credins
Data sot është 25-05-2013, ora 08:19

Author Bios

Blogs by this author:

  • 100 Vjetori po afron dhe kryeqyteti ka filluar të zbukurohet. Varfëria e aktiviteteve dhe e dekorit, u paralajmërua nga qeveria. Nga skena e “Këngës Magjike”, A. Gjebrea, si të ishte zëdhënës i K.të Ministrave, na tha ç’i thanë të na thotë: aktivitetet për 100 Vjetor do jenë të varfëra dhe fajtorë për këtë jemi ne, qytetarët, që nuk kemi paguar TVSH-në! E me që është puna kështu, edhe vetë “Kënga Magjike”, u “sekuestrua” dhe u fut në listën e aktiviteteve të organizuara për 100 Vjetor!

    Të varfër nga xhepi e te varfër nga shpirti. Dekori i Tiranës nuk ka ndonjë ndryshim të madh nga ai i 50 viteve më parë, por me ndryshimin se këtë vit janë marrë masa për të bërë sa më të padukshëm Skënderbeun, pasi më parë ishin kujdesur ta bënin të paprekshëm. Sheshi, që mban emrin e tij, është “zbukuruar” me amatorialitet te rrallë. Në se do teprojnë paratë e do gjinden 1000 desh për t’u therur, ndoshta pas festës do quhet “Kurbanshesh”. Me që ra fjala, kur dëgjova punën e 1000 deshëve, u mundova të gjej një kryeministër tjetër në Europë, të cilit do t’i shkonte ndërmend një ide e tillë paramesjetare për të festuar festën e madhe të vendit të tij. Nuk munda. Ndoshta në Itali, Monti mund t’ja sugjerojë presidentit të tij për 150 vjetorin e tyre, pasi atje, si kudo, festat i organizon i pari i vendit, por të shohim.

    E me që këtu ndodhin ato që nuk mund të ndodhin në asnjë vend tjetër, ndodhi dhe kjo: ka disa ditë, që bustin e Adem Jasharit e kanë hequr dhe në lulishten e vogël tek Rruga e “Durrësit” po bëhen punime. Sot dëgjova në radio, se me rastin e 100 Vjetorit, do të vendoset në Tiranë busti i Adem Jasharit, me ç’rast, do të zhvillohet ceremoni, në të cilën do marrin pjesë personalitetet më të larta! Lus Zotin që të mos e kenë seriozisht, pasi në ceremoninë e përurimit të bustit të Adem Jasharit, zhvilluar nga Bashkia e Tiranës para disa vitesh, kam qenë prezent dhe si shumë qytetarë të tjerë, që atëhere, e kam parë  çdo ditë, deri kur para disa ditësh e hoqën. Ajo çka duan të bëjnë do ishte një tallje me të gjithë e me gjithçka, me Dëshmorin Adem Jashari e me gjithë Dëshmorët e tjerë, me Shqipërinë e me gjithë shqiptarët. Le të na e kursejnë talljen, se nuk ua kemi borxh!

  • Edhe para se të fillonte 2012, 100 Vjetori u bë një nga refrenet më të dashura të politikanëve. Njëra palë, ajo në pushtet, rrihte gjoksin e tregonte për bëmat që do bënte, e pala tjetër e qesëndiste. Pushtetarët frynin tollumbacin e bëmave për 100 vjetor, duke i treguar miletit makete kartoni të stadiumit, parlamentit, monumentit të pavarësisë pa shesh e të shesheve pa monumente. Këta të fundit janë të vetmit e realizuar. Ka një shesh me emrin “Nënë Tereza”, pa Nënë Terezë.  Në se do e kërkoni me kujdes, monumentin e Nënë Terezës mund ta gjeni, por jo në sheshin që mban emrin e saj.

    Kishim edhe një shesh me emrin “Skënderbej”, me monumentin e tij. Tani sheshit i ka mbetur vetëm emri. Sheshi vetë nuk është më. Skënderbeun ndërkohë janë kujdesur ta fshehin. Ditën, monumenti është i largët e i pakapshëm nga njerëzit, natën është krejt i padukshëm në këtë 100 vjetor.

    Stadiumin e parlamentin e ri i mori lumi, me gjithë disa (kush e di sa) mijra euro. Monumenti i Pavarësisë (pa shesh), u shndërrua në Monument të 100 vjetorit  (pa shesh) duke u zgjedhur midis 3 karikaturave të konkursit të mbajtur (posaçërisht).  Ndërsa në Vlorë, vlonjatët, që nuk mund të duronin shpërfilljen e pushtetarëve, ngritën vetë një bust të Ismail Qemalit, qeveritarët të zënë ngushtë, u kujtuan të shpluhurosin një statujë që rrinte (kush e di pse) prej kaq vitesh në Galeri  e vendosën ta nxjerrin jashtë në një lulishte këtë 100 vjetor.

    Kemi edhe një sihariq! Me t’u vendosur se kë nga shtatoret do zgjedhë komisioni i ngritur (posaçërisht), shqiptarët do kenë fatin të kenë në kryeqytet edhe LMT A. Zogu. Problemi që ka mbetur për t’u zgjidhur është ai i paraqitjes së LMT: me frak apo me grand uniformë. Unë vetë, do kisha rekomanduar një LMT me opinga, (që pat premtuar se do i vishte), për ta parë se si do dukej, por ky variant është hedhur poshtë nga komisioni i ngritur (posaçërisht). Nga dy variantet e mbetura, ai me uniformë do ishe qesëndisës për vetë LMT, që pati rast ta vishte për foto cerimoniale, por kur iu desh ta vishte për luftë, e spërkati me trëndelinë dhe e futi në sepet, për ta marrë me vete rrugëve të mërgimit.

    Megjithatë, ky vit i 100 vjetorit  pati edhe një projekt, që u kurorëzua me sukses të tillë që zor se do ta kenë projektet e tjera të realizuara ose jo. “Ezel” është ai që ja kaloi edhe Sulejmanit, edhe Gjyrmyshit, edhe Shamikuqes këtë 100 vjetor.

  • Në shtypin italian, por jo vetëm, ka ditë që shkruhet per gjendjen financiare të Spanjës dhe Europës në përgjithësi. Argumentet e prekura janë nga më të ndryshmit, por një është i vecantë: ai që ka të bejë me futbollin spanjoll, dhe nëpërmjet tij, atij europian e më gjerë.

    Jo pa ironi, thuhet se Ronaldo, Mesi, Murinjo e të tjerë, kanë marrë frymë të lehtësuar kur dëgjuan se pagat e tyre milionere nuk do të preken. Ata do paguhen deri në qindarkën e fundit, por këtë radhë paratë do shkojnë në llogaritë e tyre drejt e nga xhepat e taksapaguesve europianë.

    Duke “shpëtuar” sistemin financiar spanjoll, Europa shpëton automatikisht edhe sistemin pervers e të sëmurë të futbollit. Klube që financohen në bazë të parave që nuk ekzistojnë, që marrin kredi më se të favorshme, që kanë borxhe ndaj tatimeve dhe sigurimeve të vendeve të tyre, që u skadencohet detyrimi me vite të tëra, që favorizohen nga politikanë e financierë në dëm të sistemeve kombëtare të financave, shpenzojnë miliona të marra borxh, të cilat në fund të fundit dikur do të shlyhen, duke gërryer jo pak xhepat e taksapaguesve të thjeshtë.

    Shembulli spanjoll është mjaft domethënës: plot 5 miliardë euro është mungesa e parave në “La Lega”. “Real Madrid” merr një maksikredi nga “Bankia” për të paguar Kristiano Ronaldon e co. ”Bankia” shkon në prag të falimentimit. Spanja e ndihmon duke e shtetëzuar, por rrezikon të rrëzohet e tëra. BE-ja nxiton ta ndihmojë (ende nuk rrezikon për vete). Përfundimi: Ndihma e BE-së? Për Kristiano Ronaldon. Ja si duket çështja nga këndvështrimi i një italiani: “Nga pikëpamja e tifozit të Milanit, lajmi i mirë është që, ndoshta, Barcelona nuk do të ketë para për të blerë Thiago Silva-n”.

    Në mes të majit, katër ditë pas shtetëzimit të “Bankia-s” dhe në  zbulimin e nje vrime të re në buxhet, Barça trokiti në derën e bankave huadhënëse në kërkim të parave të fushatës për blerje në epokën pas Guardiola-s. Ka dhjetë institucione në radhë, nga më të mëdhenjtë dhe solidët si “Santander” dhe “BBVA”, te më të dobëtit e “Caja Madrid” dhe “Cam”. Por kërkesa e presidentit për të rritur kufirin e kreditit milioner të ekipit, mori nga të gjithë  përgjigjen "JO". Një lloj shfryrjeje dinjiteti në dukje, në kohën e nje perspektive të zymtë, në kohën kur ka lindur nevoja  për të kërkuar  nga Europa 100 miliardë ndihma për të mbështetur sistemin financiar spanjoll. Lajm i keq (për Eurozonën italiane, spanjolle dhe të gjithë tatimpaguesit e tjerë te saj) është se 10.500.000 euro rroga për Messi " pleshtin “, 13 milion për yllin e Realit të Madridit, Kristiano Ronaldo, dhe 14.8 milion për trainerin e tij gjaknxehtë Mourinho dhe paga të tjera të  “La Lega-s” do të vijnë nga xhepat e taksapaguesve europianë, përmes pakos së “ndihmës” që do t'i japë Europa.

    Borxhi i futbollit spanjoll, liga e parë dhe e dytë, sillet te rreth 5 miliardë euro, gjysmë pikë e deficitit kombëtar. Në se do të ishte një familje (ose thjesht një kompani çfarëdo) do të kishte dorëzuar tashmë bilancet në gjykatë dhe do priste pasojat e falimentit, duke parë që të ardhurat vjetore janë në rendin e 1.8 miliardë, por shpenzimet e vazhdueshme janë 300 milionë Euro më të larta. Për të kaluar në rentabilitet (pa filluar ende për të shlyer borxhet) duhet të dëbohen lojtarët  e një të tretës së La Lega-s ose të Realit të Madridit, të përgjysmojë pagat e Ronaldos, Kakasë  e të tjerëve të sërës së tyre.

    Vetëm borxhi ndaj  tatimeve dhe kontributeve sociale në futboll, i kushton Mbretërisë së Spanjës rreth një miliard euro. Ministri i Arsimit dhe Sporteve, José Ignacio Ëert, ka nënshkruar me La Lega-n e futbollit profesionist një marrëveshje, sipas të cilës, prej sezonit të ardhshëm, 35% e të drejtave TV do të shkojnë për të garantuar shumat e papaguara. Për të shlyer detyrimet, Real, Barça dhe të tjerët kanë kohë vetëm… deri në vitin 2020. Tetë vite të gjata. Duke filluar të paguajnë që nga  sezoni 2014-2015. Ministri është detyruar të pranojë se futbolli ka marrë trajtim të favorshëm. Pjesa e mbetur prej 4 miliardë e borxhit është një tjetër "favor" që bankat spanjolle u kanë dhënë ekipeve të atij vendi. Të dhëna të ndryshme që vinë nga qeveritë rajonale tregojnë se dhënia e kredive për klubet e futbollit, është bërë me mbështetjen e miqve të politikës nën arsyetimin se u shërbente klimës elektorale para zgjedhjeve, pavarësisht nga qëndrueshmëria e projekteve. Futbolli hynte në prioritetet politike. Çështje spanjolle? Nuk duket kështu. Puna është, se të gjithë europianët, për të mbuluar paaftësinë paguese të bankave të eurozonës që kanë financuar “La Lega-n”,  duhet të nxjerrin diçka nga xhepi i tyre. Brukseli ende duhet të vendosë se si, por ka shumë pak alternativa. “Real Madrid” dhe “Barcelona” janë kompanitë me më shumë borxhe, njëra 660 milion, 548 e dyta, por paradoksalisht janë më të manaxhueshme për shkak të rritjes së shitjeve dhe të të ardhurave. E treta, ndryshe nga dy të parat, ka një borxh prej 380 milion Euro, por të ardhura për vetëm 120 milionë. Bëhet fjalë për “Valencian”, por dhe kjo, si rastësisht, ashtu si dhe Reali, është kliente e “Bankia”, instituti që ka hapur kutinë e Pandorës. Florentino Peres, pronar i Blancos (“Realit”), mori 76.5 milionë dollarë nga “Caja Madrid” për të blerë Kristiano Ronaldon dhe Kaka (per 90 dhe 67 milionë dollarë) në vitin 2009. Shkalla e  interesit: 1.5% + Euribor. Në verën e të njëjtit vit, “Valencia” i shmanget  falimentimit në sajë të akordimit të një kredie  të madhe nga “Bancaja”. Të dy bankat janë bashkuar më vonë në “Bankia” për të shpëtuar ato vetë nga shpërthimi i flluskës së imobiliareve. Atëhere ishte qeveria spanjolle që vuri 4 miliardët e nevojshme për të shmangur falimentimin, por me që topi është i rrumbullakët, dhe mbi të gjitha, meqë paratë kanë mbaruar, tani pritet nga evropianët për të vënë miliardat e tjera. Nga BE-ja, në mënyrë të përsëritur, është kërkuar prishja e trekëndëshit “La Lega” – Politika - Financa. “Bayern” i  Mynihut, një finalist i Ligës së Kampionëve, si një gjerman i mirë, me llogaritë në rregull, ka ngulur këmbë në zhdukjen e konkurencës së pandershme dhe vendosjen e një “Fair Play” financiar. Ai është një ekip që ka edhe arbitrin në anën e tij: Angela Merkel!

    Shënim: Sa më lart është një përshtatje në shqip e një artikulli të Andrea Nicastro-s, botuar nga “Corriere della sera.it”