“Shoqëria civile nuk përfaqëson asgjë. Mbetjet radioaktive, muhabet kot”

Postuar në 05 Tetor, 2016 12:02

Fatos Klosi, kreu i Agjencisë Kombëtare të Energjisë Bërthamore i është kthyer sot rolit të vet prej propagandisti “vullnetar” të cilin e luan me virtuzozitet që nga ikja prej detyrës së shefit të Shërbimit Sekret. Ai i ka dhënë një intervistë gazetës “shqiptarja.com” ku në cilësinë e fizikanit dhe të drejtorit të Agjencisë, jep garanci se “ky muhabeti i plehrave është kot”.

“Mbetjet e parashikuara nuk përbëjnë asnjë rrezik. Pse nuk përbëjnë asnjë rrezik? Sepse nuk do të digjen. Kryeministri tha ndalohet djegia e mbetjeve. Do të vijnë mbetje vetëm për t’u përpunuar. Nëse është kështu unë nuk shoh asnjë problem”, thotë ndër të tjera Klosi, i cili po në këtë inetervistë nuk përjashton mundësinë që “më parë të kenë hyrë mbetje të rrezikshme”.

Me garancinë partiake në xhep, pra kemi qeverinë tonë ndaj edhe duhet të besojmë, ky njeri, i cilësuar si intelektual me profesion fizikan, del në konkluzione skualifikuese edhe për shoqërinë civile:

Shoqëria civile, sot janë tre njerëz, nesër janë tre të tjerë, sipas interesave. Sa kohë janë pa punë futen në shoqëri civile. Kur gjejnë punë ikin. Pra nuk është kjo siguria. Shoqëria civile nuk përfaqëson asgjë. Ky është opinioni im”, vijon Klosi, që për vitet e PS-së në opozitë dha më shumë intervista se çdo i papunë që bën publicistin.

Por më shumë rëndësi ka pyetja që i drejtohet Klosit për mbetjet radioaktive, pasi aty ai flet edhe në cilësinë e një eksperti. Duke mbajtur fort idenë se “janë doganat ato që kanë përgjegjësi”, fizikani shqiptar e hedh poshtë tezën se ka rrezik për mbetje radioaktive me këto “argumente”:

Muhabet kot. Nuk ka mbetje radioaktive. Mbetjet radioaktive, ata që i kanë, e dinë se ku i çojnë. Ata që kanë mbetje radioaktive nuk janë karagjozë. Kanë institucione shumë serioze. Mbetje radioaktive kanë ose spitalet ose centralet bërthamore. Spitalet nuk kanë më pasi nuk operojnë me topa kobalti. Ata që kanë centralet bërthamore kanë linjat e tyre, janë nën kontrollin e shteteve të tyre, janë gjëra komplekse që nuk kanë lidhje me situatën në fjalë”, thotë Klosi.

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Ky njeri, ka qene pedagog i Fizikes, por me Fizike Berthamore nuk eshte marre ndonje here. Eshte pak si t'i kerkosh specialistit te melcise te te percaktoje numrin e syzeve.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.