Çfarë po ndodh me maturantët? Peripecitë proceduriale që prodhuan kaosin e tanishëm. A po favorizohen privatët?

Postuar në 07 Shtator, 2016 12:04
Sejrie Baleta

Pranimet në universitet publike në Shqipëri këtë vit kanë lënë të pa kënaqur shumë maturantë. Edhe pse një pjesë e konsiderueshme e tyre rezultonin nxënës më rezultate mjaft të mira ata kanë rezultuar që të mos jenë shpallur fitues në listat e publikuara nga universitete. Për këtë arsye një pjesë e konsiderueshme e nxënësve dhe prindërve kanë vendosur që të ngrejë zërin dhe që ti bëjnë publikë rastet porsa i përket mënyrës së shpalljes së fituesve. Sot me 7 shtatorë në orën 10:00 para Kryeministrisë do të bëhet një protestë nga nxënësit prindërit dhe çdo qytetarë për të kërkuar të drejtën e dhe shpresën që u ka vrarë qeveria mijëra të rinjve dukë mos u dhënë atyre të drejtën për të studiuar. Letra dhe akuza të shumta të bëra nga prindër dhe nxënës po i prijnë protestës së sotme.

Një maturante shkruan: “Unë nuk do rri pa folur kur po shoh që po luhet në një mënyrë shumë mizore me fatin tonë. Reforma në arsim?! Rilindja?! Kemi 12 vite që vuajmë mbi kurriz të keqen që sjell ky sistem skandaloz. Kemi duruar, kemi pritur shumë gjëra por kjo ishte e tepërt. Jo vetëm që nuk e rilindët Shqipërinë, por keni vrarë ëndrrat, shpresat dhe vizionet tona. Ne maturantët e 2016 jemi përdorur si laborator për të qenë “eksperimenti” juaj që Shqipëria të jetë si gjithë vendet e BE. Si mund të jemi në pjesë e BE kur ju nuk dini as të hartoni një reformë të hairit në arsim dhe çdo keqmenaxhim nga ana juaj bie mbi kurrizin e dikujt që do të shkollohet për një jetë më të mirë! Kjo ishte e tepërt! Aisa J”.

Ndërkohë “shumë maturantë që kanë shpenzuar vite mund, po e humbasin të drejtën për t’u arsimuar në universitet publik, si pasojë e lojërave të pista nga ana e ministrisë. Nuk ka rëndësi nëse ke mesatare 8 apo 9, nëse nuk ke para, ti nuk shkon në shkollë! O në universitet privat o s’ka! Por nuk do heshtim, nuk mund të mohohet e ardhmja e të rinjve vetëm për interesa korruptive të qeverisë bashkë me diplomat private. Do të rezistojmë”, thuhet në një reagim tjetër.

Matura e sivjetshme padyshim mund të konsiderohet si ferri dantesk i maturantëve të 2016-ës. Pas provimeve, përzgjedhjes, vjen edhe dita e pranimeve në universiteteve ku ankthi rritet nga papërgjeshmëria e Ministrisë së Arsimit. Duke shmangur çdo njoftim për nxënësit, ku këta të fundit të lajmëroheshin në lidhje me orarin e saktë se kur do të paraqiteshin rezultatet, dje dhe sot u krijua një atmosferë e nderë që u përcoll nga rrjetet sociale drejt familjeve që prisnin në ankth përgjigjen nga instanca që interesohen për mbrojtjen e padronëve të tyre politike sesa për dëshirat dhe asipratat e çdo maturanti. Linket e vënë në dispozicion bllokoheshin dhe zhbllokoheshin duke krijuar amulli në çdo grup maturantësh. Në fillim u paraqitën listat e vjetshme që e shtuan konfuzionin. Pas daljes një pjese të rezultateve (FSHN akoma nuk ka nxjerre listat e plota) u vu re përjashtimi i shumë nxënësve nga e drejta e studimit duke i lënë në dorë të një raundi të dytë ku paraja dhe nepotizmi padyshim që do bëjnë ligjin. Ata që u dëmtuan më shumë ishin të profilit shkencor. Prej uljes së beftë të mesatares shumë prej tyre u gjendën jashtë çdo të drejtë studimi. Arsyeja e këtyre pehlivanllëqeve me jetë njerëzish është e qartë: Favorizimi i unversiteteve private! Jo më kot këto piramida arsimore u futën në listat e AKP-së si mundësi zgjedhjeje për nxënësit. Duke i lënë maturantët jashtë shtetërorit...

Reagimi i MAS

Sipas zëvendës ministrit të arsimit, Redi Shtino, skema e re, bazuar në ligjin e ri të arsimit të lartë, është një skemë që mbështetet në një sistem elektronik, transparent, konkurrues, “një metër për të gjithë” maturantët dhe njësoj për të gjithë shkollat publike dhe private, duke ruajtur specifikat dhe kriteret e pranimit nga njëra shkollë në tjetrën, të përcaktuara nga vetë ato.

Fituesit e universiteteve

Duke filluar që nga dita e djeshme me 6 shtator, deri më datë 8 shtator 2016 kandidatët kanë afat të bëjnë ankimimin e tyre pranë universiteteve përkatëse nëse kanë pakënaqësi me rezultatet që kanë marrë. Por një ditë pas shpalljes së listës së fituesve në disa prej fakulteteve të Universitetit të Tiranës, rektori i UT-së në një konferencë për shtyp ka thënë ditën e djeshme se lista përfundimtare e fituesve në fakultetet e këtij universiteti do të dalë më 11 shtator. Ai ka shtuar se procedura e regjistrimit të fituesve nis me njohjen e fituesit në faqet zyrtare të fakulteteve, ku janë renditur edhe fituesit sipas pikëve, ku brenda 3 ditëve ai do ketë mundësi që të bëjë ankimim për vlerësimin dhe pas këtij procesi shpallet edhe lista përfundimtare e fituesve nga çdo fakultet. Konsi ka specifikuar se kandidati fitues, ndonëse mund të jetë listuar në disa fakultete, ai mund të regjistrohet vetëm në njërin prej tyre, ndërkohë që ka shtuar se ata kandidatë që nuk shpallen fitues me listën e fundit duhet të presin pasi pas datës 20 do të shpallen edhe kuotat e reja. “Duke nisur nga sot, gjithë kandidatët që kanë aplikuar kanë në faqen e fakulteteve listën e plotë të secilit, të renditur sipas pikëve. Brenda tre ditëve secili nga kandidatët mund ti drejtohet fakulteteve për vlerësimin sipas fakulteteve. Pas këtij procesi, më 11 shtator del lista përfundimtare e fituesve, që afat regjistrimi ka 7 ditë. Regjistrimi bëhet online në portal dhe fizik në fakultete. Një maturantë mund të ketë dalë fitues në 10 programe, por ai duhet të regjistrohet vetëm në një program. Ata që nuk janë fitues të jenë të qetë sepse do ketë zbritje liste, pas datës 20 shtator kur dalin edhe kuotat e mbetura. Pritet që mbi 30% e kuotave të mbeten bosh në UT dhe aplikantët duhet të aplikojnë në portal dhe do kryhet e njëjta procedurë prej çdo kandidati” tha Koni. Duke u ndalur tek numri i aplikimeve të bëra nga kandidatët, rektori Koni u shpreh se në Universitetin e Tiranës aplikantët kanë qenë të një niveli të lartë dhe numërohen mbi 90 mijë aplikime. “Janë vendosur kritere, dekanët dhe drejtuesit e departamenteve akne bërë punë të mirë për aplikantët. Në përfundim të kësaj faze, aplikimet në UT kanë qenë të një kualiteti shumë të lartë. Në UT ka pasur 90 mijë aplikime, janë rreth 19 mijë studentë, i bie 5 aplikime për 1 student”, tha Koni.

Reagimi i MSA

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ka deklaruar se tashmë ka një sistem të ri për ankesat e maturantëve që e bën më të lehtë zgjedhjen. Në një prononcim, Nikolla njoftoi gjithashtu se më 20 shtator do të dalë edhe lista e fituesve. “Kemi vënë në funksion një sistem të ri. Sistemi i ri e bën më të lehtë zgjedhjen. Universitetet i kanë bërë publike kriteret. Kush mendon se i është shkelur e drejta, të bëjë ankesë. Në datën 20 shtator do të dalë lista e fituesve. Garantojmë transparencë dhe paanshmëri. Sistemi që po aplikojmë është më i drejti dhe transparenti”, tha Nikolla.

Regjistrimi në sekretari

Të gjithë kandidatët që kanë kryer procesin e aplikimit në raundin e parë dhe janë shpallur fitues nga IAL-të, duhet të kryejnë procesin e regjistrimit online dhe me dokumentacion në sekretaritë mësimore të universiteteve, në programin e studimit ku dëshirojnë të vazhdojnë studimet, në datat 13-20 shtator 2016. Kandidati që është shpallur fitues në më shumë se një program studimi, lejohet të regjistrohet vetëm në një program studimi ku është fitues. Sekretaritë mësimore do pranojnë dokumentacionin për të gjithë kandidatët fitues. Këtë vit, sipas udhëzimit të MAS-it, ndryshe nga vitet e tjera, kandidatët kanë të drejtën të ndërrojnë degën ku regjistrohen, nëse duan të aplikojnë për kuotat bosh në raundin e dytë. Në pikën 20 të udhëzimit të MAS-it përcaktohet se: “Sekretaritë mësimore të fakulteteve të IAL-ve mbajnë regjistër të veçantë për dorëzimin e dokumentacionit me të dhënat mbi datën dhe orën e dorëzimit, si dhe nënshkrimin e kandidatëve të regjistruar. Kandidati, pasi ka bërë regjistrimin me dokumentacion dhe ka nënshkruar në regjistër, nuk ka të drejtë ta ndryshojë programin e studimit për atë vit akademik.”
-Faza e parë (Regjistrimi paraprak online në Portalin e Maturës Shtetërore)

Pas publikimit të rezultateve të fazës së parë, fituesit do të ndjekin procedurat e regjistrimit për në universitete në fakultetin përkatës. Nga 18 deri në 23 shtator ata do të regjistrohen online. Fituesit kanë marrë instruksionet e nevojshme në udhëzimin përkatës që është publikuar në faqen e MASH. Janë instruktuar se si duhet të ndjekin hap pas hapi mënyrën e regjistrimit për opsionin që kanë zgjedhur. Janë 5 fusha që duhet të plotësojnë, duke filluar nga fusha e parë që është ID e Maturës Shtetërore, emri, atësia, mbiemri dhe Numri Personal i Kartës së Identitetit. Gjithashtu është një adresë emaili, nëpërmjet së cilës do të njoftohen për hapat që kanë bërë në sistem. Dhe mbasi këto të dhëna janë futur saktë sistemi i lejon që të vazhdojnë më tej me aplikimin.

Opsionet

Si fillon fituesit i shfaqet fakulteti në të cilin ata janë shpallur fitues numri i preferencës, pikët përkatëse. Pas kësaj aplikuesi duhet të shtypë butonin “regjistrohu”. Sipas njoftimit të bërë në AKP më pas dalin dy opsione të tjera. Njëri është: “vazhdo konkurrimin për një opsion më të lartë” dhe tjetri është : “regjistrohem përfundimisht në preferencën e shpallur”. Nëse kandidati është fitues në preferencën e parë, kuptohet që ai është fitues përfundimtar, nëse maturanti është fitues në një nga preferencat nga 2 deri në 9, atëherë ai duhet të marrë një vendim. Nëse ai dëshiron të mbetet përfundimisht te kjo preferencë ai duhet të konfirmojë regjistrimin përfundimtar. Nëse ai dëshiron të konkurrojë për më lartë, ai duhet të zgjedhë opsionin tjetër : “vazhdoj konkurrimin për një preferencë më të lartë”. Preferenca që i ka dalë në fillim nuk i digjet kandidatit në rast se ai nuk gjendet fitues në një preferencë më sipër. Nëse e ngjit sistemi në preferencë më lartë gjatë përzgjedhjes që do të bëhet në fazën e dytë, atëherë.

-Faza e dytë (Regjistrimi përfundimtar në fakultet me dokumente)

Për herë të parë në historinë e regjistrimeve në universitete, këtë vit fituesit nuk do të dorëzojnë diplomën e shkollës së mesme. Kjo për t’u ardhur në ndihmë studentëve, sepse ai është një dokument që ata i shoqëron gjithë jetën dhe se rezultatet e tyre janë në databazën kombëtare dhe në çdo rast i kanë të dhënat në dispozicion në mënyrë zyrtare pranë universiteteve dhe me synimin për të ulur koston financiare të dokumenteve që duhen bërë noterimet. Prandaj, sivjet nxënësit nuk do të dorëzojnë diplomën e shkollës së mesme, por ata duhet të paraqiten në sekretari javën e parë që ka filluar mësimi dhe duhet të dorëzojnë fotokopjen e dokumentit të Kartës së Identitetit, një mandat arkëtimi për tarifën e regjistrimit, e cila do të jetë 1600 lekë dhe dy foto që duhen për kartën e studentit.

Me shkurtime nga: "standard.al"

Comments

Submitted by Asllan (not verified) on

Jane mesuar njerezit ketu me mjegullen manipulative qe krijoi ne arsim pozita e djeshme (ose opozita e sotme)! Sapo kerkohet te behen gjerat sic duhet, menjehere opozita shfrytezon pakenaqesite e njerezve te paafte te cilet mbeshteteshin tek hilet e korrupsioni dhe perpiqet ti ktheje ne favor te vehtes! Por ky eshte thjesht nje pluhur i lehte i cili nuk e ndryshon rrugen e qarte te Rilindjes cila jo vetem do fitoje ne te ardhmen por do ta deklasoje opoziten ne ate menyre qe ajo te mos kete as 20% te vendeve ne parlament! Ky popull nuk ha bar, sic mendon opozita!

Submitted by Kapllan (not verified) on

O Asllan e keqja e ketij populli eshte tamam se gjithe jeten i kane dhene bar (qe te mos shkeleshin parimet, besoj e mban mend) dhe aq shume eshte mesuar me barin saqe tashti i duket vetja lope, ose dele e prandaj edhe Edvin Kristaq Rama shet pordhe rilindase gjithandej.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.