I djersitur dhe me një shkodranishte të kadifenjtë dhe të fisme, zoti Zaganjori bëri një hap pas dhe padyshim, në sytë e atyre që nuk e njihnin, bëri një hap më lart, shumë më lart. Të vjen të thuash me gojën plot se zoti Zaganjori duhet të ishte bërë me të vërtetë President. Ndoshta Shqipëria humbi një shans, për të patur në krye të Shtetit një burrë të përgjegjshëm, që djersitet dhe që di të formulojë në pak fjalë, akte të mëdha prej gentleman-i.
Mbas largimit me hapa të fisme të kësaj kandidature me prerje reale prej burri Shteti, rihapet loja e maratonës presidencialiste.
Dy rrugë hapen përpara enigmës së orëve në vijim. Rruga e Parë, një hap përpara nga Kryeministri dhe Mazhoranca që ai përfaqëson. Një hap përpara drejt një konsensusi më të gjerë dhe padyshim më të kushtueshëm, në mundime dhe sakrifica, të raporteve të tij partiake me eksponentë të Partisë Demokratike, që sigurisht në këto orë, shtyjnë dhe bëjnë trysninë e tyre drejt vetvetes. Drejt kandidatit politik për President. Simbas një logjike jo të palogjikshme, mbas harxhimit bosh të tri seancave të cilat kushtëzojnë dhe përkojnë me frymën konsensuale të zgjedhjes së Presidentit, tani vjen natyrshëm radha e kandidaturës politike. Dhe pse jo, kjo kandidaturë të mos jetë nga radhët e mazhorancës?
Tundimi bëhet gjithmonë e më i madh, pasiqë qëndrimi i Kryetarit të Opozitës, vetëm në një 24 orët e fundit, ka qenë më i lexueshëm. Deri 24 orë më parë, Rama dukej një këmbëngulës kapriçioz, për një çështje të mbyllur. Ata që kanë gjykuar në mungesë të një informacioni më të thellë, nuk e kanë ditur ose e kanë nënvleftësuar, komunikimin e pandërprerë ndërmjet Berishës dhe Ramës.
Nëse Rruga e Parë, shkon drejt e pa pengesa në përmbylljen e vet të natyrshme, do të kemi si produkt të saj, një President konsensual, klasik dhe të padiskutueshëm.
Rruga e Dytë, është edhe ajo e mundshme. Kryeministri, nën trysninë progresive të Grupit të tij Parlamentar, bën një ‘hap prapa’ në raport me procesin konsensual, duke bërë një hap përpara drejt opsionit të kandidaturës politike, miratuar vetëm nga Mazhoranca e tij qeverisëse. E kemi stërthënë, Kushtetuta e lejon një gjë të tillë dhe kuptueshëm, një gjë që lejohet, do të thotë që nuk ndalohet. Një gjë që nuk ndalohet dhe pra, lejohet, është padyshim legjitime dhe katërcipërisht kushtetuese.
Nëse një Rrugë e tillë do të përshkohet, edhe nën peshën e ankthit se nëse digjet edhe Raundi i Katërt, Raundi i Pestë, mund të shndërrohet në një raund të pabesë, që e çon Shqipërinë në Zgjedhje të Parakohshme, atëherë do t’i kushtohet një rëndësi më e madhe konsensusit të ngushtë dhe të sigurt brenda Mazhorancës, që e bën të vlefshme Seancën Parlamentare me çdo kusht. Zgjedhja e Presidentit, do të ishte kësisoj, dalja nga ngërçi dhe nga orbita e rrezikshme e Zgjedhjeve të Parakohshme.
Mapo
Opsion apo mundësi e cila nuk është për t’u nënvleftësuar, pasiqë procesi ka hyrë në një zonë rreptësie. Termat Kushtetues, të cilët kronometrojnë kohën dhe Seancat Parlamentare, në kornizën proceduriale të parashikuar, janë një tik-tak i saktë dhe teorikisht i pakthyeshëm.
Kryeministri deri më tash ka hedhur hapa realisht inkurajues, seriozë dhe me peshë, në drejtimin e konsensusit transversal, përtej të Djathtës dhe të Majtës.
Rrugët janë aty. Njëra më e vështirë, shumë më e vështirë. Tjetra, më e lehtë. Aritmetike dhe e dystë. Kushtetuese. Por ndoshta më e kushtueshme për Peshoren e Brukselit.