credins
Data sot është 23-05-2013, ora 19:08

Author Bios

Blogs by this author:

  • Përmendet shpesh fraza e Montanelit, “do votojmë me hundën mbyllur”. Gënjejmë veten. Atë frazë e kemi kaluar që më 2005. Tani jemi Nazimet që votojmë për Fiqirinjtë, dhe marrim nga 4 vjet dënime të njëpasnjëshme.

    • Para shumë muajsh, nuk e di pse, isha në pritje të një “pranvere shqiptare”. Jo pranverë të vërtetë, me heronj e me barrikada, por një “diçka” rizgjuese. Nuk ka. Nuk ka për të patur. Është shumë e vështirë të zëvendësosh një “pranverë shqiptare” me çfarëdo procesi tjetër zhvillimi. Ndoshta jemi në këtë pikë të dëshpëruar sepse nuk patëm një revolucion të vërtetë në vitin ’90. Patëm një inat të verbër me një bust, dhe kaq. Ama, atij busti i punuam qindin, por na ranë shpejt nervat. Bishtpëllumbsat që e tërhoqën zvarrë bustin kushedi ku heqin zvarrë ditët të bërë çyryk nga shiringat gjermane. Ndoshta në ’90 na duhej një revolucion i vërtetë dhe jo një “hapje” me anë të pardesyve të bardha. Dhe s’kam kujt t’ia vë fajin. Ramizi iku pa treguar asgjë, dhe iku madje me të shtëna topi.
    • Kanë dënuar me 10 vjet Nazimen. Simbolin e vajzave të vogla të dhunuara. Në fotot e gjyqit, mbase është përshtypja ime personale, por ishte e vetmja qenie me fytyrë të butë në sallë. Punonjësit e sistemit tonë gjyqësor, publiku e policët kanë adaptuar pamje egërsie, në pamundësi për të na dhënë një sistem të rreptë por të drejtë. Fytyrat e tyre janë të vrazhda, në pamundësi për të qenë të drejta. Nazimja – e vetmja fytyrë njerëzore në ato foto. 10 vjet për të. Dhe dëgjova që “qenkemi ndarë mirë” se mund të “hante” më shumë.
    • Duke gjykuar nga fytyrat në dritaret e autobusit, shkruan Lubonja, më shumë se autobus i rilindjes (...me të vogël! Me të vogël! Nuk kam për ta shkruar kurrë me të madhe rilindjen e 1 prillit) ai është autobus i konfliktit të interesit. Pak ditë më parë, një blogiste thuajse i lutej Lubonjës që të bënte diçka alla Beppe Grillo (!!). Nuk mund të ketë dëshpërim më të madh se kaq. Përmendet shpesh fraza e Montanelit, “do votojmë me hundën mbyllur”. Gënjejmë veten. Atë frazë e kemi kaluar që më 2005. Tani jemi Nazimet që votojmë për Fiqirinjtë, dhe marrim nga 4 vjet dënime të njëpasnjëshme.
    • Kanë vënë një bust të Sabri Godos diku. Nëse Godo do meritonte një bust, do ishte sepse ka shkruar “Skënderbeun” dhe ”Ali Pashë Tepelenën”. Këta libra, pa ekzagjerim, dikur i kam lexuar me 10-ra herë. Kryetari part time i Tiranës e cilësoi si “politikani që...”. Godo - të më falë familja - nuk mund të ketë një bust si politikan. E vetmja vepër e tij politike (pa folur që na la në derë Mediun) do të kishte qenë kushtetuta – dhe ata që e ndërtuan mund të kishin qenë etërit e kombit. Por, të njëjtët që i ngritën bustin ishin ata që ia hoqën mundësinë të hynte në histori si një nga etërit e kombit. Kushtetuta e tij u përdor si zhele nga 2 vetë, dhe të tërë dhanë nga një dorë. Kushtetuta nuk u gdhend në gur, po u shkruajt në rërë. S’ka më etër, edhe pse ka buste. Kushtetuta, e vetmja vepër e tij, nuk i thotë askujt, asgjë.
    • Argëtimi më i madh këto kohë janë llogaritë elektorale. Të gjithë, edhe ata me akses në informacione “të brendshme” edhe me ata në akses vetëm në tituj gazetash, bisedën më të përzemërt kanë atë të llogarive elektorale. Kaq këta, aq ata. Ky mandat, ai mandat. Del 8 me 3 apo 7 me 6. Shpirti ynë prej bixhozxhiu e tejkalon atë prej qytetari. Nëse kemi patur ndonjëherë shpirt qytetari. LSI-ja e ka marrë tashmë legjitimitetin e të qenit opozitë dhe rilindje njëkohësisht, dhe kurioziteti ynë është te mandatet. Mandatet, alias, lepujt.
    • Njoh njerëz që janë shumë të bindur që PD dhe Berisha na kanë ndërtuar rrugë, na hoqën vizat e na futën në NATO. E besojnë realisht. Nuk shtiren. Jemi një komb i mpirë. Edhe ata që nuk marrin drogë marrin shumë rrezatim tv. Blogjet të mbushura me shqiptarë të verbër që vetëm presin dhunshëm sa majtas-djathtas. E vërteta është një elefant i madh në dhomë.
    • Nuk kanë për ta vënë kurrë bustin e Lirak Bejkos. Nuk e vënë as ata që po ikin e as ata që po vijnë. Heronjtë e vërtetë sot nuk kanë buste. Kanë pirgje me gurë. Ne duhej të kishim vënë të tërë nga një gur aty ku u dogj ai.“Ne kush?” është pyetja që më dhemb.
    • Rama nuk hap telefonin. Ashtu e mendon ai bashkëpunimin. Sa të firmosësh, pastaj... shhhht, kam punë të tjera. Më kujtohen bisedat e Ngjelës me Pollon në 2005-n (s’di se kush i rrëfente në një libër) që në mitingjet e aleatëve të lumtur e të barabartë, shihnin gjithmonë para vetes shpinën e Mediut. Trenisti, nxirrte te lokomotiva të preferuarin e tij. Kur treni është nisur, nuk mund të kërcënosh njeri se do hidhesh nga dritarja. Edhe po u hodhe, nuk të sheh njeri.
    • Prej vitesh numëroj xixëllonjat në maj. Dhe çdo vit, pakësohen. Në rrugicën time kam parë vetëm njëckë këtë vit. Nja 2-3 vjet. Kishte me qindra para 10 vitesh. Efekti i çimentos. Shoh pallate të ngritura me ngut, para se të bëhen zgjedhjet. Me letra, mund të jenë të tërë në rregull. Por mbrapshtinë urbanistike të tyre nuk mund ta justifikojë asnjë letër.
    • Katedrale e xhami betoni që i bëjnë karshillëk njëra tjetrës. Kush ta ngrejë më të lartë, kush të derdhë më shumë beton. Xixëllonjat dinë më shumë. Mostra të një zelli fetar në një vend të mbushur me paganë e të pabesë. Godzilla që kanë zënë hapësira publike në emër të “tolerancës fetare”.
    • Koço Kokëdhima në TV, që deklaron se nuk i ka askujt borxhe. Që e thërret “Saliun” “doktor”.
    • Skënder Tufa, i rrethuar me policë kudo që shkon, sepse është “public enemy” i vërtetë e i vetëm. E ruajnë se ai godet me vezë Kryeministrin.
    • Është maj. Në netët e verës, sidomos vonë, kur makinat janë rralluar, vërtet nuk ndjehet aromë lulesh por ka një lloj gëzimi e jete në ajër. Shoh njerëzit që mbyllin dyqanet, për të shkuar në familjet e tyre. Biseda të gjalla në trotuar. Ka biçikleta. Ka miq që mblidhen për një birrë. Ka djem që mbështeten pas murit e flasin për sportin e për femrat. Ka të qeshura me zë të lartë. Sepse, është verë. Njerëz të thjeshtë, që përpiqen të bëjnë sikur jetojnë në një vend normal. Njerëz që as dinë, e as kanë si korruptohen, që paguajnë taksat, që kanë një ëndërr të vogël, e kujdesen për fëmijët e tyre. Doja para ca muajsh që në një kohë si kjo, t’i shkruaja një letër të hapur (që sigurisht as e merr mundimin t’i lexojë) Edi Ramës. Një letër ku t’i bëja vetëm një pyetje. Çfarë do t’u ofrojë këtyre? Dakord, kishte diçka për t’i ofruar dhe Kokëdhimës. Po këtyre njerëzve? Këtyre që nuk korruptohen?? ÇFARË DO T’U OFROSH KËTYRE NJERËZVE?
    • Kush i vë bustet në këtë qytet? Kush e hedh idenë, kush e merr vendimin? Asgjë nuk dimë. Vënia e busteve ka nevojë për debat publik. Por, debati publik është kthyer në një nevojtore të papërdorshme publike. Dhe e kanë sabotuar me qëllim. Nuk duan të dëgjojnë zhurmën e qenve në rrugicë. Në këtë qytet nuk bëhet asgjë që ka lidhje me shpirtin e qytetit. Këtu dhe bustet vihen me një telefonatë.
    • Beppe Grillo? Pa qenë ekspert, besoj se Grillo është këtu ku është, sepse para 15 vitesh, italianët paguanin biletën për të dëgjuar monologët e tij (anti)politikë. Duhet ta ndihmosh të mbijetojë atë që do të artikulojë për ty të vërtetën. Ata pak – sa pak kanë mbetur – gazetarë shqiptarë që do të donin t’i qëndronin sistemit e të flisnin të vërtetën, e vetmja mënyrë që të jetojnë është të marrin rrogën te X-i apo Y-i që nuk dihet se nga i marrin lekët.
    • Skënder Tufën nuk e lanë të kandidonte i pavarur. Do doja shumë të votoja për njeriun që gjuan me vezë.
    • Është pranverë në Shqipëri, por asgjë nuk mban erë pranvere.

     

    /Revista KLAN/

  •  

    “Po ta dish se kush i ka paratë në këtë vend, të ikën truri”. Kjo është një frazë që e kam dëgjuar më shumë se një herë e që nënkupton që paraja në Shqipëri gjendet (në shumicën e rasteve) në xhepa njerëzish që po t’u heqësh paranë, nuk do ishin të denjë as për të ndenjur ngjitur me ta në autobuz. Të pagdhëndur, të paaftë, të pashkolluar, njerëz që në shumicën e rasteve janë aty ku janë falë rastësisë, dhunës, shkeljes së ligjit (shpesh dhe me dhunë), trafiqeve, evazionit fiskal, grabitjes së biznesit të dikujt, shitjes së vizave, gjobëvënieve, etj. Shkurt, njerëz që nuk kanë treguar as aftësi e profesionale, as zgjuarësi individuale e as cilësi sipërmarrëse, për të fituar atë pasuri që kanë (duke mos quajtur aftësi shkeljen e ligjit). 
    Deri këtu, nuk ka asgjë të keqe. Madje, fjala e parë që të shkon ndër mend është “bravo u qoftë”, një frazë që tregon sa pafuqinë për të bërë të njëjtën gjë si ata, aq edhe mirëkuptimin që në jetë ka rëndësi mbijetesa. Dhe ata, ia kanë dalë të mbijetojnë më së miri. 

    Bravo u qoftë... deri diku 
    Por ka një detaj të vogël. Ata nuk është se thjesht mbijetuan për veten e tyre. Ata kanë shtënë në dorë shtetin. Shumë prej tyre kanë përvetësuar pasuritë dikur të përbashkëta. Ata vendosin për ne. Ata, na zotërojnë. Pra, le t’i vëmë vizën asaj “bravo u qoftë” e të themi, “pa prit njëherë!” Politika është vazhdimisht, në çdo vend, nën ndikimin e grupeve të interesit. Por ky ndikim është i strukturuar dhe ka mekanizma që e mbajnë nën kontroll. Duket e pamundur të zhduket ndikimi i të pasurve në politikë, por, balancat mund të mbahen. Balanca që t’ua kufizojnë mundësinë e pronësimit të shtetit. Mundësinë për ta përdorur shtetin për të çuar rrugën te mulliri i tyre. Qoftë dhe duke lëvizur plane urbanistike apo duke shkatërruar parqe. Nuk është puna thjesht për të mbrojtur 2 pemë. Por, siç thotë një këngë e vjetër e Metallica-ve, “one man's fun is another's hell”. Në një botë që mbahet në një pafundësi ekuilibrash makro e mikro - ekuilibra ekonomikë, ekologjikë, socialë e kulturorë – prishja e këtyre ekuilibrave në favor të dikujt, shtrëngon lakun në fytin e dikujt tjetër. Gjejeni se kujt ia shtrëngojnë?? Bujkrobërve. 

    Pragu i feudalizmit 
    Politika shqiptare gjithnjë e më shumë i ngjan një fenomeni feudal, me arbitraritetin madje dhe modelin e marrëdhënieve. Ky vend, ngjan të ketë përherë e më shumë bujkrobër sesa qytetarë dhe të qeveriset më shumë nga feudalë arrogantë e të gjithëpushtetshëm sesa nga të zgjedhur. Sjellja prej feudalësh, vjen nga ndjesia e zotërimit. Politikanët-pasanikë ndjehen zotër të vendit e të gjtihçkaje që gjallon këtu brenda, përfshirë ty. 

    Si u bënë të pasurit zotër të politikës 
    Nuk e di, por besoj se ka qenë Nano i pari, strategu që vendosi që politikën ta mbushte me biznesmenë. Një legjendë urbane thotë se një deputet dhe aktor tashmë 10 vjeçar në politikën shqiptare, u bë i tillë, sepse i zgjati i pari një tufë me lekë nga pas në një kazino. Pastaj, loja u hap. Në mënyrë të papërgjegjshme, padronët e politikës i hapën dyert për biznesmenët që të merrnin pjesë drejtpërdrejt në politikë. Ndoshta për t’i pasur nën kontroll, ndoshta të paaftë t’ua kufizonin kontrollin. 
    Mangësitë apo deformimi i qëllimtë i kuadrit ligjor bëri të mundur që biznesmenët të depërtojnë në çdo moment të vendimmarrjes, duke e shndërruar vetë të bërit politikë në të bërit biznes. Kushdo që ka një gjë në dorë në shkallët e ndryshme të pushtetit në këtë vend, e mendon si biznes personal. Fenomeni i blerjes së votës me para në dorë në parlament, tanimë nuk i bën përshtypje askujt. Edhe politikanë profesionistë e shesin tashmë votën pa iu skuqur faqja (për votimet e fundit pëshpëritet për shifra tek gjysmë milioni euro). 
    Nuk më shqetëson fakti që dikush ka shumë para. Më shqetëson fakti që ata që ka shumë para janë “zgjedhur” për të ndërtuar një shtet social, një shtet për ata që s’kanë. Nuk e kanë ndërtuar, nuk do e ndërtojnë e as kanë për ta ndërtuar kurrë. Nuk kanë pse! Ata janë aty, për hir të marrëdhënieve që nuk kanë lidhje me demokracinë e as me përfaqësuesit e popullit. 

    Mos-përfaqësuesit e popullit 
    Polarizimi ekstrem i shoqërisë, është pasojë e drejtpërdrejtë e këtij fakti: Të pasurit kanë shtënë në dorë në mënyrë të drejtëpërdrejtë pushtetin. Aq më tepër kur nuk e kanë marrë si përfaqësues të zgjedhur. Bëjmë teatër sikur i zgjedhim. Mënyrat sesi ata janë futur në ato lista janë shumë të dyshimta, dhe janë biznes i mirëfilltë. Kanë investuar për t’u zgjedhur sepse presin të fitojnë mbrapsht paratë e investuara. Duke qenë përfaqësues të të varfërve! 
    Një nga elementët që ka ndikuar drejtpërdrejt në këtë gjendje është dhe ky kod elektoral që ka shkëputur edhe fijen më të fundit lidhëse që ekzistonte mes votuesit dhe të zgjedhurit. Ti nuk e njeh më kandidatin tënd. Tani, votohet sh.p.k.-ja e rradhës. Mospasja e kësaj lidhjeje të drejtpërdrejtë me votuesin çon në mungesë përgjegjësie. Mungesë përfaqësimi. Mungesë ideologjie. Njeriu i rri besnik atij që e ka zgjedhur. Nëse të kanë zgjedhur paratë që ke hedhur për fushatë, ato janë sovrani yt. Nëse të ka zgjedhur favori i dikujt, ai është zoti yt. Por kurrë të varfërit. Të varfërit, janë balta nën këpucët e tyre. 

    Partia e të varfërve që nuk do bëhet kurrë 
    Atëherë, pse nuk ngrihen të varfërit të bëjnë një parti të tyren? Një parti që t’i përfaqësojë, dhe që të mbrojë interesat e tyre në çdo ligj që miratohet? 
    Sepse, ua kanë hequr mundësinë. Për të bërë një parti, duhet një sasi parash që askush nuk e ka, as tërë skamnorët e Shqipërisë të mbledhur së bashku. Për të bërë fushatë elektorale, duhen më shumë para se të tërë kreditë e këqija të mbledhura së bashku. Pastaj, fushata tashmë funksionon vetëm si show mediatik. Duhet të hysh në hatrin e gazetarëve, të cilët zgjidhin disa kredira shtëpish, pushimesh e qejfesh me raste zgjedhjesh. Duhet të hysh në lajmet e televizioneve që ndërkohë janë pronë e grupeve financiare të interesit. Zëri i të varfërve aty, nuk i intereson askujt.
    Krejt mënyra si funksionon politika, si ngrihen partitë e si bëhen zgjedhjet tashmë është në funksion të parasë. Nuk ka shpresë për asnjë grup pa fonde që të mund të marrë pjesë. Shkurt, politika është pronë ekskluzive e të pasurve. 
    Siç thoshte një gazetar, mund të bësh parti vetëm nëse fiton llotarinë. Ose nëse shet drogë. Por, këtu do dalim prapë tek pika e fillimit. Ata që shesin drogë nuk kanë nevojë për të bërë partinë e të varfërve. Mjafton t’u bashkohen partive ekzistuese. Mjafton t’i bashkohen politikës aktuale duke kënduar himnin “voto të keqen me të vogël”. 

    Marka e së “keqes më të vogël” 
    Dëgjoj vazhdimisht frazën “E keqja më e vogël” që ridel në dritë sa herë vijnë zgjedhjet. Është thjesht droga e rradhës. Duke e shtyrë atë që ka në dorë votën të votojë të keqen më të vogël, e kanë lënë votuesin peng të një grupi njerëzish që qarkullohen gjithmonë, jo vetëm politikisht por dhe financiarisht. Ideja e ndryshimit është iluzore dhe momentale. Në plan afatgjatë, votuesit e të keqes më të vogël kanë votuar thjesht çimentimin e një grupi politiko-financiar që nuk ka më individ e as lëvizje që ta zhvendosë për disa dhjetë-vjeçarë. Duke votuar të keqen më të vogël i kemi dhënë të keqes shansin që të kthehet në establishment. Kemi votuar gjithmonë të keqen më të vogël. Por, askush nuk interesohet të masë se si kjo e keqja më e vogël e kësaj rradhe qëndron në raport me të keqen më të vogël të rradhës së kaluar. Po të kishim një njësi matëse, ndoshta do të na rezultonte se e keqja më e vogël, në të vërtetë është shumë e madhe. Shumë më e madhe se të këqijat e kaluara. 
    Dhe së fundi, kjo është fraza me të cilën na detyrojnë të bashkëjetojmë. Kur vlen vetëm për të pasurit. Për pushtetin e tyre që duhet ta ndajnë mes dy të këqijave. Nuk besoj që për ata që jetojnë në baltë ka shumë rëndësi marka e çizmes që i shkel. Për të kujtuar një burrë me mjekër, ata nuk kanë asgjë ç’të humbasin. Veç prangave.

     

    Botuar në Revistën Klan me titull "Sa e Vogël është e Keqja"

    foto: "Banketi i të pasurve, ndërsa të varfërit luftojnë" - José Clemente Orozco - 1923 - afresk mural

     

  •  

    Nuk ka mbetur shumë për të thënë për koalicionin e 1 prillit, thuajse të gjitha janë thënë. Kam vetëm copëra mendimesh.

    • Ne e kemi reduktuar qenien tonë qytetare në ngopjen e barkut, qoftë edhe me “një gjellë që ta shpif” (siç e quan Muç Nano). Më kujton edukatoret e kopshteve të Enverit, që ua ushqenin me zor gjellën e shpifur 3 vjeçarëve. Që e villnin. Kur rritesh, mëson ka dhe një alternativë tjetër: një gjellë që ta shpif mund të mos e hash. Mund të vuash urie, por më mirë se të vjellësh tërë jetën. Mund ta refuzosh në heshtje, mund dhe t’ua përplasësh pjatën ballit. Koha e liderëve-edukatore që ushqejnë me zor fëmijët në çerdhe duhet të ikë.
    • Duan ta shesin idealizmin për moralizëm. U bie më mbarë. Moralizmi, mban mbi vete stigmën e atij që bën dërr-dërr. Nuk është moralizëm, dhe nuk po ua shet njeri. Është idealizëm, pavarësisht se s’dua ta kuptojnë.
    • Duket sikur ka pak për të bërë për të kundërshtuar aleancën e 1 Prillit. Jemi si rusët, kur panë që Medvejev-Putin u bënë një lojë kushtetuese për të mbajtur pushtetin përjetësisht. Na e kanë futur, por, duan të na thonë që janë në rregull. Dhe nuk ka më mirë se cinizmi dhe arroganca për ta bërë këtë.
    • Cinizmi dhe arroganca, më kujton garipat e shkollës që persekutojnë çunat e urtë e studiozë, vetëm pse e ndjejnë se janë më të mirë. Me forcën e pandëshkueshmërisë së atij që ka përkohësisht pushtetin. Pragmatistët, i urrejnë idealistët.
    • Rilindja është vepër idealistësh e jo pragmatistësh. Rilindja e hershme shqiptare na e ka treguar këtë.
    • Nuk ka asgjë për ta çbërë këtë që ka ndodhur. Por, ana pozitive e kësaj është që mund të shohim më qartë kush është kush. Kjo është një kohë e mrekullueshme për të parë cilët gazetarë e cilët politikanë janë gati të hanë gjellën e prishur, veç të jenë në grup me garipat e shkollës. Ka dhe nga ata që e shohin realitetin me dylbi, dhe gariplliku u duket seksi. Kjo është një kohë për të njohur përfundimisht njerëzit. Kush janë dritëshkurtrit, kush janë servilët, kush janë ata që janë gati të lehin për kockën e premtuar (a të imagjinuar), kush janë të fortë në aritmetikë. Rrobat e reja të mbretit i nxorën të tërë lakuriq.
    • Në 21 janar, kam qenë në shesh, ndërsa dikush tjetër shihte nga dritarja. Nuk kam qenë në shesh për të hedhur një mbret e për të bërë mbret një tjetër. Asnjëri nga ata të dy nuk e di akoma pse kemi qenë në shesh.
    • Shqipëria është ajo që thotë Konica, dhe shqiptarët janë ata që thotë Noli. Mund të qeverisen si turmë e bindur, por mund të të hedhin befas dhe në pleh. Kurrë s’mund ta dish. Prandaj e dua këtë vend. Është i paparashikueshëm. Tashmë, është dhe e vetmja shpresë.
    • Dëgjova që z. Rama e ka akoma në axhendë 21 janarin. Dua të di si. Dua të di, në detaje, si e ka në axhendë. Çfarë do të bëjë konkretisht, me hapa, dhe dua të ma thotë tani. Para zgjedhjeve.
    • Krimi më i madh, është përdorimi i një koncepti aq të shenjtë si “rilindja”, aq frymëzues si “Rilindja” për të ilustruar ardhjen në pushtet të “çunave”. Kështu janë  djegur “mjaft”, “katharsis”, “duart e pastra”, koncepte qytetare e njerëzore frymëzuese, që përfunduan në mega-mashtrime. “Rilindja”, pati të njëjtin fat. Trishtohem kur shoh që epoka e atyre që shkrinë jetën e pasurinë për Shqipërinë u përdor si tagline për ata që shkrinë Shqipërinë për pasurinë e vet.
    • Pragmatistët, ata që e kanë katandisur Shqipërinë kështu, duan të na tregojnë se mjeti justifikon qëllimin. Bëjnë aritmetikë komisionerësh. Citojnë dhe libra. Paskan dhe argumente historike. Unë s’kam punë me ta, se nuk dua ta zbres idealin tim në nivelin e llogjeve të  kafeneve.
    • Nëse nuk e mund dot Berishën (meqë këtu u katandis Rilindja, në heqjen e një njeriu) me forcën e të drejtës dhe të idealit, ik. Ik. Ik! Askush nuk është i pazëvendësueshëm. Liderë kompromisi mund të nxjerrim sa të duash. Hap gazetat dhe shiko sa shumë janë. Janë të tërë pragmatistë. Njësoj si ty.
    • Gazeta Dita

     

  • E keni dëgjuar që “Rama është frikacak”? Unë aq shpesh, sa kam filluar ta besoj, edhe pse nuk e njoh fare Ramën. Që dikush është frikacak është mirë të dihet, sidomos në stadium, ku gjakrat ndizen, deputetët zbresin me armë në fushë dhe tipa që s’kanë frikë hyjnë përherë në punë. Por frikacakët në politikë, sidomos kur bëhet fjalë për frikë biologjike, janë diçka shumë më serioze se sherret në stadium. Për të kuptuar se pse Rama është frikacak, fillimisht duhet parë kush tjetër ka frikë në këtë vend.

    Frikë falas

    Ekziston frika për të nxjerrë fëmijët të luajnë në rrugë. Mund t’i shtypin makinat ose t’i trafikojnë. Ti mund ta dërgosh vajzën me studime në Tiranë, por një ditë do të shohësh në lajme se një vajzë është zhdukur, ose një prostitutë është vrarë, dhe lutesh që të jetë shoqja e dhomës, dhe jo bija jote. Ekziston frika për të dalë natën. Vetëm Bulevardi e Blloku janë ende të sigurta.

    Çdo biznes ngrihet me frikën se një më i fortë ose më i lidhur në pushtet mund të vijë të ta marrë me dhunë. Kam dëgjuar për kompani sigurimi që ofrojnë edhe eliminim fizik, përveçse ruajtje fizike. Ka mbi të gjitha, frikë për të ardhmen. Jo ankth, por frikë e mirëfilltë, si ajo e kaprollit që ndjen rrezikun dhe nis e i rreh zemra fort. Kjo frikë buron kryesisht nga politika.

    Frika nga politika

    Politika është motori më i fuqishëm ekonomik në këtë vend, jo vetëm se të jep punëson, të jep tendera, të ngre traun, të jep lejen e shfrytëzimit, lejen e ndërtimit e legalizimin e shtëpisë, por edhe se në çdo fill e fushë të jetës, e ardhmja jote është e lidhur me politikën. Edhe po të jesh një sekretare e thjeshtë, firma jote modeste me 3 vetë mund të falimentojë nëse njeriu me të cilin shefi ka lidhje, bie nga fiku. Le më, po ra partia! Në këtë aspekt, rotacioni është mëse i domosdoshëm. Jetëgjatësia e çdo partie në pushtet nënkupton zorrë të tharë dhe uri kronike për gjysmën e këtij vendi që është në opozitë. Prandaj, ka gjithmonë një palë që është gjithmonë me frikë, frikën e të ngelurit pa bukë, frikën e shkatërrimit të së ardhmes. Nuk është ankth, është diçka e njohur dhe e pritur.

    Në një renditje të shkaqeve të frikës, dikush rreshtonte si më të shpeshtat frikën nga fluturimi, lartësia, klounët, intimiteti, vdekja, refuzimi, njerëzit, gjarpërinjtë, dështimi. Shumë nga këta elementë mund të identifikohen te kasta jonë politike (kasta, jo klasa). Gjarpërinjtë, vdekja, refuzimi e dështimi janë aty, mu në Parlament. Sidomos klounët. Politika është gjenerator i frikërave, dhe ka prodhuar frikëra masive sociale e qytetare. Po askush nuk flet.

    Frika për të folur

    Askush nuk flet, se ka frikë. Shkonin pyesni kryeredaktorët e gazetave të opozitës sa kërcënime marrin. Do të habiteshit. Prandaj jo rrallë, edhe e vërteta e opozitës është gjysmake. Një miku im, më thoshte të mos e shaj Kryeministrin me zë në lokalin e vet, se të nesërmen i vijnë tatimet në derë. Nuk i nis Kryeministri. Tatimet e dinë vetë se ç’duhet të bëjnë. Tatimet, janë një instrument frike. Njësoj si policia. Njësoj si maskat. Njësoj si task-forcat. Ardhja e tatimeve, mund dhe të mos jetë e vërtetë. Por, kjo nuk e eliminon frikën. Frika ushqehet me një mundësi rreziku potencial. Sikur miliona baret e këtij shteti të nisin të shajnë Kryeministrin njëkohësisht, nuk ka aq tatimorë për t’ua çuar të gjithëve të nesërmen. Mjafton t’ia çojnë njërit. Dhe askush nuk do të dalë të bërtasë për të. Ne kemi frikë të bërtasim për të drejtat tona. Sepse, ne kemi frikë nga Bulevardi.

    Frika nga Bulevardi

    Frikë për të bërtitur, sepse mund të të vrasin me duar në xhepa. Dhe jo vetëm kaq, por ka dhe publik që do të duartrokasë. 21 janari, përveç 4 të vrarëve, na la në derë cinizmin e atyre që u shqetësuan “që ku je këtu ti, të sulmosh institucionet!”. 21 janari na la në derë një kufomë të 5-të: qytetarin. Një vend pa protestues, është ose një vend i lumtur ose një vend pa qytetarë. Nuk e di ju, po unë nuk jetoj në një vend të lumtur. Unë jetoj në vendin ku të gjithë kanë frikë. Edhe Kryetari i opozitës.

    Ata që nuk kanë frikë

    Para se të flas për frikën e Ramës, nuk mund të rri pa vënë re që ka njerëz që nuk kanë frikë. Disa e kanë defekt gjenetik. Neuronet e tyre, janë të paafta të përcjellin frikë. Ata, nuk e dinë se ç’është frika dhe jo sepse janë trima. Janë të sëmurë. Por shumë më interesantë janë ata që nuk janë të sëmurë, por prapë nuk kanë frikë. Ata që janë kaluar. Ata që kanë bërë shumë zullume, po kushedi për ç’arsye besojnë se kurrë nuk do vijë momenti që t’i lajnë. Trimëria dhe budallallëku shkojnë bashkë, thonë. Do ta perifrazoja si “Mospasja frikë dhe budallallëku shkojnë bashkë.” Budallallëku i tyre është interesant, sepse, ma do mendja do jemi gjallë për të vrojtuar rikthimin e frikës tek ata. Po le të kthehemi te frikacaku Rama.

    Rama ka frikë nga Berisha

    Me aq sa mundem të kuptoj termin “frikacak”, i bie që Rama është i tillë në sensin biologjik. Besoj ka frikë për jetën e vet. Edhe unë kam. Politika shqiptare ka marrë në mënyrë groteske atributet e eposit të kreshnikëve. Njerëzit presin nga politika Qerosin që do presë kokën e Kuçedrës. Kjo pritshmëri, ndërton Kuçedra imagjinare dhe Qerosë imagjinarë. Dhe politika, që do të duhej të kishte të tjerë parametra, matet me kutin e qerosit trim. E pra, qerosë nuk ka. Ata që e kuptojnë që Rama është frikacak mund të kenë të drejtë, sepse e identifikojnë dhe te vetja atë ndjenjë. Kanë frikë, por duan që ai të jetë trim.

    Frikacaku i mirë, me shokë shumë

    Fakti që ka politikanë që kanë frikë biologjike përtej asaj psikologjike, tregon për stadin tribal të politikës. Ky nuk është fenomen shqiptar, por, ballkanik, dhe madje i tërë lindjes. Politika, si asgjësim i kundërshtarit. Ka njerëz që janë futur në politikë për të bërë para. Ka që janë futur se s’dinë të bëjnë gjë tjetër. Ka që futen atje me ca parime, dhe dalin që andej me ca prona. Ka ca që futen për të zënë dashnore. Sharmi i pushtetit. Askush nuk është futur për të vrarë Kuçedra. Por dhe në vendet ku burrat futen në politikë për të aplikuar idetë e tyre përmes pushtetit, nuk u kërkon njeri të vrasin Kuçedra. Teoria e “frikacakut” nënkupton që Rama trembet nga Berisha, kur, Berisha ka vetë frikë.

    Nga se ka frikë Berisha?

    Rikujtoj Gedafin e shkretë, dhe nuk e mbaj mend me antiplumb, as kur nisi lufta. Kryeministri ynë, i një vendi demokratik e të prosperuar, Zvicër, Gjermani, Norvegji e Kinë bashkë, del me jelek antiplumb. Pra, ka frikë. Frikë biologjike. Njësoj si ajo e Ramës. Nuk ka frikë për fëmijët e vet (edhe pse mund të ketë). Jeleku, është frikë për veten e vet.

    Është sa e thjeshtë, aq edhe e komplikuar të shpjegosh frikën e Berishës. Në dukje të parë, i bie që ka frikë nga atentatet ose nga snajperat. Por, jetojmë në një shtet ku ai kontrollon çdo gjë, që nga një burokrat i rëndomtë ministrie, deri te Kryetari në një komunë të humbur. Kush mund t’ia çojë këtë doras në derë? Kush mund t’ia ngrehë çarkun snajperit? Kush mund ta ketë emocionin ose interesin aq të fortë, sa të organizojë vrasjen e njeriut më të pushtetshëm në Shqipëri? E pra, Kryeministri ka frikë. S’besoj të jetë nga të burgosurit politikë që s’ia falin thëngjinjtë e Lirak Bejkos. Ata, maksimumi mund ta gjuajnë me miell. Vështirë të jetë trembur dhe nga ata që bëjnë thirrje në internet për Avni Rustemër. Ata vetë s’dalin as nga shtëpia. Në Toronto bie borë. Atëherë, nga kush? A mos ka frikë nga njerëz me të cilët ka hesape pa larë? A mos ka frikë nga të vetët? Apo ka frikë nga Rama? Apo ka frikë nga ligji? Apo ka frikë nga CIA? Apo ka frikë nga serbi?

    Kam frikë (ja ku na ndihmon dhe shqipja, me delikatesën e vet) kam frikë se Berisha ka frikë nga hijet. Nga kujtimet e veta. Nga ajo çfarë ka bërë. Po të kishim dy Berishë në këtë vend, ai i opozitës do ta kishte vrarë Berishën Kryeministër. Ai ka frikë. Në vendin më pa qytetarë në botë.

    Kombi i frikës

    Ne jemi kombi i frikës. Frika – si bosht mbi të cilin ngrihen të tëra marrëdhëniet, politike, shoqërore, familjare, tregtare. Titullin abuzues e zgjodha meqë kisha vënë re që nuk po më lexoheshin më artikujt. Në fakt, nuk doja të flisja për frikacakun Ramë. Por për frikën time. Si frikacak që jam, arrij ta kuptoj frikën tuaj. Edhe të Kryeministrit. Edhe të Llupos e Prendit të mbyllur në kullë nga frika e gjakmarrjes. Kjo është shumë e rëndësishme. Të kuptosh që të tërë kanë frikë. Edhe ata që po na vrasin. Pastaj, mund të përpiqemi të ndërtojmë një komb më trim. Më trim, domethënë më të paqtë.

     

    *Revista KLAN

  •  

    Vendimi për të liruar 2 të akuzuarit për vrasjet e 21 Janarit, në fakt ka ‘legalizuar’publikisht disa realitete e marrëdhënie,që dhe pse i dimë, edhe pse i verifikojmë përditë, kemi qenë të detyruar t’i marrim me rezerva. Përndryshe trysnia e të jetuarit në një shtet në shtratin e vdekjes, do të ishte e papërballueshme. Duhet një vendim si ky, për të numëruar plagët e strukturës shtetërore.

    1. Ky vendim ka legalizuar përfundimisht të vërtetën se gjykata shqiptare është vrasëse. Sistemi gjyqësor shqiptar është jo thjesht varri i drejtësisë, por dhe i lirisë, qytetarisë, vëllazërisë dhe barazisë.

    2. Ky vendim, ka legalizuar gjakmarrjen: në këtë vend, nëse je i varfër dhe i vogël, i papërkrahur e pa pushtet, shpresa e vetme për të vënë drejtësi, është ta bësh vetë.

    3. Ky vendim ka legalizuar terrorizmin shtetëror që bazohet mbi formulën “pushteti mbahet me gjak”

    4. Ky vendim ka legalizuar arrogancën e një grupi njerëzish kundër individit, pushtetit kundër të pambrojturit, maskarait kundër të varfërit

    5. Ky vendim, legalizon vrasjen e genit qytetar, përpjekjen e vazhdueshme të pushtetit për të krijuar qytetarë apatikë, që e kuptojnë që qeverisemi keq, që qeverisemi nga vjedhës, që qeverisemi nga vrasës, por që ky vendim u legalizon frikën se ky pushtet do të jetë i përjetshëm, dhe se atij nuk mund t’i bëhet asgjë.

    6. Ky vendim, nuk i ka shpëtuar as Llupon e as Prendin. Ai ka legalizuar urrejtjen popullore ndaj tyre dhe gjithçka që ata përfaqësojnë. Ata dy të mjerë, nuk janë as më të mirë e as më të këqinj se gjithë shokët e tyre me uniformë që janë gati të bëjnë çdo gjë për t’i shërbyer pushtetit që u jep rrogën. Edhe të vrasin gjakftohtë. Por ky vendim i ka shndërruar ata në tabela qitjeje për mëkatet e veta dhe të të tjerëve si ta.

    7. Ky vendim, legalizon ekologjistët psiko-kriminalë. Ata njerëz të papërgjegjshëm, skllevër a cinikë, që u shqetësuan më shumë për palmat se për jetët e 4 njerëzve.

    8. Ky vendim, ka legalizuar fundin e një kohe. Nuk ka qenë kohë tranzicioni por ka qenë kohë dhimbjeje. Nuk ka qenë kohë njerëzish, po ka qenë kohë mostrash. E drejtuar në formë mostruoze, e jetuar në mënyrë çnjerëzore.

    9. Ky vendim, ka legalizuar edhe faktin që “Pranvera” shqiptare këtë vit do të vijë në qershor. Këtë të fundit, nuk e kanë kuptuar as vetë.

    Gazeta DITA

     

  •  

    Demokracia, shkruan Havel në një dramë të vjetër, i lidh duart atij që beson tek ajo dhe i jep mundësinë të bëjë çdo gjë atij që nuk beson te ajo. Shihni demokracionë tonë dhe identifikoni brenda saj ata që besojnë e ata që nuk besojnë tek ajo

     

    Ka një deformim të shtetit, që ka sjellë deformimin e shoqërisë dhe mendjeve të individëve. Në mënyrë folklorike, kjo më kujton një tufë drunjsh të shtrembër, që as në zjarr nuk i hedh dot, as stivë bën dot, e as show nuk bën dot duke i thyer një e nga një. Deformimi i shtetit, mund të jetë diçka që ndreqet. Deformimi i mendjeve më duket më problematik. 

    Kur fundi na shpjegon tërë dramën

    Diku kam pasë lexuar që pasi u mposht me votë, Milosheviçi, atëherë President i Jugosllavisë së mbetur, kur i dorëzoi detyrën Koshtunicës, si gjënë më të rëndësishme i tregoi vendet ku duheshin bërë punime në godinën e Presidencës. Si me thënë, “ai muri aty duhet shembur”, “atje tej duhet ngritur një kolibe për veglat”, e gjëra të ngjashme. Millosheviçi pati një humbje që s’e imagjinonte kurrë, pasi kishte perfeksionuar në maksimum sistemin e manipulimit të votës. Si mund ta hidhnin me votë? (opozita e mbështetur fuqimisht nga amerikanët, thuhej) Por, mua më intereson më shumë pikërisht ai momenti i dorëzimit të postit. Besoj se krejt sistemi i centralizuar që kish ngritur iu shkërmoq në sy, dhe sistemi i tij autoritar nuk e kishte parashikuar këtë moment, ndërrimin e pushtetit, duke e lënë të mpirë. 
    Ndaj në atë mëngjes, duket sikur kapaciteti i tij mendor ishte reduktuar, sikur u gjet befas në një planet tjetër, veglat e administrimit pushtetit nuk i përgjigjeshin, dhe e vetmja gjë për të cilat mund të fliste ishin veglat e bahçes pas Presidencës. Ta shohësh burrin më të fuqishëm të shtetit të katandisur ashtu, duhet të jetë një dramë e vërtetë për ata që e mbajtën në kurriz 20 vjet dhe bënë disa luftëra ballkanike për të. Por, më shumë se degradimi deri dhe mendor i një njeriu, ai ishte degradimi i trishtueshëm i shtetit. 

    Shteti, i deformuar për t’u shërbyer disave 

    Në këto kohë që po vriten komisarë policie në mes të ditës dhe grave u këpusin gishtin për t’u grabitur unazën, një mikut tim i ka ndodhur një histori për të qarë e për të qeshur. E kanë thirrur në polici dhe një nga njerëzit më të fuqishëm të policisë së këtij vendi e ka këshilluar “të mos shkruajë më te Facebook-u i filan këngëtari, përndryshe... ” Pa qenë nevoja të zgjatemi në detaje, filan këngëtar na qenkësh acaruar se i kanë sharë këngën në wall, ia ka “qarë” hallin një mikut të vet që është figurë shumë e njohur televizive, ky, ia ka kërkuar si favor këtij burrit të rëndësishëm në polici, dhe ja ku u bë qarku: shteti shpëtoi një këngëtar nga mërzia e komenteve në FB. Ndërkohë që drama e krimit ka shkatërruar jetët e sa e sa njërëzve, ata lart fare, bëjnë qoka Facebook-u. Duket si një histori nga të shumtat, por, është episod që shpjegon shumë qartë deformimin e funksionit të shtetit. Jo thjesht se ky shtet, vihet në lëvizje vetëm me mekanizma jashtë-ligjorë, por edhe se krijon një rrjetë të ngushtë individësh që janë të ndërlidhur me ndere e favore të vogla e të mëdha. Këta individë, e kthejnë gradualisht shtetin në një makinë dhune që mbron vetëm një grusht njerëzit brenda shportës/rrjetës. Favori do të rikthehet herët a vonë në krah të kundërt. Pra, burri i policisë do të mund të mbrohet publikisht në rast se i rrezikohet karriera, pavarësisht se ç’ka bërë, nga një TV e fuqishme, ose mund të ndërhyhet dhe më lart për të. Këngëtari do shkojë të argëtojë falas individët e shportës. 
    Ana tragjike e kësaj ngjarjeje është, kur djali “që nuk duhet të guxojë të shkruajë te wall-i” i filanit, ka njohje të vetat personale, i përket një rrjete tjetër të fuqishme, dhe le të themi që karikon një burrë tjetër të rëndësishëm në policinë e shtetit për të marrë hak për të. Dhe ja ku u kthye shteti në një luftë gangsterësh. 

    Qytetari Havel 

    Rrugës për në Rumani për të marrë një dekoratë, Vacllav Havel i thotë gazetarit në avion: “Kushdo që viziton atë vend, merrka të njëjtën dekoratë si unë”. Duke marrë dekoratën, presidenti, shkrimtari dhe ish-disident i Çekisë, u flet rumunëve për ëndrrat e thyera të çekëve. Havel, u kishte bërë çekëve një premtim: “E vërteta dhe dashuria do të triumfojnë mbi gënjeshtrat dhe urrejtjen”. Njerëzit e duan atë që u ke premtuar sa më shpejt. Frymëzimi është si drogë, të ngre lart e të rrëzon poshtë kur mbaron efekti. Para një jave, presidenti i ri i Çekisë, ish kryeministri i para 20 viteve dhe kundërshtar i Havelit, tha pas njoftimit të lajmit të fitores së tij se “E vërteta dhe dashuria triumfuan mbi gënjeshtrat dhe urrejtjen”. Kanë kaluar 20 vjet që nga ai premtim. A thua njerëzve në Pragë u kujtohet më? A thua, pas 20 vjetësh, ajo që kërkojnë është ende “e vërteta dhe dashuria”. Deformimi i një populli lexohet tek ajo që do. Unë nuk njoh asnjeri që do të donte që “E vërteta dhe dashuria të triumfojë mbi gënjeshtrat dhe urrejtjen”. Unë njoh njerëz që duan lekë. Unë njoh njerëz që duan punë të mira ku të mos lodhen. Unë njoh njerëz që duan vetëm ta hedhin qelbësirën. 

    Miti i mitmarrjes 

    Po më tregonin historinë e një politikani që kërkonte një leje ndërtimi. Leja që kërkonte ishte brenda të tërë parametrave, dhe ai do ta merrte atë sepse asnjë procedurë shtetërore, sado të zgjatej, do mund ta pengonte. Megjithatë, ai kishte kërkuar t’u jepte “kafen” njerëzve që kishin në dorë procedurën. Si një njeri që e di si luhet loja dhe e respekton atë. Në këtë vend, tashmë dihet se ka një tarifë ekstra, një “kafe” rryshfeti, jo vetëm për diçka të paligjshme e që nuk të takon, madje edhe për atë që të takon ta marrësh në të drejtën tënde, të ligjit e madje dhe të Zotit. Ky mit flet për një pjesë tjetër të deformimit të shtetit. Për të marrë atë që të takon, edhe me ligj, ti je i detyruar tua “dish për nder” 2, 3, ose 4 ndërmjetësve. 

    Fillimi i dramës 

    Ky është një shkrim i deformuar, i copëtuar, në dukje pa një fill që i lidh. Nuk besoj se ka një formë më të mirë për ta dhënë copëtimin e strukturës shtetërore e shoqërore, dhe deformimin e mendjes së shtetasve që operojnë në këtë strukturë. 
    Demokracia, shkruan Havel në një dramë të vjetër, i lidh duart atij që beson tek ajo dhe i jep mundësinë të bëjë çdo gjë atij që nuk beson te ajo. Shihni demokracionë tonë dhe identifikoni brenda saj ata që besojnë e ata që nuk besojnë tek ajo. Mund të shquhen me sy të lirë edhe në këto mbrëmje shkurti. 
    Me Millosheviçin, nuk ikën njerëzit që drejtpërdrejt ose tërthorazi kishin marrë pjesë apo kishin përfituar nga instrumentat që ai ngriti për të drejtuar shtetin e pushtetin. Ata u adaptuan në sistemin e ri. Sistemi i ri nuk ka një Millosheviç, por ka një nomenklaturë financiare e politike që ai la. Gazetari, shefi i policisë dhe këngëtari i acaruar nga komentet në FB do të vazhdojnë të ndërtojnë e funksionojnë me të njëjtat rrjeta që e kanë kthyer shtetin në shërbim të një grupi të privilegjuarish. Ato rrjeta, mbajnë njëri-tjetrin. Vrasja e Xhinxhiçit në Serbi ishte një pasojë e drejtpërdrejtë e atij që tenton të presë fijet. 
    Në neuronet tona janë shkruar ligjet e deformuara se njëri punon për të mbajtur 5 të tjerë. 
    E vërteta dhe dashuria nuk kanë më kuptim, jo vetëm për ata që premtojnë, por dhe për ata që duan të gënjehen. Çfarë mund të ndërtosh me një shoqëri që nuk ka më ambicje të triumfojë mbi gënjeshtrën dhe urrejtjen? A mund të ngrihet një shoqëri solide me mendje të deformuara? Kjo, nuk ishte pyetje.

     

    Revista KLAN

  •  

     

    Asgjë nuk mund të justifikojë mungesën e integritetit tek njerëz publikë. Dëmi i këtyre njerëzve që rreshtohen si pa gjë të keq me kauzën e Partisë, e jo të njeriut, është i pallogaritshëm. Ata kanë zhvleftësuar çfarëdolloj kauze.

    A e keni pyetur veten ndonjëherë se pse Shqipëria nuk funksionon? Unë po. Thuajse në çdo shkrim timin, përpiqem të gjej përgjigjen e kësaj pyetjeje, pse ky vend është kaq jo-funksional dhe kaq anti-europian në vlera. Dhe mu teksa po përpëlitemi të ‘hyjmë’ në Europë. 
    Kam frikë se integrimi nuk është veçse një miks dëshire të pandërgjegjshme për të mos u ndjerë si dele e zezë dhe nevoje për të gjetur një tajë që të na ushqejë. Shqipëria, përkundrejt optimizmit dehës të disa pak vetëve që nuk u duket “edhe aq keq”, përmbledh një tufë vesesh e anti-vlerash, që të gjithë i dimë. Jo për t’u zgjatur, por sa për formalitet integrues, mund t’i përmbledhim me 2 rreshta: “hajdutëri në nivel individual e shtetëror, dhunim i vazhdueshëm të pambrojturve, dhunim jashtë çdo principi e ligji i punëtorëve, dhunë ndaj femrës e fëmijëve, aborte selektive, mjerim i pafund që çon në vetëvrasje, mungesë shprese, përvetësim e zhveshje prone, shkatërrim trashëgimish kulturore e vlerash urbanistike, abuzim sistematik i posteve shtetërore, vjedhje zgjedhjesh, drejtësi e përlyer deri në sqetulla me krimin”; dhe jemi të tërë njësoj. Korruptohu, ose vdis. 
    Tani që rikujtuam pak ku jetojmë, dua të hedh sytë tek një vend shumë më i madh se ne, të cilin, nuk e di pse jemi të prirur ta shohim nga lart poshtë, sikur të ishim më lart në trungun e civilizimit sesa ata: India. Vendi ku, të tërë shqiptarët që kanë qenë, më këshillojnë të mos vete. India, ky vend i varfër, analfabet e i pistë. Vendi ku mund të marrësh kushedi ç’sëmundje. E kemi parë dhe në TV. Slumdog Millionaire. 

    Kauza njerëzore 
    Në Indi ka shumë ditë që nuk pushojnë protestat për një vajzë të përdhunuar. 1 (një) vajzë e përdhunuar, në një popullsi një miliardëshe. Njerëz të zakonshëm që kanë vendosur të dalin për një kauzë. Në Indinë e mjerimit. Duke parë Indinë, mendoj për kauzat e pafundme që ne mund të kishim. Fëmijë të përdhunuar. Baballarë që vrasin vajzat. Xhaxhallarë që i përdhunojnë. Pleq që u presin kokën. Gra që hidhen nga ballkonet prej mjerimit. Fëmijë që vetëvaren në mes të fshatit. Prindër të vrarë në mes të bulevardit. Fëmijë që punojnë në fabrika vdekjesh. Minatorët që vdesin si minj në minierat e krimit, nga një në muaj. Kauza ka plot. Po aq sa India e analfabetizmit. 
    Kauzat tona mund të jenë njerëzore, por, banorët e këtij vendi nuk janë më njerëzorë. Shqiptarët - ata që banojnë, jo ata që lëshojnë kushtrimin nga fundi i botës, në blogje e rrjete sociale – gjtihnjë e më tepër po humbasin identitetin njerëzor. Po kthehemi në qenie, që vetëm lehim. Të vijmë te kauza e madhe e 100 intelektualëve. 

    100 dalmatët 
    Lista e 100 intelektualëve vjen pikërisht në këtë çast, që unë rri e shoh protestat indiane kundër një fenomeni kriminal shoqëror. Habia fillestare është që paskemi 100 intelektualë! Në mungesë të prodhimit të produkteve intelektuale të mirëfillta, jemi të detyruar ta plotësojmë pikturën me thuajse “intelektualë”. Çdo grup njerëzish me shkollë të lartë, i quajmë intelektualë. Edhe pse emërtimi “intelektual” meritohet më shumë me integritet e qëndrim sesa me doktoraturat e mbrojtura kushedi se si. Në këto rrethana, jam i sigurt që makina shtetërore mund të nxjerrë edhe 1 mijë intelektualë për firmë. 
    Habia e dytë, është sesi u rreshtuan kaq shpejt, të 100-të. Në një protestë të para disa muajve, me rastin e prerjes së kokës së një vajze (i quajmë ‘raste’ si të bëhej fjalë për raste për fejesë), mezi u mblodhën nja 30 gra, shumica punonjëse fondacionesh e OJF-sh. Asnjë nga 100 firmëtarët kundër opozitë, nuk i pashë në atë shesh. Kauza njerëzore, nuk mundi të nxjerrë as 10 intelektualë në shesh. 
    Sa për faktin që intelektualët rreshtohen kundër opozitës, kjo është vetëm për të qeshur, e jo për të qarë. Edhe 100 dalmatët e filmit do të kishin qenë më të pabindur e rebelë. Por, 100 dalmatët të paktën janë racë e pastër. 

    100 koka të prera 
    Shoh vazhdimisht njerëz me shkollë të lartë, quajini po deshët dhe intelektualë, njerëz që edhe i kam xhan ose simpati personale, të rreshtohen për kauzat më të mbrapshta. Jam përpjekur t’i justifikoj. Jopleqëria, jo halli, jo se janë emocionalë nga e kaluara. Në fakt, nuk ka asnjë lloj justifikimi për ta. Asgjë nuk mund të justifikojë mungesën e integritetit tek njerëz publikë. Dëmi i këtyre njerëzve që rreshtohen si pa gjë të keq me kauzën e Partisë, e jo të njeriut, është i pallogaritshëm. Ata kanë zhvleftësuar çfarëdolloj kauze. Edhe kauzën e asaj vajzës me kokë të prerë. Edhe atë të atyre vajzave të vogla të përdhunuara nga i afërmi. Dhe këtu vimë fare afër njërës prej përgjigjeve të mundshme, se çfarë ka që nuk shkon me këtë vend. 

    0 kauza të mëdha... 
    Në këtë vend nuk ka më kauza. Ato janë shkatërruar një pas një, duke përdorur 100 dalmatët. Ose, 50 mijë skifterët e mitingjeve. 
    Kauzat kërkojnë një sinergji pozitive, e cila të mundet të imponohet, duke treguar se ka një grup njerëzish që vërtet u bëhet vonë për atë kauzë. Por, për fatin tonë të keq, për çfarëdo vektori pozitiv ndaj një kauze, makina e parasë ose pushtetit, shpesh partiake, mund të prodhojë një anti-vektor. 
    Po të dojë, shteti mund të nxjerrë 300 intelektualë që janë pro prerjes së kokës së femrave. Nëse një grup proteston për të drejtat e ish-të përndjekurve, pushteti mund të nxjerrë 5 herë më shumë ish-të përndjekur që protestojnë kundër tyre. Paskemi shumë njerëz që janë gati t’i shërbejnë çdo lloj anti-kauze, pa e menduar gjatë. Disa nga injoranca, disa nga mllefi, disa sepse paguhen, disa sepse shpërblehen, disa sepse nuk dinë të thonë ‘jo’. 
    Askush nuk del seriozisht në shesh për një kauzë, sepse e kanë të qartë që sheshi nuk është zgjidhja për kauzat e vërteta. Sheshi, është vendi ku kanë leje të harbojnë 100 dalmatët. Ndaj, kauzat e vërteta kanë vdekur. 

    ...dhe 1 kauzë e vogël. Kauza e qenit. 
    Po ç’ndodh atëherë, nëse në këtë vend nuk ka asnjë kauzë që të motivojë ndjeshmëri qytetare, nevojë për ndryshim? Ndodh gjirizi ku jetojmë. Pa kauza, nuk ka qytetarë. Pa qytetarë, ka vetëm dalmatë. Por, nëse asnjë kauzë nuk funksionon, nëse ka një tentativë për të qenë të tërë qen salloni, kush do të ngrihet për atë kauzën e vogël të atij qenit që është poshtë, te këmbët, i nëpërkëmbur dhe i dhunuar? Të atij që ka realisht nevojë të mbrohet nga shoqëria e shteti? Kush do të ngrihet për qenin e vogël? 
    Shenja që rendi po kthehet dhe mafia po fshihet, do të jetë kur askush nuk do guxojë dot të parkojë kundërtabelë, sipas qejfit. Shenja që qytetaria po kthehet, do të jetë, kur një kauzë e vogël, sado e vogël, të merret seriozisht dhe të mbledhë me mijëra në shesh. Jo thjesht kauzë votash. Nëse mbrojmë kokën e prerë të një vajze, ose jetën e një minatori, askush nuk do guxojë të luajë me votat. Vetëdija qytetare fillon me 1 kauzë të vogël. Me kauzën e qenit. 

    I huaji 
    Mos ju ka bezdisur gjë krahasimi i shqiptarëve me qentë? Do isha i lumtur që ta bënit kauzë tuajën, e të dilni në shesh. Do isha i lumtur, po ta shihja atë shesh plot. Sidomos me dalmatë.


    botuar te Revista Klan, e shtunë 19 janar 2013

     

     

  •  

     

    Njeriu ka nevojë të marrë herë pas here një dozë frike, si punë vaksine,  ndaj zhanri horror është nga më të vjetrit, më mbijetuesit, e më të suksesëshmit. Spekulimi me fundin e botës, luajti të njëjtin rol. Kishim nevojë të merrnim një dozë frike dhe imagjinate, “po sikur bota jonë të marrë fund?”.

    Përtej ekzotikës së profecisë majane, po të lexosh ca raporte organizmash ndërkombëtare  e studime të pavarura, mund të kuptosh që fundi i botës nuk duhet të jetë aq larg. Të paktën, fundi i botës njerëzore.

    Fundi i botës sonë

    Njerëzit e pritën fundin e botës sikur do vinte nga qielli, një rudiment fetar i lashtë i mbetur brenda nesh. Në fakt, fundi i botës mund të vijë shumë shpejt nga veprimtaria e njeriut. Më shumë se nga Zoti, ai vjen nga vendime administrative të papërgjegjëshme, të ndihmuara nga korporatat e mëdha apo individët me ndikim të madh në vendim-marrje, vendime që nuk na bëjnë më as përshtypje dhe na kalojnë si lajme rutinë. I tillë është dhe plani urbanistik i Tiranës. Nuk kam ndër mend të merrem me planin, sepse falë kulturës së arrogancës mbi të cilën është ngritur shteti shqiptar, këtu nuk dëgjohet as zëri i specialistëve, jo më i kolumnistëve. Nuk është se se ky plan do zhdukë botën. Por, ai, përfundimisht, zhduk Tiranën, ose atë që ka mbetur nga Tirana. Ky plan, zhduk shpirtin e qytetit.

    Shpirti i keq i Tiranës

    Oswald Spengler, shkruan në “Rënien e Civilizimit Perëndimor”, tek kapitulli “Shpirti i Qytetit”, që ndryshimi mes qytetit e fshatit, është se qyteti ka ‘shpirt’. Ky shpirt, mund të kuptohet edhe duke parë siluetën e një qyteti. Silueta e Tiranës që tani të le shije të keqe për shpirtin e qytetit. Por, modifikimet e planit të ri, krijojnë një makth akoma më të keq.

    Çfarë ëndërrojnë për Tiranën ata që e kanë bërë këtë plan (përveçse, “fjetoreve” të reja dhe pallateve të reja)?

    Fundi i Tiranës që njohim

    Tek “Tiranat e padukshme” (SH, 1/5.2011) jam përpjekur ta lexoj Tiranën përmes syve të Italo Calvinos dhe kryeveprës së tij, Qytetet e Padukshme. Calvino flet për një qytet (imagjinar), Zobeiden, që u ndërtua sipas ëndrrës së atyre që ndiqnin një grua. Mijëra burra kishin parë të njëjtën ëndërr, me të njëjtën femër të bukur që bridhte në rrugët e një qyteti të panjohur. Në ëndrrat e tyre ata ngrinin mure e cepa për t’i prerpë rrugën, për t’i ngritur kurthe femrës së bukur e të panjohur. Gjetën njëri-tjetrin, u takuan së bashku, dhe ndërtuan qytetin që kishin parë në ëndërr. Njeriu që vjen në këtë qytet nuk kupton kush e ka ngritur kaq të shëmtuar. Është një qytet i ngritur mbi ëndrrat e atyre njerëzve.

    Kur sheh Tiranën, pas fasadave, mes rrugicave, mes pallateve, ku s’merr dot frymë, ku as kateve të 5-ta nuk u bie më dielli, ku ka vetëm parkingje e fjetore, herë xhungël e herë rrjetë merimange, pyetja që më lind, e që ka brenda dhe përgjigjen, është, “çfarë kanë parë në ëndërr ata që e kanë ngritur këtë qytet??”

    Tërmete dhe termite

    Sado zhurmë të bëjë propaganda zyrtare, plani i ri urbanistik vetëm jep liçensë për të ndërtuar të tjera ëndrra horrori në këtë qytet. Mjafton ai element i planit që mundëson bërjen e shtesave të rejave të pallateve, anash ose lart, për të imagjinuar se çfarë “ëndrre” na pret.

    Një arkitekt, më thoshte para disa vitesh që Tirana ka shumë ndërtesa që mund të mos i bëjnë ballë një tërmeti të fortë. Kjo na rikthen tek fundi i botës. Fundi i botës mund të vijë dhe nga poshtë. Një Zot mirëdashës, mund të dërgojë një tërmet, e ta zhysë në pluhur këtë qytet (duke shpresuar të mos ketë asnjë viktimë). Ose, thjesht, banorët mund të vendosin të ikin që këtej, të zhvendosen diku tjetër. Civilizimet e Amerikës paraevropiane kanë njohur edhe raste kur banorët kanë brakstisur një civilizim befas, e janë zhvendosur diku tjetër, duke lënë pas vetëm gjurmët e qyteteve të tyre të vdekura.

    Fundi i botës mund të jetë dhe një ushtri termitesh, mund të jetë dhe një sulm alienësh, mund të jetë dhe një dekadencë a varfëri ekonomike që do na detyrojë të  rrisim përsëri dele që do i ushqejmë te parku Rinia.

    Prandaj, do doja të shihja përtej planit të ri urbanistik të Tiranës, pa shpirt brenda.

    Një Tiranë e re, qoftë pas tërmetit apo pas termiteve, do duhej të ishte një Tiranë e parë me një sy tjetër. Një Tiranë që të ketë shpirt. Nëse do na jepet mundësia ta rindërtojmë këtë qytet, do duhej ta bënim duke e parë me sytë e një fëmije.

    Tirana e parë me sytë e fëmijës

    Tirana, duhet të jetë për fëmijët, dhe si fëmijët. Fëmijët duan vendet e egra. Jo parqet. Duan hapësirat ku është lënë natyra të bëjë punën e vet. Ndërkohë që në Tiranë nuk po ngelet metër katror pa u mbushur me ndërtime, fëmijët ëndërrojnë krejt të kundërtën, vende, ku dora e njeriut ndërhyn sa më pak. Copa pylli. Rrënoja të braktisura. Vende ku fantazia e lodrat e tyre të mund të harlisen. Madje, fëmijët i duan shumë dhe pirgjet e dheut. Më shumë se tapetet e gomës në lokalet me lodra, ku prindërit pinë kafe e fëmijët lozin nëpër dhoma me dysheme gome. Mbi një pirg dheu, fëmijët rrokullisen, hapin vrima, bëjnë shtëpi balte, luajnë me kështjella. Ata duan një pirg dheu në vend të asfaltit apo dhe të gomës. Ajër, në vend të kondicionerëve.

    Në Tiranën  e rrokaqiejve... (sa trishtues ky term, “kulla” i quajmë grataçielat tona që jo vetëm nuk i rrokin qiejt, por na kujtojnë vendet e ngujimit, ndaj u shkon aq shumë të thirren “kulla”.) Në Tiranën e kullave, fëmijët lëvizin me ashensorë, ndërkohë që fëmijët duan shkallët – një pallat nuk mund të ketë më shumë shkallë sa një fëmijë të mund ti zbresë me vrap. Kati i 5-të ishte maksimumi që një fëmijë të vijë në shtëpi me frymën që i merret, për të pirë ujë e për t’u kthyer në lojë poshtë pallatit. Në pallatet mbi 5 kate, loja “bjeri ziles e futja vrapit” nuk mund të ketë më kuptim. Fëmijët nuk mund t’i bien ziles e të zbresin me vrap 11 kate.

    Një Tiranë, pra, për fëmijët. Dhe për gratë. Tirana e re, e pas tërmetit, duhet ndërtuar e parë me sytë e gruas.

    Tirana e parë me sytë e gruas

    Një grua e dashuron ujin. Ky qytet nuk ka ujë. Nuk ka shatërvane, çezma, një lumë (çik më serioz se Lana), ujëvara artificiale, ekspozita me akuj. Në Tiranë ti nuk ke as një urë mbi të cilën të rrish duke soditur poshtë. Para ’90-s, të rrije te ura e Lanës ishte një nga vendet e preferuara. Femrat, i duan vendet ku mund të shohësh e të të shohin. Sheshet rrethore, të qendërzuara. Femrat, duan hapësirë për të parë horizontin. Edhe kur lajnë enët, ato kanë nevojë të shohin nga dritarja, për të kontrolluar fëmijët dhe gjithçka ndodh jashtë.

    Prandaj mua do më pëlqente që Tirana të ndërtohej prej grave... (sigurisht, jo nga këto gratë në pushtet që mendojnë e ndjejnë si burra.) Gratë, do të ndërtonin një qytet ku jetohet. Burrat, ndërtojnë një qytet ku vihet vetëm për të fjetur. Gratë do të ndërtonin një qytet ku fëmijët të luajnë, burrat një qytet ku fëmijët të stërviten. Gratë duan hapësira ku të mund t’i shohin fëmijët edh enga dritarja, burrat do preferonin që fëmijët të mos lëvizin nga vendi.

    Tirana e parë me sytë e endacakut

    Përveç burrave, grave e fëmijëve, ky qytet ka edhe endacakë. Endacaku, sado i përbuzur e i konsideruar si qenie aseksuale, apolitike e acivile vetëm se nuk jeton në një “kullë” me ashensor, është një përbërës esencial i qytetit tonë. Është një riqarkullues. Është individi që merr mbeturinat tona e i ripërdor. Endacakët tanë mund të kenë përfunduar në fund të zinxhirit të qytetit prej fatkeqësisë, rastësisë, ose sepse sistemi nuk u ka dhënë asnjë shans. Por, ata janë aty. Gërmues të përjetshëm. Në botën tonë të tejngopur me stres, ata jetojnë mes një lirie që ne, skllevërve të konsumizmit na duket e pakuptimtë.

    Endacakët janë aty. Tirana e pas-tërmetit duhet të garantojë për ta lirinë për të gërmuar, dhe lirinë për të fjetur të mbrojtur në vend të hapët. Çdo qytet që ua heq atyre cepat ku mund të flenë dhe vendet ku mund të gërmojnë, është një qytet pa liri. Dhe kundër lirisë.

    Tirana e parë me sytë e të verbrit

    Keni provuar ndonjëherë të mbyllni sytë kur jeni në Tiranë?

    Po ta bëni, ky qytet ju ofron vetëm zhurma makinash dhe britma. Njerëzit bërtasin, sepse ndërtesat që i rrethojnë u bërtasin atyre. Një i verbër, duhet të orientohet mes britmash. Një i verbër, nuk mund ët prekë asgjë. Asgjë që ti prek nuk të jep një orientim, as shtyllat, as trotuari, as muret. Çfarë ka sot, nuk e gjen nesër.

    Tirana e re, nëse një botë e re do të lindë mbi gërmadha, do duhet të ketë një shpirt.

    Tirana e Re e re

    Unë nuk gjej dot asnjë shpirt më të pastër se ai i një fëmije, më të paqtë se ai një gruaje, më të lirë se ai i një endacaku dhe më të ndjeshëm se ai i një të verbri, për t’ia dhënë Tiranës së pas-apokalipsit. Mund të duket një imagjinatë e tepruar dhe një ëndërr e parealizueshme, meqë apokalipsi doli huq në datën që na kishin lënë majat. Por unë besoj se apokalipsi po afrohet çdo ditë nga pak. Pas çdo VKM-je, pas çdo privatizimi korporativ e pas çdo plani urbanistik.

    revistaklan.com

     

  •  

    Në këtë kohë gazetat e revistat zakonisht zgjedhin Njeriun e Vitit. Edhe ne e bëjmë. Jo se kemi shumë për të zgjedhur, po nuk mund të rrimë pa e kopjuar edhe këtë. E bëjnë ata, e bëjmë dhe ne. Ne ndjehemi të detyruar të zgjedhim njeriun e vitit, si ata vejanët që nxjerrin dhe një pjatë të dytë, për atë që nuk është më. Jashtë e zgjedhin se kanë nevojë të prioritizojnë ca vlera, të shquajnë ca merita, të bëjnë një përmbledhje të asaj që ka ndodhur gjatë një viti. Man of The Year ngërthen në vetvete edhe frymën e atij viti. (Ngërthen, ë? Fjalë-kufomë. Çdo vit na vdesin dhjetëra fjalë. Vdes “ngërthimi” dhe lind “like”. Vdes shqipja dhe ngadhnjen Facebooku.) Jashtë, “njeriu i vitit” thotë me të vërtetë diçka. Kurse ne nuk kemi shumë për të zgjedhur. Prapëseprapë, kemi media që me stoicizëm shpallin votime në fundvit, edhe pse votimet janë gjëja më pak serioze në këtë vend. Dhe ka “fitues” që gëzohen seriozisht. Nuk pyesin se çfarë kanë bërë realisht për të qenë “njeriu i vitit i aksh gazete”. Rëndësi ka që, me vota, ashtu rezulton. 
    Prandaj unë po zgjedh njeriun tim të vitit, pa votime, arbitrarisht, sa për t’ju kujtuar se ku jetojmë. 

    I mirë ose i keq 
    Njeriu i vitit i revistës Time është një njeri i fuqishëm, që ka ndikuar për mirë o për keq në zhvillimet botërore të atij viti. Ka zgjedhur dhe Stalinin (nja 2 herë) dhe Hitlerin, Ruzveltin, Gandin... Në të njëjtën frymë Le Monde zgjodhi Julian Assange dhe presidentin brazilian Lula në 2 vitet e fundit. Financial Times i zgjedh me profil ekonomik, që nga themeluesit e Google, tek CEO i Goldman Sachs e tek Steve Jobs. The Guardian, zgjedh njeriun që ka ndikuar më shumë duke “bërë lajm”. Thelbi, ngelet pak a shumë tek ndikimi, për mirë apo për keq. Po të nisemi nga njeriu më me ndikim, sigurisht Shqipëria ka vetëm 1 alternativë të vetme, pa konkurencë. 

    Mund të qe Kryeministri 
    Kam vënë re se me kryeministrin kemi një pasion të përbashkët: Ndërtimin e rrugëve. Por, na ndan pak preferenca për Ricky Martin. Kam idenë se Martin, (që produktin e fundit të mirë e ka më 1999) është pika që shënon dhe fundin e argëtimit për Kryeministrin. Mbase që nga ai vit, ose ca më parë, ai ka pushuar së shijuari art, e më rradhë, si njeri. Ose, mund të jetë shija personale e atyre që i administrojnë faqen. 
    Për t’u kthyer te Njeriu i Vitit, mendoj se tek njëri parametër, tek ai që ka të bëjë me ndikimin për mirë apo për keq (“për keeeq”, më duket se dëgjoj ulërimën e mijëra njerëzve) në jetën e botës sonë të vogël (sa të vogël, thonë ata që na shohin nga jashtë), ai e meriton të ishte njeriu i vitit. Nuk ka asnjë qelizë të administratës ku nuk janë shtrirë pushteti i tij, lidhjet, e tij, zgjatimet e tij, satelitët e tij, vullneti i tij. Ky shtet, nuk funksionon dot në këtë gjendje që është, qoftë edhe sikur AI të ikë 3 ditë me pushime. Kur ai bën not, shteti fle. Kur ai fle, shteti nuk ekziston më. Ky shtet, është shndërruar në një karkasë, në zemrën e së cilës gjendet vetëm një njeri, e ku përqëndrohen të tëra fijet. Kryeministri. 
    Por, “Njeriu i Vitit” nuk i takon thjesht prej “pushtetit” një njeriu. Ky titull ngërthen kreativitet. Është frymëzim. Është lëvizje. Është frymë e përcjellë. Karkasa jonë, me fijet në duart e tij, nuk lëviz. As ka kreativitet. As shpresë për të arritur diku. Ka vetëm një frymë të qelbur që mund ta përballojë me optimizëm vetëm Çili. Nuk e di ku janë varret e 4 të vrarëve të 21 janarit. Por, besoj se fosfori i kockave nën shi, natën, verbon. 
    Në 2011 do qe shumë kollaj për ta zgjedhur Njeriun e Vitit, qoftë të mirë apo të keq. Sivjet jo. 

    Një politikan simpatik 
    Nuk ekzistojnë politikanët simpatikë, të paktën jo te ne. Sistemi i përzgjedhjes së tyre është i tillë që e përjashton këtë mundësi. Delet, janë simpatike, por kur janë në fushë. Qentë, janë simpatikë, por kur lozin me frisbin. Ujqit janë simpatikë, por kur janë në borë. 
    Kur futen në zyrë, kur marrin pushtet, kur bëhen tufë, janë të shëmtuar dhe për të ardhur gjynah. 
    Përballë gjenden 3 figura të opozitës, Rama, Spahiu e Topi, dhe secili e ka shansin të jetë Njeriu i Vitit 2013, por jo i këtij viti. Nuk kanë arritur asgjë. Dhe nuk ka rëndësi për faj të kuj. 

    Artist, ekologjist, shpikës 
    Ju e dini që s’ka. Më thoni një artist që ju ka ndryshuar jetën me artin e tij, dhe jam gati t’ja jap atij titullin. Më thoni një person që bëri diçka që të na frymëzojë për të jetuar në paqë me natyrën, dhe ja japim atij. 
    Ne kemi artistë, si dhe ekologjistë. Por impakti i punës së tyre në këtë vend është 0. Arti ynë, ekologjia jonë, janë për gjynah. Në mënyrën tonë të jetesës nuk ka asgjë artistike e aq mëpak ekologjike. 
    Është edhe Rita Ora. Por unë nuk i kam dëgjuar ndonjë këngë, nga ato 3-4 që ka. Dhe nuk e di sa njerëz ishin vërtet në shesh për të, apo ishte dallga e tortës. Çmimi për kreativitetin për të gjeneruar ndryshime, në vendin tonë nuk i shkon dot as një artisti e as ekologjisti, aq më pak shpikësi. 

    Mund të ishte biznesmen 
    Mafia. Fazlliç. Evazion fiskal. Nënpagim i punëtorëve. Kontrata në të zezë. Konkurencë e pandershme. Biznes anti-ekologjik. Më thoni një biznes të suksesshëm që nuk futet te këto kategori, dhe çmimi është i tiji. 

    Mund të ishte gazetar 
    Por ju e dini që s’mundet. Gazetarët, ata të vërtetët, janë të varfër e jo mondanë. Ka shumë ambicie për mondanitet në këtë profesion. Bazuar mbi guximin për të thënë të vërtetën, pa doreza, rrethi sa vjen e ngushtohet. Sigurisht, ka disa që kanë mbetur në opozitë. Ka që nuk heqin dorë. Por kjo nuk mjafton. Të jesh në opozitë nuk është vlerë apriori. Nganjëherë e për disa, është dhe fat i keq. Kanë mbetur nga ana e gabuar e kufirit. 
    Është dhe Mero Baze. Në këto kohë të errëta, njeriu ka nevojë që edhe duke lexuar një editorial, të gjejë shpresë. Të gjejë të vërtetat që shumë i mendojnë e askush s’i thotë, të artikuluara publikisht. Në këto parametra, Baze do ta meritonte Njeriu i Vitit, jo thjesht për atë që shkruan, por dhe për guximin për t’iu kundërvënë makinës së shtetit. Është fat i madh që lufta e tij personale bashkohet me luftën e shumë të tjerëve, por kjo nuk besoj se mjafton. 

    Mund të isha unë 
    Në përzgjedhjen e kandidaturave për Kryetar Bashkie, kam dëgjuar shprehjen “s’ka kë vë tjetër”. Tendenca për ta parë veten si qendrën e universit përcillet tek të tërë ne, si kob. Na duket, që po nuk ishim ne, bota nuk do rrotullohet. Brenda secilit prej nesh, vërtitet shpresa egoiste, “pse mos e marr unë. Ç’kanë të tjerët më shumë?” Nuk është se kanë më shumë, por nuk është meritë e imja nëse secili, në këtë vend, nuk bën asgjë për askënd tjetër përveçse për rehatin tij personal. 

    Mund të ishte “protestuesi” 
    Po ju e dini më mirë se unë, që ne jemi popull skllevërish, alias, popull Facebooku, ndaj ‘protestuesi’ ynë do ishte qesharak. Më kujtohet portreti që Time kishte zgjedhur për të personifikuar “protestuesin”, mund të ishte dhe burrë dhe grua. Protestuesi ynë do ishte një prototip i veshur me D&G, që ëndërron një android e një Minicooper. Do jetë pak e vështirë dhe ta dizenjojmë. 
    Dikush mund të thotë që “protestuesi” te ne egziston. 21 janari, mund të ishte një shembull. Por, nëse do bënim foton e “protestuesit”, do na dilte prapë fotoja e kryeministrit. Që është i vetmi që ka liçensë për të protestuar në këtë vend. 

    Mund të ishte “shqiptari” 
    Më vjen keq, por termi shqiptar, është shumë i vagullt. Ka shqiptarë që thanë për të vrarët e 21 janarit “mirë ua bënë, se na prishën pllakat”. Nëse ata janë shqiptarë, i bie që unë nuk jam. Atëherë, s’mund t’ja japim vlerën atij që nuk ekziston. 

    Jevgu i Vitit 
    Në këtë vështirësi zgjedhjeje, Njeriu i Vitit mund të kishte qenë Karl Marksi. Gjithçka që ai ka shkruar, unë e lexoj në realitetin shqiptar. Punëtorët që s’kanë asgjë veç krahut të punës, të lidhur në pranga e që quhen kredi bankare. Kapitalistët që duan vetëm të majmen, duke shkatërruar çdo gjë e duke marrë mbivlerën. Por as Marksi nuk mundet, pasi Njeriu i Vitit, duhet të jetë një njeri i gjallë. 
    Më vjen ndër mend një këngë e Luca Carbonit, “Kam parë edhe ciganë të lumtur...”. U kujtova, që edhe unë kam parë. I kam parë, të varfër, të paarsimuar, jashtë çdo sistemi e pa provuar kurrë ethet e pushtetit, duke bërë punët më të rëndomta në këtë vend. Por, të lumtur. Në mes të boshllëkut e vanitetit, ata, çuditërisht janë të paktët ndër ne që mbartin ende një copë jete njerëzore. Ashtu, kam njohur një rom pa dhëmbë në gojë që buzëqeshte vazhdimisht. Ia kam harruar emrin. Por, në dorë kishte një tatuazh të shëmtuar me inicialet e së shoqes, që kishte dhe më pak dhëmbë se ai. I martuar, me të njëjtën grua prej 20 vitesh. Kishin shumë fëmijë që mezi i ushqenin, në një barangë që kullonte shiun e baltën, por, brenda mjerimit, ishin njerëz. Dhe qeshte me gojën pa dhëmbë. 
    Ai, jevgu, gabeli, romi, evgjiti, cigani. Ai është Njeriu im i vitit. Për një arsye të thjeshtë. Nga brenda, të tërë jemi si ai. Të shtypur, të dhunuar, të marrë nëpër këmbë, pa liri e pa të ardhme, në mëshirën e ‘bosave’. Vetëm nga jashtë shkëlqejmë. Si të na kishin lyer me fosfor. Ai ka vetëm një gjë të vogël më shumë, edhe pse nuk e di. Duke mos qenë në asnjë nga kategoritë e mësipërme ai ka atë që pretendentët për Njeriun e Vitit na kanë marrë pa kthim, të qenit njerëz.

     

    Revista Klan

     

  •  

    Nga kopjet, na ndodhi batërdia që po e festojmë 100 vjetorin me flamuj të deformuar e me mutacione. Sepse, dikush i ra fare për shkurt, download-oi foton e parë që gjeti nga Interneti dhe e futi në prodhim në seri. Mund të ketë edhe ndonjë konspiracion të vogël nga pas, ta zëmë një shtet që “nuk na e do të mirën” (në psiqikën tonë kombëtare e kemi edhe këtë koncept, shtete që nuk na e duan të ‘mirën’!), vendosi të tallet ca e ta përdhosë gëzimin tonë... si ata nxënësit që qëllimisht ua japin kopjen gabim të dobtëve. Flamujt mbushën tregun, ballkonet e makinat. Dhe një nxënësi që është mësuar të mbijetojë në shkollë veç me kopje, as nuk di se si, e as nuk e ka mendësinë e të kontrolluarit të asaj që “i falin”. 
    Biles edhe rrahja e gjoksit me grusht, (më shumë se rudiment) mund të shihet si një kopje e pafajshme nga gorillat. Fundja, ne sa lindim, marrim vesh nga farefisi që “ti je kopja e...” si një element gëzimi. Duket sikur fëmijët që nuk i ngjajnë askujt përbëjnë problem. Kopjet, janë më të sigurta. Fisi qetësohet. 

    Kopja, Zanafilla 
    Në filmin “Anija e Ëmbël” të Daniele Vicarit (shfaqur në TIFF 2012), një film që trajton dramën e 20 mijë shqiptarëve që rrëmbyen anijen që transportonte sheqer, “Vlora”, dhe kapërcyen me të detin deri në Bari, ka një skenë që më është shtampuar, për të mos ikur më, në kujtesë. Të mbyllur brenda në stadiumin e Barit, të ‘fortët’ grumbullohen bashkë dhe krijojnë zonën e tyre të influencës. Madje, ata shtien në dorë dhe nja dy vetura, dhe ekipet e TV-ve italiane kanë mundur të xhirojnë sesi ata i përplasin veturat me njëra-tjetrën, me egërsi, duke xhiruar gomat në qendrën e fushës së blertë. 
    Te kjo sjellje mund të zbulosh shumë tipare të shqiptarit të atyre viteve (që nuk është më larg këtij të sotmit). Bëhet fjalë për njerëz që për herë të parë, ndoshta, hipnin në një veturë. Dhe gjëja e parë që bënë ishte të kopjonin filmat me ndjekje të dhunshme që kishin parë në TV. 

    Kopja rikthehet
    Kopjet janë metodë veprimi jona, e përditshme, paçka pse na hedhin poshtë shi ato vlera që ne i trumbetojmë me të madhe, nderin, zgjuarsinë, pasurinë. Njeriu që kërkon kopje me të tëra mënyrat është në fakt një njeri pa nder. Përveçse vjedh pronën e dikujt tjetër, çka e bën të vobektë me atë që po kërkon (pasuria!), përveçse kopja tregon paaftësinë për t’ia dalë vetë (zgjuarësia!), të lypurit e të jetuarit në kurriz të asaj që kanë bërë të tjerët, është një mënyrë jetese pa nder. Kujtoni fytyrën e atij që ju kërkonte kopje në gjimnaz, kujtoni çdo detaj të fytyrës e të shikimit, për ta kuptuar këtë. S’ju kujtohet asnjë? Epo, dikush ju mban mend. 

    Kopja e zezë 
    Në një festival filmi të shkurtër, dikush kish marrë një tregim të Heminguejt e i kish vënë sipër emrin e vet si skenarist. Nuk ishte një përshtatje, ishte një kopje mot à mot nga origjinali, që nuk ishte cituar as si burim frymëzimi. Edhe unë kam ‘kopjuar’ titujt e filmave me Batman, duke i përshtatur si mestitujt të shkrimit. Ne e kemi kthyer kopjen në standard jetese. 
    Kopjohet logoja dhe monumenti i 100 vjetorit; kopjohen këngë, kopjohen tekste këngësh, kopjohen modelet e flokëve të Rihannës e Gwen Stefanit; kopjohen pps-rat që vinin me emaile e tani postohen në FB; kopjohen qëndrime të moderatorëve të huaj, e deri në mënyrën si mbajnë dosjen a duart, si flasin a si qeshin; kopjohen teza doktorature, masterash e çfarëdo lloj pune tjetër shkollore e akademike; kopjohen programe partish, ide elektorale e deri edhe tag line fushatash; kopjohen logo televizionesh e skenografi emisionesh; kopjohen skenarë të pamiratuar e të varrosur në sirtarë por që më pas miratohen; kopjohen deri dhe piktura; kopjohen festat e huaja... kopjohet deri edhe mënyra si bëhet qejf! 
    Dhe pas tërë kësaj, kopja nuk është më e zezë. Ne nuk mund t’ia pranojmë vetes që standardi ynë është i zi. Vetë jeta jonë kthehet në një kopje, por ne nuk na bëhet MË vonë. 
    Shumë përtuan t’i ndërrojnë flamujt e pasaktë. “Hajt, se punën e bën”. 

    Kopja për gjithmonë 
    Komoditeti që të ofron kopja, është global, jo vetëm shqiptar. Ndryshimi qëndron tek mënyra sesi shoqëria e percepton dhe e dënon. Tezat e doktoraturës mund të kopjohen edhe në Gjermani. Por, atje, një ministër apo kryetar parlamenti që zbulohet me tezë të kopjuar e nxjerrin në pension, dhe me turp. Në Fanarin në Breg të Adriatikut nuk guxon as t’ua përmendësh. 
    Në Fanarin në Breg të Adriatikut, kopjacët shikohen me nderim e respekt, qysh në bankat e shkollës. E kundërta, ata që nuk japin kopje, përbuzen e përqeshen, deri edhe dhunohen nga shokët e klasës. Denigrimi i atij që mëson, që lodhet e që punon për të arritur diçka është krimi më i madh ndaj së ardhmes. Ne po krijojmë gjenerata kopjacësh, që dhe kopjen e marrin me dhunë, ose, tani vonë, me teknologji. Teknologji, e përdorur në mënyrën më negative e kundër-produktive të mundshme. Pa folur për faktin se te ne kopjohet keq. Flamurët me deformime, tregojnë sa të papërgjegjshëm jemi edhe në kopje. Kopjohet edhe me djallëzi - i famshmi kod zgjedhor spanjoll. 

    Kopja Përgjithmonë 
    Shqipëria sot nuk i ka mjetet për të kontrolluar kopjen. Nuk ka ligje të plota e as instrumente që të mbrojnë idetë nga kopja. Kopja është shkatërruesi më i madh i asaj që tek ne promovohet më fort si vlerë shoqërore, shoqërisë konkuruese. Në tregun e vlerave nuk hyhet me vlera, por me kopje të vlerave të dikujt tjetër. Kjo përveçse shkatërron elementët konkurues dhe zbeh nevojën e dëshirën për të punuar, për t’u rritur e ecur para, ka dhe një efekt shumë të rëndë ndaj të ardhmes. Zhduk kreativitetin e një populli. Ju mund të mos e vini re, por unë vërej një popull që nuk krijon dot më as art, as vlera, asgjë. Një popull që në botë nuk përfaqësohet dot me asgjë. Krenohemi me Kadarenë e kohës së diktaturës dhe me shkollën tonë (ruse) të baletit, po të asaj kohe. Ndërsa kopjojmë R’n B, hip-hop e turbofolk, në 22 vjet ne nuk kemi ndërtuar dot një muzikë pop shqiptare. As një shkollë filmi. As një festë. Kalamajtë tanë kanë kopjuar “trick or treat” të Halloween-it në “karamel apo tëmerr” (kjo, tha dikush, gjykuar nga shtimi i përdhunimeve nga pleqtë 80 vjeçarë të 12 vjeçareve, e kthen këtë frazë, për tmerr, në një pyetje retorike). Ne nuk kemi krijuar asgjë përveçse një shoqërie të deformuar nga modelet që shohim në TV, një Eurotrash të mirëfilltë, pa asnjë shenjë dalluese. Tani nuk bën dot as një bisedë të hajrit, se të tërë të tregojnë çfarë shkru njëri në FB. 
    Ne nuk krijojmë dot më. 
    Në vendin tonë/ kudo valojnë/ flamujt e një melankolie/ të trishtueshme... shkruante Migjeni. 

    Ringritja e kopjes së zezë 
    Në një studim të huaj, thuhej që pas disa brezash, ata që do vijnë mund të mos jenë në gjendje të përdorin teknologjinë e shpikur nga brezat e sotëm, sepse njeriu sa vjen e bëhet më pak i pavarur në të menduar. Në kohën e teknologjisë, njeriu gjithnjë e më pak mendon si i pavarur. Ngjajshëm, mund të themi që gjithë këta breza kopjacësh që po krijojmë mund të bëjnë që një ditë, askush të mos ketë nevojë të krijojë më në këtë vend. Është kaq e lehtë të kopjosh. 
    Liria e të menduarit, që çon në liri kreative, te ne nuk ka ekzistuar që në djep. Krejt fisi mendon atë që mendon trau i shtëpisë. Shkolla jonë shkatërron çdo frymë pavarësie në mendim. Liria e të menduarit, thuajse nuk ekziston as si vlerë shoqërore, aq më pak të promovohet. Jemi thjesht një shoqëri kopjacësh e drejtuar nga kopjacë. 
    Ne nuk krijojmë dot më, dhe ky do jetë fundi i shoqërisë si e tillë. Do ketë makina, liderë, këngëtarë, celularë, televizorë, por nuk do ketë asgjë të re. Një shoqëri që vetëm konsumon kopje, pa u lodhur. Nuk do ketë as muhabete interesante, do ketë vetëm përsëritje të gjërave të dëgjuara diku tjetër. Si një poezi që e kam lexuar më parë... 
    Në vendin tonë/ kudo valojnë/ flamujt e një melankolie/ të trishtueshme.../ dhe askush s'mund të thotë/ se këtu rron/ një popull që ndërton/ diçka të re. 
    Por, fundja kujt i bëhet vonë?

     

    revistaklan.com