credins
Data sot është 23-05-2013, ora 07:52

Author Bios

Blogs by this author:

  • Zgjedhja e Presidentit të Republikës tregoi edhe njëherë se teza socialiste e “bashkimit të gjerë” kundër Sali Berishës i vlen gjithkujt që ka dëshirë
    të shfaqet pambarimisht i skandalizuar me bëmat e kryeministrit, por nuk është e mjaftueshme për  të realizuar bashkimin e madh partiak dhe popullor, që do të garantonte rrotacionin e pushtetit në zgjedhjet e ardhshme. Të sqarohemi: zgjedhësit socialistë dhe josocialistë që nuk duan asgjë tjetër veç largimit të Berishës nga pushteti janë jo vetëm bërthama, por edhe grupimi më i madh opozitar nga pikpamja numerike. Pa ta nuk mund të mendohet fitorja e opozitës. Por nuk mjaftojnë. Nuk mjafton vota negative, nuk mjafton vota "jo" të cilën opozita dhe shefi i saj e përfitojnë gratis në favorin e tyre. Duhen edhe mijëra zgjedhës të tjerë, që kanë ndjeshmëri opozitare më të larmishme, që nuk gjykojnë bardh e zi, që shohin edhe kush po vjen, jo vetëm kush duhet të ikë, që vlerësojnë dhe krahasojnë idetë, bilancet, programet, mundësitë, karakteret, orjentimet, integritetin, profilet psikopolitike të liderve, burimet njerëzore të partive, pra një mori elementësh që përcaktojnë një votë pozitive, një votë "po" të cilën opozita dhe shefi i saj duhet ta fitojnë në fushën e betejës duke berë diferencën me kundërshtarin. T'u thuash këtyre zgjedhësve "ejani të rrëzojmë Berishën" është pak. Teoria e gogolit-të ikë këta që kemi në krye pa të vijë kush të vijë- ka funksinuar në Shqipëri. Por që nga viti 1992 kur gogoli ishte komunizmi e pastaj në vitin 1997 kur "gogoli" ishte Berisha dhe së fundi në vitin 2005 kur "gogoli" ishte Nano teoria e gogolit ka ardhur gjithnjë duke humbur terren. Kjo tendencë do të vazhdojë, derisa edhe në Shqipëri të mos zgjedhim më midis dy të këqijave, por midis dy alternativave, pra të mos ndodhë më që dikush të vijë në pushtet ngaqë dikush e ka bërë baltë dhe duhet të ikë, por e kundërta, dikush të ikë ngaqë një më i mirë po vjen.
    Tendenca në fjalë do të verefikohet edhe në zgjedhjet e vitit 2013. "Gogoli" Berisha nuk do të hedhë në thesin e opozitës aq shumë vota gratis sa ëndërrojnë dhe mendojnë disa opozitarë me festën mbi sy. E gjithë kjo jo vetëm për shkak të tendencës objektive për të cilën folëm më lart, por edhe për arsye të tjera subjektive që lidhen me gjendjen e opozitës, me efikasitetin e aksionit të saj politik, me lojën e shumicës, e tjerë.
    Aktualisht ajo që deri dje quhej Opozita e Bashkuar dhe që ka qenë pa diskutim risia politike e këtyre tre vjetëve të fundit rezulton pothuajse e ngrirë, për të mos thënë e shthurur. Partia Demokristiane, e vetmja parti e qëndrës së djathtë brenda Opozitës së Bashkuar me shtrirje në gjithë territorin, po ikën. Partia Socialdemokrate, edhe pse më agresive në qëndrimet e veta opozitare, po luan vetëm. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut po sheh punën e saj. Kam përshtypjen se edhe Partia Demokracia Sociale e Milos është në dilemë për të parë punën e saj, në kuptimin që të kërkojë bashkë me PSD-në e Gjinushit dhe PSV-në e Petro Koçit zgjidhje të tjera jashtë koalicionit me PS-së. Kësisoj, në vend që të shkojë në zgjedhje me "trenin e madh" të partive dhe partizave, si një zgjidhje e diktuar nga natyra e ligjit zgjedhor, opozita po rrezikon të konkurojë si këmbët e dhisë, me disa lokomotiva dhe lokomotivëza pa vagonë nga pas. Dëmi është aq i madh sa të flasësh për përgjegjësitë është si t'i hedhësh edhe më shumë benzinë zjarrit. Edi Rama, kryetari i partisë më të madhe opozitare, ka detyrimin të reflektojë dhe veprojë i pari për një formulë të drejtë dhe pragmatiste ribashkimi. Në të kundërtën kalorësia e kërkon që ai të deklarojë mbylljen e Opozitës së Bashkuar, ashtu siç funksionoi gjatë këtyre tre vjetëve, për të dalë publikisht me opsionin e tij të ri politik të fitores në zgjedhjet e ardhshme. Ky opsion, për të mos qenë fiktiv, duhet të mbajë parasysh tre "jo" apo tre "nuk" që mua më duken kategorike. E para, nuk fitohet duke llogaritur aleanca me parti qeveritare. E dyta, nuk fitohet vetëm. E treta, nuk fitohet vetëm me votë "jo" kundër Berishës. Antiberishizmi nuk frymëzon më si dikur as disa deputetë apo zyrtarë socialistë "të rregulluar", siç thuhet në slëngun politik popullor, të cilët thonë ndonjë fjalë andej këndej për të mos u harruar se janë këtu, por duket qartë se nuk e kanë nervin e opozitarizmit të vertetë. Këta, sigurisht do të donin të ndodhte rrotacioni, por si të qeverisur ndjehen më mirë se sa kur qeveriste partia e tyre dhe shumë më mirë se pjesa dërrmuese e popullit. Ndërkaq, kartën e antiberishizmit rrezikon të zbehë si kartë fitimtare edhe një rrethanë tjetër: Berisha ka fituar njëfarë përvojë për driblimin e mërzisë që u krijon qytetarëve retorika e tij dhe nuk përjashtohet mundësia të befasojë me gjetje të reja të këtij rrafshi, sa më shumë afrohet fushata e ardhshme elektorale. Se mos i shkon mendja njeriu se do t'ja bëjë si Toni Bler që ia dorëzoi një kolegu stafetën e drejtimit të fushatës? Se mos i shkon mendja njeriu se qeveria e tij do do të na befasojnë me ndonjë program zhvillimi! Harrojeni. Kur flasim për "gjetje" kemi parasysh thjesht ca gjetje alla shqiptare të rrafshit psikologjik dhe propagandistik, nga ato që konsumon me shumicë publiku i ngeshëm i kafeneve. Berisha me të tijët janë të vetëdijshëm se thjesht do të shkaktonin ilaritet po të premtojnë për nesër çfarë duhej të kishin berë dje. Ma mer mendja se në synimin e tyre për një mandat të tretë nuk do të mbështetën në ndonjë program të ri zhvillimi, por në kalkulime aritmetike të zgjedhësve partiakë, sipas partive që kanë e synojnë të kenë në koalicionin qeveritar.
    Edhe për këtë shkak kali i betejës së opozitës për zgjedhjet e ardhshme duhet të jetë bashkimi dhe programi i ri i zhvillimit. Nuk them aspak se nuk janë edhe antikorrupsioni, frymëzimi i shpresës dhe ngazëllimi i ndryshimit. Këto karta kanë pikët e tyre në llogarinë e përgjithshme të fitores. Por nuk mjaftojnë. Opozita duhet ta shvendosë debatin politik nga temat sterile ku kërkon ta mbajë qeveria, duke e tërhequr në fushën e përballjes për politikat e zhvillimit. Kjo do të jetë edhe prova e epërsisë ose jo të opozitës si forca që kërkon pushtetin. Opozita e sotme do të jetë e para që do të synojë një rrotacion politik të pushtetit ku programi nuk do të jetë një garniturë, një rrabat që shoqëron fjalimet politike, por një muzikë e gjallë që do të zgjojë masën gri të zgjedhësve dhe një "detonator" që do të çajë masën e ngrirë të elektoratit partiak, duke bërë për vetë mijëra zgjedhës, që duan më shumë se largimin e Berishës, duan tejkalimin e tij si mendësi dhe kulturë drejtimi.

    Marre nga Shqiptarja.com
    (sg/shqiptarja.com)

  • Duke dashur të autoreklamohet si një dekan i pushtetit në këto anë, që ka pritur e ka përcjellë shtatë-tetë kryeministra italianë gjatë njëzet vjetëve të fundit, kryeministri Berisha në fakt i bëri një reklamë të keqe në Romë vendit të tij. E tregoi si një vend oriental apo një bajrak, ku qarkullimi i elitave me votë është një zog fort i rrallë, për të mos thënë një mollë e ndaluar. Mos gënjeu? Jo, nuk gënjeu. Berisha tha një gjë të vërtetë, por një të vërtetë nga ato që nuk thuhen e s’duhet të thuhen aty ku u thanë dhe ashtu siç u thanë për disa arsye. Së pari, sepse Shqipëria, megjithë milionat që ka dhënë Italia dhe vende të tjera të BE-së, është një vend i varfër, ku njerëzit e kanë mendjen akoma vetëm për të ikur. Në këto kushte është cinike për kryeministrin e këtij vendi të

  • Qeveria ka detyrimin të shprehet për disa fakte dhe shifra shqetësuese që janë bërë tashmë publike. Përmbledhim: 5 për qind e depozituesve në banka zotërojnë me shumë se 50 për qind të depozitave; sot, për çdo 100 vetë në moshë pune punojnë 52 vetë, ndërkohë që dhjetë vjet më parë punonin 60 vetë; monopolet sundojnë furnizimin dhe tregtimin e disa mallrave të domosdoshme si gruri, orizi, sheqeri, vaji, barnat , karburantet, çimento, hekuri. Shqipëria eksporton 9 herë më pak prodhime bujqësore në krahasim me importin.

    Shifra dhe fakte të tilla, tregojnë një deformim të plotë të modelit ekonomik të votuar të qeverisë. Por shifrat me alarmante janë ato që flasin për borxhin. Zyrtarisht, borxhi përfaqëson rreth 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Por nuk janë llogaritur detyrimet e pashlyera ndaj kontraktorëve, një borxh i akumuluar që ka arritur në më shumë se 100 milionë dollarë.

    Nuk janë llogaritur as detyrimet e tjera të njohura me ligj ndaj shtresave të ndryshme si ish të përndjekurit politikë dhe pronarët e shpronësuar nga regjimi komunist. Sipas PS-së borxhet në Shqipëri e kalojnë 80 përqind të PBB.

    Aventura e qeverisë nuk përfundon këtu. Tenderë të tjerë janë bërë dhe kontrata të tjera janë lidhur pa mbështetje financiare, duke i shtyrë fituesit të ecin me paratë e tyre, duke e rritur edhe më tej borxhin publik. Nën 30 përqind të PBB e ka borxhin Maqedonia. Si në një familje, nje qeveri e përgjegjshme merr borxh aq sa mund të shlyejë. Vetëm një qeveri aventuerire i bie me top me parimin “pas meje kiameti”. Gërshërët dhe shiritat elektoralë që vezullijnë në vështrimin e kryeministrit mund të rezultojnë armët vrasëse dhe mbytëse të ekonomisë kombëtare neser.

    Borxhi i madh është një gur ne qafë për brezat, është një minë me sahat për qeverinë e ardhshme. Greqia e dribloi me rrotacion të parakohshëm politik goditjen e parë të krizës. Shqipëria nuk e ka ketë mençuri. Shqipëria politike ecën me hile. Prandaj opozita pozitiviste duhet të ketë që tani një strategji të saktë për menaxhimin e borxheve dhe sigurimin e një fluksi likuiditetesh. Për të mos u mbytur nesër nga i mbyturi.

    Shekulli

  • Ka bërë bujë marrja e kryetarit të qarkut të Vlorës nga koalicioni qeveritar, ndërkohë që shumicën bindëse të këshilltarëve të këtij qarku – trembëdhjetë më shumë – e kishte koalicioni opozitar. Opozita nuk mund ta kalojë me mallkime dhe fatvara këtë përmbysje që fyen ekzistencën e saj. Do të ketë patjetër një analizë serioze për të sqaruar, kuptuar e reflektuar për atë që ka ndodhur. Ngrihen shumë pikëpyetje në fakt për funksionimin konkret të një kryetari qarku që është zgjedhur me votat e fshehta të koalicionit kundërshtar.

    Si do të votojnë më tutje franco-tiratorët (nga italishtja: ata që votojnë fshehurazi kundër formacionit që i ka zgjedhur), kur nuk do të ketë më votime të fshehta? Do të dalin hapur në krahun tjetër, apo do të sillen “as ashtu, as kështu”, duke e bllokuar de fakto kryetarin artificial nga pikëpamja politike? Farsa e gatuar në shkelje të parimeve dhe rregullave të përfaqësimit nuk do të gjejë paqe asnjë minutë. Por le t’ia lemë së ardhmes të na njohë me pasojat e tjera të saj. Le ta shohim problemin në rrafshin politik.

    Rasti i Vlorës vulos dukurinë e trafikimit dhe pazarllëqeve me votën nga një numër gjithnjë e më i madh këshilltarësh të zgjedhur nën siglat e partive opozitare. Ky lloj trafiku në masë ka bërë që të dalin fitues kandidatët e koalicionit humbës. Thënë ndryshe, ka nxjerrë në opozitë shumicën popullore dhe ka sjellë në krye të qarqeve pakicën. Është padyshim një akt blasfemie apo një topzullum politik në shoqërinë e hapur. Me të drejtë kolegët e shtypit opozitar kishin venë në shënjestër këto ditë këshilltarët matrapazë, që ndryshe votohen e ndryshe votojnë dhe, mbi të gjitha, pushtetin e Berishës që ka hedhur gjithandej rrjetën e blerjes së këshilltarëve si një nga format me të shëmtuara të dhunimit të vullnetit të zgjedhësve.

    Vetë mendimi i blerjes apo shitjes së personit të votuar është i pisët. Për të përligjur njëfarësoj këtë mizerabilitet politik, nga krahu i shtypit proqeveritar doli një pikëpamje jo pa përmbajtje, sipas së cilës zgjedhjet lokale nuk janë aq politike sa i bëjmë dhe se në fund të fundit këshilltarët e një qarku, pavarësisht nga vinë, janë në të drejtën e tyre të paparagjykueshme të zgjedhin kandidatin me të mirë mes dy a me shumë kandidatëve konkurrues për kryetar qarku! Kjo tiradë është shumë e bukur në vetvete dhe do të ishte akoma e bukur po të ishte e vërtetë. Por e rrëzon produkti. Në asnjë rast e ashtuajtura votë për kandidatin më të mirë nuk ka sjellë një përmbysje në favor të siglave opozitare dhe nuk ka nxjerrë fitues një kandidat të opozitës.

    Probabiliteti që opozita të mos ketë asnjë kandidat superior në pikëpamje të formimit dhe integritetit është zero. Votat kanë rrjedhur gjithnjë nga opozita në qeveri dhe ky është aspekti më i shëmtuar i kësaj historie. Të ikë deputeti apo këshilltari nga qeveria në opozitë, ka edhe këtu një problem etik me zgjedhësit, pasi rregulli i përgjithshëm është që i zgjedhuri të sillet siç votohet. Por së paku një ikje e tillë nuk bëhet për të përfituar favore, poste, tenderë, vende pune për të afërmit, e tjerë e tjerë. Këto favore i ka gjithnjë qeveria. Pra, një ikje nga shumica në opozitë nuk është meskine, edhe kur bëhet në gjaknxehtësi e sipër. Madje, në vartësi të motiveve, ky lloj largimi qëllon të ketë karakter burrëror dhe epik dhe të sjellë dobi të veçantë në trendin e zhvillimeve politike.

    Ka pazare, ka joshje, ka shpërblime, ka blerje me para në dorë në gjithë këtë rrjedhje votash nga opozita në qeveri. Kriza ekonomike u ka dhënë çuditërisht një lloj justifikimi të heshtur këtyre akteve. Thellimi i kësaj krize e fut vetvetiu fenomenin në fjalë në suazën e fatalitetit. Aq sa njeriu fillon e mendon se nga ky hall që na ka zënë mund të shpëtojmë vetëm po të vendosë të mos blejë deputetë e këshilltarë qeveria, apo vetëm po të neveritet Ilir Meta me të “rebeluarit” e PS-së, duke u thënë atyre: more zotërinj opozitarë, nëse u janë mbyllur hapësirat në PS, pse nuk shkoni në parti të tjera të majta të Opozitës së Bashkuar, por vraponi drejt e të unë që jam në qeveri dhe jam votuar si qeveri kësaj radhe; rrini me shokët më mirë. Kështu edhe lirinë që ju ka marrë Edi Rama e fitoni, edhe besnikërinë ndaj zgjedhësve dhe opozitarizmit e ruani!

    E kupton gjithkush se “opozitarët” që i bashkohen LSI-së shohin vetëm interesin e tyre të ngushtë. Po të motivoheshin nga parime të shëndosha dhe po të ndiheshin të ndrydhur në PS, ata, siç perifrazuam në mënyrë hipotetike zotin Meta pak më sipër, do të shkonin në një parti tjetër të majtë të Opozitës së Bashkuar. Fjala vjen në PSD, në PDS, në PSV. Këto parti kanë marrë së bashku mbi njëqind mijë vota në zgjedhjet e fundit.

    Është e qartë se dukuria e trafikimit të votës është në thelb një transaksion i fëlliqur midis atij që blen dhe atij që shitet me lekë dhe premtime. Por dukuria në fjalë është më komplekse. Ajo është pasqyra e një kalbëzimi dhe amullie më të thellë politike dhe shoqërore, ku përfshihen qeveria, partitë, kandidatët dhe madje edhe një pjesë e zgjedhësve. Dhe ky problem i madh vështirë se do të zgjidhet nëse nuk shihet e nuk përballohet në kompleksitetin e tij.

    Pa pretenduar të jap një pamje shterruese të fenomenit, duke e vazhduar aty ku e kanë lënë kolegët e mi të opozitës që folën për shitjet dhe blerjet, do të shtoj edhe tri arsye të tjera që mundësojnë përmbysjet e shëmtuara që kemi parë në Vlorë , Berat dhe gjetkë.

    Për ta nisur nga më e thjeshta, kalimet në masë të këshilltarëve nga opozita në qeveri padisin një gjendje pritshmërie të opozitës, një shkëputje relative të qendrës me bazën, një mungesë bashkëpunimi të Aleancës për të Ardhmen në nivel lokal, siç bashkëpunon dhe konsultohet në nivel qendror. Kjo aleancë është pranuar si ombrellë, por nuk është bërë akoma koshiencë e opozitarizmit në gjithë gjerësinë dhe thellësinë e tij. Këto “të çara” e kanë favorizuar vendimmarrjen individuale të këshilltarëve interesaxhinj.

    Lidhur ngushtë me arsyen e mësipërme, është arsyeja tjetër që ka të bëjë me caktimin pa asnjë kriter apo, me keq akoma, më vetëcaktimin e kandidatëve për këshilltarë të shumë prej partive të vogla. Është një e vërtetë tashmë e njohur: kryetarët dhe kryesitë e partive të vogla janë të interesuar për thesin e votave në shkallë vendi, ngado që të vijnë dhe sido që të vijnë ato. Nganjëherë ata nuk i njohin fare kandidatët për këshilltarë. Qëkurse vetëcaktohet në krye të listës së një partie, kandidati fitues ka marrë lejen për të përdorur mandatin ku t’i dalë më mirë për vete. Është një ujdi e heshtur me partinë që i ka huajtur siglën: ju llogarisni votat e mija në thesin tuaj për të vazhduar lojën tuaj të madhe në Tiranë, unë po shoh këtu ku jam punët e mia!

    Arsyeja e tretë, më e rëndësishmja: mjaft këshilltarë kanë fituar duke i blerë votat. Prandaj nuk u kërkon kush llogari kur e shesin atë. Sepse shesin shtrenjtë atë që kanë blerë lirë. Një votë për t’u zgjedhur këshilltar komune apo bashkie në qytetet dhe komunat periferike kushton, sipas shumë dëshmive, dhjetë deri në pesëmbëdhjetë mijë lekë të vjetra. Blerja e votës ka sjellë andej-këndej pamje dhe përmbysje të paimagjinueshme. Parti inekzistente kanë dalë të parat ose të dytat sepse kanë pasur në krye te listave individë që kanë blerë votën. Kanë blerë zgjedhës dhe ky është aspekti tjetër tepër dëshpërues, ndoshta më dëshpëruesi i zgjedhjeve, sidomos i atyre lokale. Zgjedhësit që shesin votën nuk mund të quhen të tradhtuar.

    Ata, nganjëherë nga nënvlerësimi, por mbi të gjitha nga degradimi, janë pjesë e tradhtisë që u bëhet zgjedhjeve si mundësia e qytetarëve. Le të flasin të tjerët për turpin e tyre, unë flas për timin, thoshte Bertold Brehti. E gjithë kjo maskaradë me shitje dhe blerje votash ka sjellë një vërshim të mirëfilltë të injorancës si pararoja e krimit në politikë. Elita shqiptare, ajo politike dhe intelektuale, pa dallim moshe dhe seksi, duhet të bashkohet për ta ndalur këtë vërshim ogurzi. Opozita ka detyrimin t’i prijë kësaj përpjekjeje. Duke filluar me rivendikimin e pazareve në qarqet ku i është tjetërsuar fitorja, e duke vazhduar me përcaktimin e masave ligjore dhe politike që kufizojnë trafikun e votave.

    Publikuar në Shekulli

  • “Shamikuqja” është një punonjëse e Bashkisë së Kamzës, ajo që pat denoncuar për ngacmime seksuale kryetarin e Bashksië, Xhelal Mziu para zgjedhjeve vendore të këtij viti….. Ndërkaq, Xhelal Mziu fitoi përsëri në zgjedhjet për kryetar bashkie në Kamzë. Shamikuqja humbi. Në kuptimin njerëzor të fjalës. Por ndoshta edhe ajo fitoi diçka. Ndoshta njohu më mirë se më parë Shqipërinë e saj, qytetin e saj, qeverinë dhe qeveritarët e vendit të saj. Veçse jo plotësisht. Duhet të kalonte vera dhe të hynte shtatori për t’i njohur edhe më mirë akoma. Shamikuqen e rrahën para pak ditësh në qytetin e Kamzës. Atë dhe të fejuarin e saj....

    ….Shamikuqen e rrahën në Kamzë para pak ditësh. Bashkë me të fejuarin e saj. Ajo i dëshmoi policisë dhe reporteres së gazetës “Shekulli” se kishte qëlluar në një kafene ku ndodhej edhe Xhelal Mziu. Kryetari u ngrit dhe në dalje u rrahu shpatullat policëve të bashkisë. Pak minuta më vonë do të kuptohej se ajo rrahje shpatullash ishte një urdhër për sulm tamam si në skenat me bashibozukë. Policët bashkiakë u sulën mbi vajzën dhe të fejuarin e saj duke mos harruar t’i përcillnin “ të falat e kryetarit” në një shfaqje dhune që fyente jo vetëm çdo lloj uniforme shtetërore, por edhe gjithë traditën fisnike shqiptare të paprekshmërisë së femrës. “Gabimet” e shamikuqes ishin dy: së pari, duke besuar se morali politik dhe qytetar nuk i pranon ngacmimet seksuale kishte publikuar gjatë fushatës elektorale njërin prej tyre. Së dyti, duke besuar se si qytetare e lirë kishte të drejtë të ulej në secilën prej kafeneve të qytetit të saj, nuk kishte menduar për Kamzën- qytet partie, nuk ishte kujtuar se Xhelali dhe xhandarët e tij do ta shihnin si dikë që u ka shkelur në pronën e tyre private. Kështu janë sot shumë njësi vendore në Shqipëri. Prona private ku sundojnë çeta vagabondësh.

    Xhelal Mziu nuk ka dhënë ende asnjë shpjegim në publik për këtë skandal shumë më të madh se sa ngacmimet seksuale. Po të ishte vetëm Xhelali me policët e tij akti i shëmtuar kriminal nuk do të ndodhte. Dhe po të ndodhte, kryeministri i vendit nuk do të mendohej dy herë për t’u treguar vendin banditëve duke dhënë i pari shembullin e tolerancës zero ndaj dhunës kundër grave.

    Po kush e rrahu në fakt shamikuqen? Doraci është ai polici bashkiak që ka kapur e lëshuar policia. Ai është dora e zgjatur e kryetarit Mziu dhe vetë kryetari është dora e zgjatur e një sistemi harbut që nuk ka pikë respekti për individin, që nuk do t’ia dijë për ligj e për asgjë. Në këtë kuptim shamikuqen e rrahu edhe Jozefina Topalli, e rrahu jo thjesht me shpërfilljen e mesazheve të shamikuqes, por para së gjithash me atë legjendën e saj si grua e fortë, që frymëzon gratë të protestojnë kundër nëpërkëmbjes së dinjitetit të tyre, por që i lë pastaj në baltë, pasi realisht nuk bën dot asgjë dhe nuk është në gjendje të mbrojë asnjë grua me çmimin e përballjes me kupolën e pushtetit.

    Shamikuqen e “rrahu” kryeministri Sali Berisha, portreti i stërmadh i të cilit rri në mes të Kamzës sup me sup me portretin e Xhelalit. Sali Berisha nuk ka urdhëruar ende heqjen e atyre portreteve që nuk u gjendet mostra në asnjë bashki të Shqipërisë, dhe ma merr mendja as të mbarë Perëndimit. Kryeministri pozon me këdo, me njerëz të thjeshtë dhe me të zgjedhur, por jo për tu mbirë në sy qytetarëve si vëllai i madh në romanin “1984” të Gjorgj Oruellit. Duke e lejuar Xhelalin të shfaqet përkrah tij si Berisha i Kamzës, kryeministri ka “licencuar” hakmarrjen primitive të Xhelalit kundër një vajze, rrahjen e saj kriminale.

    Shamikuqen e rrahën gjithashtu moria e atyre OJQ-vë që marrin fonde e bëjnë programe teorike kundër dhunës ndaj grave, por që rëndom janë një farsë e madhe e heshtjes përballë rasteve konkrete të dhunës si kjo kundër shamikuqes. Një kalim i lehtë i krahut të Xhelalit mbi supet e policëve bashkiakë, i barasvlershëm me urdhrin “bjerini asaj plehre”, i shumëzon me zero tërë investimet e tyre për barazinë gjinore.

    Lista mund të mos mbyllet këtu. Ia lë lexuesit inteligjent ta vazhdojë me mendjen e tij, pa rënë në teprime. Unë do të ndalem këtu duke cituar zotin Berisha në një dalje të këtyre ditëve. Dëgjova që tha se zyrtarët tanë duhet jenë të barabartë përpara ligjit. Që do të thotë se nuk janë. Por, a do të jenë ndonjë ditë? Përpara kemi rastin e freskët të rrahjes së një vajze dhe të fejuarit të saj nga policia bashkiake e Kamzës me urdhër të kryetarit Mziu. Nëse këta do të marrin ndëshkimin e merituar, sipas ligjit, do të themi se thirrja e zotit Berisha po dëgjohet. Në të kundërtën, do të mbajmë shënim demagogjinë e radhës së një kryeministri që ka vendosur në Shqipëri regjimin e pabarazisë së njerëzve dhe zyrtarëve para ligjit. Miqtë e ti, janë më të barabartë se të barabartët, siç do të thoshte Gjorgj Oruelli. Është treguesi më i saktë se nuk jemi në shtetin e së drejtës.

    Marrë nga Shekulli