Vallja anti-sorosiane dhe kronologjia e tensionit PS-LSI

Postuar në 02 Shkurt, 2017 19:20

Ngjarjet që dominuan politikën ditët e fundit janë padiskutim dy. Shpërthimi dhe shkarkimi i Ylli Manjanit dhe përplasja mes kryeprokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla dhe ambasadorit amerikan Donald Lu.  A janë dy ngjarje të veçuara apo të lidhura me njëra tjetrën?

Ylli Manjani sulmoi ashpër kryeministrin duke folur për vendime të paligjshme të kreut të qeverisë, tendera korruptivë, mosveprim të policisë në rastin Balili dhe ministra që flenë me dashnoret në hotelin “Santa Quaranta”, duke i dhënë një lëkundje të fortë koalicionit PS-LSI.  Ilir Mborja thotë në shkrimin e tij se “tërmeti” i stimuluar Manjani ishte një test prove i Ilir Metës ndaj Edi Ramës dhe kështu u provua nga deklaratat e Ilir Metës pas rebelimit të ministrit të tij. http://www.respublica.al/2017/02/01/kumuria-e-rrug%C3%ABs-s%C3%AB-elbasanit.  Koalicioni vazhdon, por asgjë nuk është e qetë. Edhe tensioni është sërish i lartë.

Jo më kot Ylli Manjani nuk u distancua nga LSI që në thonjëza “e shiti” për Edi Ramën, por  në një përgjigje në facebook pas intervistës së Ramës në Ora News i uroi koalicionit “shërim të shpejtë”.  Me pak fjalë Manjani la të kuptohet se aleanca PS-LSI është e sëmurë rëndë, duke shantazhuar PS-në.

Dy ditë pas “bombës” artizanale me emrin Manjani, shpërthen një tjetër “bombë”, ajo e Adrtiatik Llallës, i cili akuzon ambasadorin amerikan si shantazhues dhe njeri sorosian. Ky detaj në dukje propagandistik përputhet si argument me retorikën e Ilir Metës se Sorosi është një prej atyre që ka punuar kundër LSI-së, siç pohon edhe ai vetë në këtë intervistë të para disa javësh në emisionin “Zonë e Lirë” ku thotë se” ka elemente të njohur si sorosianë që kanë punuar ethshëm me qëllim portretizimin e LSI-së, si një forcë me probleme. https://kryetari.parlament.al/2016/01/31/intervista-e-kryetarit-te-kuvendit-z-ilir-meta-ne-emisionin-zone-e-lire-te-gazetarit-arjan-cani-ne-tv-klan-e-plote/

Pra në këtë pikë duket se Ilir Meta dhe Adriatik Llalla janë në të njëjtën linjë, thonë se janë target i njerëzve "sorosianë" në Shqipëri, pjesë e të njëjtit Klan ose jo kjo mbetet për t’u provuar. Një trjetër element i përbashkët që i lidh të dy këto histori është edhe mirëkuptimi që si Meta si Llalla kanë gjetur te Nishani. I pari për çështjen Balili dhe mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku Edi Rama ka refuzuar të bëhet pjesë dhe i dyti për raportimin te presidenti për shqetësimet e ambasadorit amerikan.

Çështja Kelmend Bali që bashkoi në këtë rast Ilir Metën me Bujar Nishanin po ashtu duket e kordinuar. Një  krizë që siç shkruan gazeta “Kathimerini” u eksportua në Shqipëri nga një hetim i policisë ngreke dhe DEA-s amerikane. http://www.kathimerini.gr/894445/article/epikairothta/ellada/ereyna-ths-elas-prokalei-politikh-krish-sthn-alvania. Opozita duket se mbështet këtë retorikë ndonëse duket e investuar jo drejtëpërdrejtë në këtë tension. Sulmet e saj ndaj ministrit të Brendshëm dhe kordinimi me presidentin e bëjnë dhe atë pjesë të kësaj valle që po heqin të gjithë nën dirigjimin e iIlir Metës.

Comments

Submitted by ResPublica (not verified) on

VIP-at, vettingu...*

Postuar në 18 Korrik, 2016 11:20
Ilir Mborja
(Kontradikta, në mes konsensusit që kërkon Uashingtoni dhe Brukseli dhe burgosjes së mundëshme të atyre që u duhet ta japin atë, i ka rrënjët pikërisht tek vettingu dhe dy mënyrat e shpjegimit të inicialeve VIP)

...
Por unë nuk do të merrem me këto lloj pacientësh hajvanë që ngatërrojnë doktorin me prokurorin. Nuk do merrem pra me ata, që kur u çrregullohen rropullitë e barkut, të keqen e kanë në kokë. Gjithashtu, nuk kam parasysh as ata njerëz që ngatërrojnë Sali Berishën me Adriatik Llallën. Edhe Adriatik Llalla u duket si Sali Berisha. Ndryshe nga ata pacientë, që në të vërtetë lëngojnë nga trutë por u duket sikur u dhemb barku, VIP-at tanë ankohen se u dhemb koka, ndërkohë që të keqen në fakt e kanë në bark. Shembulli i Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla e ilustron më së miri këtë. Atij thonë se, nga zbardhja e përgjimit të një krimineli me llagapin Molla, është dëgjuar të ankohet se i dhemb pak koka këto ditë. Koka edhe mund t’i dhembë atij, por shkaku nuk duhet kërkuar aty. Gjetkë duket do të na çojë vettingu… Them kështu, vetingu dhe jo diagnoza, se i sëmuri Adriatik Llalla nuk flet. Edhe kur e hap gojën ai është nga ata pacientë që nuk mund të besohet. Ai nuk e thotë të vërtetën e transferimit të prokurorit Anton Martini për llogari të kriminelit Arben Prendi dhe prandaj atij nuk ka ç’i bën doktori. Tashmë as Berisha. Atij i bën derman vetëm vettingu i veterinerit të derrave. Kur të kalojë vettingun, atëherë Adriatik Llalla do ta kuptojë se të keqen e ka në bark, mu në plënc brenda dhe jo në kaptinë siç ankohet. Aty do të marrë vesh se dhimbjet i ka peshqesh nga “Molla 150 mijë euroshe” që mund të ketë gëlltitur. Ajo nuk mund të tretet aq kollaj nga paçaja e VIP-it tonë, sidomos në këtë të nxehtë që po na sjell 21 korriku… Ndërsa, kur fillon të flasë me gjuhën e shenjave, nxjerr ca të vërteta që e djallosin më keq atë. Kështu psh, me letrën gjysmë konfidenciale të ambasadorit Donald Lu që na nxorri së fundmi Adriatik Llalla, tregoi se e kish marrë atë si një isharet për bashkëpunime të pista me të. Helbete, tek ajo letër, sytë e VIP-it Adriatik Llalla, lexuan një ftesë të Amerikës për t’i bërë puç sistemit të drejtësisë shqiptare, tamam si puçistët e gjorë të Stambollit… Pastaj, mu si ai i pandehuri hajvan, që kujtojn se do t’i shpëtojnë burgut duke përmendur përpara prokurorit emrin e ndonjë VIP-i si konfident të tij, ai e kompromentoi më keq veten. Ai, nga sikleti që e ka zënë me vettingun e pritshëm, dekonspiroi abuzivizmin e tij në raport me letrën e ambsadorit amerikan.

Në lidhje me incidentin e pusit të Patos- Marinzës dhe kompanisë “Bankers Petrolium” amerikani Donald Lu, duke bërë detyrën parësore të tij për mbrojtjen e interesave amerikane, kur ka shkruar letrën, nuk “ka harruar” dhe aq shumë pozicionin e tij. Si diplomat që është, ai sigurisht që e ka llogaritur më parë edhe këtë ditë, prandaj ka qenë shumë i kujdesshëm kur është ulur dhe i ka shkruar Llallës. Në letrën e tij bie në sy që fjala “MOS”, që siç thamë më sipër është fjala që nisin udhëzimet në manualet e mjekësisë, është e shkruar e tëra me gërma kapitale. Ai është paraqitur para letërmarrësit si “heqim për insanë dhe për hajvanë” siç i thonë turqisht mjekut për njerëz e për kafshë bashkë. Sado dhe sido të jetë, askush nuk mund ta kapë ligjërisht ambasadorin kur, në xhunglën e drejtësisë shqiptare, kërkon kujdes që: “… motivet politike dhe presioni publik të MOS ndikojnë në vendimet e organit të akuzës”. A nuk ka më se një vit e gjysmë që ai po e thotë shqip se sistemi i drejtësisë është i korruptuar fund e krye?.. Ç’të keqe ka atëherë që një amerikan të kërkojë që ”sistemi gjyqësor shqiptar të veprojë në përputhje me standartet ndëkombëtare të paanësisë, transparencës dhe profesionalizmit.”?!. E keqja është si e ka kuptuar dhe si e përdori këtë kërkesë Adriatik Llalla. Koha kur e nxorri tani pas gati një viti këtë letër, dekonspiron atë se ai, qysh atëhere, e ka kuptuar 100% si një ofertë korruptive bashkëpunimi letrën e LU-së. Publikimi i letrës tani, si edhe fakti që prokuroria e Fierit e mbylli atë çështje në favor të “Bankers Petrolium” (helbete padrejtësisht dhe në shkelje të plotë të ligjit) provon se Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka abuzuar 100% me letrën e diplomatit të lartë amerikan dhe ka tentuar ta shantazhojë atë. Por, VIP-i Adriatik Llalla harron, se duke dashur të njollosë amerikanin e kujdesshëm Donald Lu për korrupsion aktiv, tërthorazi pranon për vete se në këtë çështje ka konsumuar me dashje veprën penale të korrupsionit pasiv… Hajde e mos i thuaj hajvan VIP-it tonë pastaj.…

***
Këta janë ata njerëz që ne i mbajmë për VIP-a dhe që nuk e duan vettingun. VIP-at tanë, që kanë ngrënë si derrat, vazhdojnë e flasin për “humbje të sovranitetit kombëtar” në rast se “teknologjia” e diagnoztikimit ndaj tyre vjen prej Perëndimit, e lloj lloj broçkullash të tjera. VIP-it Berisha, që diç na foli rusisht një të enjte në Kuvend, duket se i pëlqen vetëm teknologjia ruse. Por është vonë dhe pak-kush mund ta besojë atë. Receta për doktorin e sëmurë pas Kremlinit ishte vetëm ajo “dasfidanja” që mori po rusisht nga Pandeli Majko, po atë ditë në kuvend… Në fakt, për Sali Berishën, përcaktimi më i saktë do të ishte “prokurori i sëmurë” që nuk ka më asnjë shpresë të shërohet. Prandaj, edhe ata që Adriatik Llallën e ngatërrojnë me Sali Berishën dhe anasjelltas, janë plotësisht të justifikuar. E thashë edhe më lart se e njëjta gjë, jo rrallë herë, më ka ndodhur dhe mua. E gjithë kjo, për arsyen e vetme, se u mbush një çerek shekulli që e shohim Sali Berishën të bëjë prokurorin në Shqipëri. Fakti që Sali Berisha, qysh ditën kur e përzgjodhi për Prokuror të Përgjithshëm dhe deri më sot, ende nuk e ka damkosur Adriatik LLallën siç ka bërë me të gjithë paraardhësit e tij, tregon gjithçka. Doktor Llalla është i vetmi me të cilin i prokurori i sëmurë Sali Berisha është i kënaqur dhe ka zënë karar. Prandaj nuk është faji im apo i njerëzve të cilët tek Berisha shohin Llallën dhe anasjelltas. Vetëm për këtë arsye, edhe “spiuni dixhital”, denoncon tek facebook-u i Sali Berishës dhe jo tek zyrat e Adriatik Llallës. Prandaj, kush kujton se Llalla është prokuror dhe Berisha doktor, është komplet i çorientuar. E kundërta është e vërtetë. Berisha është ai që të fut e të nxjerr nga burgu, ndërsa Adriatik Llalla, i vetmi doktor që i siguron qetësinë atij…

...
Ajo që i ka prishur gjumin Ilir Metës e ka zanafillën e fundin bashkë pikërisht tek vettingu dhe dy mënyrat kontradiktore të shpjegimit të atyre tre gërmave. Pas konsensusit për të pranuar vettingun, fjala VIP që bashkon inicialet anglisht për Very Important Person dhe që në shqip do të thotë “Person Shumë i Rëndësishëm”, mund të shpjegohet edhe ndryshe. Pas 21 korrikut, në rast se Reforma në Drejtësi kalon, për shumë nga ata, deshifrimi i saktë i inicialeve VIP do të jetë “Very Important Prisoners”, që në shqip përkthehet “i Prangosur Shumë i Rëndësishëm”. Kaq e thjeshtë është dhe këtu qëndron kontradikta edhe për Ilir Metën dhe ca VIP-a të tjerë...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.