Debati/Ligji për librin, aktet e fundit të dramës Kumbaro

Postuar në 02 Shkurt, 2017 10:03
Arben Skënderi

Shpeshherë na takon të gjithëve ne, përfshi edhe veten, që sa herë të mendojmë a trajtojmë dukurinë e izolimit, vënien nën censurë, kontroll apo edhe një shok psikologjik të kulturës dhe protagonistëve të saj, ta shohim a gjykojmë një fenomen të tillë në raport me të shkuarën. Por se si ekziston kjo lloj marrëdhënieje ndërmjet shtetit dhe artistit krijues apo interpretues në raport me të sotmen, këtë veprim na qëllon ta ndërmarrim rrallë, ndoshta edhe të shtyrë nga ideja se kjo ka qenë një periudhë, të cilën shoqëria jonë e konsideron e ndoshta duhet ta konsiderojë si kapitull të mbyllur tashmë në histori.

Mirëpo, ashtu siç edhe po ndodh, jashtë vullnetit të pjesës dërrmuese të komunitetit të artistëve dhe shkrimtarëve, një sistem disi më i sofistikuar është ricikluar rishtazi nga trashëgimia, mendësia, mekanizmat dhe strukturat e regjimit totalitar, duke u përpjekur gjithnjë e më shumë me të gjitha mjetet dhe mënyrat të krijojë tashmë në epokën që po jetojmë shëmbëlltyrën e një diktati jo vetëm në institucionet shtetërore, por edhe në sipërmarrjet e lira të botës së artit dhe kulturës në përgjithësi.

Dhe kjo nuk vjen thjesht si një klimë e mbushur me gabime e sindroma dilemash a hapa të pasigurt të drejtueseve të Ministrisë së Kulturës, jo aspak, në këtë periudhë veprimet e ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro, flasin për një mungesë të lartë kompetence që po na çon në shkatërrim të vlerave dhe traditave të krijuara përgjatë vitesh e dekadash nga personalitete të artit dhe letërsisë, por edhe ndaj punës dhe përkushtimit të paraardhësve të saj në detyrën dhe funksionin e ministres. Znj.Kumbaro, e cila është në fund të mandatit të saj në krye të institucionit që drejton, ka ndërmarrë hapin vetasgjësues për ministrinë që drejton, pikërisht të përçudnojë legjislacionin mbi të cilin ekziston dhe funksionon në tërësinë e saj jeta kulturore në Shqipëri. Duke nisur siparin e kësaj fushate me ndryshimin e ligjit “Për Trashëgiminë Kulturore”, përgjigjen për mënyrën se si e kishte hartuar ajo me stafin rreth saj e mori shumë qartë dhe në mënyrë tejet profesionale nga ministri i Drejtësisë, z. Manjani. Ndërkohë, turravrapi i saj dhe i ekipit të ngushtë që e rrethon në jetëzimin e këtyre ideve aspak serioze, siç po ndihet edhe nga aktorë të rëndësishëm jashtë asaj ministrie, po vijon me ndryshime drastike përmbajtjesore edhe në “Ligjin për Librin”, si edhe në shpërfytyrimin tërësor të “Ligjit për Artin”, i cili po gatuhet aktualisht.

Kjo frymë, e cila me efektet që po përcjell do të krijojë një atmosferë shterpë e të nderë në mjediset institucionale, por edhe të pavarura në jetës kulturore në vend, ka vetëm një qëllim kryesor: krijimin e monopoleve ekonomike dhe ligjore në fushën e financimeve, si dhe të krejt sistemit të krijimtarisë dhe promovimit në fushën e artit dhe kulturës. Le të ndalim për pak në procesin e amendimit të “Ligjit për Librin”. Pas më se tre vjetësh të dënuar me mosekzistencë nga vetë ministrja Kumbaro, te përfaqësitë e botuesve dhe të anëtarësisë të Këshillit Kombëtar të Librit, vjen çuditërisht një ftesë ku i ftonte këta të fundit të asistonin në një mbledhje, ku do të diskutoheshin nenet, ku do të amendohej ky ligj. Duke mos paraqitur asnjë analizë paraprake dhe konkrete se si kish ndryshuar klima e librit në krejt sistemin e lexueshmërisë, investimit dhe promocionit në fushën e librit në këto tri vite që zonja Kumbaro ka marrë drejtimin e këtij dikasteri. Por qëllimi i këtij ndryshimi, sipas dokumenteve dhe argumenteve të paraqitura nga vetë ajo, nuk është përshtatja e ligjit në fjalë me problematikën e kohës, ndonëse këtë fakt ia kujtuan dhe konkretizuan shumë nga anëtarët e këtij këshilli. Qëllimi bazë në këto hapa të fundmë të saj dhe stafit që e qarkon, mbetet ngritja e Qendrës Kombëtare të Librit, por me idenë e pabazuar në asnjë model të vendeve të BE-së, që të mbyllet e vetmja strukturë përgjegjëse për librin dhe bibliotekat në shtetin shqiptar, pra drejtoria e Librit në Ministrinë e Kulturës. Gjithë këto vite që znj. Kumbaro ushtron drejtimin në këtë ministri, nuk i shkoi ndërmend ta suprimonte këtë strukturë, pasi ia njohu rëndësinë sa kohë kreu kursin e autoshkollës në këtë dikaster.

Një nga veprimet e para që ministrja Kumbaro bëri sapo u ul në kolltukun e dikasterit ishte shpërbërja e Qendrës Kombëtare të Artit, e cila kryente të njëjtin rol në aspektin e menaxhimit të fondeve të projekteve, si dhe vetë struktura që ajo dëshiron të ngrejë për librin aktualisht. Në këtë rast ose kemi të bëjmë me një “non sens” evident në qëndrimet e ministres Kumbaro, ose me mbështetje direkte të një projekti me prapavije klienteliste.

Botuesit kryesorë në vend e kundërshtuan me argumente ngritjen e kësaj qendre, aq më tepër kur edhe një vend si Greqia, e cila për shkak të krizës, ka ulur ndjeshëm koeficientin e blerjes së librave, ky vend e mbylli Qendrën Kombëtare të Librit dhe tashmë sistemin libror dhe bibliotekar në Greqi e drejton nëpërmjet drejtorisë së Librit dhe Bibliotekave në Ministrinë greke të Kulturës. Si për ironi, ngritjen e kësaj qendre e përshëndetën vetëm z.Ben Andoni, z.Arian Leka dhe znj. Arlinda Dudaj. Nëse do t’i hedhim një sy faqes zyrtare të Ministrisë së Kulturës, të tre këta persona të respektuar në punën e tyre, në këto tri vite janë të mbështetur dhe mirëpaguar nga stafi Kumbaro. Nuk është vetëm konflikti i interesit që më shqetëson, por është pikërisht ky moment që kthjellon të gjithë procesin e marrjes së mendimeve dhe vendimeve në këtë organ të lartë të librit në Ministrinë e Kulturës. Ajo që të bën më shumë përshtypje në këto lojëra, që po bëhen në kurriz të një sektori me prioritet kombëtar si fusha e letrave, është mosprania e njërit prej anëtarëve kryesorë të Këshillit Kombëtar të Librit në Ministrinë e Kulturës dhe pikërisht akademikut Myzafer Korkuti, i cili për më se dy herë i është përgjigjur me mosprani ftesës së Kumbaros. Dhe shpjegimi për këtë fakt aspak të rastësishëm lexohet fare qartë nga qëndrimi i kryetarit të Akademisë së Shkencave në Republikën e Shqipërisë.

Së pari, në ndryshimet e paraqitura për ndryshimin e “Ligjit për Librin në Republikën e Shqipërisë”, stafi inekzistent i hartimit të këtij projektligji, çuditërisht dhe në mënyrë aspak profesionale, nuk ka parashikuar asnjë pikë apo nen ku të merret në mbrojtje, apo të shprehet edhe shenja më e dukshme e përkujdesjes ndaj gjuhës shqipe.

Së dyti, me eksperimente të tilla ku ngrihen kinse qendra për të dobësuar apo rrëzuar institucionet kryesore në vend, Akademia e Shkencave të Shqipërisë i ka vuajtur dhe vazhdon t’i vuajë pikërisht nga kjo kastë pseudointelektualësh me tipare thjesht snobiste.

Së treti, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, nuk mund të ishte i pranishëm, pasi në krejt mandatin e Mirela Kumbaros bashkëpunimi institucional ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Akademisë së Shkencave ka qenë në kuotat e minus zero, nëse do të kujtojmë mosrealizimin e projekteve apo nisma të përbashkëta. Ndërkohë që fondi i Ministrisë së Kulturës në fushën e botimeve, ndonëse ka rënë ndjeshëm në këto tri vite, nuk ka qenë aq i pamundur për t’i ofruar bashkëpunim Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, deri sa janë financuar projekte të tipit “Djathi Kaçkavall”, apo “Fushata Kombëtare e Leximit”, i cili u konceptua si një fushatë promocionale për ministren në këtë parafushatë elektorale, ku ajo pritet të përfshihet nën termin tranzitiv “Përfaqësuese e Shoqërisë Civile”.

Në përmbyllje të këtij reagimi krejt dashamirës, edhe për ministren aktuale të Kulturës, mbi këtë lojë që po luhet në kurriz dhe në dëm të kontributit dhe përkushtimit të personaliteteve dhe njerëzve të letrave në Shqipëri, do të doja të qartësohesha nga grupi i punës i paidentifikuar ende, i cili është marrë me përpunimin e këtij ligji rreth një fakti. Duke qenë se në dosjet që i janë paraqitur anëtarësisë së Këshillit të Librit ishte përfshirë edhe një material ku paraqiteshin të gjitha përvojat e vendeve të zhvilluara mbi librin dhe funksionimin e institucionet shtetërore në dobi të tij, për çudi nuk gjendet asnjë rast që të përkojë me këtë model hibrid që kërkon të ndërtojë ministria e Kulturës, Mirela Kumbaro. Ndaj, vetiu lind pyetja: Ku është bazuar ky grup eksperimentalistësh për të sajuar dhe aluduar një model të tillë, ku qendrat kombëtare të librit të funksionojnë jashtë autoritetit të një drejtorie të specializuar në organet qendrore, politikëbërëse dhe vendimmarrëse, të cilat do ta ushqejnë këtë qendër me buxhet, me legjislacion, përfitime nga marrëveshjet me partneritet vendës dhe të huaj, si edhe me monitorim të gjithë zbatueshmërisë së programit të zhvillimit në fushën e librit? Pa dyshim do të doja shumë të shuaja kureshtinë edhe me një tjetër pyetje: Kush do të merret me trajtimin dhe politikat për bibliotekat tash e tutje në Ministrinë e Kulturës, nëse mbyllet e vetmja drejtori përgjegjëse për kauzën e librit dhe bibliotekave në Shqipëri? Në rrethanat që parashtrohen aktualisht në institucionin e Kulturës jam i ndërgjegjshëm se është e vështirë për të marrë përgjigje rreth kësaj pyetjeje, pasi stafi i ngushtë i Mirela Kumbaros, ndoshta edhe vetë ajo e sheh si të parakohshme një mundësi për të sqaruar një çështje të tillë kaq serioze. Madje kam bindjen se do të nisim sërish me frazat parafabrikat: kur erdhëm e gjetëm shumë keq dhe se tani në kaq pak kohë kemi mundur të bëjmë atë që nuk është bërë në këto 25 vjet!

Pra, lojërat e fjalëve dhe vetë qëndrimi që po mbahet së fundi ndaj shkrimtarëve, artistëve dhe botuesve në Shqipëri, do të jetë jo vetëm një mision i pamundur, por edhe një njollë e errët në historinë e artit në këtë vend. Indinjata ime ka për qëllim të rreshtohet me qindra, apo edhe mijëra zëra të tjerë artistësh dhe intelektualësh në interes të mbrojtjes së institucioneve, infrastrukturës, por edhe themeleve të kulturës së një kombi. Më vjen vërtet shumë keq që sot, kur Shqipëria zotëron një nivel të admirueshëm emancipimi, ne së bashku të jemi kaq të përkundërt në ide dhe veprime.

Znj.Kumbaro, nëse do të vazhdohet të punohet në mënyrë sektare për të cenuar parimet dhe ligjet në dëm të trashëgimisë kulturore, librit, bibliotekave, kulturës dhe arteve në tërësi, ju pohoj me bindjen time dhe të shumë kolegëve të mi se ju po rrekeni të zhbëni dhe të çrrënjosni nocionet art dhe kulturë, dhe vetë ekzistencën e atij institucioni që ju drejtoni.

"Panorama"

Comments

Submitted by Erint (not verified) on

Politika qe ndjek ministrja Kumbaro eshte shkatrirmi i kultures se kombit. Mbi kete strategji drejtohen te gjitha veprimet e saja dhe grupit qe ajo drejton. Te shkatrrohet gjithcka te zhduket gjithcka.

Submitted by paqartesi (not verified) on

Autori mund te kete te drejte ne cfare shkruan, por problemi eshte se nuk kuptohet per cfare eshte problemi! Libri, libri, libri! Por se cfare donte te thoshte konkretisht autori, une nuk e morra vesh! Dege me dege e breg mbas bregu, historira shqiptare pa fund, ndersa per ate cfare autori ankohet (ligj i ri per librin?, administrate e re per librin?), ai nuk sqaron! Kesaj i thone: merre me leng, se mishi u mbarua!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.