parë që duhet të bëjë tani Shqipëria është një lëvizje serioze dhe domethënëse drejt zgjedhjeve normale. Pikërisht, reforma e kodit zgjedhor u fiksua të bëhej në marrëveshjen Rama-Basha në periudhën menjëherë pas zgjedhjeve. Serioziteti që do t’i kushtojë Rama realizimit të këtij angazhimi para faktorit ndërkombëtar do të jetë dhe etaloni për ecurinë e një vargu reformash të tjera të rëndësishme. Dhe vijmë këtu, te ngërçi i tretë që do profilohet pas këtyre zgjedhjeve. Disa reforma kapitale do të nevojitin shumicë të cilësuar, që do të thotë 84 vota në Kuvend. A do të ketë interes Rama në këto kushte të luajë me atë proverbin romak “Vae victis”, “asnjë mëshirë ndaj të humburve”? Apo do të vazhdojë ai dhe në fillim të këtij mandati të dytë të luajë “shah” politik siç veproi në fund të mandatit të parë?

Por që të luash shah duhen dy vetë dhe ndoshta Kryeministri nuk e kishte parashikuar këtë disfatë kaq të thellë të PD-së, që mund ta privojë nga interlokutori i tij i privilegjuar, Lulzim Basha. Por mund të jetë dhe e kundërta. Kjo shembje impresionante e rivalit me këmbë argjili, e shpëton mbase Ramën nga zbatimi i marrëveshjes PS-PD postelektorale që ia imponuan të huajt, cilido të ishte rezultati i zgjedhjeve. Sido që të jetë, rruga drejt integrimit europian është kaq egzigjente në konsensus politik ndërpartiak, saqë duket e vështirë për këtë Kryeministër të luajë i vetëm kartën e PS-së dhe të shumicës së saj absolute në Kuvend. Zgjidhja mund të konsistojë te reformat kompensuese. Reformë e Kodit Zgjedhor që u intereson më shumë partive opozitare sesa partisë në pushtet, kundrejt reformave të tjera që do të zhbllokonin hapjen e negociatave me BE-në e deri te realizimi i një sërë kapitujsh të negociatave. Topi është tani në krahun e Kryeministrit. Sot ai ka fituar një maxhorancë të plotë në Parlament, por shfaqet si në minoritet në shkallë vendi, po të mbahet parasysh niveli i abstenimit. Nëse ai udhëhiqet nga reformat që i nevojiten realisht vendit, ai mund të kontribuojë në riafrimin e qytetarëve me politikën. Dhe mëma e reformave është ajo e Kodit Zgjedhor, që do t’i lejonte Shqipërisë të integrohet fillimisht tek emëruesi më i vogël i përbashkët i normalitetit në Europë. Kjo reformë që u la për pas zgjedhjeve do të bënte që mbarëvajtja e zgjedhjeve të përfundonte një herë e mirë së qenuri një makth, për t’u kthyer në një festë të demokracisë, siç ndodh kudo gjetiu në kontinentin ku bëjmë pjesë. Po e la sërish Rama pas dore reformën e Kodit Zgjedhor sipas instinktit “kur kalova lumin, të …kalin”, çadra të reja do të mbijnë së shpejti si kërpudhat, dhe ato nuk do të jenë më të vetëm një partie…

*Titulli origjinal: Zgjedhjet mbaruan. A do qeverisë Rama i vetëm?

"Panorama"

Comments

Submitted by MANAFERRA (not verified) on

Mbete trap o derezi gjithe kohen, si perpara zgjedhjeve edhe tani qe e more pergjigjen. Meso nje here te heshtesh. Per dinjitetin tend, o Burimo.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.