credins
Data sot është 19-05-2013, ora 00:51

Author Bios

Blogs by this author:

  •  

    Publikimi i një liste me emrat e atyre që nuk denjojnë të paguajnë taksat e makinave private, si dhe i lajmit për arrestimin e një akademiku shqiptar në anën tjetër të botës për vjedhje në supermarket, janë që të dyja, lajme pa rëndësi të madhe praktike në jetën e shqiptarëve. Askujt nuk i hyn gjë në xhep apo i del gjë nga xhepi nëse e ashtuquajtura, paria e vendit, i paguan taksat minimale të makinave apo jo. Megjithatë, janë që të dyja lajme me domethënie të madhe.

    Taksat e makinave janë në një sistem të tillë në Shqipëri ku të pasurit paguajnë pak ose aspak. Por sa më të varfër ta kesh makinën, aq më shumë e ke barrën fiskale. Paguan më shumë në vlerë nominale dhe akoma më shumë në përqindje ndaj të ardhurave. Megjithatë, ato një në shtatë familje shqiptare që kanë makinë, e kanë të pamundur të mos i paguajnë taksat, sepse në çdo cep rruge ka nga një polic.

    Përjashtim këtu bëjnë një grusht shqiptarësh, të cilët rezultojnë më të fortë sesa policët, si edhe vetë policët. Në Shqipëri qarkullon një shprehje “makinë polici” dhe nënkupton një makinë me targa të huaja, d.m.th pa targa të ligjshme në Shqipëri dhe rrjedhimisht, një makinë që nuk paguan as taksa e as police sigurimi. Kjo lloj makine mund të shkelë rregullat e qarkullimit dhe të mos ndëshkohet. Mund të konsiderohet ironike, por aty ku unë pi kafen në mëngjes, pranë televizionit shqiptar, një polic ka një detyrë të veçantë që nuk e kanë shokët e tij. Ai duhet të ngrejë lëpirësen dhe me britma histerike dhe me këmbëngulje, duhet të ndalojë qarkullimin dy herë në ditë kur kalon Kryeministri me shpurën e tij. Por në fund të turnit, merr një makinë me targa greke të parkuar në kundërtabelë dhe ikën në shtëpi.

    Lista e mospaguesve të taksave, ose gangsterëve më të fortë se policët e qarkullimit, përmbante mijëra emra. Por me një sy të thjeshtë, qe e pamundur që të mos dalloje emrat e “VIP”-ave, të të ashtuquajturës “elitë” shqiptare, nga kompani të konsideruara “serioze” gjermane, si Aeroporti i Rinasit, te emra politikanësh, zyrtarësh të lartë, apo zyrtarësh të ulët. Taksat nuk i kishte paguar ministri i Financave, por nuk i kishin paguar as disa zyrtarë të tij. Dhe po t’i hyje më thellë, mund të dalloje se taksat nuk paguheshin jo vetëm nga zyrtarët, por edhe nga vëllezërit, motrat, gratë e njerëz të tjerë të tyre. Bëhet fjalë pra për një farë lloj shpure. Është mbreti mbi ligjin, por është edhe kushëriri i tij i parë, i dytë… i tridhjetëepestë.

    Media e kishte paksa me siklet të merrej me këtë lajm, pasi edhe shumë gazeta e televizione ishin në listë. Një pjesë e madhe e evazorëve, i lejon vetes të mos paguajë taksa makinash, sepse gëzojnë një “imunitet” përballë policit të rrugores. Dhe një pjesë e konsiderueshme e listës, kanë makina të reja dhe të shtrenjta, të cilat në sistemin shqiptar taksohen fare pak.

    Ndryshe ndodh me pjesën tjetër të shqiptarëve, të cilët meritojnë emrin “viktima”. Ato taksohen më rëndë, nuk kanë “imunitet” ndaj policëve dhe detyrohen t’i paguajnë taksat një më një. Dhe këto kanë vendosur ta pranojnë viktimizimin pa bëzajtur.

    Por pjesa më spektakolare e lajmit për taksa të papaguara, qe reagimi i zyrtarëve. Zëdhënësja e Presidentit i tha fillimisht “Balkan Insight” se nuk kishte komente për të bërë sepse qe pushim. Pak orë më vonë, i tha gazetës “Panorama” se “makina për shkaqe objektive nuk është përdorur nga Presidenti, por gjithsesi taksat janë paguar në rregull deri më 2011 ndërsa më 2012, makina i ka kaluar një personi tjetër”. Të nesërmen publikoi një dokument për Kontrollin Teknik, të kryer në maj 2010 dhe në bazë të saj, pretendoi se vërtetohej fakti që taksat qenë paguar deri në vitin 2011.

    Drejtori i zyrës që publikoi listën, fillimisht deklaroi se ajo qe e saktë dhe e përditësuar. Pak orë më vonë, tha se “lista kishte gabime” dhe akoma më pas, e hoqi linkun e saj nga faqja zyrtare.

    Ndërkohë, media na tha se ndërsa në Tiranë qenë të listuar VIP-at, në rrethe ndodhte e njëjta gjë. Atje ishin në listën e mospaguesve zyrtarët vendorë, shumë prej të cilëve kanë tashmë në pushtet që prej një apo dy dekadash, janë pajisur me policë vendorë për të plotësuar kuadrin e beut me qehaja. Ata janë zëvendës-VIP-at, ose zëvendësgangsterët. Edhe ata kanë imunitet, por të kufizuar në hapësirën përkatëse gjeografike.

    Kemi një vend ku njerëzit janë më të rëndësishëm sesa ligjet. Një shtet mesjetar ku beu drejton, të tjerët vuajnë.

    Gazeta Shqip

  • Në serinë e shumë shashkave që hedh çdo ditë për të harruar problemet reale të vendit, Kryeministri Sali Berisha iu drejtua gazetarëve pak ditë më parë, për të thënë se nuk i pëlqen kronika e zezë. Sipas arsyetimit të tij, media botërore nuk merret me kronikë të zezë dhe se kjo që bën shtypi shqiptar është “një sëmundje”.

    Në fakt, as ne gazetarëve nuk na pëlqen. Nuk na pëlqen të raportojmë për vrasje në seri për hakmarrje, të cilat klasifikohen si “vrasje të paralajmëruara”, nuk na pëlqen as të raportojmë për njerëz që i vënë flakën vetes. Problemi është se kjo është tematika që ofron vendi ku ne jetojmë. Vrasje mafioze, vrasje për gardhin, të mitura që vrasin dhunuesin, pasi kanë njoftuar fillimisht policinë dhe nuk kanë marrë mbrojtje. Natyrisht që vërdallë ka plot maniakë që kërkojnë të raportojnë edhe ngjarjet nga kronika në detaje që shkelin etikën apo privatësinë. Por problemi kryesor është te fakti se vrasjet dhe krimet janë pjesë e realitetit shqiptar. Sipas të dhënave të Zyrës së OKB-së për Drogën dhe Krimin, në Shqipëri vriten 4 vetë në çdo 100 mijë banorë, disa herë më shumë nga sa vriten në Kroaci, (1.4), Itali, (0.9), Greqi, (1.5), Bosnjë, (1.5), Maqedoni, (1.9) etj. Vështirë të gjesh ndonjë vend në kontinentin europian me përjashtim të Rusisë apo Ukrainës, ku vrasjet janë kaq të shumta sesa në Shqipëri. A na pëlqen kjo? Jo, natyrisht që nuk na pëlqen dhe më pak kronikë e zezë nëpër faqet e gazetave do të na bënte mirë. Problemi është se nuk është në dorë të gazetarëve që në Shqipëri të vriten më pak njerëz. Ka shumë gjasa që është në dorë të Kryeministrit. Ndërkombëtarët i klasifikojnë vrasjet në dy kategori: vrasje të rëndomta dhe vrasje mafioze. Për fat të keq ne kemi një kategori të tretë: vrasje të paralajmëruara. Vrasje të ndodhura në kushtet e konfliktit të vazhdueshëm për të cilin policia është në dijeni, por është e paaftë ose i mungon vullneti për të parandaluar.

    Një nga rastet e tmerrshme të kohëve të fundit qe vrasja e kryer nga Nazime Visha, e cila e kishte kryer një denoncim më herët në polici, por policia nuk e kishte parë të arsyeshme të ndiqte denoncimin për përdhunim të një minoreneje. Nuk janë gazetat që mund ta parandalonin këtë vrasje. Në fakt është Kryeministri që mund të parandalojë shumë të tilla duke pushuar nga puna e ndoshta, duke vënë në ndjekje penale policët përgjegjës.

    Vrasja e kryer nga Nazimja mund të qe mbyllur me dy-tri lajme në gazeta. Por nuk mbyllej dot kështu, për shkak se policia kërkoi të mbronte paaftësinë e vet duke publikuar provat hetimore për të thënë se në fund, qe 14-vjeçarja e përdhunuar që e kishte fajin. Kryeministri duket se nuk ia ka mësuar mirë ligjet në fuqi policëve të tij, sepse këta të fundit nuk e dinë ende se marrëdhëniet seksuale me të mitur, me apo pa mirëkuptimin e të miturës, janë vepër penale. Kryeministri, në vend që të ankohet për sasinë e kronikës së zezë nëpër media, duhet të ankohet për paaftësinë e policëve të tij.

    Vrasje tjetër e paralajmëruar qe ajo që u krye pak ditë më parë në Mamurras. Një konflikt i njohur mes dy familjeve që sakaq kishte shkaktuar dy viktima dhe shkaktoi edhe një të tretë. Sërish policia rezulton inekzistente.

    Këto që thamë më sipër janë krime të rëndomta, të shkaktuara nga konflikte të njerëzve të zakonshëm. Por është e vështirë të mendosh për kronikën e zezë në media dhe të mos mendosh për katër të ekzekutuarit para Kryeministrisë më 21 janar 2011 apo për Lirak Bejkon që u vetëdogj, pasi refuzoi të vijojë të gënjehet nga Kryeministri. Vetë Kryeministri mund t’ia kishte kursyer shqiptarëve pamjet e Lirakut, sipas fjalëve të gruas së të ndjerit, “duke e gënjyer edhe një herë”.

    Nëpër të gjithë median e botës, vrasjet zënë vend. Një vrasje enigmatike e një britaniku në Francë pak kohë më parë, zaptoi lajmet kryesore në BBC e në media të tjera për shumë ditë. Por fakti është se nuk ka shumë vrasje britanikësh dhe rrjedhimisht, as media britanike nuk ka se si të shkruajë çdo ditë për vrasje. Vrasja e një biznesmeni britanik në Kinë zuri faqen e parë të “The New York Times” gjithashtu për shumë ditë.

    Kryeministri ka shumë të drejtë të mos e pëlqejë dominimin e kronikës së zezë të shtypit shqiptar. Por atij dhe vetëm atij i takon të luftojë fenomenin, jo duke hapur një debat banal mbi faktin nëse media duhet të raportojë krimet. Por duke luftuar krimin, sepse kjo është pjesë e axhendës së tij të punës. Ai po qeveris aktualisht mbi një shtet që po shkërmoqet nga dita në ditë dhe ai nuk ka vullnetin për të reaguar, pasi është i zënë nën zgripin e interesave elektorale që prodhojnë krim të gjithfarëllojshëm.

    Është shumë e vështirë për një Kryeministër që prodhon vazhdimisht kronikë të zezë, të ankohet për faktin se media raporton mbi atë çfarë ai bën.

    Ka gjithmonë një tregim të jashtëzakonshëm për një ushtar gjerman që shkoi në studion e Picasso-s në Paris dhe gjeti një kartolinë të Guernica-s, kryeveprës dedikuar bombardimit të një qyteze baske nga avionët gjermanë.

    Ushtari e pyeti piktorin: “Kush e ka bërë këtë, ti?”

    “Jo,” – iu përgjigj Picasso. “Atë vepër e keni bërë ju”.

     

    Gazeta SHQIP

  • Vendosja e rafinerisë ARMO në sekuestro preventive për llogari të një banke shtetërore azerbajxhanase, si dhe privatizimi i “Albpetrolit” këtë vjeshtë mund të krijojë një situatë ku Presidenti i Azerbajxhanit, Alyiev, të kontrollojë një copë të rëndësishme të ekonomisë shqiptare.

    Rafineria ARMO u vendos dy ditë më parë në sekuestro konservative, pasi Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit pretendon se pronarja e ARMO-s, kompania AMRA Oil, i detyrohet 75 milionë euro të depozituara katër vjet më parë.

    Ndërkohë, burime diplomatike bëjnë të ditur se një kompani me lidhje me Azerbajxhanin është kandidati më i mundshëm për privatizimin e “Albpetrolit”, kompania shtetërore shqiptare e nxjerrjes së naftës, e cila është në praktikë edhe pronarja e rezervës së naftës së nëntokës shqiptare, të cilën e shfrytëzon pjesërisht vetë dhe pjesërisht përmes kontratave koncesionare.

    Berisha pas konfiskimit?

    Banka azerbajxhanase u përfaqësua me prokurë të posaçme në Gjykatën e Tiranës nga avokatja Erinda Ballanca, e njohur mes të tjerash edhe si avokatja e Kryeministrit Sali Berisha në një gjyq kur Aneta Rama, e ëma e kreut socialist Edi Rama, e akuzoi për shpifje. Vendimi i Gjykatës së Tiranës për konfiskimin e ARMO-s më 8 gusht erdhi vetëm një javë pasi kompania “Albpetrol” dorëzoi një kërkesë të ngjashme për një borxh disavjeçar të vjetër që ARMO i ka pa shlyer. “Albpetroli” është kritikuar në shumë raste, (përfshirë edhe nga një raport i Fondit Monetar Ndërkombëtar) për faktin se ka për të marrë 5 miliardë lekë, (rreth 35 milionë euro) nga ARMO, por nuk ka bërë asnjë përpjekje përgjatë shumë viteve. Përkimi i dy padive, i bankës azere nga njëra anë dhe i “Albpetrolit” nga ana tjetër, mund të sjellë konfiskimin total të 85 për qind të aksioneve të ARMO-s nga dy borxhlinjtë.

    Vendimi i gjykatës, i firmosur nga gjykatësi Ilir Celiku, është marrë më 3 gusht dhe në të thuhet se gjykatësi është informuar nga sekretaria për kërkesën e “Albpetrolit” që pati mbërritur vetëm dy ditë më parë, më 1 gusht.

    “Rezulton me vërtetimin e sekretarisë gjyqësore që pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, datë 01.08.2012 ka nisur një proces gjyqësor ndaj Shoqërisë “Armo” sh.a. me paditës shoqërinë ‘Albpetrol’, ku kjo e fundit kërkon një shumë prej 5 105 466 732 lekë si përmbushje e detyrimeve kontraktore, si dhe penalitete në masën 268 978 959 lekë. Nga sa më sipër, rezulton qartë që ekzistojnë dhe kreditorë të tjerë, të cilët mund të kenë pretendime mbi aksionet e kësaj shoqërie, 85% të të cilave zotërohen nga shoqëria AMRA Oil sh.a., aksione këto që pretendohet të jenë blerë me shumën objekt gjykimi”, thuhet në vendimin e gjykatës.

    “Albpetroli”

    Qeveria ka vendosur ta shesë “Albpetrolin”, megjithëse asnjë përgatitje paraprake për një shitje të rregullt të një kompanie strategjike nuk është bërë. Që nga koha kur “Albpetroli” u nxor në shitje në fillim deri tani, tenderi është shtyrë disa herë dhe qeveria e ka shtuar paketën e shitjes fillimisht me një licencë kërkimi nafte në tokë e në det, pastaj me një licencë për tregti gazi dhe së fundmi, me një licencë për ndërtimin e një rafinerie në bregdetin e Durrësit.

    Borxhi i pakthyer

    Rafineria ARMO u privatizua në prag të zgjedhjeve të kaluara për 128 milionë euro. Për shumë vite, burimi i financimit u përfol gjerësisht në Tiranë, por nuk u pranua kurrë publikisht. Së fundmi, bëhet e ditur se financuesi ka qenë një bankë shtetërore nga Azerbajxhani. Paratë e përfituara nga shitja e ARMO-s financuan fushatën elektorale të rizgjedhjes së qeverisë aktuale.

    Shqipëria do të shkojë në zgjedhje pas më pak se nëntë muajsh dhe privatizimi i “Albpetrolit” është interpretuar gjerësisht në Tiranë si një përpjekje e qeverisë për të arkëtuar paratë e nevojshme për të financuar rizgjedhjen e vet.

    Ilham Aliyev mund të bëhet shpejt jo vetëm njeriu më i fuqishëm i Azerbajxhanit, por edhe njeriu më i fuqishëm i Shqipërisë.

    Shqip

     

  • Disa thirrje të nacionalizmit folklorik gjatë viteve të fundit na e kanë paraqitur bashkimin kombëtar (që sot për sot nënkupton bashkimin mes Shqipërisë dhe Kosovës) si ndonjë akt solemn në të cilin do të ngrihet një flamur dhe do të shpallet botërisht shteti i përbashkët.

    Nacionalistët që flasin për bashkimin kufizohen këtu: te debati nëse duhet të bashkohemi apo jo. Pyetjet se si mund të realizohet kjo e çfarë nënkupton bashkimi në vetvete nuk janë shtruar kurrë. Pyetjet më elementare se çfarë forme qeverisjeje do të ketë shteti i ardhshëm i imagjinuar, ku do të jetë kryeqyteti etj., nuk janë shtruar kurrë. Dhe kjo tregon se për fat të keq, megjithëse bashkimi kombëtar shihet tashmë si një proces i pashmangshëm, ata që e propagandojnë këtë ide, nuk kanë kaluar përtej nacionalizmit idealist drejt realitetit praktik.

    Shqiptarët dhe kosovarët janë një komb dhe tentativat për të krijuar një komb kosovar me simbole e identitet duket se janë të pashpresa dhe nuk kanë të ardhme. Por përveç identitetit të përbashkët, të dy vendet janë shumë të ndryshme nga pikëpamja e institucioneve, sistemeve ekonomike dhe ligjore, sistemit fiskal, shkallës së zhvillimit institucional etj.

    Vetëm duke menduar disa elemente nga këto si dhe vështirësitë praktike në atë që mund ta quajmë në gjuhën e BE-së “përafrim institucional”, të bën të mendosh se nëse e nisim sot punën e bashkimit, ndoshta pas disa dekadash do të mund të themi se do të jemi me të vërtetë një komb dhe një shtet. Një proces i tillë jo vetëm që do të kërkojë shumë kohë, por do të kërkojë edhe aftësi shkencore e institucionale, administratë publike mirëfunksionale dhe sistem politik të prirur nga kompromisi, si dhe politikanë largpamës. Procesi nënkupton përqendrimin e burimeve ekonomike dhe njerëzore kombëtare për arritjen e krijimit të institucioneve të përbashkëta. Të gjitha këto, për fat të keq na mungojnë. Politika shqiptare në Tiranë e Prishtinë është në zgripin e sistemit të kleptokracisë. Politikanët ia besojnë pushtetin darovitjes së parasë, pozicioneve publike që prodhojnë para në këmbim të votave. Sistemet akademike në të dy vendet janë shumë larg të qenët institucione frymëzuese kombëtare, ndërsa universitetet janë shumë larg të qenët qendra kërkimore shkencore.

    Në këtë pikë, bashkimi kombëtar ngjan si një ëndërr e largët, e cila është e destinuar të mbetet ëndërr edhe sikur 100 për qind e popullatës të të dyja vendeve ta mbështesin me entuziazëm.

    Pyetja e parë që shtrohet është se nëse shqiptarët do të bashkohen, shteti i ardhshëm do të jetë federativ apo i centralizuar. Cila do të jetë shkalla e autonomisë vendore? Ku do ta ketë selinë qeveria qendrore a federative? Cilat do të jenë të drejtat e votës së qytetarëve të të dy shteteve?

    Shqipëria ka aktualisht një sistem administrativ dy nivelësh me bashki dhe komuna, ndërsa Kosova e ka me një nivel, pra ka vetëm komuna. Përcaktimi i një kryeqyteti të ri për qeverinë e përbashkët është një pyetje që deri më sot nuk ka tërhequr asnjë argumentim. Përcaktimi i Tiranës si i tillë, nënkupton në një farë mënyre pushtimin e Kosovës nga Shqipëria. Ndërtimi i një kryeqyteti të ri në kufirin mes dy vendeve mbart kosto të mëdha.

    Pyetje të tjera të rëndësishme përfshijnë sistemin fiskal, i cili në Kosovë është më i zhvilluar dhe mirorganizuar sesa në Shqipëri, sistemi i pensioneve, të cilin gjithashtu Kosova e ka më të mirë, sistemi i prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë, sistemi i postës dhe telekomunikacioneve, unifikimi i sistemeve bankare, i mbikëqyrjes bankare, i ligjeve me impakt të gjerë shoqëror si kodet e punës apo kodet e familjes.

    Pyetja tjetër e madhe është se çfarë monedhe do të përdorin këto dy vende. Është e qartë se në një farë pike, Kosova dhe Shqipëria do të anëtarësohen në eurozonë, por kjo gjë nuk pritet të ndodhë se paku në njëzet apo tridhjetë vitet e ardhshme dhe deri në atë kohë, në mënyrë që të funksionojnë si një ekonomi, të dy vendet do të duhet të kenë një monedhë të përbashkët ose monedha të ndryshme të lidhura me kurs fiks. Këto janë vetëm një pjesë e vogël e problemeve që hasen kur përpiqesh të imagjinosh një shtet të përbashkët.

    Secila prej pjesëve të bashkimit kërkon reforma në secilin prej vendeve, të cilat janë të dhimbshme dhe që refuzohen nga politika e ditës për shkak të kostos politike që mbartin. P.sh, Shqipëria do të duhet të kopjojë një sistem pensionesh të ngjashëm me atë të Kosovës, por kjo nënkupton njëkohësisht reformimin e sistemit aktual të pensioneve, reformë që refuzohet vazhdimisht nga qeveria për shkak të kostos politike që mbart.

    Në rast se diskutohet bashkimi i borxheve sovrane, problemi që del është fakti që Shqipëria ka një borxh shumë më të madh sesa Kosova. Në rast se diskutohet bashkimi i sistemit të postës dhe telekomunikacioneve, problemi që del është që telekomunikacionet në Shqipëri janë tërësisht në duar private.

    Të gjitha këto të bëjnë të mendosh se nacionalistët që po përpiqen ta kthejnë bashkimin në platformë politike në të dyja anët e kufirit, janë të kufizuar tek idealet e shekullit të kaluar dhe janë shumë larg realitetit praktik.

    Shqip

  • Komentatorë publikë në Tiranë, Shkup, Prishtinë e emigracion kanë qenë shumë të shqetësuar gjatë ditëve të fundit pasi një grup shqiptarësh të Maqedonisë protestuan ndaj arrestimeve të disa shqiptarëve nga qeveria maqedono-shqiptare Gruevski-Ahmeti si “ekstremistë islamikë”. Shqetësimet e komentatorëve lidheshin ngushtësisht me faktin se protestuesit dolën në protestë si muslimanë me një flamur jeshil me shkronja arabe dhe ku flamuri kombëtar me shqiponjë qe një element i dorës së dytë.

    Shqetësimi lidhej me imazhin e shqiptarëve, që për disa parapëlqehet të kufizohet si imazhi i një kombi me “identitet evropian” [nënkupto laiko-kristian] ose që mund të quhet edhe “kompleksi i të paturit elementë orientalë.” Debati i kokave të mençura të kombit në të gjitha trojet dhe në Europë dështoi të shkojë më thellë mbi shkaqet se pse shqiptarët e Maqedonisë protestuan në atë mënyrë që protestuan, por u mjaftuan me deklarimin se një shfaqje e tillë e identitetit fetar si një element unifikues në protestë qe i papëlqyeshëm, i dëmshëm për kombin e të tjera si këto.

    Ndërkohë, ndërsa mbi atë grup shqiptarësh që protestuan në Shkup rënduan kritika të tilla, nuk mbaj mend që elitat e publicistikës shqiptare t’i kenë kushtuar sado pak vëmendje dhunës psikologjike me elementë fetarë dhe shovinistë që qeveria maqedonase e Gruevskit po ushtron mbi shqiptarët atje. Shpenzimi i qindramilionë eurove për të ndërtuar përmendore në qendër të Shkupit, përmendore që i kushtohen një perandorie pagano-kristiane që në fakt nuk ka ekzistuar kurrë, duke injoruar në tërësi identitetet komplekse që ka ky qytet, nuk ka tërhequr vëmendjen e analistëve oksidentalistë të trojeve shqiptare. Këto ditë, në Shkup filloi ndërtimi i një kishe të re ortodokse, një nismë nga ato të zakonshme të Gruevskit që synon të ngrejë në qiell popullatën maqedonase dhe t’i konsiderojë si miza shqiptarët. Kisha në fjalë, e cila pritet të kushtojë tmerrësisht shumë shtrenjtë, ka marrë sakaq emrin “Kisha e Gruevskit”.

    Shto këtu shembjen e xhamive 500 vjeçare dhe zëvendësimin e tyre me kisha perfekte të stilit bizantin, a thua se janë ndërtuar në Kostandianopojë dhe jo në katundet e Maqedonisë.

    Analistët nuk janë ngacmuar as nga mungesa akute e institucioneve shoqërore mes shqiptarëve të Maqedonisë, gjendjen e mjeruar ekonomike, kulturore e shoqërore në të cilën ata gjenden pas 100 vjetësh persekutimi të vazhdueshëm, etj.

    Duke e vizituar Maqedoninë herë pas here, po jap një përshkrim të shkurtër se çfarë kam parë nga gjendja e shqiptarëve që jetojnë atje: në Strugë ka klube me muzikë bashkëkohore si te blloku në Tiranë, me vajza me minifund dhe popullatë nga ato që rëndom quhen “moderne” dhe “mendjehapur”. Por në Strugë ka gjithashtu varfëri masive dhe, nga 40 a 50 rrugë, vetëm një a dy kanë emra shqiptarësh.

    Në Ohër, popullsia shqiptare është në minorancë, janë rreth 10 mijë. Bëjnë punët më të rëndomta, (nëse e kanë një të tillë), nuk kanë shkollë të mesme, nuk kanë bibliotekë shqip dhe niveli tepër i ulët arsimor ia bën të vështirë të formojnë fjali të plota.

    Në Manastir, një komunitet i vogël shqiptarësh të mbetur mbijetojnë si tregtarë të vegjël. Në Shkup rastisa të takoj një shqiptar 60 vjeçar, i cili nuk qe në gjendje të plotësonte një faturë hoteli sepse qe tërësisht analfabet. Një shofer taksie më tha se qe i pakënaqur nga partitë politike atje sepse partia e tij shqiptare nuk ia kishte shpërblyer mbështetjen që i kishte dhënë dhe nuk e kishte emëruar… shofer te spitali.

    Nëpër gazetat e shqiptarëve atje, vështirë se mund të kalojë ndonjë ditë pa u publikuar një lajm ku të thuhet se në këtë apo atë qytet nuk po zbatohet Marrëveshja e Ohrit, sepse shqiptarëve nuk i kanë dhënë proporcionin e vendeve të punës që i takon sipas marrëveshjes. Marrëveshja e Ohrit, e cila teorikisht duhej t’i jepte shqiptarëve status të barabartë, është kthyer në një pazar vendesh pune në administratë, aq pak vende pune sa mund të ketë administrata e një vendi të varfër si Maqedonia.

    Shkurt, shqiptarët e Maqedonisë janë një grup i margjinalizuar i shoqërisë së këtij vendi, të persekutuar tashmë prej dekadash, pa arsim e pa libra dhe mbi të gjitha, pa institucione shoqërore. Elita e tyre është ngushtuar në një grusht gjysëm-intelektualësh të kohës së komunizmit.

    Megjithatë, analistët që i shohin gjërat nga njëfarë Olimpi i rremë, nxitojnë të ankohen se pse shqiptarët në Shkup dolën të protestonin pas së premtes dhe me një flamur jeshil. Ndërkohë, asnjë protestë nuk ka ardhur nga ky Olimp për dhunën nacionaliste që Gruevski po ushtron prej kaq vitesh mbi shqiptarët, as mbi korrupsionin e të ashtuquajturës, udhëheqësi politike të shqiptarëve të Maqedonisë.

    Marrë nga Shqip

  • Studimet mbi demografinë janë nga më të vështirat. Burrat me mjekër kryejnë llogari që zgjasin shpesh me dekada dhe në fund japin konkluzione relative. Por këto teknikalitete shkencore vështirë se mund të hyjnë në punë në Shqipëri, veçanërisht po të dëgjosh Kryeministrin teksa flet pa pasur asnjë studim në dorë, për normën e vdekshmërisë foshnjore, jetëgjatësinë mesatare të popullsisë apo vdekshmërinë e nënave në lindje.

    Ja se çfarë na tha Kryeministri:

    “Shqipëria e sotme ka një mortalitet infantil njëshifror. Një arritje historike kjo, për këtë komb e këtë shoqëri. Mortaliteti infantil që e rendit Shqipërinë në grupin e vendeve të zhvilluara është një rezultante e zhvillimit të gjithanshëm ekonomik, social e kulturor të këtij vendi, por është gjithashtu dëshmi e një sistemi të kujdesit shëndetësor efikas”.

    Sipas Berishës, ne kemi pasojat, ne dimë edhe shkaqet. Detajet, si e qysh, për të cilat bota e zhvilluar investon miliarda për t’i studiuar, nuk kanë shumë rëndësi për Berishën. Për të, shqetësimi kryesor është çfarë të thotë në televizor. Nuk ka rëndësi nëse i duhet të flasë për të drejtat e homoseksualëve apo për vdekshmërinë foshnjore. E rëndësishme është të thotë diçka.

    Vendimet e djeshme të qeverisë p.sh., nuk kishin asnjë lidhje me fjalimin e Kryeministrit. Nuk merret vesh nëse mbledhja e qeverisë është një institucion vendimmarrës, ku caktohen se çfarë duhet të bëhet e shpërndahen urdhra, apo është një konferencë për shtyp e Kryeministrit. Nejse!

    Që të kthehemi te lindshmëria e vdekshmëria, këta janë tregues shumë të komplikuar, që shumë pak ekspertë mund t’i lexojnë. Që të dimë nëse jemi mirë apo keq me treguesin e vdekshmërisë foshnjore p.sh., na duhet të dëgjojmë ndonjë ekspert të regjur. Por të tillë nuk është se kemi shumë. Ajo çfarë mund të lexojmë është një studim i UNICEF, i publikuar në faqen zyrtare.

    “Shqipëria ka një nga normat më të larta të vdekshmërisë foshnjore në Europë, janë më shumë se tri herë më të larta se sa objektivi i BE-së”, thotë UNICEF. Natyrisht, të varfrit, për të cilët Kryeministri ka kohë që nuk flet, vdesin më shumë. “Norma e vdekshmërisë foshnjore për 20 përqindëshin e shqiptarëve më të varfër, është 26 për mijë, ndërkohë që për 20 përqindëshin më të pasur, është 6 për mijë”, thotë gjithashtu UNICEF, në një dokument të vitit 2010, që është firmosur edhe nga dy ministra të qeverisë së Berishës, ai i Shëndetësisë dhe ai i Bujqësisë.

    Sa për të informuar publikun e gjerë, norma e vdekshmërisë foshnjore është numri i fëmijëve të vdekur nën 1 vjeç për mijë lindje. Jo të gjitha vdekjet e fëmijëve janë si pasojë e prapambetjes së qeverisë, por UNICEF, me ekspertët e vet, vlerëson se një e treta e tyre janë rrjedhojë e kequshqyerjes.

    Sa i përket jetëgjatësisë dhe normës së vdekshmërisë bruto, këto dy tregues janë më të komplikuar për t’u analizuar, e normalisht, asnjë njeri serioz nuk mund të nxitohet e të dalë në konkluzione.

    Shqipëria ka normë vdekshmërie bruto 5 për mijë. Kjo do të thotë se çdo vit, vdesin 5 vetë në çdo 1 mijë banorë. Italia p.sh., që është një vend i pasur, ka vdekshmëri bruto 9.93 për mijë banorë, Gjermania e ka 11.04, Franca, 12.72. Me logjikën e Kryeministrit, që krahason vdekshmërinë e Shqipërisë me vendet e pasura, i bie që ne të jemi të lumtur, ndërsa gjermanët, italianët apo francezët, jo.

    Por, në anën tjetër, mund të themi se norma e vdekshmërisë bruto e Rripit të Gazës ka vdekshmëri edhe më të ulët se sa Shqipëria, 3.22 të vdekur për mijë banorë. Algjeria e ka 4.72 etj. Duket se diçka nuk shkon me këto statistika. Por në fakt, statistikat janë në rregull. Thjesht logjika që përdor Kryeministri nuk vlen për asgjë. Rregulli i parë kur krahason vdekshmërinë bruto të dy popullatave, është që këto të dy popullata që të jenë të krahasueshme, duhet të kenë të njëjtën moshë. Një vend plot me pleq si Italia, pavarësisht se është i pasur, nuk mund të ketë vdekshmëri më të ulët se sa një vend si Gaza. Për këtë arsye, norma e vdekshmërisë quhet “bruto”, d.m.th. që nuk merr parasysh detajet.

    Por më shqetësuese se sa mali i interpretimeve statistikore të gënjeshtërta, në rastin e Berishës është mënyra e propagandimit. Modeli i tij i propagandës vjen drejtpërsëdrejti nga koha e komunizmit. Edhe në atë kohë na mbushën me përralla mbi normat e vdekshmërisë foshnjore të para dhe pas luftës, përralla që bazoheshin në statistika të keqinterpretuara apo qëllimisht të falsifikuara. Dhe në vitet ’80, ndërsa shqiptarët po vdisnin për bukë në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës, propaganduesit vijonin të na ushqenin me statistika.

    Kam frikë se e njëjta gjë po ndodh edhe sot. Kjo gjë do të vijojë të ndodhë për sa kohë qeveritarët i kemi njëkohësisht edhe politikanë, edhe shkrimtarë, edhe shkencëtarë, edhe statisticienë, edhe artistë. Në fakt, nuk i kemi të vlefshëm për asgjë.

    Marrë nga Shqip

     

  • Ky vend mund të vuajë për shumë gjëra, por është një element për të cilin duket se nuk do të vuajë kurrë. Teoritë e konspiracionit mbi interesat e fshehta që mund të ketë çdo shqiptar sa herë që ngre zërin për një çështje të caktuar, qoftë edhe kjo interes i qartë publik. Kështu po ndodh edhe me nismën për grumbullimin e 50 mijë firmave që nevojiten për referendumin ku shqiptarëve do t’u kërkohet opinioni nëse janë dakord me importimin e plehrave apo jo.

    Ministri i Plehrave z. Mediu, i mirënjohur në Shqipëri për asgjë tjetër veçse shpërthimit të Gërdecit, deklaroi të premten se sipas opinionit të tij, referendumi kundër plehrave është organizuar nga Edi Rama. Në konferencë dukej se po merrnin pjesë vetëm kameramanët, pasi radhët e ndenjëseve ku zakonisht duhet të rrinë reporterët, qenë mbushur me punonjës të ministrisë.

    Opozita në fakt nuk ka nevojë t’u hyjë allandrave të mbledhjes së 50 mijë firmave sepse ligji i jep të drejtë që me një të pestën e të gjithë deputetëve të parlamentit, të kërkojë zhvillimin e një referendumi për çfarë t’ia ketë qejfi. Megjithatë, në një vend që ka qenë shumë gjatë nën darën e propagandës komuniste, e cila si çdo propagandë, bazohet te parimi se: “Çfarëdo argumenti që t’ju japin, mos e besoni sepse është djalli që po jua thotë”, edhe kjo teori konspiracioni zë vend, megjithëse nuk është e vetmja.

    Ndodhi që pak orë para se Mediu të ngrinte teorinë e tij të konspiracionit, njëri prej udhëheqësve socialistë na shtroi pyetjen nëse pas aleancës kundër plehrave fshihej Lëvizja Kuq e Zi. Ky gabim logjik është i njohur nga kohët e romakëve si *post hoc ergo propter hoc, *është i shpeshtë mes nesh.

    Një teori e tretë konspiracioni, e cila, megjithëse mund të duket e pabesueshme, ka po aq merita të jetë e vërtetë sa dy të parat, është që vetë kryeministri i vendit, Sali Berisha, po toleron dhe po nxit në mënyrë jopublike referendumin kundër plehrave.

    Është e qartë se Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve u tregua më shumë dashamirës nga sa pritej me kërkesën për formularin e mbledhjes së firmave. Ka arsye të besojmë se kryeministri i vendit po e ka të vështirë të mbajë në CV-në e tij historike një paudhësi si kjo. Është i kapur nga interesat e disa biznesmenëve që e gjejnë me leverdi ta kthejnë Shqipërinë në një kosh plehrash para se t’i përdorin fitimet e veta për të blerë shtëpi nëpër kryeqytetet e Europës së pastër dhe rrjedhimisht lejon organizimin e një referendumi. Të njëjtën gjë bëri edhe me marrëveshjen famëkeqe të faljes së detit Greqisë. Një kabllogram amerikan i zbuluar nga Wikileaks, bëri të ditur se kishte arsye të besohej se kryeministri i pati bërë të ditur gjykatës kushtetuese se e dëshironte marrëveshjen të rrëzuar. 

    Duke qenë se këto teori konspiracioni nuk kanë fund, na duhet të japim një shpjegim se kush janë organizatorët e referendumit, ai grupi i vogël që mbledh firmat e shqiptarëve: Në grup janë znj. Kozara Kati, një aktiviste e njohur e të drejtave të njeriut, disa goca dhe çuna të Lëvizjes Mjaft, z. Lavdosh Ferruni dhe disa qindra shqiptarë të zakonshëm, të paangazhuar në ndonjë ojq apo në ndonjë parti politike. Të gjithë këta nuk po punojnë për interesat afatshkurtra të ndonjë posti politik, por për interesin afatgjatë të shpëtimit të Shqipërisë nga plehrat. Deri më sot, asnjë politikan, i majtë apo i djathtë nuk e ka mbështetur fushatën për mbledhjen e firmave, as publikisht duke e firmosur formularin dhe as në mënyrë të fshehtë.

    Përkundrazi, janë të gjithë shqiptarët që po e firmosin. Ka prej tyre demokratë, socialistë, ballistë, (natyrisht nuk ka republikanë sepse i tillë është vetëm z. Mediu), por shumica janë njerëz pa parti. Kjo është dita kur ne mund të votojmë pa patur nevojë të zgjedhim të “keqen më të vogël”. Ne mund të zgjedhim të mirën, të zgjedhim kundër plehrave.

  • Shqiptarët, pothuajse e kanë harruar segmentin Rrëshen-Kalimash, 60 kilometra autostradë mes maleve që kushtoi 1 miliard euro dhe që u pagua pothuajse tërësisht me borxhe. Ajo rrugë u konsiderua me të drejtë si një sipërmarrje historike. Askush nuk mund të besonte në vitin 2006 në një sipërmarrje të tillë. Megjithatë ajo u bë. Qeveria thithi gjithçka kishte para në vend, mori kredi me interesa marramendëse në tregun ndërkombëtar dhe kushtëzoi gjithçka që të kryente një përurim të pjesshëm të veprës dy ditë para zgjedhjeve të vitit 2009.

    Për ironi, çdokush që shtronte pyetje elementare mbi kostot, u akuzua si armik i kombit. Një zyrtare e Bankës Botërore që nuk shihte logjikë ekonomike në një sipërmarrje të tillë, akuzohej se mbronte interesat e fqinjëve të paidentifikuar që ishin kundër rrugës së shqiptarëve. Kryeekonomisti i Bankës Botërore që i tha qeverisë diçka që dihet nga të gjithë, se një vend i varfër nuk mund të përballojë borxh në nivelin 60 për qind të PBB-së, u sulmua gjithashtu si armik.

    Ky sukses historik tashmë po jep frytet e veta. Jo siç deklaronte qeveria në rritjen e mirëqenies së shqiptarëve, por përmes rritjes së borxhit publik, humbjes së aftësisë kredituese të bankave për ekonominë private, rritjes së taksave dhe përballjes së vendit me një krizë buxhetore. Një logjikë kundërfaktuale tregon se në mungesë të 1 miliard eurove të hedhura në malet e Mirditës, vendi do të kishte sot borxh publik 10 për qind të PBB-së më të ulët, pra 50 për qind nga 60 që e ka. Bankat do të qenë detyruar të vijonin kreditimin e sektorit privat në një vend që ka ende uri për kredi për investime, shtëpi apo makina. Rritja ekonomike do të vijonte.

    Si për të mbyllur një nismë që shkoi përtej imagjinatës së ekonomistëve, qeveria vendosi dje ta japë rrugën me koncesion. Projekti madhështor dhe historik me koston e saj marramendëse, jo vetëm që nuk po nxjerr fitime për të shlyer veten e vet, por nuk po nxjerr para as për të garantuar një mirëmbajtje të zakonshme.

    Qeveria shqiptare ka bërë të ditur tashmë se ka si plan rezervë t’i drejtohet Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ndërsa ekonomia nuk rritet dhe qeveria ka ezauruar edhe hapësirën që kishte për rritjen e akcizave, kostoja e borxhit publik rëndon më shumë. Thirrja për ndihmë te FMN është më shumë një larje duarsh. Qeveria duhet të tregojë përgjegjësinë e saj ndaj vendit me të njëjtin pasion siç nxitoi të merrte meritat historike.

    Ajo duhet t’i thotë shqiptarëve të vërtetën. Se e ndërtoi rrugën me borxhe që shqiptarët duhet t’i paguajnë. Se ua rriti pagat dhe pensionet në vitin 2009 për t’i marrë votat, por kjo rritje pagash u mbulua gjithashtu me borxh që po shqiptarët do ta paguajnë. Deri më sot duket se është e gatshme të bëjë shumë pak dhe shumë vonë. Vendimi për të mos shpërndarë bonus për pensionistët është i drejtë, pavarësisht se i dhimbshëm dhe duket se nuk mjafton për të stabilizuar financat e vendit dhe për t’u kthyer te rritja ekonomike.

    Thirrja në ndihmë e FMN-së për të bërë diçka që vetë qeveria mund ta bëjë, është më shumë një tentativë për të hequr nga vetja përgjegjësinë. Nuk do të jetë qeveria ajo që do të rrisë taksat për të paguar borxhet që ka marrë, por do të jetë FMN-ja.

    Borxhi publik është problemi i parë dhe i fundit i vendit. Gjithmonë është e dhimbshme të marrësh masa për ta ulur, (e dhimbshme politikisht), por nuk ka rrugë tjetër.

    Marrë nga Shqip