Nuk është vetëm Sali Berisha

Postuar në 22 Janar, 2017 00:07

21 janari është arkivuar në ndërgjegjen e një pjese të qytetarëve të Tiranës si një krim shtetëror, ndërkohë që politika e ka instrument presioni. Dikush tjetër ka emocione personale për këtë ngjarje, por në rendin e zhvillimeve në Shqipëri, ajo nuk shënon më thuajse asgjë me peshë specifike. 21 janari është një nga ato ditë kalendarike të shantazhit politik që njollos edhe atë fije respekti që kërkon zakoni i dikurshëm shqiptar për të vdekurit.

Në një plan njerëzor, moral e politik Sali Berisha është më i qartë sesa mazhoranca e tanishme. Ai është për disa vrasësi, urdhëruesi i eliminimit të katër njerëzve, është protagonisti i përçartjes shtetërore të asaj dite. Për të tjerë, më të pakët në numër, ai mbrojti institucionet, bëri detyrën, ndonëse vetë Berisha ka dhënë shenja se nuk pranon në asnjë mënyrë që katër viktimat e 21 janarit t’ia lënë vetëm atij në ndërgjegje. Kjo e bën pozitën e Berishës shumë të qartë në këtë çështje, ndaj këtu merr shumë vlerë roli i Drejtësisë. Ata që thonë siç thotë kryeministri se “bëjmë reformën njëherë e pastaj drejtësinë”, po luajnë me fjalët.

Pasi për këtë ngjarje do të mjaftonte vetëm moszbatimi i urdhërit të prokurorisë për drejtuesit e Gardës së Republikës që çështja të rihapej dhe thellë madje. Do të mjaftonte edhe Plani i Masave të Policisë së Shtetit, që u publikua qysh atëherë, për të vënë para drejtësisë edhe drejtues të policisë. Do të mjaftonte që Kuvendi të rishqyrtonte dokumentacionin e të ashtuquajturit Komision Parlamentar për 21 Janarin, për të parë se çfarë versionesh janë depozituar.

Asgjë nga këto nuk u bë. Kjo heshtje nuk e çliron Sali Berishën apo Lulzim Bashën nga përgjegjësia, apo zbardhja ligjore e saj.  Kjo heshtje nxit mendimin e një bashkëpërgjegjësie, morale e politike.

Dhe nuk ka element më domethënës në këtë drejtim sesa vetë kompozimi i koalicionit qeverisës të sotshëm. Kryeministri që është i tillë vetëm pse ka votat e Ilir Metës, mundet të vendosë lule në pllakat e bronzit me të cilat ka arnuar bulevardin, por ky akt shmëbëllen sa hipokrizinë aq edhe dobësinë. Sa dorëzimin aq edhe mungesën e çdo parimi, pa folur për kapitullimin moral në raport me këtë ngjarje. Do të duhej që sytë për të parë kompromentimin në këtë drejtim t’i  kishin edhe familjarët e viktimave, pasi duhet thënë se edhe për ca kohë, vetëm ata do ta kujtojnë 21 janarin.

Është pikërisht kjo situatë e turbullt moralisht që e bën çdo premtim cinik, pasi kryeministri premton njësoj drejtësi, pas një reforme që mban firmën e Ilir Metës dhe Sali Berishës. Premton po njësoj drejtësi edhe pse nesër, pra për 6 muaj, mund të jetë po kaq nevojtar për Metën.

Dhe është pikërisht kjo situatë e paprecedentë që kërkon propagandistë gjithfarësh që janë gati edhe për hakmarrje personale që të artikuojnë çdo gjë, por pa ndihmuar as zbardhjen e ngjarjeve dhe as dhënien e drejtësisë.

Në vështrim vjen këtu një prononcim i sotshëm  i Zef Brozit, ish-kryetar i Gjykatës së Kasacionit, nga i cili pritet një gjykim profesional sesi mund të çohet përpara kjo çështje. Në fakt shohim një gjyq në distancë për Sali Berishën me tonin e një protestuesi:

Gjashte vjet me pare, me 21 Janar 2011, Bulevardi “Deshmoret e Kombit” ne Tirane u pergjak nga akti terrorist shteteror qe mori jeten e kater deshmoreve te demokracise, kater protestueve : Ziver Veizit, Hekuran Dedes, Aleks Nikes, Faik Myrtaj, dhe qe plagosi gazetarin Mahmutaj dhe disa protestues te tjere.

Kryeministri i asaj kohe, urdheruesi i ketij akti terrorist, sabotoi hetimet, beri gjithcka mundi per te zhdukur e manipuluar provat dhe per t’i shpetuar ndeshkimit para drejtesise. Mirenjohje medias guximtare qe provoi te verteten e vrasjeve me filmimet e saj!

Per fat te keq, edhe sot pas gjashte vitesh, urdheruesi i terrorit shteteror te 21 Janarit 2011 nuk eshte vene para drejtesise ! Kjo deshmon edhe se sa i thelle eshte inkriminimi dhe korrupsioni i disa prokuroreve e gjyqtareve dhe sa jetike eshte zbatimi pa vonesa i Reformes ne Drejtesi”, thotë Brozi për TemA.

Brozi është qytetar i lirë dhe mundet të shprehet kështu, por si jurist dhe ish-gjyqtar nuk ka sesi ta dijë këto që pohon derisa të jetë shprehur gjykata. Ose të paktën etika profesionale nuk do të duhet t’ia lejonte. Ngjarja ka dinamikë, ajo është politike e mandej kriminale. Ajo ka shkakun politik, ka një video etj., hollësi që nuk do t’i kujtojë më njeri.

Një predikim të tillë e kemi dëgjuar pambarim dhe ai nuk çon gjëkundi, përveçse ushqen fabulën e kriminelit që është i lirë. Dhe kjo ndonëse sytë po na shohin se kriminelët ja kanë shtruar mirë në Parlament dhe se ata nuk janë më të atij sojit që akuzohen për vrasje politike, por kriminelë që kanë vrarë për para e përdhunime. Ndaj ky mllef që shërbehet si analizë e një gjyqtari, i hidhet si beze e kuqe emocioneve për këtë ngjarje, për të zhvendosur vëmendjen. Për të riadoptuar atë praktikën e “partisë së dëshmorëve” kundër reaksionit.  

Kanë kaluar 6 vjet dhe një gjë është e qartë: për këtë ngjarje vetëm Sali Berisha nuk mund të fshihet. Por të tjerët, ata që derdhin edhe lotë bulevardit, vënë lule, po. Ata duhet të fshihen nga drejtësia e vërtetë e cila nuk mban krah.

Comments

Submitted by andi 1 (not verified) on

Berisha nuk ka faj në mënyrë të drejtëpërdrejtë, nuk do të gjendet asnjëherë asnjë fakt që të fajësojë atë, por Edvin Rama si organizatori i atij krimi është FAJTORI KRYESOR. Mjafton të shihni apo të kujtoni atë ngjarje ku kriminelë të mbledhur nga Rama sulmonin policinë sikur të ishin armiq dhe jo punonjës të thjeshtë që kryenin vetëm detyrën. 4 orë sulm kriminal kundër policisë na u dhimsën edhe ne që shihnim në tv. Sa për Zef Brozin e mbaj mend si legen që kur ka qenë pedagog dhe fjala e tij nuk ka pse të merret si referencë se ka konflikt interesi.

Submitted by Asllan (not verified) on

Populli shqiptar e di shume mire se Saliu eshte fajtori i vetem ne ate masaker. Por jemi popull i zgjuar. Me hakmarrje te drejperdrejte popullore permes protestave e dhunes, vetem sa i jepet te drejte Saliut te spekuloje ne qarqet nderkombetare se opozita po perjeton terror! Tani, me teper se denimet neper gjyqe apo presion permes protestave, opozites i bejne me teper dem votat per PS! Sa me teper vota per PS aq me keq do ndjehet SHQUPI! Keshtu po vepron ky popull e le ta thelloje kete ne te ardhmen! Ky eshte edhe denimi me i rende per Saliun!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.