credins
Data sot është 19-05-2013, ora 11:48

Author Bios

Blogs by this author:

  • Profesor Doktor Ardian Ndreca më vuri kohët e fundit në pozitë me shkrimin e tij “Mashtrimi si vokacion” të cilin e botoi tek Respublica si përgjigje, apo polemikë, me shkrimin tim “Ku janë katolikët e moderuar”. Shkrimi i Profesor Doktor Ardian Ndrecës më ka habitur tej mase me gjuhën e tij prej rrugaçi, sulmet dhe fyerjet personale pa limit, që nga “mashtrues” e “gdhë” deri në “bir kurve” e thënë indirekt nëpërmjet citimit të një shprehje të vjetër të Konicës me “bij kurvash” që rreshtoheshin në anën anti-kombëtare të historisë (këtë të fundit Ndreca mund edhe ta mohojë duke thënë “po pse të dogji ty? Konica e kishte për tradhtarët e kombit”, por sigurisht që efekti ofendues dhe shënjestra e kësaj sharje isha unë.)

    Gjithkush mund të marrë penën e të hartojë një shkrim plot fyerje e sharje kreative, duke u munduar kështu të shkatërrojë personalitetin e kundërshtarit. Kjo nuk është diçka e re ose e papritur në shtypin shqiptar ku sulmet personale janë metodë e preferuar e debatit. Habia ime u shkaktua nga fakti që ky vërshim i llumtë banalitetesh m’u hodh përsipër ngadikush që ka mbaruar doktoraturën në Universitetin Urbaniana në Vatikan, dikush që është profesor në universitetin prestigjoz John Carroll University në Vatikan ku mes të tjerash jep dhe lëndën Mendimtarët e Krishterë, dikush që është kryeredaktori i revistës më të rëndësishme katolike shqiptare “Hylli i Dritës”, dikush që ka shkruar me dhjetëra shkrime, analiza, ese e përqasje në gazetat më të mëdha shqiptare, dikush që njihet e respektohet në gjirin e intelektualëve shqiptarë. Që dikush kaq i ngritur në pozitë të bjerë në nivelin e një rrugaçi e cubi mediatik ishte vërtet shokuese, jo vetëm për mua, por, me sa pashë, për shumicën dërrmuese të lexuesve të Respublikës.

    Gjithsesi, nëse do kaloja një moment përtej habisë e përtej efektit emocional të shkrimit të Profesor Doktor Ardian Ndrecës, dhe për të sqaruar ata pak lexues që mund ta kenë marrë seriozisht pretendimin e Ndrecës se unë jam një mashtrues profesional që përpiqem të manipuloj fjalët e tij dhe mendjen e lexuesve, po bëj më poshtë disa zbërthime të vogla inxhinierike të këtij pretendimi.

     

    Prerje 1A

    Profesor Doktor Ardian Ndreca shkruan se unë kam ndërruar kryefjalën e pohimit të tij dhe se, si një mashtrues i poshtër, kam futur substantivin “Islami” aty ku ai qartësisht i ishte referuar një tjetër “shpirti të keq gërmadhash”, nostalgjisë otomane. Në fakt, këtë gjë unë e sqarova disi në përgjigjen time ndaj komentit të Dom Gjergj Metës tek shkrimi im fillestar, përgjigje të cilën Ndreca patjetër do e ketë lexuar para se të qëndiste sulmin e tij ndaj meje. Aty unë thashë:Ndoshta me "nji shpirt i keq germadhash nji fryme qe s'asht tjeter vecse gerbula qe na ka lane barbaria otomane" Ndreca kerkon te tregoje me gisht dicka tjeter qe na kane lene turqit pervec Islamit, dicka kaq te keqe qe e shqetesoka Ndrecen kaq shume dhe i sillka te tilla emocione. Nuk e di c'ka pas ai ne mendje, ndoshta ai mundet te na sqaroje. Une dhe ata me te cilet e kam diskutuar kete shkrim, e kemi interpretuar kete reference te Ndreces si nje sulm dashakeqes ndaj Islamit”. Siç është e qartë këtu, unë e pranova se ka një ambiguitet në fjalët e Ndrecës, por interpretimi im dhe i shumë miqve të mij ishte se Ndreca këtu po i referohej Islamit. Faktin që ky s’është vetëm interpretimi im personal e pohoi edhe forumi musliman E-zani-i-naltë, të cilët botuan edhe shkrimin e tyre si përgjigje ndaj Ndrecës.

     

    Prerje 1B

    Profesor Doktor Ardian Ndreca harron të vërë re se fjalët e tij, të cilët unë i gjeta ofenduese ndaj meje e fesë time, po ashtu i quajti ofenduese imzot George Frendo në përgjigjen e tij ndaj meje, të cilin edhe njëherë e falënderoj publikisht për civilitetin e tij dhe frymën vëllazërore, ku ai u shpreh se “Fjale te tilla nuk kontribuojne per nje dialog konstruktiv mes katolikeve dhe muslimaneve, madje cenojne marredheniet e mira qe gjithmone kane egzistuar mes nesh.” Si e komenton Ndreca këtë distancim prej fjalëve të tij nga imzot Frendo? A është edhe Frendo mashtrues? Apo edhe Frendo po keqinterpreton fjalët e Ndrecës?

     

    Prerje 1C

    Edhe nëse unë do kisha gabuar në interpretimin tim, gjë që është krejtësisht e mundshme, jo vetëm për një “student inxhenjerie” por edhe për studiues të mirëfilltë të fushës, mënyra civile e përgjigjes nga ana e Profesor Doktor Ardian Ndrecës do kishte qenë të më tërhiqte vërejtjen e me mirësjellje të më informonte për keqinterpretimin tim duke më shpjeguar kuptimin e vërtetë të fjalëve të tij. Kjo do kishte qenë mënyra e bukur katolike e zhvillimit të këtij debati, edhe pse unë e Ndreca mund të vazhdojmë të kemi qëndrime e ide thellësisht të ndryshme rreth trashëgimisë sonë osmane.

     

    Që profesori me aq zell e ngulm t’i thotë studentit se ai di e ky i fundit është “gdhë” e nuk di, është kulmi i arrogancës. Por që profesori t’i thotë studentit se ky i fundit është mashtrues ngaqë është “gdhë” e nuk di, ky është, sipas mendimit tim, kulmi i pandershmërisë.

     

    Prerje 2
    Profesor Doktor Ardian Ndreca pretendon se ai, për njimilion arsye, nuk ka shkruar kurrë një rresht për islamin. Siç e vunë në dukje disa komentues këtu, dhe po ashtu e-zani tek përgjigja e tyre, Ndreca, jo më larg se Shtatori i 2012-s,citohet të ketë thënë: "Che il comunismo albanese sia stato di matrice islamica lo dimostra l’accanimento speciale nei confronti della Chiesa cattolica e dei suoi membri. Pra na del se Ndreca, jo vetëm që ka folur për islamin, por ka folur në një mënyrë ekstreme. Ai ka përqafuar tezën se islami ka frymëzuar komunizmin shqiptar dhe kjo, sipas tij, shpjegon egërsinë e pazakontë të regjimit monist tek ne në krahasim me vendet e tjera komuniste, e po ashtu shpjegon luftën e egër të komunistëve shqiptarë ndaj klerit dhe Kishës Katolike. Ky është një qëndrim tepër ekstrem i Ndrecës, qëndrim që padyshim nuk përfaqëson kishën katolike shqiptare por vetëm sa frymëzon palaçot e faqeve ekstremiste si zemrashqiptare.net, ku urrejtja fetare ndaj shqiptarëve muslimanë vërshon frikshëm çdo ditë. Edhe njëherë Ndreca tregohet i pandershëm me debatuesin e tij rishtar, por edhe më keq, me lexuesit e tij.

     
    Prerje 3

    Profesor Doktor Ardian Ndreca shpreh habi se si unë nuk them asnjë fjalë rreth thelbit të shkrimit të tij origjinal mbi kërkesën e qeverisë turke për rishikimin e teksteve shkollore të historisë në Shqipëri e Kosovë. Unë nuk them gjë për këtë sepse, zoti Ndreca, unë s’kam asgjë për të thënë rreth kësaj teme. Me këtë punë le të merren historianët e specialistët, dhe është e drejta juaj e plotë të mbani qëndrimin që mbani, i cili është një qëndrim i vlefshëm, po ashtu siç është dhe qëndrimi kundërshtar. Shqetësimi i ngritur prej meje nuk ka të bëjë fare me librat e historisë a me peticionin e famshëm intelektual kundër rishikimit të tyre. Unë jam thjesht një qytetar i shqetësuar nga niveli i retorikës islamofobe në diskursin publik, sidomos kur kjo retorikë vjen nga drejtues të lartë katolikë si ju apo Dom Shan Zefi në Kosovë. Ky ishte shqetësimi që ngrita, si në letrat e mia ndaj autoriteteve katolike, ashtu edhe në shkrimin tim.

     

    Shënime udhëzuese për konstruktorin
    Çfarë pritet prej Profesor Doktor Ardian Ndrecës tani? Një idealist i marrë si unë që akoma beson tek civiliteti i shqiptarëve dhe mundësia e tjetrit për të ndryshuar, do priste që Ndreca ta pranonte gabimin e tij e t’u kërkonte falje lexuesve të tij për shkeljet e shumta etike, e veçanërisht  t’i kërkonte falje studentit të inxhinierisë në Amerikë të cilin e ka fyer dhe ofenduar pa të drejtë. Gjithashtu, do prisja që Ndreca të dilte e të na sqaronte qëndrimin e tij rreth shkrimit të sipërcituar ku ai kaq lehtësisht ndërlidh islamin shqiptar me komunizmin. Këtë do e shihja si një obligim moral të Ndrecës ndaj mbarë lexuesve të tij shqiptarë, por veçanërisht ndaj lexuesve muslimanë e atyre katolikë.

     

    Si përfundim, në vend të fjalëve të “bukura” të Konicës, po e lë Profesor Doktor Ardian Ndrecën me fjalët e një intelektuali pak më modern shqiptar, Dom Gjergj Meta: “Kësisoj, për një katolik, të kujtojë e të ushqehet me atë çka ka qenë në të kaluarën, është sinonim i vitalitetit, por kthehet në një ushqim dhe ujë të ndenjur nëse ajo nuk përtërihet me atë çka unë sot jam. E vetëdija e parë që sot ne duhet të kemi është se ajo societas christiana, e cila mbizotëronte në shekujt e Mesjetës në gjithë Europën, por edhe në Shqipëri, sot nuk është më e tillë. Realiteti plural në të cilin jetojmë nxjerr përballë nesh sfida të tjera, të reja. Pluralizmin kulturor dhe fetar, të cilin unë e prek çdo ditë këtu ku jetoj, mund ta prekësh në metropolet më të mëdha europiane, Romë, Paris, Londër, e më gjerë, edhe pse nënshtrati i këtyre metropoleve është i krishterë.

    Pluralizmi fetar në Shqipëri është një fakt. Mohimi i këtij fakti është së paku naivitet e së shumti dashakeqësi. Unë nuk jam prej atyre që e idealizoj fort bashkëjetesën fetare në Shqipëri. Ajo është e mirë, por ka edhe problemet e veta. Më shumë sesa një fakt ajo është një proces që duhet të kërkohet e të realizohet përditë e më shumë.”

  • “Ku janë muslimanët e moderuar?” ka qenë pyetja që kemi dëgjuar shpeshherë pas ndonjë proteste të dhunshme në botë të muslimanëve të indinjuar, si psh. me rastin e karikaturave të Profetit Muhamed a.s. (paqja qoftë mbi të), apo me filmin e fundit ofendues ndaj tij. Sigurisht që organizatat mainstream muslimane në Perëndim kanë dënuar çdo shfaqje ekstremizmi nga muslimanët dhe kanë bërë thirrje për vetëpërmbajtje dhe qetësi në frymën e mësimeve të Profetit Muhamed. Problemi në shumë raste qëndron tek mos-mbulimi mediatik i reagimeve të organizatave kryesore muslimane, dhe mbulimi me tepricë i akteve ekstremiste, edhe kur ato kryen nga grupe të vogla e margjinale që nuk përfaqësojnë shumicën dërrmuese të besimtarëve muslimanë në botë.

    Në rastin e Shqipërisë, ka pasur herë pas here deklarata apo shkrime në media nga disa shqiptarë muslimanë të cilët kanë ofenduar shqiptarët e besimeve të tjera, ose, në një mënyrë a tjetrën, kanë shfaqur mungesë tolerance fetare. Një rast i tillë është deklarata e para disa kohëve nga një grup margjinal i quajtur Forumi i të Rinjve Muslimanë me qendër në Kosovë e cila thoshte: Kete dite te Xhuma, ne i apelojme te gjithe vellezerve tane muslimane, qe te dalim dhe protestojme ne Shkup kunder islamofobise ortodokse dhe katolike. I apelojme vellezerve tane muslimane qe nga Dibra e deri ne Shkup qe diten e Xhuma te dalin te protestojne me flamuj turq, te Arabise Saudite, Jemenit, Libise, Amerikes, dhe te gjithe vendeve muslimane. Ne proteste duhet t’i kerkojme Turqise qe te nderhyje ne Maqedoni dhe t’i shpetoje muslimanet shqiptare nga persekutimi katolik dhe ortodoks.

    Kjo deklaratë e dënua menjëherë nga forumi musliman Ezani i Naltë të cilët u shprehënNgjarjet e kohëve të fundit në Maqedoni kanë ngjallur reagimet e myslimanëve në gjithë Ballkanin, përfshi të një farë Forumi i të Rinjve Muslimanë në Pejë të Kosovës. Teksa shumica e këtyre reagimeve kanë shprehur indinjatën xhenuine të myslimanëve me politikat e Shkupit si dhe me reagimet e Tiranës dhe Prishtinës, reagime si këto të këtij Forumi, në të kundërt, reflektojnë idiosinkrocinë shqetësuese që dëgjohet nganjëherë në bashkësinë tonë. Të tilla reagime, jo që nuk shprehin mbështetje për shqiptarët në Maqedoni, por në të kundërt mbështesin retorikën e islamofobëve maqedonas dhe atyre shqiptarë.

    Gjithashtu, unë personalisht, në funksionin e atëhershëm të zëvendës-sekretarit të Qendrës Islame Shqiptaro-Amerikane të Nju Jorkut dhe Nju Xhersit, e dënova këtë lloj retorike në një shkrim të botuar tek gazeta shqiptaro-amerikane Illyria në datën 15 Maj, 2012, ku mes të tjerash thashë: “Forumi i të Rinjve Muslimanë është një organizatë fare e vogël në Kosovë e cila me të tilla deklarata duket se është e destinuar të margjinalizohet edhe më tej deri në harresë.”

    E pranova këtë ekspozim të bezdisshëm publik për shkak se e ndjeva si detyrim distancimin dhe dënimin e kësaj retorike, pikërisht sepse ajo vinte nga një pjesë, sado e vogël, e komunitetit tim fetar. Është bindja ime personale dhe fetare se retorika e urrejtjes apo përçarjes fetare mes shqiptarëve të feve të ndryshme është krejtësisht e papranueshme dhe s’ka vend mes nesh.

    Në të njëjtën frymë, edhe një imam kosovar, Shefqet Krasniqi, kërkoi ndjesë për komente fyese të bëra ndaj Nënë Terezës dhe forume muslimane mbajtën qëndrim ndaj fjalëve të tij.

    Ndërkohë ama, ndërsa deklarata të tilla nga grupe muslimane marrin goxha mbulim mediatik dhe dënohen në shkallë të gjerë nga mediat dhe aktorët publikë shqiptarë, është jo e para herë që deklarata të ngjashme urrejtje-nxitëse apo intolerante bëhen nga gazetarë, analistë, apo edhe zyrtarë katolikë në dëm të komunitetit musliman. Ajo që bie në sy është se jo vetëm që nuk ka ndonjë dënim apo distancim prej këtyre deklaratave nga mediat shqiptare apo autoritetet katolike, por janë vetë mediat që i botojnë këto deklarata si të ishin krejt normale dhe mëse të pranueshme.

    Dy shembujt më të freskët të këtij fenomeni janë deklarata e Dom Shan Zefit dhënë gazetës Express në Kosovë dhe shkrimi i Ardian Ndrecës me titull Deliri i Ndëshkimit i botuar tek Gazeta Mapo në Tiranë. Dom Shan Zefi, Kancelari i Ipeshkvisë Katolike të Kosovës, raportohet se në përgjigje ndaj tezës së shkrimtarit Kim Mehmeti se Islamizmi e ka ruajtuar shqiptarinë, ka thënë: “Shqiptarinë nuk e ka shpëtuar islamizmi, por është Kisha Katolike ajo që ka mbajtur gjallë fijet e shqiptarisë”

    Sipas tij, është islamizmi, konkretisht Perandoria Osmane, që ka shkatërruar gjithë trashëgiminë materiale, kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve.

    “Ky është një fakt historik që nuk mund ta mohojë askush”, shtoi ai, të hënën.

     Ardian Ndreca, kryredaktor i revistës katolike “Hylli i Dritës”, mes të tjerash thotë në shkrimin e tij: “Edhe pse kontakti gjeografik me Turqinë mungon, mes nesh endet si nji shpirt i keq gërmadhash nji frymë që s’asht tjetër veçse gërbula që na ka lanë barbaria otomane. Ka 100 vjet që e tërheqim zvarrë mbas nesh ketë hije të zezë ase kufomë që na e qelb rrugën, tue shpresue gjithnji që të shkundet ma në fund prej jermit të etheve të liga, por më kot. “ dhe me pas: “Vetë lutjet në arabisht janë tregues i nji unjisimi shpirtnor me nji botë që gjithnji e ma tepër po shkatrron indin e shqiptarizmës.” Sipas kryeredaktorit të “Hylli i Dritës” Islami “endet si nji shpirt i keq gërmadhash.”

    Prita me ditë të tëra të shihja ndonjë distancim apo dënim të këtyre deklaratave të turpshme e të papranueshme nga autoritetet katolike shqiptare apo mediat dhe shoqëria civile, por më kot. Vendosa t’i shkruaj një letër ankese liderëve katolikë rreth kësaj pune dhe e nisa letrën time në adresë të Nuncit Apostolik të Vatikanit në Tiranë, imzot Ramiro Moliner Ingles, Ndihmës Peshkopit të Ipeshkvisë Tiranë-Durrës, imzot George Frendo, dhe Zëdhënësit të Konferencës Ipeshkvore Katolike të Shqipërisë Dom Gergj Meta. Mes të tjerash në letrën time u shpreha zotërinjve se:

    Si besimtarë muslimanë shqiptarë, une dhe rrethi im familjar e shoqeror ndihemi thellesisht te shqetesuar nga te tilla deklarata e qendrime zyrtare apo gjysem-zyrtare te ketyre figurave te larta katolike. Une jam i bindur qe ato nuk perfaqesojne qendrimin zyrtar te Vatikanit dhe per kete ju lutem qe te distancoheni publikisht prej ketyre deklaratave dhe te sqaroni pozicionin zyrtar te Vatikanit kundrejt shqiptareve muslimane dhe trashegimise se tyre islame.

    Imzot George Frendo m’u përgjigj dhe për këtë e falënderoj. Përgjigja e tij është si më poshtë:

    I dashur zoti Taraj,

    Kuptoj shume mire shqetesimet tuaja. Fjale te tilla nuk kontribuojne per nje dialog konstruktiv mes katolikeve dhe muslimaneve, madje cenojne marredheniet e mira qe gjithmone kane egzistuar mes nesh. 

    Megjithate fjala te tilla nuk perfaqesojne fare pozicionin as te Vatikanit, as te hierarkise katolike ne Shqiperi. Vete kam pasur rast te flas per marredheniet pozitive mes katolikeve dhe muslimaneve ne nje takim nderfetar ne Parlamentin Europian ne Strasburg, kam dhene nje ligjerate mbi lutjen ne Kuran, dhe perseri do te flas per marredheniet tona me muslimanet ne Londer me 1 maj.

    Ne te kaluar jane botuar artikuj nga muslimane qe na kane fyer, megjithate i kemi injoruar duke qene te bindur qe nuk perfaqesonin drejtuesit muslimane ne Shqiperi. Prandaj me mire te injorojme shkrime te tilla. Jemi shume te lumtur per faktin se lideret e besimeve te ndryshme ne Shqiperi tregojne nje pergjegjesi te madhe per ta ruajne marredhenien e mire mes nesh.

    Te pershendes perzemersisht.

    mons.

    George Frendo

    Kjo përgjigje dhe ky qëndrim është i mirëpritur dhe angazhimi i z. Frendo për ruajtjen dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndërfetare në Shqipëri duhet vlerësuar. Më duhet të shtoj, gjithsesi, atë që shkrova në përgjigjen dërguar imzot Frendos se “e kuptoj sugjerimin tuaj qe ne raste te tilla eshte me mire qe komente te tilla te pahijshme te injorohen. Kjo eshte vertet menyra me e mire per te reaguar kur kemi te bejme me analiste apo gazetare. Por eshte pak e veshtire te aplikohet ky parim kur komentet shqetesuese vijne nga njerez qe deri diku jane zyrtare te larte katolike. Dom Shan Zefi psh eshte kancelari i Ipeshkvise se Kosoves, pra zedhenesi i institucionit me te larte katolik atje. Si mund te injorohen fjalet e tij aq kollaj? E kuptoj qe Kosova nuk eshte ne juridiksionin tuaj, por duke qene se Vatikani akoma nuk e njeh Kosoven, shpresojme ta njohe se shpejti, ne na mbetet te adresohemi tek ju dhe tek selia e Vatikanit ne Tirane. 

    Gjithashtu z Ardian Ndreca, i cili ishte edhe me i ashper ne gjuhen e tij, eshte kryeredaktori i gazetes “Hylli i Drites”. A nuk eshte kjo nje gazete zyrtare katolike dhe a nuk e ben kjo gje Ndrecen nje zyrtar katolik i cili nuk mund te injorohet lehte?”

    Më vjen mirë që imzot George Frendo me të drejtë thotë se deklarata të tilla si ato të Dom Shan Zefit dhe Ardian Ndrecës nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Kishës Katolike në Shqipëri apo Vatikanit, dhe se deklarata të tilla duhen injoruar. Mirëpo ndjej se duhen shumë më tepër zëra të moderuar katolikë shqiptarë, si ai i z. Frendo, në mënyrë që diskursi publik katolik shqiptar të mos ngelë peng e disa ekstremistëve. Këto qëndrime nuk mjaftojnë të shprehen në konferenca të dialogut ndërfetar apo letërkëmbime, por duhet të bëhen publike dhe ti tregojnë muslimanëve, katolikëve apo dhe njerëzve pa besim se kush është qëndrimi i liderëve fetarë. Gjithashtu ndjej se mediat shqiptare po ashtu duhet ta ndjekin këshillën e tij dhe ose t’i injorojnë këto shkrime, ose të distancohen prej tyre. Ato duhet ta kuptojnë se standartet e dyfishta bien në sy kollaj, dhe gjuha ekstremiste që promovojnë nuk i shërben aspak  harmonisë fetare në Shqipëri apo Kosovë.

  • Këto ditë gazetat shqiptare raportuan se Ministri i Jashtëm i Izraelit Avigdor Liberman ndodhej për një vizitë në Shqipëri me rastin e hapjes së Ambasadës së Izraelit në Tiranë. Mediat raportojnë se z. Liberman “e konsideroi hapjen e Ambasadës së Shtetit të Izraelit në Shqipëri një ngjarje historike dhe një moment kulmor në marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet dy vendeve.” Gjithashtu mësojmë se “duke iu referuar spektrit ekonomik të bashkëpunimit, ministri Liberman vuri në dukje interesimin e madh të investitorëve izraelitë në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare si: energjetika, bujqësia, turizmi dhe teknologjia e informacionit.”

    Deri këtu shumë mirë. Ngritja e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin në nivel përfaqësimi ambasadorial është një hap i mirë për Shqipërinë duke qenë se një shtet nuk ka veç përfitime nga marrëdhënie diplomatike të zgjeruara me vende sa më diverse në botë. Rritja e bashkëpunimit ekonomik është gjithashtu e mirëpritur duke qenë se vendi ynë ka gjithmonë nevojë për investime të huaja direkte, e bujqësia jonë e mjeruar ndoshta mund të mësojë diçka nga teknikat e avancuara të bujqësisë shumë të suksesshme izraelite (sigurisht pa elementin e zaptimit të tokave palestineze dhe uzurpimin e burimeve të ujit).

    Më pas vjen pyetja e pritshme për njohjen e Kosovës. Kësaj pyetje z. Liberman i përgjigjet duke thënë se “së pari, nga eksperienca jonë si Lindje e Mesme ne shpresojmë se kjo pjesë e botës do t’i zgjidhë problemet e saj në mënyrë paqësore. Shpresoj që të gjeni zgjidhje paqësore, qoftë nëpërmjet bisedimeve dypalëshe, ashtu edhe nëpërmjet negocjimeve të drejtpërdrejta. Rajoni ynë është pjesa më e komplikuar e botës, ne kemi mjaft situata të kompikuara jo vetëm në rajon, por edhe çështjet brendshme. Qëndrimi ynë ka të bëjë me gjithë rajonin e Ballkanit, ku përfshihet edhe çështja e Kosovës dhe shpresoj që të gjithë popujt e këtij rajoni t’i zgjidhin problemet e tyre paqësisht.”

    Me pak fjalë Ministri i Jashtëm Izraelit thotë se Izraeli nuk ka ndërmend ta njohë Kosovën derisa të ketë zgjidhje dypalëshe, pra derisa atë ta njohë Serbia. Kjo përgjigje tregon se pozicioni i Liberman-it nuk ka ndryshuar që nga vizita e tij e fundit në Shqipëri kur ai pati thënë se Izraeli nuk do ta njohë Kosovën derisa atë ta njohë Qiproja, Greqia, Rumania e Sllovakia. Kuptohet që Izraeli ka të dretjën e tij të ketë pozicione të politikës së jashtme që mund të mos bien dakord me dëshirat e shqiptarëve. Mirëpo përgjigja e Liberman-it tregon një mungesë serioze respekti dhe konsiderate ndaj situatës së tanishme të Kosovës.

    Ndoshta pas kësaj deklarate të tij, Ministri ynë i Jashtëm Edmond Panariti do i ishte përgjigjur homologut të tij izraelit se Kosova tashmë nuk është më në fazë bisedimesh me Serbinë përsa i përket statusit të saj. Këto bisedime mbaruan në 2008 dhe rezultati ishte pavarësia e njëanshme e Kosovës, e detyruar të ndërmarrë këtë hap pas dështimit të pikërisht atyre bisedimeve të gjata dypalëshe që Liberman pretendon se na këshillon të vazhdojmë. Ndoshta Ministri ynë Panariti do i kujtonte Liberman-it se tashmë Kosovën e kanë njohur 91 vende anëtare të OKB-së, përfshi Amerikën, aleaten numër një të Izraelit, dhe shumicën dërrmuese të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Gjithashtu atë e kanë njohur të gjitha vendet ballkanike fqinje të saj, që gjithashtu kanë dalë nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, me përjashtimin e Bosnjës për arsye të vetëkuptueshme. Me këtë rast z. Panariti mund t’i kishte përsëritur z. Liberman qëndrimin tashmë standard dhe të provuar të Shqipërisë, Kosovës, ShBA-së, dhe BE-së, se pavarësia e Kosovës është e vetmja zgjidhje paqësore dhe e qëndrueshme e konfliktit.

    Por jo, Ministri ynë i nderuar nuk bën asnjë nga këto. Përkundrazi, ai thotë se ndan “të njëtin vlerësim si zoti Liberman, për forcimin e dialogut të niveleve të bashkëpunimit rajonal midis Shqipërisë dhe Kosovës, midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit dhe kjo padyshim është rruga më e mirë për integrimin e gjithë rajonit në Bashkimin Europian.” M’u desh ta lexoj dy herë këtë deklaratë për tu besuar më mirë syve. Ministri ynë, të cilit sapo i është thënë shumë tinëzisht por dhe qartësisht se Izraeli nuk ka ndërmend ta njohë Kosovën, thotë se ndan “të njëjtin vlerësim si zoti Liberman, për forcimin e dialogut të niveleve të bashkëpunimit rajonal midis Shqipërisë dhe Kosovës”.  A ka fjali më mundësisht boshe dhe vetë-përulëse se kjo?

    Kjo më bën të pyes veten nëse Ministria jonë e Jashtme ka ndonjë politikë aktive në mbështetje të njohjeve të Kosovës apo mjaftohet me fjalinë super të lodhur që “rruga më e mirë është integrimi i gjithë rajonit në Bashkimin Europian”? A ka Ministria jonë e Jashtme dhe qeveria jonë një doktrinë të politikës së jashtme? Nëse po, cila është kjo doktrinë dhe cili është pozicioni i Kosovës në të? E kuptoj që pyetje të tilla mund të jenë thjesht për interes akademik në një kohë që në vendin tonë shumë pak gjëra tregojnë shenja mirë-qeverisjeje, ku ministrat e jashtëm ndërrohën sipas interesave partiakë të LSI-së, siç u ndërrua Ilir Meta me Edmond Haxhinaston në prag të mbledhjes vjetore të OKB-së në shtatorin e 2010-ës, një takim fort i rëndësishëm ky për lobimin e Shqipërisë në favor to Kosovës, duke lënë Haxhinaston e pamësuar dhe të panjohur në atë kohë të manovrojë ujërat tepër të vështira të lobingut për Kosovën.

    Pyetja tjetër që më vjen në mendje nga leximi i këtij lajmi është: a do forcohen marrëdhëniet e Shqipërisë me Izraelin në dëm të atyre me Palestinën? Qeveria e Berishës ka dhënë shenja të një tendence të tillë me votën e deklaruar kundër anëtarësimit të Palestinës në OKB shtatorin e kaluar. Ishte pikërisht koha kur Berisha kreu një vizitë në Izrael me qëllim forcimin e marrëdhënieve me këtë shtet dhe thithjen e investimeve izraelite, nga ku ngjalli jo pak debate me një deklaratë të tij të raportuar në mediat izraelite se “palestinezët ishin përgjegjës për sabotimin e proçesit të paqes” dhe se anëtarësimi i Palestinës në OKB nuk i shërbente zgjidhjes përfundimtare të konfliktit atje. (Më pas Berisha i mohoi këto fjalë në takimin që pati me ambasadorin palestinez në Tiranë.)

    Berisha ka treguar se palestinezët, sipas tij, nuk e meritojnë atë që ai kërkon për Kosovën, pra njohjen ndërkombëtare të shtetit të tyre. Ndërsa Liberman tregon se, ndërsa për palestinezët punon ditë e natë t’ua bëjë më të vështirë pavarësinë e shtetësinë e tyre, Kosovën s’e ka në radar fare. Panariti nga ana tjetër tregon se po mëson shumë shpejt gjuhën boshe dhe pa shtyllë kurrizore të diplomatëve tanë. Për këtë i duhet dhënë kredit.

  • “Do shkoj në Amerikë” – kjo ide kishte filluar të zinte vend më mendjen time 17-vjeçare, por ishte akoma tepër e brishtë dhe e pasigurtë. Sapo kishim mbaruar me mbushjen e letrave dhe dhënien e pagesës (së majme) për të marrë pjesë në programin “exchange student” që niste çdo vit një grup gjimnazistësh nga Shqipëria në drejtim të Amerikës për të ndejtur atje me një familje “pritëse” amerikane e për të ndjekur një semestër apo një vit shkollor në një gjimnaz lokal. Programe të tilla kishte disa vite që operonin në Shqipëri por nuk ishin fort të reklamuar për publikun, me sa kuptoja unë, dhe përveç pagesës mbi $7000, duhej të kishe edhe mik të mirë që të pranoheshe në njërin prej dy-tre programeve të tilla në Tiranë, ku kuptohet që kërkesa ishte boll e lartë, edhe pa reklama.

    Me mbushjen e letrave, aventura sapo kishte nisur; akoma duhej gjetur familja amerikane dhe, mbi të gjitha, duhej siguruar viza J-1 për hyrje në Amerikë, një ndërmarrje aspak e sigurtë. Ishte dimri i vitit 1999,  ambasada amerikane ishte e mbyllur prej kohësh për “rinovim” që në të vërtetë thuhej se ishte bunkerizim, pas ngjarjeve të dhunshme të 1997-ës. Tridhjetë studentave të mprehur për udhëtim përtej-oqeanik të grupit tim na duhej të zgjidhnim midis Shkupit, Sofjes, dhe Ankarasë për vizitën tonë konsullore plot ankth. Pasi Shkupi e Sofja kishin prodhuar disa eksperienca negative një vit më parë, koordinatorja e programit tonë, nje grua e re me emrin Alma, vendosi që do ta provonim fatin në Ankara.

    Dhe kështu, në mes të dhjetorit 1999, së bashku me afro 30 studentë të tjerë nga e gjithë Shqipëria, e me disa shoqërues, hypëm në avionin e kompanisë Turkish Airlines e u nisëm për në Ankara, me syrin për të mbërritur më pas në tokën e bekuar të oportunitetit, Amerikën e largët. Për mua ishte hera e parë që hipja në avion e që largohesha nga familja. Në grupin e studentëve bashkë-shpresues nuk njihja njeri. Gjithçka më dukej si një lojë të rriturish ku ne “fëmijët” duhet thjesht të luanim rolin tonë, por asgjë s’varej nga ne. “Ore, vërtet do shkoj në Amerikë unë?” mendoja në avion teksa stjuardesat turke na drejtoheshin në anglisht, gjuhë të cilën e kisha studjuar fort muajt e fundit. “Po ça do bëj atje s’e marr vesh. As njeri s’njoh, as gjuhën s’e di mirë. Po më shkon kot e kush përsërit vitin e katërt këtu. Le që s’na e japin vizën këta, kot e kemi. Po hajde ta provojmë të paktën që të mos u ngelet merak prindërve. Me atë rast shohim edhe Turqinë.” Këto mendoja teksa vija re çfarë porosisnin studentët rreth e rrotull meje për të pirë. Dikush një kola, një tjetër birrë, dikush më i guximshëm një gotë verë. Vetë më duket se mora një lëng frutash, alkool as që bëhej fjalë. S’e kisha vënë në gojë që kur pata filluar të ndihem besimtar diku nga mosha 13 vjeç (jo se mund të thuhet se kisha pirë më herët, por nga një gotë birrë na e jepnin në dreka familjare).

    Në mendje kisha sa Turqinë dhe Amerikën. Më bëhej qefi që po dilja për herë të parë jashtë Shqipërisë dhe më dukej i veçantë fakti që vendi i parë që do vizitoja ishte një vend mysliman, aq më tepër gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. Edhe pse falesha rregullisht, Ramazanin nuk e kisha agjëruar ndonjëherë të plotë. Mamaja nuk më lejonte për shkak të shëndetit tim të dobët në dimër (tek poliklinika e lagjes isha i rregullt) e prej merakut të saj të tepërt se pa bukë do sëmuresha më kollaj. Gjithsesi e dija që kur je udhëtar nuk e ke obligim agjërimin, dhe nuk planifikoja ta mbaja ato ditë që do isha në Turqi, por ama isha kurioz të përjetoja atmosferën e Ramazanit në një vend të madh mysliman.

    Kur mendoja Amerikën ndjeja ankth. Vallë në çfarë fshati a qyteti do përfundoja? Çfarë familje do më qëllonte? A do ambjentohesha dot me gjuhën? Po moshatarët e mi si do silleshin me mua? Si do ua thoja amerikanëve të familjes pritëse se kisha nevojë të falesha 5 vakte në ditë? Pata marrë guximin që në aplikimin për programin të tregohesha i hapur rreth besimit tim Islam, kundër këshillës së prindërve të mi e të tjerëve po ashtu. Akoma nuk e dija si do shkonte kjo punë. A do ngadhnjente sensi im i të qenit i sinqertë e i shpresës se Amerikanët ndoshta nuk janë aq paragjykues fetarisht sa ç’i mendojmë, apo do mbesja në Shqipëri i turpëruar për mos-dëgjimin e këshillës së prindërve për shkak se asnjë familje amerikane s’do më pranonte. “Nëse janë vërtet kaq me paragjykime, më mirë të mos më dalë fare” mendoja dhe imagjinoja si do ishte jeta atje...

    Më në fund mbërritëm në Ankara. Avioni u ul dhe si një grup tipik shqiptarësh të zhurmshëm u ngritëm e filluam të mbledhim rraqet tona. Teksa zbrisnim shkallët e avionit në atë mbrëmje të ftohtë, vrisja mendjen se në çfarë hoteli do rrinim e kë do kisha në dhomë. Tek radha e pasaportave, duke pritur të merrnim stampën e vizës turke “ah sikur të ishte dhe viza amerikane kaq e lehtë”, më zë veshi një nga studentët që tha “El Ihlas”. Po lexonte me zë të lartë një shenjë të madhe në murin pas punonjëses së kontrollit. Atë shenjë e kisha parë dhe unë e po mendoja që ishte titulli i një sureje të njohur të Kuranit, kur personi që pati shqiptuar atë titull fillon të recitojë“Kul huwallahu Ehad, Allahu Samed”. Unë kthej kokën me habi për të parë më mirë kush po recitonte këto vargje kur shoku i këtij të parit i’a kthen “Lem jelid ue lem juled, ue lem jekun lehu kufuuen Ehad.” Dhe të dy fillojnë e flasin rreth kësaj sureje. “Uau, çfarë surprize”, mendova i gëzuar. “Jo një, por dy djem besimtarë në grupin tonë.” U afrova tek ata dhe me pak ngurrim i pyes: “Më falni, ju dëgjova që po recitonit një sure. A jeni besimtarë?” Ata panë njëri tjetrin dhe me buzëqeshje më thanë “Po” e më dhanë selam. Dori dhe Juxhini, dy çuna moshatarë me mua nga Tirana që po aplikonin në të njëjtin program. Ishte a pabesueshme sa shpejt u miqësuam. Vendosëm të rrinim në një dhomë hoteli dhe gjatë asaj jave që qëndruam në Ankara pothuajse nuk u ndamë nga njëri tjetri.

    Dy ditët e para në Ankara kaluan me përgatitjet për në ambasadë, mbushjen e aplikimeve, kryerjen e pagesës etj. Ditën e tretë e të katërt kishim intervistat. Do ndaheshim në dy grupe për intervistat e të gjithë donin të ishin në ditën e parë. Disa i luteshin koordinatores së programit t’i fuste në listën e parë duke i kujtuar miqësitë që kishin, disa thoshin që nuk duronin dot deri ditën e dytë nga emocionet e donin ta merrnin vesh përgjigjen sa më shpejt. Duke vështruar këto ndërhyrje të paturpshme m’u duk sikur mu përzie në stomak e u zverdha në fytyrë. Dikush më pa e më pyeti a ndihesha mirë. I thashë që kisha ngrënë ca qofte të këqija poshtë në restorant e dola nga dhoma. Vendosa të mos interesohesha fare se cilën ditë do më binte rradha. “Ç’të jetë e shkruar do bëhet” mendova. Si përfundim listat u ndanë sipas alfabetit me disa “përjashtime” por shumica e listës së parë përfunduan ditën e dytë gjithsesi sepse ditën e parë të intervistave proçesi u vonua shumë. Kishte ardhur një nga drejtorët kryesorë të programit nga Amerika e po u shpjegonte konsujve të ambasadës detajet e programit ndërsa u jepet garanci rreth seriozitetit të organizimit.

    Emocionet tona ishin të larta. Përziheshin në to ëndrrat për një të ardhme më të mirë në Amerikë, ndrojtja nga kjo aventurë e panjohur për shumicën nga ne, frika se mos bënim ndonjë gabim në ambasadë e nuk na e jepnin vizën, inati me shtetin tonë që ishte kaq copë copë sa na bënte të linim shkollën, familjen e shoqërinë për të marrë rrugët e mërgimit kaq herët, dhe jo vetëm kaq, por edhe vizën duhej ta merrnim në një shtet tjetër. I vetmi ngushëllim ishte se po të mos e merrnim vizën, thjesht do ktheheshim në shtëpitë tona e do vazhdonim jetën si më parë, nuk bëhej qameti, përveç se prindërit do humbnin ca pare nga gjithë kjo punë.

    Për të hequr mendjen nga intervista, dilnim e shëtisnim në grup gjatë kohës së lirë. Ankaraja ishte një qytet i ri e i madh, por tepër i gurtë e i ftohtë. Kudo shikoje buste të Ataturkut e flamuj turq. S’kisha parë ndonjëherë shpalosje të tilla nacionalizmi e mendoja sa larg ishim ne prej krenarisë kombëtare. Edhe pse lufta e Kosovës sapo kishte mbaruar e ndjenjat patriotike ishin forcuar disi, sjellja e përgjithshme ndaj shtetit shqiptar ishte mos-përfillëse e shfrytëzuese.

    Në Ankara ishte hera e parë që shihja aq shumë taksi të verdha. Më kujtoheshin skenat me filma nga Nju Jorku i famshëm. Një vizitë e këndshme ishte tek Xhamia e Bardhë. Xhami e madhe, e mermertë dhe tepër e pastër. Për dikë që kishte parë vetëm xhaminë e Ethem Beut, të Dine Hoxhës, apo të Yzberishit, Xhamia e Bardhë e Ankarasë ishte jashtzakonisht mbresëlënëse.

    Një tjetër shëtitje e këndshme ishte tek tunelet nën një nga bulevardët kryesorë të Ankarasë të mbushur plot me dyqane të lloj llojshme e të ndriçuara mirë. Rrobat ishin të firmave të mira e aty pashë për herë të parë dëshirën e madhe të shqiptarëve për “shopping”. Në fakt mallrat ishin goxha lirë. Ishte koha e kulmit të inflacionit të lirës turke e ne të gjithë kishim disa dhjetra miljona lira turke nëpër xhepa. Na vinte për të qeshur me këtë situatë. Të shihje aq shumë zero në një kartmonedhë e të paguaje 820.000 lira për një drekë na dukej gallatë fare.

    Në darkë restorantet gjallëronin me agjëruesit që mblidheshin për të çelur iftarin dhe atmosfera ishte vërtet e veçantë. Dy shokët e mi agjëronin e ishim gjithmonë në restorant në orar iftari. Ushqimi turk nuk ishte i keq por pak ndryshe nga i yni. Na pëlqente supa pure me thjerrëza të kuqe dhe pija e kosit “Ayran”. Jo të gjithë turqit agjëronin. Menaxheri i një restoranti pranë hotelit tonë ku darkonim shpesh pinte duhan e çaj, madje dhe uiski, lirshëm gjatë ditës. Kur e pyetëm ditën e parë nëse kishte mish derri në menu, na u përgjigj se në të gjithë Turqinë nuk mund ta gjeje një derr, dhe mund të hanim pa merak kudo. Kjo ishte një lehtësi e madhe në krahasim me Shqipërinë ku të ndiqje dietë hallall ishte sfidë më vete: asnjë sallam apo salçiçe në dyqan nuk kishte etiketë e kasapit s’mund t’i besoje kurrë, plus çdo sanduiç që shitej në pushim dreke pranë shkollës dukej se kishte proshuto brenda.

    Vizituam dhe një xhami tjetër të vogël pranë hotelit. Një nga ato xhamitë e lagjeve, me minare fare të vogël, e gati e fshehur pas shtëpive të vjetra, por me një atmosferë tepër të ngrohtë e të paqtë brenda. “Ah sa mirë të kishim një të tillë në Tiranë të Re” mendova.

    Dita e intervistës.

    Ishim vënë në “sira” që në mëngjes herët atë ditë dhjetori para derës së ambasadës amerikane. Kishim dosjet me dokumenta në duar e me ankth prisnim të hynim brenda e ta mbaronim më në fund këtë sprovë të lodhshme. Koordinatorja na porosiste vazhdimisht që të rrinim seriozë se na shihnin në kamera, dhe kur të hynim brenda të mos flisnim me njëri-tjetrin. Kur dikush të mbaronte intervistën, të ulej në vend e të mos diskutonte gjë me shokët derisa të dilnim. Çdo lëvizje e jona vëzhgohej për shenja të dyshimta dhe duhet të kishim shumë kujdes... Gjithë kjo përgatitje vetëm sa na e fuste dhe më tepër frikën.

    U futëm brenda më në fund e u ulëm në karriget e renditura në disa rreshta para dritareve të intervistave. Filluan intervistat e para; nuk dukej se zgjasnin shumë. Mundoheshim të lexonim fytyrat e të sapointervistuarve për ndonjë shenjë që mund të na tregonte a e kishin marrë vizën a jo. Disa ishin tepër seriozë e nuk jepnin shenja, veç sa pëshpërisnin diçka me atë që kishin ngjitur kur uleshin. Disa të tjerë fillonin e buzëqeshnin vesh më vesh sapo largoheshin disa hapa nga dritarja. Një çun u kthye tepër i mërzitur në fytyrë dhe u dëgjuan disa pëshpërima “s’e paska marrë”. Kur u ul tek shokët e tij qeshi me mistrecllëk dhe u kuptua që na kishte vënë në lojë. Dukej se intervistat po shkonin mirë.

    Kur më erdhi rradha mua, u ngrita e vajta tek dritarja me rrahjet e zemrës që m’u shtuan edhe pse i thashë vetes të rrija i qetë sepse çdo gjë do të ishte në rregull. Konsulli ishte djalë i ri i veshur me këmishë të bardhë e kollare. Pyetjet ishin të lehta e formale, si: Si quheni? Me çfarë merreni? Pse doni të shkoni në Amerikë? Cila është natyra e programit “exchange student” me të cilin po shkoni në Amerikë? etj. Më pas më pyeti ku e kam mësuar anglishten. I thashë: “Në shkollë, me kurse private, dhe kam praktikuar pak me disa misjonerë të krishterë nga Amerika.” Në fakt me misjonerët e kishës Mormone kisha kontakt të rallë për shkak se disa kushërinj të mij ishin konvertuar në Mormonë, por me ata më tepër flisnim shqip se ata vetë donin të praktikonin shqipen. Gjithsesi m’u duk një gjetje me vlerë për të fituar ndonjë pikë me konsullin. Ai u bë kurioz e më pyeti të cilës kishë ishin misjonerët e më pas më pyeti nëse edhe programi “exchange student” kishte një natyrë misjonare. I thashë jo, dhe me aq u mbyll intervista dhe u informova që viza ishte aprovuar. Edhe ajo barrë m’u hoq dhe u ktheva në karrigen time tepër i lehtësuar e i gëzuar.

    Nga gjashtëdhjetë e ca studentë të intervistuar ato dy ditë, të gjithë e morëm vizën me përjashtim të një vajze, për të ciën na erdhi keq, por më pas mësuam se ajo kishte vajtur dhe e kishte marrë në Greqi.

    Kur dolëm nga ambasada ishim një grup i gëzuar e i papërmbajtshëm studentësh. Ishim tepër të entuziasmuar, adrenalina na vërshonte në vena e ishim gati t’i binim Ankarasë cep më cep. Akoma nuk na besohej që kishim marrë vizat amerikane, pjesa më e vështirë e punës qe kryer e tani ishim gati për aventurën e jetës sonë. Teksa ecnim xhiro në rrugët e Ankarasë, që befas na dukej më e ngrohtë, e flisnim me të madhe, gati në të bërtitur, jam i sigurt që kemi tërhequr boll shikime të çuditura nga turqit. Nuk na bëhej shumë vonë për turqit, jo vetëm pse ajo që kishim arritur na dukej jashtë çdo proporcioni, por na bëhej sikur turqit na e kishin borxh njëfarë respekti të veçantë sepse nuk i thonim kot vetes “arnautë” ne, dhe ecnim me të madhe duke lëvruar krejt respektin e mundshëm që mund të pretendonim nga kjo fjalë e vjetër dhe e rreptë.

    Kishim edhe dy ditë për të kaluar në Ankara derisa të merrnim pasaportat e të niseshim për Tiranë. Ato dy ditë ishin më të bukurat. Miqësia jonë me Dorin e Juxhinin, por dhe me të tjerët, u shtua shumë e shkëmbyem të dhënat me njëri-tjetrin për të mbajtur kontakt në Amerikë. Dolëm, shëtitëm, brodhëm, bërtitëm, e nuk ndienim lodhje. Pasi morëm pasaportat e lajmëruam familjet tona me telefon për arritjen e madhe, u mblodhëm darkën e fundit për të ngrënë në grup e aty na adresoi dhe koordinatorja e drejtuesi amerikan i programit duke na dhënë porosi të shumta për në Amerikë. Shumica jonë akoma nuk kishim familje pritëse të konfirmuara, por koordinatorja na premtoi se brenda dy javëve do siguroheshin të gjitha, në kohë për të kapur semestrin e fundit të vitit të katërt.

    Atë natë, pasi u shpërndamë në hotelet tona e bëmë gati valixhet për nesër në mëngjes, u mblodhëm me disa nga çunat e hotelit tonë në hollin e katit ku rrinim ne, sepse nuk kishim kokërr gjumi. Filluam një bisedë pasionante mbi lloj lloj temash, mbi të gjitha fenë, sepse ata e kishin vënë re që ne të tre ishim besimtarë, e kishin shumë pyetje. Debatonim për shumë gjëra, mbi të cilat më shumë s’dinim se dinim, që nga jeta e përtejme, dhe si mund të ekzistojë shpirti pa trup apo të rikrijohet trupi pasi të jetë shkatërruar plotësisht, e deri tek paracaktimi hyjnor, e si mund ta dinte Zoti çdo bënte dikush momentin tjetër kur ai mund ta ndryshonte mendjen në sekondë e të bënte diçka krejt tjetër. Debati vazhdoi në orët e vona të natës me intensitet, e një turk i shkretë që kishte qëlluar të kishte dhomën në atë kat, hapte derën disa herë e na bënte me shenjë nga ora e dorës e se ç’na thoshte turqisht, kuptohej që donte të flinte e ne e shqetësonim së tepërmi. Na çoi edhe atendentin nga banaku poshtë të vinte e të na lutej të ulnim zërin ose të shkonim në dhomat tona të flinim. Zërin u munduam ta ulnim, por gjumë as që bëhej fjalë; ishim tepër të lumtur, do shkonim në Amerikë.

    Pasi mbërritëm në Tiranë më zuri një temperaturë e keqe që më shtriu në krevat një javë të tërë. Janari kaloi me ankthin e pritjes së lajmit për daljen e familjes. Të gjithëve po u dilte e unë po ngelesha i fundit. Mamaja çfarë nuk mendonte e stresohej. Mos nuk më merrnin se isha mysliman? Mos na kishte bërë ndonjë hile koordinatorja se dukej që ishte një ... hë hë ajo? Ndërkohë unë rifillova klasat e semestrit të dytë tek Petro Nini, në rast se qëllonte të mos dilte familja e mbetesha pa shkuar. Vetë isha i qetë, shumë i qetë, e kisha lënë çdo gjë në dorë të Zotit e le të bëhej si të ishte e hajrit inshallah.

    Më në fund erdhi lajmi më dy Shkurt. Familja kishte dalë diku në veri të Nju Jorkut, vend i ftohtë me borë, kaq dija. Bileta u pre për 7 Shkurt. Natën para se të nisesha isha krejt i mpirë, nuk dija si të ndihesha. Për mirë po nisesha, por me shumë ndrojtje. “Meqë Zoti e ka caktuar, do jetë e hajrit inshallah” mendoja. “Por ku i dihet. Ndoshta ndërroj mendje në minutë të fundit e nuk hipi në avion.”

  • "Kosovo është Jeruzalemi ynë" është motoja e nacionalistëve serbë. Por jo vetëm e tyre. Miti i Kosovës si djepi i civilizimit serb është një histori që mesa duket u mësohet fëmijëve serbë qysh të vegjël dhe askush në shoqërinë serbe nuk guxon ta kundërshtojë këtë kushtrim. Kjo ra në sy kohët e fundit kur nacionalistët Serbë iu vërsulën Miss Serbisë pse ajo guxoi të dilte në foto me Miss Kosovën. "Kjo fotografi është bërë gjatë pauzës mes dy xhirimeve", u shfajësua bukuroshja serbe Anja Sernoviç. “Kur do të flas zyrtarisht, unë do të them se Kosova është Serbi dhe Jerusalemi serb”, shtoi ajo me krenari. Po ashtu kampioni botëror serb i tenisit, Novak Gjokoviç, raportohet se ka dhuruar mijëra dollarë për manastiret serbe dhe strukturat paralele në veri të Kosovës. 
    Që serbët kanë një mit kombëtar dhe që e reklamojnë fuqishëm dhe në gjuhën angleze në internet, kjo nuk është çudi. Por çudia është tek paaftësia e dukshme e intelektualëve, politikanëve, e gazetarëve shqiptarë për ta kundërshtuar po aq fuqishëm këtë mit, sidomos në burimet anglisht folëse. Mjafton të bësh kërkim  fjalën "Kosovo" në Google dhe do shohësh menjëherë sa material propagandistik kanë botuar serbët në mbështetje të narrativës së tyre historike mbi Kosovën. Materialet që prezantojnë pikëpamjen korrekte historike, atë shqiptare në këtë rast, janë fare të pakta dhe të dobëta. Po ashtu YouTube është i tejmbushur me video propagandistike serbe e ruse që i paraqesin shqiptarët e UÇK-së si mafiozë, kriminelë, e djegës manastiresh serbe. Ku janë mediat shqiptare në anglisht?
    Duke parë këtë prezantim mjeran historik të Shqiptarëve në internet, nuk është çudi kur lexon artikuj si "Why Kosovo but not Palestine" nga Dr. Zoltan Grossman i Evergreen State College në Washington të Amerikës, i botuar fillimisht tek Counterpunch e më pas dhe tek Al Jazeera. Artikulli në fjalë shtron një pyetje mëse të vlefshme: Pse Amerika mbështeti pavarësinë e Kosovës por kundërshton edhe hapa modestë të Palestinës drejt shtetnjohjes, si kërkesa e fundit e saj në OKB?
    Artikulli ama përmban një sërë gabimesh faktike rreth Kosovës dhe paraqet një panoramë krejtësisht pro-Serbe, paçka se edhe pro-Palestineze. Ndër të tjera Grossman shkruan: “Serbët e shikojnë Kosovën si djepin e identitetit të tyre kombëtar, ku perandoria osmane i mundi ata më 1389. Kosova ruajti një shumicë serbe me shekuj, por në fund të viteve 1800 u bë qendra e rilindjes kombëtare shqiptare, dhe më pas fitoi një shumicë shqiptare.”
    Dhe më tej: “Lufta civile midis forcave serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës filloi më 1998, dhe mëse 2000 veta u vranë në luftime. Luftëtarët e UÇKsë shënjestruan civilë serbë në provincë, si dhe shqiptarë të moderuar të Kosovës, dhe forcat serbe shënjestruan civilët shqiptarë. Në Shkurt të 1999, Presidenti Klinton udhëhoqi NATO-n në një fushatë bombardimi ndaj Serbisë, duke i dhënë shkas planit të Millosheviçit për “spastrimin etnik” (ose largimin me forcë) të shumicës shqiptare të Kosovës, fushatë e cila filloi pasi bombat nisën të bien.
    Ndërkohë që e vërteta historike është në anën e Shqiptarëve, pse heshtin historianët shqiptarë? Ku janë akademikët e shkrimtarët anglisht folës? Pse hapësira anglisht folëse e internetit vazhdon të jetë e mbushur plot e përplot me propagandë serbe?
    Të jemi të qartë, Jeruzalemi, apo Palestina, nuk ka asnjë ngjashmëri me Serbinë. Palestina nuk ka pushtuar territoret e fqinjëve e as nuk ka spastruar etnikisht  kërrkënd. Përkundrazi, Palestina, po ashtu si Kosova, është viktimë e pushtimit ushtarak, copëtimit territorial, spastrimit etnik dhe mohimit shumëvjeçar të së drejtës për vetëvendosje. E vetmja menyrë se si Serbia mund të pretendojë të thotë se "Kosova është Jeruzalemi ynë" është sipas kuptimit anti-historik dhe mohues ndaj tjetrit që përdor Izraeli kur thotë se "Jeruzalemi është kryeqyteti ynë i përjetshëm dhe i pandashëm".
    Izraeli dhe Serbia ishin shtete të përkëdhelura të Fuqive të Mëdha që përfituan në botën që pasoi shembjen e Perandorisë Osmane në injorim të vullnetit dhe aspiratave të popujve që jetonin aty ku serbët dhe izraelitët pretendonin se ishin qendrat e tyre civilizuese. Ka ardhur koha t'i themi botës qartë e kthjellët: Kosova nuk është Jeruzalemi Serb. Dhe nëse do e çonim diskursin në të njëjtin nivel të patriotizmit romantik si serbët, atëherë do na duhej të thoshim: Kosova është toka jonë e shenjtë, është atdheu ynë shekullor, është Palestina jonë heroike dhe më së fundmi e lirë.

  • Në datën 7 Shtator, gazeta MAPO botoi një artikull nga Tonin Gjuraj me titull “Rasti Palestinez dhe si Shqiperia mund te loboje për Kosoven.”

     

    Autori shkruan rreth votës së pritshme këtë shtator në OKB rreth kërkesës, së spekuluar por jo të sigurtë, të Palestinës për njohje si shtet anëtar i kësaj organizate. Gjuraj bën një analizë të situatës në Lindjen e Mesme dhe më pas rreket të nxjerrë një konkluzion se cili do ishte qëndrimi më i mirë dhe më i dobishëm (gjoja për Kosovën) në këtë rast nga ana e Shqipërisë.

     

    Teza kryesore e shkrimit të Gjurajt është se: “Sa kohë, sipas gjykimit tim, vetë Izraeli është në favor të një shteti palestinez, por të demilitarizuar (pra, pranohet zgjidhja me dy shtete), nuk është momenti, megjithatë, të mbështetet një rezolutë e tillë në këtë shtator, por t’i bashkohemi vetos amerikane, ndërkaq diplomacia shqiptare, në këmbim dhe për reciprocitet, t’i kërkojë hapur Shtetit të Izraelit njohjen tashmë zyrtarisht të shtetit të Kosovës.”

     

    Si ish-ambasodor i Shqipërisë në Izrael, ndoshta është e kuptueshme që Z. Gjuraj mund të ndjejë një afërsi apo simpati për Izraelin, por si ish-diplomat i shtetit tonë ai duhet të jetë tepër më i balancuar në ato që shkruan.

     

    Jo vetëm që është e pamoralshme dhe hipokrite në kulm për Shqipërine të mos njohë shtetin e Palestinës, ndërkohë që ne i kërkojmë mbarë botës, përfshi botën Arabe e Islame, që të njohë Kosovën, por tezat e tij janë krejt të pabalancuara dhe përbëjnë, për mendimin tim, një propagandë të hollë Zioniste anti-Palestineze.

     

    Unë nuk e hedh poshtë kontributin e Zotit Gjuraj për Kosovën, si Ambasador i Shqipërisë në Izrael për sa i përket njohjes së Kosovës nga Izraeli apo avancimit të çështjes shqiptare në përgjithësi, kontribut për të cilin jam në dijeni të vlerësimeve të larta nga figura të ndryshme politike. Por ajo që unë dua të bëj të qartë është se kapërcimi logjik që Gjuraj bën kur thotë se mosnjohja e Palestinës si shtet nga Shqipëria këtë shtator i shërben në njëfarë mënyre çështjes së Kosovës, edhe qoftë duke afruar më shumë Izraelin ndaj njohjes së Kosovës, me duket një kapercim i pa-argumentuar mirë dhe i rrezikshëm.

     

    Qëndrimi i shumicës së shqiptarëve për këtë çështje besoj se është i qartë. Mosnjohja e Palestinës si shtet nga Shqipëria në shtator është një hipokrizi e pafalshme dhe ne nuk do kemi më fytyrë të shkojmë e t’u kërkojmë vendeve Arabe e Islame, apo qoftë vetë Palestinës, të njohë Kosovën si shtet të pavarur më pas.

    Aq më shumë kur Izraeli e ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend ta njohë Kosovën (deri kur atë ta njohë Qiproja, sipas Ministrit të Jashtëm Izraelit, Liberman, një deklaratë sa shkurajuese, aq edhe ofenduese për shqiptarët) , ndërsa vendet Arabe nuk kanë bërë deklarata të tilla të forta, me përjashtim Libinë e Gadafit, mik i vjetër i Serbisë. Madje Organizata e Konferencës Islamike ka nxjerrë dhe një rezolutë ku përshëndet pavarësinë e Kosovës dhe inkurajon vendet anëtare myslimane ta njohin Kosovën. 

    Argumenti i Gjurajt se Hamasi duhet të heqë dorë nga retorika anti-hebreje, të heqë dorë nga dhuna ndaj civilëve, e të njohë Izraelin, qëndron. Por të thuash se nuk mund ta njohim Palestinën për sa kohë Fatah e Hamas nuk janë të bashkuar, kjo është si të justifikosh ato vende që thonë se s'mund ta njohim Kosovën sa kohë që PDK e LDK janë të ndara e në Kosovë ka korrupsion e krim të organizuar.

     

    Dhe sa për kartën e mbështetjes së Izraelit, sepse atë e mbështet ShBA-ja dhe ShBA-ja është miku ynë më i fortë, kjo është një tezë e çuditshme, sepse nëse aleanca USA-Izrael do shtrihej dhe në çështjen shqiptare e në njohjen e Kosovës, atëherë Izraeli duhet ta kishte njohur me kohë Kosovën, duke qenë se ShBA-ja ka qenë mbështetësja kryesore e pavarësisë së Kosovës.

     

    E them edhe njëherë, është e turpshme për qeverinë e Shqipërisë të mos njohë Palestinën, ndërkohë që i kërkojmë gjysmës së botës të njohë Kosovën. Është e turpshme të mos mbështesim aspiratat për liri të popullit palestinez, ndërkohë që i kërkojmë botës të njohë aspiratat për liri të popullit shqiptar të Kosovës. Është e pafalshme të shpërblejmë në këtë mënyrë pushtimin brutal ushtarak izraelit ndaj tokave palestineze, pushtim ky po aq brutal sa ç'ishte pushtimi ushtarak serb ndaj Kosovës.

     

    Në përfundim, kam frikë se "pragmatizmi diplomatik" i Z. Gjuraj në këtë rast është i keq-vendosur dhe kam frikë se një titull më i përshtatshëm i artikullit të tij do ishte "Rasti Palestinez dhe si Shqipëria mund te lobojë për Izraelin."

     

  • Shkoja një mëngjes në punë nga Bronxi në Manhattan. Isha ulur në trenin nr. 2, diku pranë derës, dhe isha përqëndruar mbi një libër që po lexoja. Në një nga stacionet e para në Bronx hyjnë tre shqiptarë në tren dhe vijnë e qëndrojnë në këmbë përpara meje duke u mbajtur tek shufra e hekurit sipër kokës sime. Meqë unë isha i përkulur mbi libër e libri ishte anglisht, m’u duk se nuk e kuptuan që isha shqiptar. 

    Dukej se ishin punëtorë ndërtimi e me theks verior.  Kishin nisur një bisedë rreth fesë e po e vazhdonin tani në tren. Nga biseda kuptova se dy ishin myslimanë e njeri i krishterë. Biseda ishte pak a shumë kështu:

    Myslimani1: po ça feje keni ju, ju jeni kot, shif edhe emrin e keni kot, kot-olik. 

    Myslimani2: (qesh)

    Katoliku: po shko more, po ku keni fe ju. Del hoxha në minare e pall si gomar, aaauuuuu, aaaauuu. Po ik, pash Zotin, mos bëj hajgare, fe është ajo? 

    M2: (qesh)

    M1: (qesh) po hoxha ynë të paktën martohet dhe e ka grun në shpi, prifti juj nuk martohet. A rrihet gjith jetën beqar? Mos o Zot! A asht normale kjo?

    K: po hoxha 4 vjet shkollë ka pash Zotin, prifti bën 30 vjet shkollë. Ku ka kohë ai me u martu, hë si thu ti, a ka kohë? Ai gjithë jetën e kalon mbi libra. Ku krahasohet ai me hoxhën, he, hoxha atë punë ka, te gratë e ka menjen.  

    M1: po mirë, pa m'thuj ti, pse Jezusi vetë asht ba synet, juve ju ka lan pa ba synet? He?

    M2: (qesh) po qashtu, qashtu osht, hahaha.

    K: (me hezitim) Jo. nuk është bo synet, ku e di ti që është bo?

    M1: poooo, ai vetë asht ba synet, kurse juve ju ka lan pa ba, po, po kshu asht. He, pse?

    M2: (qesh me të madhe)

    K: (mërmërit diçka nëpër dhëmbë)

    Unë: (qesh.)