credins
Data sot është 23-05-2013, ora 17:03

Author Bios

Blogs by this author:

  •  

    Disi në mënyrë paradoksale, ditën kur ministres së Arsimit në Qeverinë e Gjermanisë, Annette Schavan, Universiteti i saj, ai i Düsseldorfit, ia mori titullin e doktoraturës duke e vlerësuar atë si të vjedhur/kopjuar... në shtyllat e kryeqytetit të Kosovës në Prishtinë u shfaqën ca pamflete në të cilat “të interesuarit” ftoheshin që “x” personin ta thërrisnin në telefon nëse dëshironin t’i merrnin të gatshme, për një çmim të “arsyeshëm”, punimet shkencore të të gjitha natyrave dhe fushave. Dhe për të gjitha gradat shkencore.

    Kjo s’ishte tallje. Dhe kështu s’e mori as Universiteti i Prishtinës i cili përmes një komunikate shprehu shqetësimin për këtë dukuri. Për këtë më vonë. Mbrëmjen e së njëjtës ditë, komuniteti në Web 2.0 kishte shpërthyer. Emra studiuesish e akademikësh seriozë të Kosovës e Shqipërisë merreshin me fenomenet në fjalë. Edhe doktoraturën e ministres Schavan por edhe me njoftimin e “x” personit në Prishtinë. Reagimi i Universitetit tonë dukej i tepërt në ato shpoti e analiza, thirrje të reja për shkruarje doktoraturash e punimesh shkencore.

    Kjo rastësi e javës së shkuar e cila prekte trekëndëshin në relacionin Universiteti i Düsseldorfit- Berlini dhe paradoksalisht edhe Prishtinën tonë, s’ka dyshim që na sjell tek ajo maja e madhe e brengës që mund t’i themi tmerr e trishtim, mallkim e mëdyshje dhe për ata që ia dinë esencën këtij problemi edhe pyetjen po çfarë tash?

    Pra, çfarë pas kësaj gjendjeje në të cilën jeta akademike, në sektorin “publik” dhe në atë “privat” (e që në fakt janë një dhe e vetmja gjë) në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni- pra gjithandej ku flitet shqip, ka pësuar një degradim aq të madh dhe frikësues, ku titujt shkencorë janë në pazare dhe shiten e blihen, kontrabandohen e kamuflohen aq shumë dhe aq keq saqë tashmë thjesht është e pamundshme të fillohet të gjurmohet se kush kujt ia ka vjedhur apo shitur një punim shkencor- të të gjitha niveleve.

    Janë të panumërta listat të cilat do të dilnin në çdo sferë të shoqërive shqiptare dhe me këtë edhe qarqeve akademike me “akademikë”, doktorantë e të diplomuar që janë pjesë e këtyre degradimeve dhe thjesht kopjimeve që kanë ngjarë e po ngjajnë aq masovikisht dhe në mënyrë aq të pafalshme saqë njeriu e ka thjesht të vështirë të mos e ngrejë pyetjen: deri kur dhe para së gjithash si të dilet nga kjo situatë kaq e rëndë? Unë këtu nuk shoh rrugëdalje.

    Sepse janë të kota reagimet (si ai i Universitetit) apo edhe diskutimet që dolën pas “njoftimit” dhe që do pasojnë edhe ditët dhe muajt në vijim rreth kësaj tematike. Sepse problemi është esencial. Korruptimi dhe degradimi me titujt shkencorë është një e hidhur e madhe e cila mund të shikohet në të dy pikat ose drejtimet: nga lart - poshtë dhe anasajelltas nga poshtë- lart. Nga politikanë profesorët e deri tek studentët që duan të bëhen të tillë- në shkencë, ekonomi, drejtësi, politikë, kulturë, gjuhë e letërsi... që janë të zhytur në këtë kiamet përmasash tronditëse i cili sezon pas sezoni e brez pas brezi prodhohet në format e titujve shkencorë.

    Nëse dikush pretendon të përmendim e hartojmë emra dhe institucione, të identifikojmë njerëzit dhe me këtë edhe shkaktarët e pasojave në fjalë, e ka huqur. Sepse secili e di kush janë dhe kush jemi. Me një fjalë, ky fenomen është vetëm një prej përmasave të fenomenit korruptiv që ka kapur shqiptarët edhe në fushën arsimit e shkencës. Sikurse në të gjitha sferat.

    Po ç’të bëjmë me ata që i kanë fituar, i fitojnë dhe do t’i fitojnë titujt në mënyrë të ndershme. Pa huqe e truqe, pa vjedhje e kopjime? Është pyetja e cila nuk ka si të mos dalë vetvetiu. Në këtë nuk duhet të dyshojmë aspak pra që ka njerëz, të rinj e të reja shqiptarë që në Ballkan por, sidomos në Perëndim, me mund e djersë kanë fituar këta tituj me punë e përpjekje, sakrificë e mund të madh. Asgjë them unë. Këta janë dhe shyqyr që i kemi. Do ta kenë shumë më zor të depërtojnë në karrierat akademike dhe zinxhirore sepse dihet që tashmë shumica janë “trashur” me tituj por, në anën tjetër, është profesionalizmi dhe përgatitja e tyre akademike ajo që këta njerëz i bën të jenë të afërt tek studentët dhe të zotët në profesionet e tyre. Lehtësisht të dallueshëm dhe me këtë edhe identifikueshëm.

    Me një fjalë: krejt ata që punën dhe titujt e tyre i kanë me meritë nuk do të duhej të dyshojnë kurrën e kurrës në atë që bëjnë. E di që është konstatim më shumë etik sesa që provon të japë një zgjidhje... por ja që s’ka tjetër rrugë për këtë problem, përmasat e tij janë thjesht vullkanike. Dhe që është edhe më e rëndësishme: të gjithë ata që këta tituj i kanë fituar dhe fitojnë me hajni e mblesi, jo veç që shihen dhe ndjehen, por njeriu e di menjëherë që s’e kanë atë nivel. Që janë të (vetë)mashtruarit dhe (vetë)mashtruesit.

    Kthim prapa nuk do të ketë. Këtë e dimë të gjithë. Por ajo që do të ngjajë është edhe më e rëndë: do ketë stagnim. Siç e kemi tashti. Dhe siç ky do të dijë të jetë edhe më i rëndë. Sepse, shoqëritë shqiptare, nëse duan të shkojnë atje ku kanë synimin- në Europë dhe në mentalitet e civilizim në të cilin bien koka ministrash e ministresh për vjedhje që kanë bërë para dekadash e lëre më sot kur një software i thjeshtë mund të identifikojë edhe hajninë më të vogël në një punim... të shkohet atje pra... me këtë degradim të madh nuk do mundet askush. Prandaj të zgjedhim: o kështu siç jemi, o të ndryshojmë diçka. Është frikësuese. Sepse do duhen edhe gjenerata të tëra!

     

    Gazeta Zëri

  •  

    Ajo që me datën 14 janar të vitit 2013 ngjau në hapësirën e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (shkurt: OKB) është më tepër se një turp. Mënyra sesi politikani dhe diplomati serb, ish-ministri i Jashtëm i Qeverisë së Tadiqit dhe nipi i ish-funksionarit të Titos, Hamdija Pozderac-it, prej para disa muajsh edhe kryetari i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Vuk Jeremiq, organizoi festimin e Vitit të Ri Ortodoks serb, me muzikë e promovim të shtetit të tij në praninë e shumicës së diplomatëve të shteteve anëtare por edhe të vetë sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, ishte një prej atyre event-eve të cilat nuk do të duhej të kishin ndodhur dhe tash kur të gjithë panë dhe përjetuan që u bë: pendohen dhe kërkojnë falje.

    Përfshirë këtu, apo sidomos këtu, edhe sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, i cili përmes zëdhënësit të tij Martin Nesirky, të enjten në mbrëmje në briefing-un e rregullt me gazetarë në pyetjen e gazetarit boshnjak Erol Avdoviq dhe pas reagimeve të shumta të diplomatëve perëndimorë të akredituar në OKB, kërkoi falje për praninë e shefit të tij në atë koncert duke shtuar që kënga “Marshi në Drinë” nuk ishte e paraparë në programin zyrtar dhe se Ban Ki-moon nuk e kishte patur idenë se për çfarë kënge bëhej fjalë... Prandaj kërkim falja ndaj viktimave të cilat janë ndier të fyera e ofenduara.

    Për dallim nga i pari i OKB-së, vetë Vuk Jeremiqi, jo vetëm që nuk kërkoi falje por përmes edhe një komunikate shtesë për media bëri të qartë se nuk e ka ndërmend të shprehte keqardhje por përkundrazi “ai ndihet krenar” për atë këngë- duke e quajtur “ofendim për kombin serb” denoncimin që i bëhej nga boshnjakët dhe të tjerët.

    Tërë ky skandal i festës serbe me këngën “Marshi në Drin” me të cilën çetnikët e Mladiqit, Karaxhiqit e Milosheviqit në Srebrenicë për 48 orë i zhdukën nga faqja e dheut më shumë se 8000 civilë, pa harruar këtu masakrat e tmerrshme në Vukovar, Drenicë e Reçak duhet të ketë pasoja- edhe për shkakun që teksti i saj ishte ai autentiku- versioni i çetnikëve. Pra edhe me vargjet ku “gjaku rrjedh përmes Drinit”.

    Është për keqardhje që një i krisur dhe çmendur, një racist dhe paranoik si Jeremqi vazhdon të katapultohet dhe ketë podium në skenën e diplomacisë botërore mes “twitter”-izmit ku fyen shqiptarë e boshnjakë dhe glorifikimit të kulturës së krimit, luftës, shovinizmit dhe krejt izmave tjerë që janë kaq vështirë të përballueshëm si për frymën a diskursin e kulturës së kujtesës perëndimore ashtu edhe për vet përpjekjet e qytetarisë serbe për paqësim me popujt fqinjë.

    Në këtë mes nuk është për të mos u përmendur që në Serbi pati pokështu disa zëra që e gjykuan dhe dënuan këtë akt makabër të “Ujkut” serb. Nga Vesna Peshiqi (e quajti: “turp dhe kthim të Serbisë në mesjetë”) deri tek Sasha Iliqi (o cili i tha “mentalitet gastarbeiter”-ësh primitiv). Por këta zëra janë asgjë kundruall shumicës së po qytetarisë serbe e cila jo vetëm që natën e Vitit të Ri Ortodoks u ndje “krenare” dhe si në “ditët më të mira” përcillte via TV-së, “live”, promon serbe me korin beogradas “Viva Vox” dhe “Marshi n’Drin”. Dhe krenohej me “diplomatin e shkathtë” dhe birin e madh serb- Vuk Jeremiqin.

    Tërë kjo situatë groteske nuk do të meritonte ndoshta edhe aq këtë vëmendje poqese snajperisti i historisë dhe twitter-isti i shprehjeve raciste, Jeremiqi, të kishte kërkuar falje apo ta kishte quajtur incident të padëshirueshëm atë që të hënën në mbrëmje ngjau në vendin e idealeve dhe paqes- selinë e Asamblesë së OKB-së. Por jo.

    Komunikata e “kabinetit” të tij bëri që ta kuptojmë se ky as që e ka ndërmend të pendohet. Çka është edhe më keq: fakti që kënga “Marshi në Drin” nuk ishte futur në program zyrtar dhe për këtë edhe s’u paralajmëruan as Ban Ki-moon as të pranishmit të tjerë nxjerr në shesh dinakërinë dhe primitivizmin e këtij njeriu- kaq të urryer. Dhe me të drejtë të parë edhe nga vetë serbët si një fosili i së kaluarës, aksident i diplomacisë ballkanase, vegël e rusëve dhee kinezëve në OKB, politikan që e din ku e ka vendin (përjashtimi që do t’i bëhet nga DS-i don të thotë katapultim i tij në kampet nacionaliste) etj. etj.

    Për fat të keq, pos reagimit të ambsadorit të Bosnje Hercegovinës në OKB Muhamet Shaqirbejt dhe shoqatave boshnjake, por edhe mediave dhe diplomatëve të shteteve perëndimore, shqiptarët sërish ditën dhe mundën të ngecin.

    Është për keqardhje, bile është edhe gërditëse kur njeriu dëgjon dhe sheh politikanë e diplomatë, parti e liderë shqiptarë (të Shqipërisë) sesi kredhen me “komb” e “Kosovë” në Tiranë. Sesi formojnë liga e vizatojnë harta. Ndajnë pasaporta (virtuale) e nënshtetësi... Dhe në të njejtën kohë atje ku duhet, aty ku është vendi, jo vetëm që s’e lëvizin gishtin e vogël, as s’u dëgjohet zëri kund për së gjalli, por injoranca e tyre në këto e këso rastesh është ajo që më së shumti vret e godet! Kosova nuk ka as ulëse as diplomatë në OKB. Shqipëria po. Si do të ishte poqese këta diplomatë të Tiranës, të akredituar në selinë e OKB-së... të reagonin në “emër të kombit” dhe të denonconin këtë fyerje që iu bë bashkëkombasve të tyre nga Kosova me datën 14 Janar të vitit 2013?! Apo s’e dijnë ata kokëshpërlarë që me këtë “Marsh” jo vetëm në Bosnje por edhe në Kosovë u vranë dhe masakruan mbi 15.000 njerëz dhe u dhunuan rreth 20.000 gra e nëna shqiptare.

    Shembulli me incidentin Jeremiq dëshmon edhe njëherë: duken makabre dhe poaq tragjikomike lojërat shqiptaro-shqiptare sesi jemi “një” apo duam të bëhemi “një”... Kur njeriu sheh sesi dështohet në këto e këso rastesh si ky i Jeremiqit. Dhe plot e plot të tjera.

  • Shumica e përdoruesve të rrjeteve sociale (Facebook, Google +) që ngurrojnë në jetën reale… e ndiejnë veten të lumtur kur vetëshprehen, postojnë, lavdërojnë apo promovojnë në këto rrjete. Rreth 48 për qind të përdoruesve të internetit në dy vitet e fundit janë zhvendosur apo kanë emigruar nga përdorimi i faqeve të mediave profesionale (portale gazeta, televizionesh, dhe sidomos blogje etj.) në Facebook dhe Google +.

    Këto dhe këso studimesh të kryera kohëve të fundit nga firma e institucione të specializuara hulumtimesh në Gjermani, SHBA, Britani e Francë- pra kultura e audienca gjuhësh të pushtetshme, kanë shtruar nevojën e diskutimeve të mëdha. Me të gjitha dallimet e mundshme që edhe brenda vetë këtyre kombeve e vendeve mund të kenë.

    Një shembull konkret: derisa në SHBA, Britani e Francë, sfera e blogut (për të cilën pionieri i internetit Dave Winer thotë që është “një zë i vetëm i paredaktuar”) ishte, është dhe do vazhdojë të jetë diçka tepër elitare dhe për këtë edhe e thellë, në Gjermani, ose thënë edhe më shkoqur në sferën gjermanofolëse sprova që blogu të plotësojë nevojën e debatit dhe shtrirjes së gjerë, tashmë ka dështuar.

    Kurse në vendet e tjera vazhdon kaosi dhe me këtë edhe lufta e madhe e mediave që përmes pranisë mediale në internet të bëhen edhe paratë dhe përfitimi. Në këtë pikë janë pykat, pra pengesat që rrjetet sociale po e bëjnë kaq të vështirë të bëjnë edhe ndarjen mes amatorizimit dhe profesionalizmit. Dhe sidomos të asaj që do të quhej materializim i produkteve mediale virtuale.

    Në këtë mes s’ka si të mos ndalemi tek shqiptarët. Një prapambetje e cila çon edhe tek paradokse të cilat edhe në jetën virtuale në mënyrë ekzemplare japin atë që e kemi- pothuajse si në përditshmëri. Përparësia e madhe, për të mos e quajtur mrekullia e zhvillimit të rrjeteve sociale i ngjan kësaj autostradës Ibrahim Rugova. Shqiptarët pra, gjithandej në Ballkan përfshirë këtu edhe emigracionin (siç i thonë në Shqipëri) dhe Diasporën (që i themi në Kosovë e Maqedoni), virtualisht, duke iu falenderuar sidomos FB-së, Google + por edhe Twitter-it, tashmë janë “një”.

    Gjithsesi në pah dalin paradokset e mëdha. Aksidente që në mes të asaj hullie lëvizjesh, jo në komunikacion, por në komunikim. Në të gjitha nivelet e shtresat. Nga komunikimet normale deri tek vjedhjet- ndryshe s’kanë si të quhen, që mediat, për hir të “racionit” i bëjnë njëra-tjetrës. Një kolumne e x autorit nga Tirana, Bern-a a Prishtina, e sheh veten në web e gazetë tjetër, pa u pyetur gazeta as autori. Të drejta autoriale? Harrojeni këtë hesap! Mall që s’kushton. Kryesorja gazeta “mbushet”. Dhe sërish: racioni i “shtrirjes” plotësohet. Jemi “një”.

    Sidoqoftë, në krejt këtë kaos, mediat në tri, ose thënë edhe më saktë katër qendrat shqiptare i kanë veçoritë e veta. Katër sepse pos Prishtinës, Tiranës e Shkupit, një (epi)qendër e kemi edhe në diasporë. Jo në kuptimin e vend-ndodhjes sa të përfshirjes (hiper)aktive të shqiptarëve gjithandej në botë në interaktivitetin virtual mbarëshqiptar. Edhe këtu ka barcoleta: nga hiperpatriotizmi e deri tek hiperaktivitete të (vetë)shpalljes lobues deri tek (vetë)kandidatura për Çmime Nobeli. Për “romane”, “biografi”, “libra”, “filma”, “diplomaci” “politikë”, “publicistikë, “përkthime” e aktivitete katundesh Europe e Amerike as të mos flasim.

    Kjo, u shkon në nerva dukshmërisht profesionistëve në vendet amë… por jo rrallë ngjet që pa ndonjë kriter të theksuar gazetaresk edhe të blehen e më pas shiten këto e këso “suksesesh”. Marrë në tërësi, kemi të bëjmë me një pazar virutal shqiptar të cilit zor që ia gjen shoqin në Ballkan e Europë.

    Dhe sërish, në këtë pazar të madh, veçoritë e sidomos tri kryeqendrave shqiptare dalin në pah. Derisa në Maqedoni, në Shkup a Tetovë kemi atë molisjen e cila katapultohet nga shërbesat e melmesat virtuale fundamentaliste fetare, në Shqipëri, faqet online të gazetave shqiptare, përjashto sidomos Gazetën Tema e cila s’ka biznese por për këtë vijë të qartë redaksionale krejt të tjerat si Panorama, Shqip, Shekulli, Mapo etj. janë dorë a bisht (kush si e sheh) i zgjatur i bizneseve tjera që gazeta në këto raste u shërben si mburojë a praparojë (sërish kush si e sheh).

    Në kuptimin e virtualitetit total dhe profesional në web nga Shqipëria janë për t’u numëruar me gishta web-faqe profesionale: siç është Respublica apo siç është i palodhshmi dhe gadi dinosauri i blogut në shqip Ardian Vehbiu- ndoshta i vetmi “zë i paredaktuar”- me të cilin shërbehen gadi të gjitha mediat- pa përjashtim.

    Por për këtë në shumicën absolute të rasteve duke keqkuptuar kontinuitetin dhe me këtë edhe misionarizmin që puna e Vehbiut paraqet në këtë sferë. Marrë në tërësi dhe duke ditur që edhe ashtu s’ka para nga web-i gazetat në fjalë shërbehen lehtësisht me rrjetet sociale. Përdorim i dyanshëm në të cilin fakt është që fitues janë lexuesit dhe me këtë edhe përdoruesit e rrjeteve sociale.

    Në këtë frymë duhet parë edhe fenomeni i shtrirjes politike në rrjete në Shqipëri. Dhe pa hamendje: Edi Rama, nëse asgjë tjetër, do të mund të quhet edhe i pari revolucionar i rrjeteve sociale dhe virtuale në politikën shqiptare. Në FB dhe siodmos Twitter, ai është hiperaktiv. Aq sa edhe Doktori me spin doktorët e tij, nuk mundën që të mos e kuptonin se s’ka shteg tjetër pos të hidhet në këtë fushbetejë. Me plot kurthe dhe për këtë të minuar për të.

    Shumë më keq paraqitet situata në Kosovë. Atje, politika dhe elitat jo vetëm që s’e kuptojnë rëndësinë por thjesht janë aq prapa në shfrytëzimin e rrjeteve sociale, saqë ai (lider) që do jetë i pari ta çelë këtë shteg- do të fitojë shumë në terren.

    Kurse puna e mediave dhe marrëdhënieve të tyre me rrjetet sociale në Kosovë është edhe më e komplikuar se në Shqipëri. Gazetat provojnë të ruajnë atë treg të vogël dhe tmerrësisht kompetitiv si në print ashtu edhe në web.

    Përfaqësimi i tyre matet me gram dhe është thjesht e pabesueshme sesi sindromi i “pompave të benzinës” (komshiu hap pompë- pse jo edhe unë!) që u thonë “portale interneti” është shpërndarë gjithandej. Nëse lëmë anash portalin “Telegrafi” dhe deri diku edhe “Indexonline” të cilët përpiqen dhe ia arrijnë të bëjnë edhe produkte të veta, shumica absolute e portaleve të Kosovës nuk bëjnë gjë tjetër pos që vjedhin pronën dhe lajmin e gazetave e televizioneve në mënyrë të pamëshirshme, pa fytyrë dhe çdo kund tjetër të dënueshme. Krejt këto reciklohen më pas në rrjete sociale dhe dreqi s’e merr vesh prej kujt dhe kur akëcili lajm është botuar. Pa lënë anash këtu faktin se në këto portale mungon totalisht profesionalizmi: në redaktime tekstesh gëlojnë fyerje e sharje në komente lexuesish të frustruar… mungojnë linja redaksionale e çka jo tjetër. Një Pazar i paparë. Por për këtë i përjetuar tek çdokush që futet në të!

  •  

    Me datën 28 nëntor, në njërën prej gazetave më prestigjioze të Europës, “Neue Zürcher Zeitung”, një njohës i mirë i Ballkanit, por jo edhe mik i madh i shqiptarëve, më në fund, edhe pse në mënyrë të tërthortë, për këtë edhe kishte rëndësi, e pranonte: shqiptarët kanë arsye të jenë kombi më optimist në rajon dhe Europë. Koha e tyre po vjen.

    Duhet të thuhet kjo, sepse në një formë a tjetrën, kur edhe autorë si ky i sipërpërmenduri pranojnë diçka të tillë botërisht, atëherë nuk ka dyshim që edhe të tjerët na shohin siç ne po e ndiejmë këtë kohë që po “na vjen”. Megjithatë, në tërë atë dhe këtë eufori, ka diçka që nuk shkon. Bile edhe frikëson.

    Retorika e cila prej ditëve të festimeve të 100- vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar ka filluar të bëhet pjesë e përditshmërisë dhe diskursit medial (gjithë)shqiptar, e dirigjuar dhe sforcuar nga politika, jo vetëm që është e rrezikshme, por edhe mund të shndërrohet në një ogur të keq, i cili shoqëritë shqiptare në Ballkan mund t’i katapultojë në humnerën e gjithë asaj që vende e popuj fqinjë tashmë e kanë provuar, duke dështuar aq keq dhe aq rëndë.

    Të kemi aq shumë kapacitete ne si komb, të shkëputur në tri shtete (dy me shumicë dhe një përgjysmë) sa t’i frikësojmë të tjerët në njërën anë dhe fuqitë e mëdha të na shohin si një rrezik a kërcënim real për të nisur beteja nacionaliste dhe fushata kundër kombeve tjera? S’e besoj. Përkundrazi.

    Tërë këtë fushatë s’duhet parë ndryshe pos si një sprovë të pasinqertë, deri dikund edhe të çmendur të politikës dhe politikanëve (si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë) për t’u bërë gati për fushatën paraelektorate e cila tashmë ka filluar me intensitet dhe të papritura të cilat në javët e muajt në vijim jo vetëm që do të shtohet, por edhe do ketë krejt komponentat e mundshme e të pamundshme të banaliteteve që mentaliteti i politikanëve tanë mund të prodhojë.

    Natyrisht që rrugët dallojnë, por caku është i njëjtë: Berisha në Tiranë duhet të hedhë rrjetin që të mos i ikin votuesit drejt Spahiut e Topit, kurse Thaçi me Kurtin zihen për arsye sa banale aq edhe praktike: për ta zënë trenin e fundit në ndarjen përfundimtare mes Serbisë e Kosovës në veri të vendit.

    Orteqet “publicistike” përmes ekraneve televizive apo shtyllave të gazetave janë pasoja e krejt këtyre fërkimeve, kurse diplomatë e miq të shqiptarëve fillojnë të fërkojnë sytë dhe pyesin, herë me buzë në gaz e herë të frikësuar nëse ka diç të vërtetë në krejt këtë... “dimension”, “eufori”, “qasje” e çka jo tjetër.

    E vërteta është diku në mes. Së pari, si Tirana ashtu edhe Prishtina, bashkë me Shkupin, nuk kanë kapacitete as politike, as ekonomike e më së paku ushtarake të bëjnë diçka që do të mund të rrezikonte paqen në Ballkan.

    Së dyti, infrastruktura ekonomike e financiare e shqiptarëve është aq e shkapërderdhur dhe e ndikuar nga fqinjët- ekonomia serbe në Kosovë, ndikimi grek dhe italian në Shqipëri, dhe diaspora e shpërndarë në vendet që dihen, saqë është gati e pamundshme që të pritej ndonjë sistematizim e koordinim shqiptarësh në Ballkan.

    Dhe e treta, që do të duhej të ishte më e rëndësishmja, mungesa ose thënë edhe më qartë, moskoordinimi i kualitetit në prodhimin e elitave shqiptare në të gjitha vendet ku jetojmë, mosballafaqimi me të kaluarën komuniste, prodhimet shkel e shko të librave- nga shkencorë deri në artistikë, ka bërë që politikanët, sa pabesisht aq edhe lehtësisht mund ta luajnë një dhe të vetmin rol: atë të menaxherëve (të dështuar) të përditshmërisë sonë, por edhe të përfolur me çekun e famshëm, Josef Škvorecký, “inxhinierëve të shpirtërave” në këtë rast shqiptarë.

    Marrë në tërësi, të tria këto mungesa dhe plot e plot të tjera, që secili prej nesh do të mund të përmendte, i shërbejnë vetëm një gjëje: përkeqësimit të imazhit të shqiptarëve në botën, pjesë e së cilës aq përmallshëm duam të jemi- Perëndimit. Nuk shkohet as futet në Europë as me retorikën vetëviktimizuese (albanofobia), por as me mburrje të cilat të tjerët, të mëdhenj e pak më të mëdhenj se ne, i kanë provuar dhe ua kanë ngrënë shpirtin me dekada e dekada të tëra.

    Fakt është: shqiptarët në përgjithësi nuk kanë qenë kurrë më mirë sesa që janë sot. Përkundër krejt humbjeve e luftërave, shtypjeve e shkapërderdhjeve shekullore, u arrit që të ketë një konsolidim kombëtar, hapje të shtigjeve të shpejta gjeografike për (ri)njohje dhe (ri)gjetje dhe tashti kur do të duhej të niste puna e vërtetë dhe e mirëfilltë për kapjen e kohës së humbur, rënia në këto retorika jo veç që frikëson, por edhe dëshpëron.

    Në këtë frymë- mes menaxherëve, pra politikanëve që duhet parë dhe kuptuar si njerëz që punojnë ditë e natë për përmirësimin e jetës së qytetarëve, dhe inxhinierëve shpirtërorë që dështimet apo frustrimet e tyre politike duan t’i dekorojnë me retorika sa koti aq edhe banale: zgjedhi llojin e parë të politikanit dhe shqiptarit. Atij pra që mendon sesi të punojmë drejt një të ardhmeje më të mirë dhe para së gjithash normale për brezat që vijnë!

  •  

    Për asnjë prej çmimeve që Akademia për Nobel ndan nuk ka patur, s’ka dhe sipas traditës nuk do të ketë më shumë kokëçarje sesa për Nobelin për Letërsi dhe atë për Paqe. E sivjet, sidomos sivjet, diskutimet kontraverse për të shpërblyerit në këto dy seksione janë aq të zjarrta e të rënda sa njeriu mezi pret që të vijë e hëna, të lexojë fejtonet dhe komentet e gazetave të mëdha të kombeve e mendjeve të ndritura dhe... të relaksohet.

    Në shikim të parë. Pa harruar që diskursi do të vazhdojë së paku deri vjeshtën e vitit që vjen kur sërish mund të priten vendime të çuditshme, polemika plot pasion por edhe pohime e mohime për atë apo këtë kandidat a institucion që shpërblehet. Marrë në tërësi duket që me kurorat e të shpërblyerve të viteve të fundit vetë Komitetit po i shkon përdore të bëjë (vetë)marketing dhe me këtë edhe t’i përshtatet trendit të kohës së fshatit (virtual) global.

    Kështu do ta kemi edhe këtë vit dhe të hënën që vjen kur do të ndahen dy nga çmimet e sipërpërmendura. Në Oslo, si gjithmonë do të ndahet Nobeli për Paqe kurse në Stockholm ai për Letërsi. Çuditërisht dhe papritshmërisht: për Letërsi e merr kinezi i parë që jeton e punon në Kinë, Mo Yan, kurse për Paqe do t’i ndahet Bashkimit Europian.

    Të shkojmë me radhë.

    Ekzistojnë me dhjetëra legjenda e mite për të shpërblyerit dhe sidomos ceremonitë. Sidomos për shkrimtarët të cilët si zakonisht me tekat dhe manitë e tyre, nuk kanë mundur apo edhe ngurruar t’i fshehin ato edhe kur kanë hipur në piadestal. Një prej më legjendarëve s’ka dyshim që ishte amerikani William Faulkner, i cili pasi u bind nga e bija dhe shteti (Washingtoni!) që duhej t’i hipte avionit (edhepse e urrente të fluturonte dhe këtë tashmë s’e fshihte përkundër faktit që në biografi ia kishte “stolisur” vetes që në Luftën e Parë kishte “shërbyer” si pilot kanadez!) e udhëtonte nga Missisipi i ngrohtë në Stockholmin e ftohtë.

    Miqtë dhe biografët rrëfejnë që 6 ditë e 5 net nuk e la anash gotën e Whiskey-t. Pa shkruar as edhe një fjalë të vetme për atë ceremoni. Ekzistojnë shumë legjenda për atë ese/fjalim të cilin thuhet që një natë para se t’i dilte përpara Mbretit Suedez e kishte shkruar në dhomën e hotelit. Gjatë leximit të fjalimit i cili nga radiot e asaj kohe u transmetua drejtpërdrejt askush s’e mori vesh se çfarë lexoi: nga dehja a theksi i tij i thellë jugor? Të dyja ngapak. Kur gazetat e mëdha të botës të nesërmen e botuan fjalimin e Faulkner-it, njëzëri u pajtuan: fjalimi më i madh i mbajtur ndonjëherë prejse ky çmim ishte ndarë.

    Edhe sot e kësaj dite pyetja e Faulknerit për “nevojën e ekzistencës njerëzore” vazhdon ta mbajë vendin e parë prej krejt fjalimeve të mbajtura. Pa lënë anash nuk mundemi as Camus-in e sëmurë, i cili mezi fliste dhe dridhej nga paniku. Apo Gabon i cili nuk pranoi të vishte rrobat klasike europiane duke u thënë organizatorëve që klasike ishte edhe veshja e tij- e bardha nga Karibiku. Të mos e lëmë anash këtu ngurrimin dhe mëpas edhe refuzimin e Elfride Jelinek-ut të shkojë në ceremoni. Përmes një video-porosie u mjaftua austriakja ekscentrike. Dhe tashti, këtë vit kemi sërish “ushqim” për spekulim. Kjo vjen edhe për shkakun që autori nga Kina Mo Yan shihet si pjesë e establishmentit dhe me këtë edhe vijës politike kineze e cila pranon (vetë)cenzurën por edhe nuk dënon shkeljen e të drejtave të njeriut.

    Apelin e 134 Nobelistëve tjerë për të liruar fituesin e Nobelit për Paqe dhe të burgosurin politik Liu Xiaobo, Mo Yan nuk do ta nënshkruajë. As nuk e ka ndërmend të shprehet kundër cenzurës. Në Kinë tashmë ai shihet dhe shitet si hero kurse duhet të jemi kurioz nëse të hënën do të vesh Mao teshat për të cilat thuhet që po ashtu i ka marrë me vete në Stockholm!

     

    Fakt është që njeriut duhet t’i përzihet barku kur sheh që edhe Nobeli për Letërsi është i politizuar, por duhet të ndjehemi poaq me kokëdhembje kur një prej pararendësve të Yo Man thyen rregullin e “artë” dhe flet kundër pasuesit të saj. Hertha Mueller e quajti Nobelistin e sivjetshëm një “katastrofë”. Mund të jetë që është ashtu. Por ja që kësaj duhet shtuar se edhe vetë Mueller është katastrofë dhe këtë çmim dhe me këtë edhe publicitetin nuk do t’i kishte fituar kurrën e kurrës poqese Akademia ta kishte ditur paraprakisht që personazhi i bio-romanit të saj “Atemschaukel” Oskar Pastior kishte punuar për Shërbimin Informativ rumun për dekada të tëra.

    Prandaj, rumuno-gjermanja tashti shprehet kundër kinezit i bie diçka si: Ali Hoxha- Hoxhë Alia! Çdo gjë që të hënën do të ngjajë: nga veshja e Mo Yan e deri te porosia që ai në “emër” të popullit dhe me këtë edhe regjimit komunist do t’ua dërgojë... civilizimeve tjera do të na interesojnë!

    Kurse ky civilizimi ynë, perëndimori, në Oslo do ta festojë vetveten. Fakti që sivejt për Paqe do të shpërblehet Bashkimi Europian është tepër interesant. Sepse ky organizëm, prejse ekziston kurrë nuk ka qenë në një krizë kaq të thellë: qoftë të ekzistencës (Greqia), qoftë të transformimit (fuqia gjermane), qoftë të kërcënimit (dalja britanike).

    Nëse e ka merituar kjo BE këtë çmim? Ndoshta më së miri kësaj pyetjeje iu përgjigj filozofi i madh francez Bernard Henry Levy para disa javësh në FAZ tha: e ka merituar por ka diçka që nuk shkon tek ne “latinët” dhe “gjermanikët”: kur mendojmë që BE ka vetëm me ne. Pa pasardhësit e civilizmeve të moçme siç janë ato greke apo romake. Dhe kriza jonë e madhe kishte filluar qysh në vitet 90 me dështimet në Ballkan: Bosnje e Kosovë... ku edhe sot e kësaj dite nuk dijmë se çfarë duam por luajmë lojërat tona të moçme. Pa paqe në Ballkan dhe pa rikthim të pasardhësve të grekëve e romakëve jemi para të papriturave të mëdha. Dhe këtë e tha hebreu sa latin aq edhe gjermanik: BHL.

  • I ngjajmë dhe për këtë edhe duhet të jemi një familje e madhe. E përçarë dhe e shpërndarë: në tre-katër shtete në Ballkan dhe gjithandej në kontinente e vende nga më të ndryshmet e botës. Kemi vendosur që ta shënojmë jubileun e madh, më të madhin dhe më të rëndësishmin: 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Datë dhe ditë e madhe. E rëndësishme po se po.

    Për shumë shkaqe e arsye kur secili nga pjestarët e kësaj familjeje, pra të gjithë së bashku apo veç a veç, hedhim kokën prapa s’kemi si të mos konstatojmë që i ngjet një mrekullie sesi shpëtuam dhe mbijetuam: para fqinjëve të uritur për të na coptuar, fuqive të cilat herë na dënonin e herë shkelmonin, por para së gjithash vështirë na kuptonin dhe vetvetes, sidomos vetvetes për vullnetin vetëshkatërrues, iracionalitetin ideologjik, keqkuptimet kërcënuese kulturore e politike, gjuhësore e rajonale. Dhe shumë e shumë blloqe me bllofe dashamirësie të rrejshme.

    Natyrisht që në këtë atmosferë në njërën euforike dhe në anën tjetër lehtësisht të manipulueshme nga kronistët e akterët e politikës ditore, nuk ka si të mos dalë në pah ajo që mund të quhet histeri. Për personalitete historike e politike, diplomatike, kulturore e kombëtare. Pse jo edhe ekonomike e financiare. Secili ka të drejtë ta ketë të përzgjedhurin e të përzgjedhurën e tij. Secili ka të drejtë të anojë nga “ajo” apo “kjo” kohë e figurë kombëtare. Por para së gjithash secili provon të vulosë dhe të ngjyrosë herë me njolla tradhtie e herë dashamirësie e adhurimi, për hir të së vërtetës, në të dy rastet me tone të forta naiviteti fatal, këto figura kombëtare a gjetje gjeografike.

    Marrë në tërësi, para kësaj feste të madhe dhe të rëndësishme në pah del, për të mos thënë, kulminon mungesa e madhe e bazamentit dhe me këtë edhe paprekshmërisë së vijave të trasha të shenjtërisë së historisë dhe gjeografisë shpirëtore të kombit shqiptar. Kësaj i kemi ndihmuar më së shumti ne vetë. Si historianë, politikanë, shoqëri dhe shtete shqiptarësh në Ballkan. Tendencat për vetëcelebrime nevojash të politikës ditore, si sot e mot, janë fatale. Prandaj kemi këtë histori- me histeri. Si edhe gjithmonë. Dhe tashti me këtë shpërthim gati banal, i cili i ngjet më shumë një dehjeje para se ajo të fillojë të ngjajë mirëfilli.

    Tërë këto suada (keq)përdorimesh për ta bërë sa më mirë këtë festë duhet parë paksa edhe me humorin e ditës dhe kohës që jetojmë. Së paku vegjëlia ime i sheh ashtu. Për shumë shkaqe por ndoshta më së shumti me argumentimin që një provim as një piramidë, një studim ose një libër, një parti ose një parlament, një investim ose shkëmbim (tregtar, financiar?), nuk mund të bëhen as brenda 24 orësh e as brenda 24 ditësh. Nëse doni as brenda 24 vitesh.

    Prandaj mund të themi lirisht mund të shtrihemi prapa dhe të vëzhgojmë me kënaqësi e tone humori sesi vazhdojmë të shërbehemi me të gjitha- pa thyer ndonjë traditë dhe lakuar për të kaluar në shtegun e tabanit të të qenmit normalë: shajmë njëri-tjetrin dhe duam njëri-tjetrin. Vetëmashtrohemi dhe krenohemi. Akuzohemi dhe mallkohemi. Dhe fare në fund festojmë me të gjitha dallimet që s’ka si të jenë logjike para gjakut e luftërave shekullore, shtigjeve e maleve të pakalueshme, robërisë dhe me këtë edhe tendencave për synime e stigmatizime tradhtish...

    Le të shërbehemi pra me të gjitha ngapak: kush si të dojë e si të mundet. Nga të gjitha shtresat e shoqërisë e shteteve shqiptare. Sepse jemi si jemi dhe duket që ende s’jemi vetëdijësuar të mësojmë të nxjerrim edhe leksionin kryesor: kjo shumësi dallimesh na bën edhe kaq të pathyeshëm dhe për këtë edhe me përparësi para fqinjëve, miqve dhe nëse duam edhe vetvetes. Leksioni i dytë: edhe këta që i kemi në pushtetet politike e shpirtërore, përkundër zaptimit të madh që i bëjnë jetës sonë me frymë teknokratike (të parët) e parazite (të dytët), edhe këta janë si ne! Me preferenca personale e histori- me histeri.

    Në këtë frymë, sa më qetë që merret tërë kjo atmosferë parafestive aq më shumë do të mund ta festojmë 28 Nëntorin. Pa harruar që pas kësaj date vjen menjëherë 29 Nëntori- i cili këso radhe këso viti do të festohet dyfish!

    Marrë nga Zëri

  •  

     

    Derisa ne, shqiptarët, dalngadalë por sigurt po i gëzohemi festës së 100-vjetorit të pavarësisë, asaj që në njërën anë vërtet na pavarësoi por po aq edhe përgjysmoi, në pjesën tjetër të Europës, me të madhe kanë filluar të bëhen përgatitjet për shënimin e 100-vjetorit të Luftës së Parë Botërore.

    Edhe pse vitet 1912 dhe 1913 për Ballkanin në përgjithësi dhe shqiptarët në veçanti ishin fati dhe e keqja e madhe... në Europë, atë të Mesmen dhe Perëndimoren, zona e poshtme e kontinentit ende shihej dhe përjetohej si një ishull otoman. Ose së paku si vijë ndarëse mes Europës e cila për 42 vite kishte arritur që më në fund të jetonte në paqe, dhe Ballkanit i cili copëtohej e sakatohej mes vete- për pavarësi të popujve por edhe luftëra të tmerrshme për territore.

    Qe vetëm një vit para se të fillonte Lufta e madhe, Lufta e Parë Botërore e cila i ndryshoi fytyrën dhe frymën tërë Kontinentit duke përshfirë jo vetëm edhe të tjera civilizime e kombe në të, por për të bërë që shekulli i kaluar të ishte më i përgjakshmi prejse njerëzimi di për veten.

    Në morinë e librave dhe trajtesave të deritashme për Luftën e Parë do të kemi edhe me qindra e mijëraa të reja të cilat do provojnë të hedhin dritë artistike, historike e shkencore për shkaqet dhe pasojat.

    Në këtë frymë duhet parë deri dikund edhe libri më i ri i autorit, historianit të artit, kritikut dhe fejtonistit gjerman të njohur Florian Illies me titullin “1913”. Në të njëjtën kohë duhet thënë që ky libër dallon nga çdo gjë tjetër që së paku deri më tashti është botuar për atë periudhë kohore. Sepse autori kapet me parahistorinë e një viti të pazakonshëm pas të cilit historia e njerëzimit ndryshoi përgjithmonë.

    Çka është viti 1913 në librin e Illies? Është viti kur kalbja nga brenda tashmë ishte e pranishme në shpirtërat e perandorëve e politikanëve, poetëve e shkrimtarëve, muzikantëve e muzave të tyre. Viti në të cilin njerëzimi humbi virgjërinë dhe bashkë me shpikjet teknike në mënyrë të frikshme shkrihej plumb për të prerë mishtë e njëri-tjetrit.

    Viti në të cilin Marcel Proust nis kërkimin e “kohës së humbur”; Gotfried Benn filloi aferën e tij të madhe me Else Laske Schueler; Rilke takohet dhe pin verë të bardhë me Freudin, Stravinsky feston operën e tij të pranverës kurse Franz Kafka, James Joyce dhe Robert Musil qëndrojnë në një dhe të vetmën ditë në një dhe të vetmin qytet (pa e njohur dhe takuar njëri- tjetrin!) në Triestë ku pijnë kafe e çaj por dhe verë të kuqe!

    Pa harruar që verën e të njëjtit vit, një piktor mesatar dhe krejt i panjohur me emrin Adolf Hitler në sheshet e mëdha të qytetit të Munihut provon të shesë ndonjë prej portreteve të tij dobëta!

    Në këtë frymë lexohet dhe përjetohet ky libër i Florian Illies i cili për këtë projekt ka lexuar mijëra e mijëra faqe- me ditarë dhe (auto)biografi, përshkrime dhe botime në gazeta të kohës, histori dhe punime shkencore për çdo gjë që kishte të bënte me vitin 1913.

    Krejt të bazuara në fakte historike dhe kronika të kohës. Aq sa njeriut thjesht nuk mund t’i besohet sesi agjutantët dhe këshilltarët e Perandorit Franz Ferdinand tërë kohën mbanin shënimet sesi atë e këshillonin që sa më shpejtë t’u shpallte luftën serbëve. Dhe ky, megjithatë ngurronte- pa e ditur as vetë pse.

    Në mënyrë që vetëm një vit mëpas të ishin pikërisht serbët ata që jo vetëm që do ta vrisnin në mes të Sarajevës por edhe të vërtetonin që fati e dënon pikërisht atë që s’e kupton ta kap kohën që e jeton.

    Një vend të madh, për të mos thënë qendror në këtë libër s’ka dyshim që zën edhe Franz Kafka. Jo pa qëllim. Ishte ky ndoshta viti më produktiv në jetën krijuese por edhe emocionale të Kafkës. Shënimet në Ditarët e tij dhe sidomos letërshkëmbimi i tij me Felicia Bauer së cilës edhe i pat bërë atë ofertën e famshme për martesë janë sa fascinuese aq edhe irrituese.

    Në pasigurinë e tij por edhe emocionalitetin që ajo dashuri barte më vete. Po aferat e tjera të të mëdhenjëve (atë botë të zakonshëm!) tjerë? Kur Oskar Kokoschka i përgjërohej Alma Mahler-it (asaj pra ish- bashkëshortes së të madhit Gustav Mahler!), apo të gjitha dashuritë me edhe më shumë të dashura të Rainer Maria Rilke-s? Me dhjetëra e qindra “aksidente” e rastësi të ngjitura me “puzzle” sistem gjinden në këtë libër.

    1913 i Florian Illies suksesi i të cilit tashmë është paraprogramuar jo vetëm në Gjermani por në shumë gjuhë të botës është fascinues edhe për mënyrën sesi është ndërtuar.

    Situatat anekdotike për perona e personalitete të mëdha të sferave të ndryshme- nga arti e letërsia deri te politika e moti, bëjnë që lexuesi, të zërë veten në siklet. Sepse autori nuk tradhton me leksione historike. Bile ajo që këtë libër e bën kaq të madh është pikërisht pse ai nuk paragjykon e aq më tepër paralajmëron. Hatanë dhe katrahurën e madhe.

    Me as edhe një fjalë as fjali Illies nuk tregon se çfarë do të ngjajë verën e vitit 1914. Dhe ky është çelësi i atrakcionit gjatë ballafaqimit me këtë lektyrë sa letrare aq edhe publicistike, sa shkencore aq edhe (a)historike.

    Illies e kap lexuesin për dore dhe bashkë me të, në mënyrë kaledioskipike na shëtitë në ato kohëra për të parë dhe përjetuar, shijuar e deri dikund edhe irrituar me, në njërën anë pafajësinë dhe në anën tjetër duhmën e asaj që do pasojë. Është ajo situata kur ajri rrin pezull dhe njerëzimi e ndien që diçka po vjen... por pa e realizuar ende se çka saktësisht.

    Që autori nuk na e tregon çka- sepse në ndërkohë e dijmë... këtu qëndron mjeshtëria e këtij libri sa fascinues aq edhe frikësues. Frikësues: sepse çdo vit mund të jetë pikërisht si viti 1913?!

    Zëri.info

     

  • Po qe se njeriu e lexon titullin e kësaj trajtese, nuk ka si të mos i shkojë menjëherë mendja që fjala është për këtë infarktin tonë kulturor. Amullinë dhe vdekjen klinike në të cilën kultura shqiptare në përgjithësi dhe ajo e Kosovës në veçanti jo vetëm kanë pësuar keq dhe nuk ka shans të reanimohet, por gjasat e shpresat që të ngjajë diçka që do të na jepte shpresën për ecje para janë të barabarta me zero. Janë bërë aq shumë gabime e lëshime sa thjesht është e palogjikshme dhe e pamundshme të pritet përmirësim në këtë “fushë” të jetës së shqiptarëve.

    Prandaj, titulli i shënuar i këtij teksti është një huazim i një titulli të një libri i cili në Gjermani është botuar para ca javësh dhe ka të bëjë (sidomos) me një debat të gjerë i cili doli si rrjedhë e këtij botimi, debat ky i cili në ndërkohë ka kaluar edhe përmasat gjermanofolëse dhe ka kapur krejt Europën.

    Për çfarë është fjala? Katër autorë gjermanë- Dieter Hasselbach, Arnim Klein, Pius Knüsel dhe Stephan Opitz, të gjithë këta ekspertë nga fusha e kulturës në kontekstin e saj filozofik, sociologjik, menaxherial dhe praktik, kanë shkruar një libër me titullin “Kulturkontakt” dhe në këtë tekst kanë hedhur teza të cilat jo vetëm kanë shokuar “komunitetet” kulturore gjermane, austriake e zvicerane, por në ndërkohë kanë prekur edhe vende të mëdha e të vogla të kontinentit europian.

    Teza e tyre është e thjeshtë- dhe ndoshta për këtë edhe kaq joshëse për diskutim. Me pak fjalë, autorët e “Kulturinfarkt” thonë që nëse të bësh “kulturë” më parë dhe deri më tashti ishte një komponentë shoqërore a shtetërore, kolektive a intelektuale me të cilën ngjante dhe ngjan “edukimi estetik i qenies njerëzore” dhe me këtë edhe arritja e shprehja i një stadi të lartë për njerëzit e njerëzimin, në kohën e sotme, këtë modernen, e cila ndryshe po definohet edhe si “fshati global” dhe ekonomia e re e tregut, kultura jo vetëm që ka humbur efektin e vet por faktikisht ajo, si synim i këtij definimi të sipërpërmendur, ka arritur në kufijtë e së pamundshmes dhe është më tepër se naive të supozohet që arrin ta bëjë dikënd të “lumtur” e lëre më të jetë shenjë e arritjeve dhe prezantimeve të mëdha në kuadër të traditës së bazuar në sistemin e deritashëm- nga klasika, përmes së tashmes dhe drejt së ardhmes.

    Me një fjalë, autorët e librit, duke i përshkruar kontradiktat e botës moderne në të cilën për shembull të kesh një PC apo lidhje interneti, të jesh pjesëtar i një rrjeti social apo forumi diskutimesh, nuk do të thotë që je i kulturuar e aq më pak i pasur e i lumtur! Arti dhe kultura e sotme nuk i përmbushin kriteret ta paqëtojnë e aq më pak lumturojnë dikënd- qoftë individualisht ashtu edhe kolektivisht.

    Aq më pak arti e kultura sot mund të avisin e lëre më të sjellin tek mirëkuptime mes kombeve të armiqësuara apo grupeve etnike rivale. Aq më pak, arti e kultura po arrijnë që të ndihmojnë në zhvillimin e vetëdijes së një jete më të mirë, urbane a rurale, përfshirë këtu edhe format e ndryshme të kombinimeve “kulturore- ekonomike”- qofshin ato brenda shoqërive e shteteve ashtu edhe atyre globale.

    Thënë shkurt e shqip- autorët kërkojnë, pse të mos themi edhe ngulmojnë që tezat e tyre janë të drejta sidomos kur në pyetje janë paratë, qinda e qindra milionat që jepen nga buxhete publike, fondacione të mëdha e të vogla kulturore, komisione e komunitete të cilat tashmë qe dekada e dekada të tëra si caqe i kanë vënë vetes që përmes “kulturës” të edukohen struktura e shtresa të ndryshme shoqërore, brendapërbrenda kombeve të Europës apo edhe atyre fqinjësore.

    Natyrisht që tërë këto teza më se provokuese edhe do të merreshin si joserioze po qe se autorët nuk do të jepnin edhe tezat apo idetë e tyre si të dilet nga ky, sipas tyre, qorrsokak total në të cilin harxhohen, shkrihen miliona e miliona euro. Dhe, ideja e tyre qenësore është e thjeshtë: një lloj “amerikanizimi” edhe më i madh i makro dhe mikro menaxhimeve kulturore. Pra, që të ketë një ekonomizim, ose thënë edhe më shkurt, reduktim masiv të parave për subvencionime e menaxhime kulturore (në teatër, film, arkitekturë, letërsi etj.) në mënyrë që përmes këtij ngushtimi rripi- të bëhen përpjekje më të mëdha për fitimin e parasë edhe me kulturë...

    Për debatin, ose reagimet e opionit, kritikës dhe njerëzve të kulturës në Gjermani e Europë duhet thënë që pjesërisht u është dhënë e drejtë. Por, gjithnjë me kujdesin që “radikalizmi” i këtyre tezave është i mveshur me rrezikun të cilin autorët propozojnë që hapat në fjalë të ndërmerren menjëherë dhe tash!

    Në njëfarë mënyre pra, të krijohet një situatë të cilën pak a shumë vendet dhe kombet si ne edhe e kemi. Diçka interesante padyshim. Derisa kjo pjesë e botës tashmë ka filluar të mendojë sesi të shkëputet nga tradita e tashme e subvencionimit e menaxhimit... ne e duam pikërisht këtë praksë pune. Sërish po vonohemi? S’ka ndryshe, sepse edhe ashtu jemi në infarkt. Por, për dallim prej asaj pjese të botës- ne jemi në të mirëfilltin. Vërtetin.

    Marrë nga Zëri

  • Botimi në gjuhën shqipe i librit të Adolf Hitlerit “Mein Kampf” (“Lufta ime”) është një absurditet i llojit të vet, i cili nxori në pah shumë mangësi e ligështi që logjistikën ligjore bashkë me atë të të drejtave të autorit në Shqipëri dhe me këtë edhe në Kosovë e vise tjera në gjuhën shqipe... e përshkojnë qe dekada e dekada të tëra me radhë.

    Po qe se e vërejmë vetëm mënyrën sesi kolanat e kulturës në mediat e printuara në gjuhën shqipe e përcollën këtë skandal, njeriu mund të nxjerrë konkluzionin më tepër se dëshpërues që nuk ka një vijë të qartë, një linjë dalluese, mes asaj që quhet “liri e shprehjes dhe shtypit” dhe hapje rruge për nxitje të racizmit dhe antisemitizmit-cenime këto esenciale të të drejtave të njeriut;. për t’i kapur këto dy elemente duhet të ndalemi veç e veç tek to.

    Mënyra sesi mediat, gazetarët dhe redaktorët e tyre provuan dhe provojnë ta hedhin këtë botim skandaloz në ujërat e një “debati” nëse “duhet” apo s’duhet të kemi “Mein Kampf”-in në tregun e librit në shqip, është naive.

    Nuk ka debat për këtë libër. Sepse “Mein Kampf” i Adolf Hitlerit është një prej shkresave më të urryera dhe për të folur me Winston Churchillin, në mesazhin e tij është “me barrën” e katastrofës e cila njerëzimit i kushtoi me miliona e miliona jetëra të hebrenjve, vdektarëve të tjerë dhe fare në fund edhe vetë gjermanëve.

    Në anën tjetër, është e kuptueshme që mediat duan ushqimin e tyre-për të nxjerrë zëra intelektualësh, shkrimtarësh dhe botuesish tjerë të cilët shprehen rreth këtij “botimi”... dhe është më tepër se për keqardhje kur dëgjohen thirrje të tipit “jam për” dhe “nuk ka asgjë të keqe” në qarkullimin e këtij traktati monstruoz.

    Por, sidomos mënyra sesi “botuesi” i librit (për përkthyesin nuk dimë gjë!) u propagandua me deklarata e intervista, thirrje për “mirëkuptim” e çka jo tjetër, është më shumë sesa skandaloze.

    Nuk ka mirëkuptim për këtë libër dhe autorin e tij. Aq më pak për “logjikën” sesi ai është shtypur. Një situatë absurde, të cilës njeriu nuk mund t’i përgjigjet as me tekste as ftesa për gjyqe e bile as me deklarata zyrtarësh të ministrive përkatëse- në Tiranë a Prishtinë.

    Për t’i dhënë rrugë apo gjetur shteg krejt këtij teatri bizar, nuk mbetet gjë tjetër pos që pjesëtarëve të Shoqatës Shqipëri- Izrael t’u jepet këshilla që ta sigurojnë një ekzemplar të këtij “libri” në gjuhën shqipe dhe që atë ekzemplar ta postojnë tek Qeveria- konkretisht Ministria e Financave e Landit të Bavarisë. Për të tjerat ata më nuk do të duhej të brengosen aspak.

    Sepse të drejtat e “Mein Kampf”-it janë tek ky land (deri në vitin 2016) dhe do të duhej t’i siguronim të gjithë – ama sidomos intelektualët e botuesit shqiptarë që janë “për” qarkullimin e këtij libri që shteti gjerman dhe sidomos landi bavarez kanë aq shumë mundësi e rrugë legale që përmes rrugëve legale, politike e gjyqyësore, jo vetëm ta heqin nga qarkullimi këtë libër, por edhe të merren me të gjitha detajet tjera rreth këtij botimi.

    Tekefundit, këtë gjë Munihu, landi bavarez e ka bërë edhe me vende e shtete, botues piratë e rrethe neonaziste edhe në Indi, Turqi, Francë e Britani të Madhe...

    Sepse është më tepër se dëshpëruese sesi struktura shtetërore e institucionale përgjegjëse për kulturën po (vetë)kënaqen me kërcënime që nuk e kanë as jetëgjatësinë e shkronjave të shtypura në faqe mediumesh.

    Fakti që tashmë lajmi ka marrë dhenë dhe libri është në qarkullim, do të duhej ndoshta më së miri të shpjegohej, megjithatë, me qëndrimin e disa botuesve nga Kosova, të cilët në mënyrë të qartë e theksuan atë që edhe qëndron: përgjegjësinë për botimin në fjalë do dhe duhet ta bartë vetë botuesi, por edhe përkthyesi i atij teksti.

    Por, kjo do të jetë vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër e këtij skandali- dalëngadalë por sigurt do të vijë në pah javët dhe muajt në vijim. Për dhe në këtë mos dyshoni. Me këso gjërash thjesht nuk luhet dhe para së gjithash nuk koketohet.

    Marrë nga Zëri

  • Me datën 30 janar të vitit 2012, në hyrjen e një qendre tregtare në Prizren të Kosovës, një qytetar shqiptar i kishte hedhur vetes benzinë dhe kishte provuar të vetëdigjej. Për fatin e tij të mirë atë buzëmbrëmje mes shumë njerëzve që kishin qëlluar aty afër ishte edhe një polic i Kosovës, i cili nuk kishte qenë në detyrë, mori guximin të ndërhyjë dhe me këtë t'ia shpëtojë jetën atij njeriu të revoltuar.
    Një rastësi interesante është kjo ngjarje sepse pikërisht në janar- dhe atë më 14 të vitit 1968, një student çek me emrin Jan Palach në shenjë proteste ndaj politikës së diktatit sovjetik i pat vënë vetes zjarrin në Pragë, duke shkaktuar kështu protesta masive në Çekosllovakinë e dikurshme dhe në tërë bllokun ish-komunist. "Pranvera e Pragës" edhe sot e kësaj dite është pjesë e historisë së re të njerëzimit. Po në këtë kontekst, hiç më larg se një vit më parë, dhe atë me 4 janar të vitit 2011 shitësi tunizian i perimeve me emrin Mohamed Bouazizi, vdiq në një spital të qytetit Sidi Bouzid, pasi i kishte vënë vetes zjarrin në shenjë proteste ndaj regjimit autokratik në vendin e tij, duke shkaktuar kështu atë që vitin e kaluar e pamë dhe përjetuam si "Pranvera Arabe".
    Natyrisht se do të ishte naive poqese themi se asociacioni i ndërlidhjes së vetëdjegieve në janarët e ndarë me dekada të tëra mes Jan Palachut e Mohamed Bouazizit që për pasojë kishin protesta të mëdha popullore, të cilat dridhën deri në themele perandori politike e regjime tiranike do të mundë t'i vishej edhe sprovës së dështuar të qytetarit të Prizrenit të Kosovës. Dilema hipotetike nëse në ato çaste dramatike nuk do të reagonte askush dhe ai do ta digjte veten publikisht, mëpas do të shkaktonte protesta masive në Prizren, Prishtinë dhe qytete e fshatra tjera të Kosovës, duke shkaktuar kështu edhe edhe një "pranverë shqiptare" e cila mëpas do të merrte përmasa ballkanike... është ndoshta e pavend. Sepse ajo do të shënohej dhe emetohej edhe si një lajm i kronikës së gazetave.
    Asgjë më tepër.
    Shteti më i ri në Europë, Republika e Kosovës, vetëm para një jave, më 17 shkurt, shënoi katërvjetorin e pavarësisë. Brenda kësaj periudhe kohore por edhe asaj që për vite e dekada, për të mos thënë edhe shekuj të tërë, me shqiptarët në përgjithësi dhe ata të Kosovës në veçanti, ngjau, është një histori e gjatë e cila sado patetike që sot mund të tingëllojë do të mund të përshkruhej me fjalët: robëri në çdo kuptim të fjalës, përpjekje për mosnënshtrim, luftë për liri dhe aspirata për t'i takuar familjes normale të popujve e shteteve europiane. Deri këtu asgjë pra që edhe shqiptarët dhe Kosovën do t'i dallonte nga popujt fqinj dhe ata të tjerët rreth tyre.
    Sidoqoftë janë vonesat dramatike të cilat ishin pasojë e vizatimit të hartave në Europën Juglindore në fillimshekullin e kaluar në kohërat e shkatërrimit të dy Perandorive: asaj Otomane në njërën anë dhe asaj Austro-Hungareze në anën tjetër që për shqiptarët dhe sidomos Kosovën jo vetëm që dolën të jenë të pavolitshme, por faktikisht ishin fusha të minuara të konflikteve të përgjakshme sidomos mes shqiptarëve dhe serbëve.
    Këtu duhet përmendur një fakt esencial të cilin sidomos historiografia dhe përgjithësisht kultura e politika shqiptare jo rrallë e fshehin apo nuk e duan: shqiptarët përgjatë robërisë së tyre shekullore- sidomos në pesëqind vitet e pranisë otomane në Ballkan e deri dikund edhe gjatë kolonizimit serb në 80 vitet e fundit të shekullit të kaluar nuk kanë ngurruar- herë në mënyrë të vetëdijshme e herë jo, t'u përshtaten këtyre regjimeve. Të pranojnë të bashkëjetojnë me robërinë- mbase si të vetmin shteg për mbijetesë. Duke pranuar fenë myslimane, porcione të mëdha të mitologjisë, traditave, gjuhës e kulturës, për pesë shekuj me radhë, aziatike e gati për një shekulll edhe sllave.
    Sidoqoftë, duhet të kenë qenë disa elemente që si një prej popujve më të ndryshëm (dhe të vjetër) për nga gjuha dhe kultura, kompaktësia etnike, organizimi familjar patriarkal, relievi gjeografik sidomos verior vështirësisht i depërtueshëm dhe i thyeshëm, të cilat bënë që të ruhet gjithnjë një bërthamë e madhe e potencialit kryengritës i cili në kohën e Perandorisë Osmane qe shprehur me fushatën kryengritëse të heroit nacional të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Kurse në shekullin e kaluar gjatë konfliktit shqiptaro-serb ishte formimi dhe shpallja e Pavarësisë së shtetit shqiptar- i cili pikërisht më 28 nëntor të këtij viti edhe shënon 100-vjetorin e themelimit të tij në Vlorë të Shqipërisë. Me këtë pavarësim të Shqipërisë në prag të Luftës së Parë Botërore nisi edhe një shtegtim tmerrësisht i gjatë i luftërave dhe një konflikti shqiptaro-serb për gati një shekull me radhë. Konflikt ky i cili edhe sot e kësaj dite ende nuk është futur në sirtarët e historisë sa tragjike aq edhe rënkuese në këtë pjesë të Europës.
    Fill pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Shqipëria dhe ajo pjesë e shqiptarëve në këtë shtet nisën rrugëtimin e tyre të vetmuar me plot të papritura dhe rënie-ngritje historike kurse pjesa e shqiptarëve të Kosovës duhej që më shumë se të pajtohej të provonte që përmes kryengritjeve të vogla kryesisht fshatare t'i rezistonte shtypjes sllave në kuadrin e Monarkisë serbo-kroato-sllovene. Si pjesa më e pazhvilluar e ngrehinës së sllavëve të jugut, Kosova jo vetëm që mezi ecte por ishte edhe një rajon në të cilin sidomos fqinjët e fuqishëm serbë dinin të ushtronin dhunë dhe represalje për të cilat Europa jo vetëm që nuk kishte kohë të merrej por as që i shënonte. Nëse nga xhandarët serbë në vitet 20 e 30 të shekullit të kaluar vriteshin apo digjeshin fshatra të tëra shqiptarësh në Kosovë kjo nuk shihej gjë tjetër pos një ushtrim legal i forcës së ligjit. Prandaj kemi faktin e trishtë që pushtimi nazist në Ballkan sidomos për shqiptarët e Kosovës ishte më tepër se i mirëseardhur. Tek këta, trupat gjermane jo vetëm që gjetën mirëseardhje por edhe aleatë të fortë në Ballkan pasi që si dhuratë morën edhe atë që edhe sot e kësaj dite njihet dhe quhet Shqipëri e madhe.
    Hakmarrja e solli hakmarrjen tjetër. Shporrja e nazistëve nga Ballkani dhe fitorja e komunistëve bëri shëndërrimin e monarkisë jugosllave në një shtet socialist më në krye me Josip Broz Titon duke e kthyer kështu Kosovën në një Krahinë Socialiste Autonome në kuadër të Republikës së Serbisë por edhe si njësi në kuadër të Federatës së Jugosllavisë.
    Si rajoni më i varfër i shtetit prej 20 milionë banorëve sidomos në 20 vitet e para të regjimit të Titos, Kosova e pati të vështirë të adaptohej në çdo drejtim. Mjafton të përmendet këtu fakti që shumica e shqiptarëve në Kosovë në vitin 1945 nuk dinin shkrim as lexim për të kuptuar nëpër çfarë vështirësish dhe dramash sociale kalonin gjatë kësaj periudhe kohore dhe pas tretjes së ëndrrës për një Shqipëri të përbashkët, vend ky që po ashtu ishte hedhur në gjirin e komunizmit. Në këtë kontekst edhe duhet parë kryengritjet e vogla të lëvizjeve rajonale shqiptare në Kosovë edhe në vitet 50, të cilat policia dhe armata e fuqishme jugosllave nuk e pati të vështirë t'i shuante.
    Sidoqoftë, përkundër mosbindjeve dhe sprovave për mosnënshtrim shqiptarët dhe Kosova filluan që dalngadalë të pajtohen me faktin që jeta dhe perspektiva e tyre nuk kishte shteg tjetër pos atij të përqafimit, të pjesshëm, të regjimit të Titos. Pa e humbur kurrë shikimin nga e kaluara e tyre dhe ndarja, Shqipëria dhe mundësitë e shkëputjes nga Jugosllavia ku me gjuhën, kulturën, traditën dhe religjionin e tyre nuk e shihnin veten si pjesë normale të këtij organizimi shtetëror.
    Beogradi në krye me Titon për dallim nga monarkët e paraluftës me shqiptarët filloi të sillet më ndryshe. Sprova për integrimin dhe shkollimin e shqiptarëve nuk dështoi. Fëmijët dhe të rinjtë mësonin në gjuhën e tyre amtare. Kurse të rinjtë nga Kosova udhëtonin në Beograd, Sarajevë, Zagreb, Lubjanë e Shkup ku kryenin studimet dhe ktheheshin në Prishtinë për të vazhduar ushtrimin e profesionit të politikanit, mjekut, gazetarit, shkrimtarit apo regjisorit. Gazeta e parë në gjuhën shqipe, edhe pse ideologjike dhe organ i Partisë Komuniste të Jugosllavisë filloi të botohet si javore qysh në vitin 1945. Revista e parë letrare në gjuhën shqipe në Kosovë, "Jeta e Re", u themelua qysh në vitin 1949.
    Dhe derisa në të dy Europat kishin filluar lëvizjet e mëdha studentore, në atë perëndimore për më shumë liri dhe ballafaqim me të kaluarën kurse në lindoren "Pranvera e Pragës" më 18 nëntor të vitit 1969 u themelua edhe univeristeti i parë në gjuhën shqipe në Prishtinë. Por përkundër këtyre masave në edukimin e popullatës shqiptare, Kosova kishte kaluar një periudhë tepër të rëndë politike përmes represalieve, shpërnguljeve masive të popullsisë në Turqi, internimit dhe burgosjes së intelektualëve të rinj shqiptarë- të gjitha këto të drejtuara nga shefi i policisë sekrete jugosllave të njohur si OZNA dhe më vonë si UDB-a, të udhëhequra nga njëri prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Titos- serbi Aleksandar Rankoviq.
    Kjo periudhë prej mëse 20 vitesh faktikisht në pah kishte njxerrë dy të vërteta që kishin një përfundim të përbashkët: serbët, edhe përkundër veshjes me ideologjinë e komunizmit dhe me këtë edhe barazisë e dinin që shqiptarëve nuk duhej besuar, kurse shqiptarët, ndjeheshin të vërtetuarit se serbët ishin po ata të njejtit- pushtuesit dhe kolonizatorët. Edhe sot e kësaj dite nuk ekzistojnë të dhëna të sakta nëse ishte Kosova dhe shtypja e popullatës së atjeshme civile shkaku për ndarjen e Titos dhe Rankoviqit por fakt është që nga fundi i viteve 60 dhe sidomos në vitet 70 të shekullit të kaluar Kosovës iu rrit shkalla e autonomisë në kuadër të federatës jugosllave. Gjatë kësaj periudhe kohore shqiptarët jo vetëm që kishin gazeta, televizione, shkolla të larta e universitet, gazetarë e shkrimtarë, regjisorë e teatro por ata patën edhe një përfaqësim politik në federatë nga politikanë shqiptarë- luajalë ndaj regjimit, ideologjisë dhe marshalit Tito.
    Kjo bëri që të bëhen edhe hapat e parë të hapjeve të kujdesshme të kufinjve mes Kosovës dhe Shqipërisë. Studentë e shkencëtarë, njerëz të kulturës e artit të të dy vendeve vizitoheshin dhe shkëmbenin anasjelltas punët dhe përvojat e tyre. Filma e botime nga Tirana emetoheshin a botoheshin edhe në Prishtinë kurse shkrimtarët shqiptarë të Kosovës më në fund mund të krenoheshin që edhe shteti "amë" i botonte. Regjimi diktatorial i Enver Hoxhës në Tiranë bile nuk ngurroi që me rastin e Themelimit e Aprovimit të Gjuhës Letrare Shqipe t'i involvonte dhe të ftonte edhe shqiptarët e Prishtinës. Kjo hapje e pjesshme por poaq edhe e kujdesshme mes dy vendeve, pas përqafimit dhe mëpas acarimit që kishin patur menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore zgjati deri me vdekjen e Josip Broz Titos më 4 maj të vitit 1980.
    Menjëherë pas vdekjes së Titos në hapësirën e Federatës filloi një kapitull i ri në marrëdhëniet mes popujve sllavë të këtij shteti në njërën anë dhe shqiptarëve të Kosovës në anën tjetër. Edhe pse të trajtuar si pakicë në këtë shtet, shqiptarët e Kosovës bashkë me ata të Maqedonisë dhe Malit të Zi e Serbisë së Jugut përnga numri ishin kombi i tretë përnga madhësia pas serbëve e kroatëve... Duke lënë kështu prapa sllovenët, malazezët, muslimanët e Bosnjes e maqedonasit. Shkaqet e protestave dhe sidomos organizatorët e demonstratave të para masive të studentëve shqiptarë në Prishtinën e marsit të vitit 1981 edhe sot e kësaj dite nuk janë qartësuar krejtësisht por ajo që mbahet mend është parolla e famshme me të cilën rrugëve të Prishtinës u kërkua "Republika e Kosovës".
    Rezultati i këtyre demonstratave ishte ashpërësimi i gjuhës dhe politikës së Beogradit ndaj Prishtinës dhe shqiptarëve përgjithësisht. Politikanët shqiptarë, pjesë ende të nomenklaturës që Tito kishte lënë prapa, në njëfarë mënyre provonin të balanconin mes interesave të Lidhjes Komuniste dhe prejardhjes së njerëzve, qytetarëve të tyre në Kosovë. Shqipëria e rrëgjuar gjatë sëmundjes së Enver Hoxhës shpejt e mbylli kufirin dhe nuk dëshironte të kishte punë me trazuesit e paqes së ngrirë në Kosovë. Kjo mbyllje vetëm sa u vinte përshtati komunistëve në Jugosllavi të cilët në një mënyrë a tjetrën një prej shkaqeve kryesore të trazirave dhe demonstratave politike e shihnin pikërisht hapjen ndaj Shqipërisë.
    Grupe të vogla marksiste, leniniste e komuniste dhe celula e fraksione me orientime kryesisht të majta në Prishtinë dhe në ndërkohë edhe në diasporën shqiptare të Kosovës në Gjermani, Zvicër, Austri tashmë kishin nisur që haptazi të punonin kundër regjimit jugosllav në njërën anë dhe të shpërndanin idetë për bashkimin e trojeve shqiptare në Ballkan në anën tjetër. Mes intelektualëve të njohur shqiptarë që qysh në vitin 1979 pat ikur nga Kosova në Gjermani ishte edhe gazetari dhe shkrimtari shqiptar Jusuf Gërvalla, i cili më 17 janar të vitit 1982 së bashku me vëllanë Bardhoshin dhe bashkëpunëtorin e tij Kadri Zekën u ekzekutuan në qytezën e Untergrupenbachut në jug të Gjermanisë. Edhe pse kjo vrasje sot e kësaj dite nuk është sqaruar kurrë, askush nuk dyshon që hynte në konton e shërbimeve sekrete jugosllave, të cilat për dekada të tëra kishin ekzekutuar emigrantë politikë, kroatë dhe tashti edhe shqiptarë.
    Vrasja e Gërvallës dhe bashkëpunëtorëve të tij vetëm sa e bëri të qartë në Prishtinë që më kthim prapa nuk do të ketë. Liria që deri para demonstratave të 81-it kishte ekzistuar në politikën liberale apo siç atëbotë quhej "socialiste vetëqeverisëse" u shëndërrua në një klimë të rëndë distancimesh dhe denoncimesh politike brendapërbrenda shqiptarëve dhe të cytura nga Beogradi. Çdo gjë kontrollohej: në gazeta, në art, në teatër e film por edhe në letërsi.
    Nga ana tjetër, derisa çdo ditë e më tepër ndjehej mungesa e Titos, pakënaqësitë politike shtoheshin si te kroatët ashtu edhe te serbët. Shqiptarët e Kosovës të cilët sidomos në vitet 70' dhe 80' kishin shënuar përparime të dukshme në infrastrukturë, ekonomi, kulturë dhe fillonin që dalngadalë të iknin nga kthetrat e patriarkalizmit dhe familjeve me struktura të mëdha, më nuk i përfillte kush sepse konflikti ishte zhvendosur. Nacionalizmi i liderëve politikë e shpirtëror të popullit më të madh dhe fuqishëm për nga numri, atij serb, tashmë nga qielli i miteve dhe religjionit kishte zbarkuar në Beograd.
    Edhe sot e kësaj dite duket e pabesueshme kur kthehet koka prapa dhe shihet që ishin njerëzit e kulturës, letërsisë, publicistikës, teatrit e filmit ata që nisën fletërrufetë e para nacionale e nacionaliste përmes patosit të të qenit viktima qoftë në Luftën e Dytë Botërore ashtu, apo sidomos gjatë udhëheqjes komuniste me herë "kroatin" e "herë" sllovenin Tito në krye.
    Duke iu falëndneruar kësaj fryme të rëndë, derisa në themelet e Perandorisë së kuqe komuniste në Europën e Mesme dhe atë Lindore dalngadalë fillonin të lëviznin dhe binin si pjesë të një "puzzle" fëmijësh, në Federatën Jugosllave, politikanët komunistë në shumicën e tyre zgjodhën rrugën tjetër. Atë të urrejtjes, nacionalizmit, shovinizmit dhe përgatitjes për luftërat shkatërruese.
    Natyrisht që e tëra duhej të niste me Kosovën.
    Pas Memorandumit tashmë të famshëm të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Serbisë, i cili në bërthamë kërkonte shpagimin për viktimizin e serbëve dhe njëkohësisht shtrirjen e tokës, kishës dhe shpirtit serb gjithandej ku ekzistonte edhe një varr serb - në skenë u shfaq një aparatçik komunist me emrin Slobodan Milosheviq, i cili pasi vrau "babain e tij politik" Ivan Stamboliqin, me një shpjetësi meteorike hipi në fronin politik të Beogradit për t'u shndërruar në njërin prej diktatorëve më të tmerrshëm që Europa e pasluftës së Dytë Botërore kishte përjetuar.
    Heqja e Autonomisë së Kosovës dhe protestat e shqiptarëve kundër këtij hapi që u përcollën me vrasjen, torturimin dhe burgosjen e qindra e mijëra të rinjve në rajon u krye shpejt dhe pa ndonjë dhembje të madhe. Milosheviqi me aparatin e tij politik dhe ushtarak të trashëguar nga Titoja nisi një prej fushatave më të përgjakshme në Europën e fundshekullit të kaluar duke shkaktuar aq shumë dhembje e vuajtje saqë shikuar nga këndi i sotëm kohor e tëra duket aq absurde saqë zemërimi dhe pikëllimi vetëm sa shtohen.
    Negociatat e dështuara për shkëputje paqësore të kombeve tjera në ish-Jugosllavi shkaktuan luftëra të cilat si viktima kryesore i kishin sidomos popullësinë civile. "Blitz" lufta në Slloveni. Përgjakja e Kroacisë në procesin e pavarësisë dhe sidomos lufta në Bosnjë e Hercegovinë ishin përditshmëria e tmerrshme në këtë pjesë të Europës - së cilës iu deshën vite të tëra derisa e kuptoi që pa ndërhyrjen ushtarake të NATO-s zor që do të kthehej paqja në Gadishull. Duhet të ketë qenë kolonat e miliona refugjatëve, shprehjet dhe emrat si "varreza masive", "Vukovari", "Srebrenica" e Sarajeva... ato që e bindën edhe opinionin e gjerë që të përkrahte politikën në aksionet ushtarake kundër forcave të Milosheviqit.
    Kosova dhe qytetarët e saj, edhe pse ishin të parët që pësuan nga politika e Milosheviqit, gjatë kohës së luftërave në fjalë, nën udhëheqjen e liderit pacifist, letrarit Ibrahim Rugova, organizuan institucionet e tyre paralele në mënyrë që t'i rezistonin së pari dhunës dhe më pas edhe sprovës së Serbisë për të pranuar shtetin e tyre. Shikuar nga këndi i sotëm, në atë "shtet brenda shteti" që kishte edhe emërtimin lëvizje paqësore ishin dy gjëra pozitive: vazhdimi i edukimit shkollor dhe universitar nëpër ambiente private dhe përçimi ose thënë edhe më mirë ndërkombëtarëzimi i çështjes së shtypjes së shqiptarëve nga regjimi i Milosheviqit.
    Të mos harrojmë: një popull i tërë në Europën e viteve 90 sundohej dhe shtypej në mënyrë klasike nga pakica prej jo më shumë se 10 për qind të serbëve të Kosovës, ndihmuar nga forcat policore dhe ushtarake të Beogradit. Thënë edhe më shkoçur: shqiptarët e Kosovës, nga viti 1989 nuk kishin administratë, shkollim, politikë, media, ekonomi as financa, shëndetësi, letërsi, dramë, film... Ose i kishin të gjitha por krejt ato në një organizim, ose thënë më së miri improvizim paralel - mes rrugës dhe kafeneve, shtëpive e apartamenteve private.
    Tërë kjo situatë bëri që mijëra e mijëra të rinj e të reja të mos pajtoheshin me atë situatë, prandaj edhe morën rrugën e mërgimit në Europë - Gjermani, Zvicër, Austri, Amerikë.... Ishte pra kjo diasporë ajo që fillonte të ndiqte pikërisht ato ideale të emigrantëve të viteve 70 apo edhe 80 por para së gjithash ishte fuqia e saj materiale ajo që bëri që të funksiononte "shteti paralel". Fondet e ndryshme të qeverive dhe partive politike, udhëtimet e politikanëve shqiptarë për të "ndërgjegjësuar" atë që quhej "opinion botëror" dhe sidomos "perëndimor" bënin që këta njerëz, duke filluar nga dr. Rugova e më poshtë të ndjeheshin vërtet si burrshtetas.
    Fakti që sa herë që ktheheshin në Kosovë, duhej të tregonin letërnjoftime e pasaporta serbe nëpër kufinj nuk i bënte aspak të dyshonin që të mos ndjeheshin si pushtetarë. Tekefundit Kosova, Kuvendi i saj paralel qysh në vitin 1991, kishte shpallur Republikën e Kosovës - shtet ky të cilin pos Shqipërisë, e cila e futur dhe nëse doni edhe fundosur në ujërat e turbullta të demokracisë nuk e kishte njohur askush! Një virtualitet i pashoq dhe para së gjithash i paparë në Europë.
    Dhe kjo Europë, së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe pse besoi që me Konferencën e Daytonit për Bosnjë e Hercegovinën shpresoi dhe mendoi ta kishte përmbyllur kapitullin e përgjakjes dhe tragjedive në këtë pjesë të Eurupës, duket që sidomos pas demonstratave të opozitës serbe në Beograd të vitit 1997, nuk e kishte kuptuar që për Milosheviqin nuk kishte shpëtim tjetër pos të kthehej atje ku edhe para një dekade e kishte nisur karrierën e tij politike: në Kosovë.
    Ndërkaq, atje, edhe ashtu, lëvizja pacifiste e udhëhequr nga dr. Rugova, pas disa vitesh kishte filluar që dalëngadalë të humbte në besim. Shqiptarët të cilët ishin ballafaquar me të gjitha problemet e ndryshme, robërinë dhe gjakëderdhjen në ish-shtetin e përbashkët e kishin shëndërruar tashmë në një lloj sporti të çuditshëm. Ikja e mijëra e mijëra të rinjve e familjeve shqiptare nga Kosova, zbulimi dhe vendosja e saçave të antenave satelitore, ku mund të shiheshin telvizionet e ndryshme amerikane, britanike, gjermane, zvicerane apo austriake, jo vetëm që e shtuan dozën e virtualitetit por edhe të shpresave të shqiptarëve që Perëndimi, megjithatë, nuk do t'i linte në kthetrat e tigrit dhe tigrave të tjerë, të cilët nuk mund të mbijetonin ndryshe pos me gjak, luftëra, përndjekje....
    Nëse djemtë e rinj shqiptarë, në fillim të viteve 90 ishin në pubertet, tashti, nga stacione trenash, katedra universitetesh, rrugë lirie e demokracie perëndimore e shikonin atdheun e tyre sesi dergjej nën reprezalie të tmerrshme të një regjimi, i cili edhe ashtu ishte i interesuar që sa më shpejt të jetë e mundur të plaste një konflikt i ri që ta shpëtonte kokën nga opozita e udhëhequr nga lideri i saj i ri dhe energjik, Zoran Gjingjiqi, dhe në të njëjtën kohë po ata djem e kishin të vështirë të integroheshin në këto shtete, atëherë s'u mbeti gjë tjetër pos të bënin diçka.
    Timing-u, ishte perfekt. Shqiptarët e rinj nga shtetet perëndimore me ato pak Deutsch Mark-a dhe dollarë amerikanë që kishin mundur të mbledhnin kishin zbritur në Shqipërinë e rrëgjuar nga regjimi autokratik i dr. Sali Berishës, në Tiranë në vitin 1996-97. Shfaqja e asaj që u quajt si Ushtria Çlirimtare të Kosovës (UÇK) qysh në vitin 1997, shkaktoi edhe vatrat e para të krizave të vogla në rajone të ndryshme të Kosovës.
    Përgjigjja e makinerisë luftarake të Milosheviqit ishte e pamëshirshme. Edhe një luftë e re. Ballkani sërish digjej dhe këso radhe ishte vatra e fundit e konfliktit.
    Sjellja brutale e forcave të Milosheviqit në fshatrat e Drenicës e Dukagjinit, bëri që të mos shihej rrugë tjetër pos të bëhen përpjekje për edhe një ndërmjetësim mes palëve në konflikt. Konferenca e Ramboulliet-së në Francë, në të cilën morën pjesë tërë spektri politik shqiptar i Kosovës, në njërën anë, dhe përfaqësuesit e Milosheviqit në anën tjetër, me fuqitë perëndimore si ndërmjetësuese në mes nuk solli asgjë. Këtu, Perëndimit nuk i mbeti rrugë tjetër pos të merrte vendim që të ndërhynte me një fushatë ajrore kundër forcave të Milosheviqit në Serbi dhe Kosovë. Në vitin 1999, në fundshekullin e kaluar, Europa ishte futur në një luftë të re, e cila sa ndau opinionin aq edhe solli tragjedi të mëdha e të pafundme.
    Filozofi i njohur gjerman Juergen Habermas, në diskursin e diskutimeve të ashpra që mbretëronin për intervenimin e NATO-s në Kosovë, e pati quajtur atë edhe "Intervenimi i së drejtës humanitare". Në shenjë hakmarrjeje ndaj kësaj fushate të Perëndimit, Milosheviqi me forcat e tij përndjekën rreth 1 milion shqiptarë nga Kosova. Vranë e masakruan më shumë se 10.000 qytetarë shqiptarë kurse opinioni perëndimor, duke parë tërë këtë dramë tashmë ishte përcaktuar dhe donte fundin e kësaj tragjedie. Pas 78 ditësh lufte ajrore, Milosheviqi e pranoi disfatën dhe u tërhoq nga Kosova me forcat e tij. Dhe jo vetëm me to. Shumë serbë por edhe pjesëtarë pakicash tjera ikën bashkë me ushtrinë nga frika e hakmarrjes së shqiptarëve, të cilët në qershor të vitit 1999 u kthyen në Kosovën e lirë.
    Frika e serbëve dhe pjesëtarëve të pakicave tjera doli të mos ishte edhe e paarsyeshme. Hakmarrjet e shqiptarëve ishin mëse brutale. Bashkësia ndërkombëtare, forcat e NATO-s dhe misioni më i madh në historinë e OKB-së, në bazë të një rezolute të KS të OKB-së, i quajtur edhe UNMIK, ishin mes dy zjarresh: shqiptarët i përjetonin ata si çlirimtarë, kurse serbët si pushtues. Dhe ndërkombëtarët në këtë mes ishin që të garantonin kthimin e të përndjekurve, por edhe të mbronin të drejtat e serbëve e pakicave tjera. Dramat që Kosova e traumatizuar përjetoi në muajt dhe vitet e pasluftës ishin të panumërta.
    Kësaj duhet shtuar edhe faktin që në vend kishin zbritur edhe me qindra organizata humanitare, të cilat vetes i kishin vënë për qëllim që të ndihmonin me çka e si të mundnin. Prej atyre që mbronin kafshët deri tek organizata që qytetarëve të Kosovës do t'i ndihmonin të rindërtonin shtëpitë e tyre të shkatërruara, gjenin të afërmit e tyre të zhdukur apo edhe çminonin fushat e mbushura me municione e mina lufte. Pa lënë anash këtu nuk mundemi as faktin që pjesëtarët e UÇK-së të cilët me ndihmën e NATO-s tashmë nga malet kishin zbritur në qytete, postulatin e tyre të mëparshëm që do "të vdesin për atdheun" e kishin shëndërruar në diçka tjetër: grabit dhe plaçkit sa të mundesh.
    Së paku ky perceptim u krijua për UÇK-në apo grupe të caktuara të saj. Kjo me një mori faktorësh tjerë kishin bërë që partitë e dala nga ky formacion ushtarak, në zgjedhjet e para të organizuara në Kosovë, të pësonin një debakël total kundruall pacifistit Ibrahim Rugova, i cili pas luftës nga shumë miq ndërkombëtarë nuk shihej që mund të kthehej i fortë në skenën politike. Ndodhi e kundërta. Rugova me partinë e tij mori pushtetin dhe në bashkëpunim me OKB-në organizoi institucionet e përkohshme qeverisëse, të cilat u morën me nisjen e një jete të re - nga zeroja.
    Ose thënë edhe më mirë nga një minus a mungesë prej dy dekadash. Partia e Rugovës natyrisht që kishte pushtetin "paralel" gjatë dekadës së viteve 90' dhe korrupsioni nuk ishte nocion as sport i panjohur për ta. Nëse kësaj i shtojmë edhe mosnjohuritë dhe avanturizmin e misionarëve të OKB-së, atëherë terreni ishte më tepër se i përshtatshëm që në këtë frymë pikërisht vjedhja dhe përfitimi nga fondet e Perëndimit të bëheshin një e mirë e përbashkët - për shumë misionarë të OKB-së dhe politikanë të Kosovës.
    Por, kjo nuk kishte edhe shumë rëndësi sepse politika e shtynte së tepërmi patosin dhe ritin e luftës heroike. Për ta thirrur në ndihmë thënien e Thomas Bernhard: "Nuk ka asgjë për të lavdëruar, asgjë për të mallkuar, asgjë për të akuzuar, por shumëçka është qesharake, kur njeriu mendon në vdekjen"... atëherë për politikanët shqiptarë dhe ndihmaçarët perëndimorë popullata shqiptare duhej ushqyer medialisht dhe politikisht, që kryesorja është që keni shpëtuar dhe jeni të lirë... dhe tashti tjerat bëhen dalëngadalë.
    Shoku kulturor që në Kosovë ndodhi me praninë masive të Misionit të OKB-së, Bashkimit Europian dhe lloj-lloj organizatash ishte i madh. Vëmendja nga Ballkani nuk hiqej edhe përkundër 11 Shtatorit, fushatave dhe luftërave të reja në Afganistan, Irak e gjetiu në botë. Ishin dhe deri dikund janë ende ato plagë të mëdha të hapura përgjatë shekujve ato që ndikuan dhe për fat të keq ndikojnë që kjo pjesë e Europës të shikohet me vëmendje dhe frikë - përballë konflikteve të reja të mundshme. Shumica shqiptare në Kosovë, tashmë ishte dëshpëruar me lirinë, siç edhe u kishte ngjarë shumë e shumë popujve të tjerë përgjatë historisë së tyre.
    Zhgënjimi ishte i dyfishtë: në bashkësinë ndërkombëtare e cila derdhte qindra miliona dollarë për "misionin" dhe "misionet" e saj por nuk ishte në gjendje që vendin ta furnizonte edhe me rrymë elektrike e lëre më me nevoja tjera por ky zhgënjim po aq ishte i drejtuar edhe ndaj politikanëve vendorë. Në këtë frymë edhe ngjau ajo që sot në historinë e Kosovës së re njihet edhe si "protestat e Marsit" të vitit 2004. Vetëm pesë vjet pas çlirimit, Kosova filloi sërish të digjej dhe ishin pjesëtarët e pakicave, sidomos populli serb i Kosovës, ai që pësoi më së shumti gjatë këtyre konflikteve.
    Kjo zgjoi vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare, fuqive perëndimore që Kosova ende ishte aty dhe duhej bërë diçka që Prishtina e Beogradi duhej të uleshin në tryezën e bisedimeve për të zgjidhur çështjen e Statusit të Kosovës. Milosheviqi tashmë ishte dërguar në Hagë, Gjingjiqi ishte vrarë në mënyrë brutale në shenjë hakmarrjeje ndaj politikës së tij të hapjes ndaj Perëndimit e edhe fqinjëve por këto fakte nuk do të thoshin aspak që bisedimet shqiptaro- serbe do të ishin të lehta.
    Me ndërmjetësimin e ish-presidentit finlandez Martti Ahtisaari si dhe diplomatit e njërit prej njohësve më të mirë të Ballkanit, Albert Rohan, në Vjenë, për gadi dy vjet rresht u mbajtën bisedimet maratonike mes Prishtinës e Beogradit, të cilat sollën tek vetëm një rezultat i mundshëm bazuar në propozimin e Presidentit Ahtisaari: Pavarësinë e Kosovës. Edhe pse me një mbikëqyrje të shkallës së lartë, me të drejta të theksuara vetëqeverisjeje e autonomie për serbët e Kosovës, shqiptarët e pranuan këtë kompromis me shpresën që më në fund edhe ndërkombëtarisht do të shkëputeshin nga Serbia.
    Ashtu edhe ndodhi. Më 17 shkurt të vitit 2008, në një të diel, Kuvendi i Kosovës, në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, shtetet kryesore të Bashkimit Europian dhe SHBA, shpalli Pavarësinë e Republikës së Kosovës duke kështu një prej konflikteve më të përgjakshme në Europë. Natyrisht që Serbia dhe Beogradi nuk e kanë njohur dhe s'do ta njohin këtë pavarësi. Problemet mes Serbisë dhe Kosovës ende vazhdojnë të jenë të pranishme sidomos në pjesën veriore të vendit dhe bisedimet mes Prishtinës e Beogradit me ndërmjetësimin e Brukselit, për të gjetur një zgjidhje për këto probleme janë duke vazhduar. Me shpresën që do të gjendet një zgjidhje.
    Por edhe me presionin që të gjithë ata - përfshirë këtu edhe Republikën e Serbisë edhe atë të Kosovës, mund të bëhen pjesë e familjes europiane vetëm nëse përmbushin kriteret demokratike për një gjë të këtillë. Në këtë mes kemi paradoksin që si për politikën e Beogradit ashtu edhe atë të Prishtinës, konflikti në kufirin mes Kosovës e Serbisë është i mirëseardhur. Sepse populli - ai shqiptar dhe ai serb ushqehen më lehtë me konflite të ngrira sesa qeverisje të mirë!
    Kosova, katër vjet pas kësaj pavarësie, është larg përmbushjes së këtyre kritereve. Shteti i ri, edhe pse shpalljen e Pavarësisë së bashku me miqtë ndërkombëtarë e menaxhoi si e më mirë... pas saj filloi të futet në kthetrat e fuqishme të korrupsionit, krimit të organizuar, vjedhjes së votës së lirë, keqmenaxhimit të buxhetit shtëtor e kështu me radhë e kështu me radhë.
    Përkundër asaj që pavarësinë e vendit është duke e mbikëqyrur misioni më i madh në historinë e Bashkimit Europian në fushën e drejtësisë, Kosova vazhdon të shihet dhe ndjehet si një fushë e lirë në drejtësi. Nuk ka gjyqe ose ato gjyqe që ekzistojnë vazhdojnë të jenë të korruptuara dhe ndikuara politikisht. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, të gjithë popujt e rajonit mund të udhëtojnë në Europë pa viza, por kjo nuk vlen edhe për qytetarët e Kosovës. Dhe këtu duhet të jemi të qartë. Nëse 20 vjetët e fundit të shekullit të kaluar ishin aq të rënda, dhjetë vjetët e angazhimit të OKB-së një gati se një kaos total, faza ose koha pas pavarësisë së shtetit të ri të Kosovës, shqiptarët i ka vënë në dilemën dhe vështirësinë e tyre esenciale prejse dinë për veten e tyre.
    Ata, shqiptarët e Kosovës duhet të ballafaqohen me vetveten dhe ta shohin realitetin drejt në sy. Për të qenë pjesë e familjes së popujve të civilizuar europianë e perëndimorë duhet të heqin qafet klientelizmin politik, ekonomiko-financiar dhe kulturor. Kjo gjë nuk po ngjet. Varfëria e dukshme - Kosova për kokë banori ka bruto-produktin social me një mesatare afrikane, korrupsioni i shtrirë në të gjitha fushat dhe shtresat e shoqërisë, imazhi katastrofal që shteti i ri e ka në Europë dhe gjithandej në botë, kanë bërë që njerëzit, qytetarët e vendit të mos e shohin të ardhmen e tyre me optimizëm.
    Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jetojnë dhe shijojnë një realitet virtual, i cili u mundësohet përmes kutive magjike të televizorit, internetit dhe gazetave e ëndërrave e idealeve të ndrydhura për të qenë pjesë e Europës. Pakënaqësia është e madhe por revoltë ndaj klasës politike të korruptuar dhe shantazhuar nga ndërkombëtarët për shkak të korrupsionit dhe për hir të ruajtjes së sigurisë, ende nuk ka.
    Vazhdohet të jetohet me shpresën e ndrydhur për ditë e jetë më të mirë.
    Për t'u kthyer te personazhi ynë fillestar në këtë trajtesë duhet edhe ta shpjegojmë shkakun që atë e kishte shtyer që më datën 30 janar në protestën personale kishte provuar të vetëdigjej: sepse Qendra Tregtare kishte refuzuar t'ia pranonte që ky të kthente një televizor të modelit "Plazma", të cilin e kishte blerë vetëm para disa ditëve. I dëshpëruar deri në pakufi ai s'kishte parë rrugë tjetër të protestonte pos atij veprimi, i cili u evitua në çastin e fundit të mos përfundonte në një tragjedi.
    Problemi që Kosovën e pret do të jetë ky: çfarë, çfarë do të ngjajë nëse një ditë shqiptarët e Kosovës do ta kuptojnë që realiteti virtual nuk është gjë tjetër pos një (vetë)mashtrim, i cili në asnjë mënyrë nuk plotëson as nevojat më elementare të ekzistencës dhe të qenit pjesë e civilizimit dhe mentalitetit perëndimor, europian.
    (Ky është fjalimi që Beqë Cufaj ka mbajtur të premten në mbrëmje në gjuhën gjermane, në kuadër të prezantimit "Die Besten aus dem Osten: Kosovo 10" (Më të mirët nga Lindja: Kosova 10) në "Volkstheater" (Teatri Popullor) të Vjenës në Austri).