I dashur VODAFONE, ti të rrjep miqësisht, dashurisht, me kompjuter!

Postuar në 07 Gusht, 2016 16:48
Sadik Bejko

Po provoj të shkruaj diçka në stilin “qesh e ngjesh” të Habereve të mikut Mitro Çela. Jo për gjë tjetër. Për një të ngjarë e të pësuar që mbase nuk më prek vetëm mua.

Kjo histori ka të bëjë me Vodafonin. Kam rreth 17 vjet që jam klient i Vodafonit. Mendoj se Vodafoni, lodhur nga dashuria e besnikëria kaq e gjatë, ka vendosur të më heqë qafe. Fillimisht po më diskriminon. Një diskriminim në kuptimin pozitiv të fjalës. Se…mendojeni vetë, një klienti kaq besnik edhe sikur t’i bësh keq, atij do t’i ndodhë si atyre që janë nën sindromin e Stokholmit. Këta sa më shumë t’i rëndosh me zullume, aq më shumë të ndjekin. Tani, të kuptohemi, nuk ua bën zullumet me të keq. Jo, i rëndon e i diskriminon vetëm pozitivisht. Miqësisht. Dashurisht. Do të provosh se ata si ato mushkat e vjetra, besnikë të rrugëve të vjetra mbeten.

Hyr në temë, do të thoshte Mitroja i habereve. Po hyj drejt e në temë.

Qysh prej disa muajsh pëfitoja nga paketat oferta të Vodafonit. Meqë tani kanë rënë interesat e atyre që dikur më telefononin nga që u hyja në punë, meqë rrethi miqve që marr e më marrin, nuk shkon gjatë, gati numërohet me gishta e dy duarve, paketat me pesqind lekë në muaj mua më mjaftojnë e teprojnë. Internetin e përdor vetëm në shtëpi me kompjuter, jo me telefon celular.

Por një ditë te zyrat e Vodafonit me komshiun tim moshatar ndodhi që telefoni i komshiut i pranonte ofertat pesqindlekëshe, ndërsa telefoni yt, më tha vajza që shërbente, pranon që të rimbushet vetëm me 700 lekë. U nxeha me vajzën. Por e kisha kot që po nxehesha me atë. Shkova te pika Vodafon e Vasil Shantos. Edhe atje po kështu: tund shtatëqind lekët më thanë.

Aty ishte një shoqja e moshës sime me banim në Itali. Nuk e kuptonte këtë diskriminimin e Vodafonit ndaj meje. Po të kesh kaq vjet, 17 vjet, si klient i vodafonit në Itali, të japin telefon falas. Ta harrojmë këtë punën e dhuratave, i thashë. Më kanë humbur kaq herë telefonat. M’i kanë vjedhur në autobuzin e Unazës dhe kam blerë numrin tim me para nga e para, njësoj si të blija numur të ri. Telefonat e rinj m’i kanë falur herë djemtë, herë shokët.

Kjo puna e vjedhjes është reale. Shkoni në bulevardin “Teodor Keko”, në segmentin nga Shqiponja te Shkolla e mesme e turizmit në Unazën e madhe, dhe do të shihni se hajdutëria e urbanëve është e tillë që të rrëmbejnë lekët, telefonin, çantën etj.. Policia e Rilindjes ashtu si ajo e demokratëve nuk merren me hajdutët e urbanëve. Ky segment i Unazës së Madhe është parajsa e hajdutëve sidomos tani që autobuzët e linjave të Jugut nisen nga Shqiponja.

Nuk them se edhe Vodafoni ka lidhje me hajdutët e Unazës së Madhe. Larg qoftë.

Për këtë shkova te pika e Vodafonit te rruga “M. Shyri”. Edhe atje më sqaruan se numri yt mbushet me 7 qind lekë. Thashë që e paskam armike dhe këtë vajzën që shërben te “Myslym Shyri”. Shkova në Tiranën e Re. Te Sheshi “Uillson” pika ishte plot me klientë. Prita heroikisht. Por edhe aty nuk më ndriti.

Shokët e moshës sime me thinja në kokë ua jepnin ofertat prej 5oo-lekësh. Mua më diskriminonin pozitivisht.

Kështu. Nuk më paskëshin faj vajzat që shërbenin sjellshëm në pikat që përmenda.

Cili është morali i kësaj që shkrova? Nuk e di. Më pëlqen të mendoj se Vodafoni më mban për paralli. Nuk e di se unë jam këmbësor. Që udhëtoj me autobuzin urban. Se udhëtoj me frikë, me sytë hapur, me të dy duar në xhepa se mos më vjedhin hajdutët e autobuzave të Unazës së Madhe. Me Vodafonin e madh, me ca zyra shteti, sado t’i mbaj duart në xhep, nuk shpëtoj dot.

Atje dashurisht, miqësisht, pozitivisht të rrjepin me kompjuter, jo me duar.

 

http://www.citynews.al/2016/08/profesor-sadik-bejko-per-vodafoninatje-da...

Comments

Submitted by GR (not verified) on

Po cdo me kompani te tilla mo zoteri!
Kalo te Plusi dhe ke ofertat me gjysem çmimi per nje vit.

Submitted by Juljan Sula (not verified) on

je i infektuar me sindromen e konsumizmit.....

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.