Zoti Basha,
Vendosa t’ju drejtohem me këtë letër të hapur në një përpjekje modeste për të denoncuar publikisht një shkelje flagrante të ligjit nga administrata aktuale e Bashkisë së Tiranës e iniciuar nga ju personalisht si dhe për faktin që ju nuk iu përgjigjët kërkesës sime për një takim, ku doja t’ju thosha drejtpërdrejt mendimin tim për këtë akt.
Në Prill të vitit 2011, pasi përfundova studimet në Angli, u rekrutova si punonjës në administratën e Bashkisë së Tiranës pas një konkurrimi të hapur e korrekt, ku u shpalla fitues, ndryshe nga mënyra e rekrutimit që po zbatoni ju. Deri pak kohë më parë, ditën kur u plotësua një vit në këtë pozicion dhe kur ju vendosët arbitrarisht të më largoni nga puna, isha pjesë e Drejtorisë së Planifikimit të Territorit, si specialist arkitekt në sektorin e Planeve Vendore. Gjatë këtij viti pune kam qënë i përfshirë në plotësimin e detyrave të sektorit dhe në këtë kuadër, gjatë procesit të zhvillimit të konkursit ndërkombëtar për zgjatimin e bulevardit dhe lumit të Tiranës, u ngarkova të jem pranë studios ‘’GRIMSHAW”, fituese e këtij konkursi.
Në javët e fundit u ndodha para presionit të drejtuesve të mi direktë për t’u larguar nga puna vullnetarisht, për arsye që nuk kishin të bënin me performancën time si punonjës publik dhe as atë profesionale. Ju e dini mirë; arsyeja është thjesht politike dhe lidhet me prononcimet e mia në shtypin e shkruar, rreth një vit më parë.
Pasi refuzova kërkesën për dorëheqje, drejtuesit me shumë nxitim dhe paaftësi profesionale e proceduriale më vunë përpara një vlerësim pune qesharak e të turpshëm, të pretenduar si një vjeçar, ndërkohë që, ata dhe vetë ju kishit më pak se një vit nën çatinë e atij institucioni. Vlerësimi, që nuk pasqyronte aspak të vërtetën e bashkëpunimit dhe angazhimit tim serioz në punë, sherbeu si justifikimi “zyrtar” për largimin tim nga puna në datën 13.05.2012.
Unë kurrësesi nuk mund të pranoja që ju, duke përdorur si “mashë” këta drejtues eunukë, të nëpërkëmbnit integritetin tim qytetar e profesional. Për këtë arsye ndoqa rrugën ligjore të ankimimit pranë Komisionit të Shërbimit Civil. Ky komision, vendosi shfuqizimin e vlerësimit të bërë sipas urdhërit tuaj nga një treshe marionetash, dhe pas kësaj edhe zhvlerësimin e vendimit absurd për largimin tim nga puna, që mbante gjithashtu firmën tuaj.
Ky vendim më forcoi bindjen për dy gjëra; e para, ligji shkelet lehtësisht kudo ku ju drejtoni, dhe e dyta, që premtimet tuaja elektorale ishin thjesht falsitet.
Pavarësisht lustrës e propagandës suaj për një mendësi të re dhe një vizion ndryshe, gjithçka është një demagogji dhe shumë pak demokraci gjallon në atë institucion. Nuk jam i zhgënjyer kur konstatoj se frymëzuesi i kësaj filozofie të vjetër partizane, jeni ju. S’mund të ndodhë ndryshe në fakt, kur vetë ju si titullar i atij institucioni, jeni produkt i një procesi zgjedhor të përçudnuar e ristanizuar.
Zoti Basha, sado që përpiqeni të ruani një profil politik europian, uroj ta dini se të qënurit vërtet i tillë nuk buron nga imazhi, por nga veprat në praktikë, nga mënyra si kontribuohet për të përmirësuar qeverisjen, sistemin, shoqërinë, duke kultivuar një kulturë meritokracie e jo servilizmi apo militantizmi. Çdokush me punën e tij të përditshme kontribuon në shoqëri dhe dinjiteti i njeriut nuk formësohet nga hierarkia, por nga ndershmëria, vullneti, aftësia, vlerat dhe produkti. Kanë qënë këto elementë që më kanë ndihmuar të punoj, duke mos e parë angazhimin tim si shërbim politik, por si shërbim dhe kontribut për kryeqytetin tonë.
Dua t’ju kujtoj se ato çfarë kam shprehur publikisht në shtyp e që ishin arsyeja e vërtetë për largimin tim nga puna, janë probleme të njohura për opinionin e gjerë e jo vetëm kryeqytetas.
S’mund të heshtim të gjithë zoti Basha, kur në mes të Europës, në bulevardin kryesor të kryeqytetit, në vitin 2011 vriten 4 qytetarë të pafajshëm. Në një vend normal, sigurisht që së paku një përgjegjësi morale, në mos penale për këtë ngjarje të rëndë do ta mbante kushdo Ministër i Brendshëm pavarësisht nga emri. Fakti që ju nuk e morrët kurrë përsipër këtë përgjegjësi, s’do të thotë se qytetarët nuk e dinë se kush i shmanget drejtësisë. Siç dinë faktin, se ju jeni në krye të bashkisë, jo si i zgjedhur nga një proces i ndershëm e demokratik, por si rezultat i nënshtrimit të drejtësisë, sigurisht jo për llogari të interesave të tyre.
Fakti që ju, ish ministri i Transporteve, nuk jeni gjykuar ende për akuzën e vjedhjes galopante të rrugës së Kombit, s’do të thotë se qytetarët nuk e kuptojnë pse një gjyq mbyllet procedurialisht dhe mban drejtësinë të kyçur.
Fakti që ju z. Basha, në postin e ministrit të Jashtëm firmosët për të falur kilometra të tërë katrorë pasuri kombëtare ujore, nuk do të thotë se qytetarët s’e dinë që për kredo politike, qeveritarë të papërgjegjshëm si ju ,trajtojnë pasurinë kombëtare dhe atë publike si të ishte një plaçkë në pronësi të tyre. Ashtu siç po trajtoni edhe bregdetin tek Uji i Ftohtë në Vlorë, ku në mënyrë abuzive e të kundraligjshme po ndërtohet një kompleks pallatesh mbi det. A thua se edhe deti është pronë e familjes suaj!?
Sot që flasim, kryeqyteti vuan në mënyrë sistematike nga vendimarrjet tuaja të kundraligjshme, që fillojnë nga shkarkimet dhe keqtrajtimet e punonjësve të thjeshtë e deri tek menyra se si menaxhoni projekte të rëndesishme për qytetin.
Ripërsëris këtu shqetësimet e ngritura për qendrën e Tiranës, për parkimin nëntokësor pranë stadiumit “Qemal Stafa”, për problemet që ka prodhuar arbritrariteti juaj i fundit në Parkun e Tiranës. Të gjitha këto, por edhe të tjera kanë të përbashkët arrogancën me pushtetin dhe patjetër edhe karakteristikën tuaj kryesore, që është shkelja e ligjit dhe injorimi i strukturave të pushtetit vendor, të zgjedhura nga qytetarët.
Zoti Basha,
Të ishte në dorën tuaj, me siguri do kishit larguar nga detyra gjithkënd që ka kurajon të ngrejë zërin për lehtesinë me të cilën ju e shkelni ligjin, qofshin qytetarë të thjeshtë, gazetarë, analistë apo intelektualë. Sigurisht, për t’i zëvendësuar me miq, kunetër, teze, kushërira.
Kjo përveçse dëshmon për standardet e ulëta me të cilat funksiononi, në të njëjtën kohë lartëson vlerën që ka liria e shprehjes dhe nevojën që ka kjo shoqëri për të denoncuar fenomenet negative dhe individët që i bartin.
Ka vetëm një shenjë pozitive në sjelljen tuaj. Ju vetë e keni kuptuar se imazhi që keni servirur, tashmë ka humbur dhe ka nëvojë për një “botox politik”.
Me një logjikë infatile, jeni gati të përdorni edhe figura ambasadorësh të rëndësishëm në website-n zyrtar, me shpresën se kështu mund të mbuloni “perëndimin” e imazhit tuaj të shtirur pro-perëndimor.
Në fund dua t’ju them se vërtet ndihem i lënduar nga vendimi juaj për largimin tim nga puna, por jo nga motivi i tij.
Ky motiv nuk ka të bëjë aspak me mua. Përkundrazi, ai ka të bëjë me ju. Vetëm me ju!