Tradhëtia me plehrat njësoj si me hidrocentralin mbi Vjosë. Qeveria nuk ka ndërmend të anullojë as HEC-et në Valbonë

Postuar në 04 Tetor, 2016 11:07

Në kulmin e debatit për ligjin e importit të mbetjeve që u miratua nxitimthi dhe që shumica refuzon ta çojë në referendum, qeveria jep një prove tjetër se e ka të vështirë të vërë interesin e publikut para llogarive ekonomike që dalin nga shfrytëzimi i resurseve natyrore.

Ekzekutivit i është kërkuar të anullojë ose të rishikojë kontratat për ndërtimin e dy hidrocentraleve në lumin Valbonë, por kjo nuk ka gjasa të ndodhë.  Kreu i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Zamir Dedej, pranon se ka vështirësi ligjore për të anulluar kontratat e nënshkruara nga qeveria e kaluar. “Gjendemi përballë një fenomeni ku procedurat ligjore janë të mbaruara nga qeveria e kaluar, duke bërë që kompanitë të kenë të gjithë dokumentacionin në dorë, kosto e ndalimit të secilës është shumë e madhe”-tha Dedej gjatë një takimi në Shkodër.

Me të njëjtën gjuhë ka folur edhe kryeministri Rama teksa i përgjigjet pyetjes së një ndjekësi në rrjetet sociale pse nuk anullohet ndërtimi i dy HEC-eve në Valbonë.  “Kemi anulluar plot e plot, por jo pasi janë mbyllur kontratat, sepse për një kontratë të mbyllur, shteti duhet të paguajë në arbitrazhe ndërkombëtare shumë më tepër se sa çfarë mund ta imagjinosh në ëndrrën më të keqe”, ishte përgjigja e Ramës. K ontrata koncesionare për ndërtimin e HEC-eve në Luginën e Valbonës, konkretisht në Çerem dhe Dragobi janë miratuar nga qeveria e shkuar në vitin 2013. Pak ditë më parë 28 shkencëtarë nga 33 vende të ndryshme i bëjnë thirrje kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama të tërhiqet edhe nga ndërtimi i hidrocentralit të Poçemit mbi lumin Vjosa të paktën për tre vitet e ardhshme, pasi hidrocentrali i Poçemit mund të shkatërrojë këtë vlerë unike të biodiversitetit natyror.

Me datë 29 korrik, 2015 këshilli i ministrave miratoi një bono prej 8 për qind të pikëve për kompaninë turke Çinar-San Hafriyat Nakliyat Inşaat Turizm Sanayi Ve Ticaret Limited Şirketi, në procedurën e dhënies me koncesion të hidrocentralit Poçem në lumin Vjosë.

Vendimi që është botuar në fletoren zyrtare me datë 10 gusht i hap rrugën ndërtimit të një hidrocentrali të dytë pas Kalivaçit në lumin Vjosë, ndërtim i cili kundërshtohet me forcë nga organizatat mjedisore vendase dhe të huaja, si dhe nga Parlamenti Europian.

Vendimi i marrë nga qeveria në korrik gjithashtu bie ndesh me angazhimet që kishte marrë kryeministri Edi Rama një muaj më parë gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore, kur kishte premtuar se në Vjosë nuk do të ndërtoheshin më hidrocentrale dhe se lugina e saj do të kthehej në zonë të mbrojtur.

Gjatë një mitingu në Tepelenë gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore në 13 qershor, kryeministri Edi Rama u shpreh se qeveria do t’i ndalonte planet për hidrocentrale në lumin Vjosë duke e orientuar ekonominë e zonës nga turizmi familjar duke e shpallur luginën park kombëtar.

“Do transformojmë luginën e Vjosës në një park kombëtar që të frenohet barbarizimi nga hidrocentrale dhe të zhvillohet turizmi, ekonomia, bujqësia, të fuqizohet ekonomia familjar duke rritur numrin e vizitorëve në këtë park të madh të Vjosës. Vjosa është një ndër lumenjtë më të bukur dhe me tiparet më interesantë të Europës, është një pasuri e madhe europiane. Ne në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare të interesuara do të realizojmë projektin e Vjosës në një Park Kombëtar,” ai shtoi. Sa këto premtime janë mbajtur nuk është e veshtire t'i konstatosh.

Comments

Submitted by Albi_I (not verified) on

Nje hetim nga BIRN tregoi se ne ndertimin e HEC-eve ne Valbone jane perdorur firma te fallsfikuara nga persona te vdekur. Cuditerisht qeveria beson se keto nuk perbekan ceshtje per hetim.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.