Alibia e kontratave të mbyllura

Postuar në 04 Tetor, 2016 15:55

Sot disa media pranë qeverisë kanë përcjellë në mënyrë identike një replikë të kryeninistrit në Facebook me një qytetar mbi lejet e ndërtimit të hidrocentraleve. Shprehet kryeministri Edi Rama:

Kemi anulluar plot e plot, por jo pasi janë mbyllur kontratat, sepse për një kontratë të mbyllur, shteti duhet të paguajë në arbitrazhe ndërkombëtare shumë më tepër se sa çfarë mund ta imagjinosh në ëndrrën më të keqe”.

Cilën kontratë ka mbyllur apo ka anulluar qeveria e Edi Ramës? Listimi i tyre do të ishte një përgjigje disi serioze. Popullarizimi prej mediave i replikës më lart i shërben një politike preventive ndaj protestave të ngjashme si ato për importin e mbetjeve që e kanë gërryer imazhin e qeverisë, por edhe besimin ndaj saj.

Edhe një konçesion të cilin premtoi se do ta anulonte, skanimin në dogana, nuk arriti ta bënte. U rishikua tarifimi për njësi, por jo kontrata në tërësi. Një vit pasi erdhën në pushtet socialistët partnerët amerikanë të “Rapiscan” u larguan për të lënë këtu partnerët shqiptarë që kishin bërë blerje aksionesh me vetëm 490 lekë. Sot askush nuk e di se kush ëhstë kontraktori i këtij konçesioni, pasi qeveria e Edi Ramës nuk e bën publike. Bashkëpunëtori i tij, Erjon Braçe, kërkoi hetim tatimor për manovrën që u bë nga qeveria e shkuar për kalimin e aksioneve. Ish-ministri Shkëlqim Cani premtoi se do të bëhej ky hetim, por asgjë nuk ndodhi.

Çfarë mund të thuhet për koncesionin e koaludimit, për shërbimin skandaloz dhe poshtërues të kompanisë? Nuk mundet qeveria të bënte presion për të shtuar sportelet?

Konçesioni i mjeteve të identifikimit me “Aleatin” thjesht u zgjat në afat, madje u rritën tarifat e shërbimeve ndërkohë që sipas burimeve, “Aleati” parashikohet të përfitojë edhe shërbime shtesë.

Po për konçesionin e minierave i cili u zgjat deri në vitin 2041 kur në opozitë i njëjti njeri e konsideronte atë Mafia e Kromit? Siç shihet koncesionari – Balfin Group – ia ka dalë t’i ndryshojë mendjen Edi Ramës, e ca më parë madje i mbushi mendjen edhe për politika lehtësuese fiskale për shkak të krizës botërore.

Pra, pa hyjrë këtu në diskutimin e premtimeve opozitare, kryeminsitri sot na deklaron se nuk ka çfarë të bëjë, një gjë mund ta bënte, qoftë edhe për të qenë i sinqertë me qytetarët: Hetimin dhe verifikimin e kontratave për HEC. Aplikimet, dokumentacionin, lejet mjedisore, ndikimin në mjedis etj., gjithnjë duke mbajtur si prioritare interesin publik.

Po a mund të besojë kush se qeveria e tij ka vetëm hallin e ndëshkimeve në Arbitrazh, ndërkohë që në Vjosë parashikon të ndërtojë disa HEC, pavarësisht reagimeve edhe ndërkombëtare? A mund të besohet ky kryeministër që rend lart e poshtë për të mbrojtur çuditë që po i lë në derë këtij vendin, kur ministri i tij i Energjetikës, Damian Gjiknuri, një njeri që i rëndon Shqipërisë sipas një akuze zyrtare të paktën 492 milionë euro, deklaron se “Vjosa nuk është muze”.

Askush nuk ka parë deri më sot një përpjekje të studiuar për të bërë diçka për këto kontrata të cilat edhe sikur ta kenë gjobën milionëshe, sërish pasojat që lënë mbi mjedis i kanë të pakthyeshme. Sepse nuk ka një përpjekje të tillë, por ka një tjetër: një politikë koncesionimi për gjithçka.

Dhe një qeveri që ka në fokus këtë qasje ndaj shërbimeve nuk ka sesi të cenojë kontrata të mbyllura nga qeveria e shkuar. Këtu jemi në fushën e spekullimit politik, por qeveria dhe kryeministri nuk ka një dosje të qartë për këtë punë. Njësoj sikundër për ligjin e mbetjeve për të cilin jep vetëm garanci verbale, duke gënjyer për shumëçka.

Kjo situatë kur qeveria është e dorëzuar përkundrejt serialit të veprave të reja që pritet të ndërtohen në emër të pamundësisë për të trajtuar juridikisht rishkimin e kontratave, e bën mjedisin dhe mbrojtjen e tij, detyrim parësor të qytetarëve. Nga Valbona në Vjosë, do të duhet që të jenë qytetarët që do të mbrojnë atë që po ua bën shteti i tyre, qeveria aktuale e të cilit pranon se KËTO VEPRA NUK DUHEN BËRË, por deklaronse nuk ka çfarë të bëjë. Është një shans për katalizimin e frymës së protestës e cila drejtohet ndaj të trija partive që sot janë aksioneret kryesore në shumë prej këtyre kontratave. 

Comments

Submitted by genti (not verified) on

kujt ia thua keto fjale...nje populli qe eshte ne erresire dijesh prej vitesh ,qe ska kultur e histori qe ben vetem militantin e tifozin,qe shitet per dy lek e qe snjef as cfare eshte ideali as cfare eshte patriotizmi...oh sa mire me ken shqiptar..ta gezojme politiken dhe politikanet

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.