credins
Data sot është 22-05-2013, ora 15:16

Author Bios

Blogs by this author:

  • “Të mos dish të orientohesh në një qytet nuk do të thotë shumë. Duhet një farë praktike për të humbur në të, sikurse mund të humbasësh në një pyll. Emrat e rrugëve duhet t’i flasin vizituesit si kërcitja e degëve të thata, rrugicat e qendrës duhet të rrokëzohen pa pasiguri, sikur orët e ditës në një zbritje nga mali. Këtij arti iu afrova vonë, ai më përmbushi ëndërrën, në të cilën gjurmët e para do të ishin labirinte mbi letrat thithëse të fletoreve të mia”.

                                                                                            Walter Benjamin

    Qyteti është sigurisht një element themelor në identitetin e njerëzve që e jetojnë. A mund të vlejnë fjalët e filozofit të njohur edhe për kryeqytetin tonë?

    Nga ana urbanistike strukturat përbërëse te Tiranës ndodhen në një fazë të stërzgjatur krize. Mund të gjejmë një mijë arsye e fajtorë pse kemi ardhur në këtë pikë. Problemi është i thellë e shumëplanësh. Shpresoj të jem i qartë në konceptet që dua të shtjelloj për kryeqytetin. “Të analizosh strukturën urbane është edhe të projektosh. Të projektosh është edhe të analizosh të tashmen”- thotë Carlo Aymonino.

    Do të doja që diskutimin tonë së bashku ta shtjellonim ngritur në një lartësi, nga e cila mund të shihet qyteti në tërësinë e vet dhe t’i bënim një analizë të thellë.

    Dukshëm bie në sy një çarje në mes të këtij kaosi oriental, që korrespondon me bulevardin që bashkon Stacionin e trenit me Universitetin. Përreth qyteti është përhapur në formën e ashtuquajtur “njollë vaji”. Do të thotë që kemi një rrugë publike të madhe të tipit bulevard, ku çdo funksion i fortë publik është koncentruar e vazhdon të koncentrohet po aty, dhe e gjithë pjesa tjetër është një fjetore. Kufijtë e fjetores vazhdojnë  të  gllabërojnë  të  gjithë  kordonin e gjebër; qoftë tokë pjellore bujqësore, qoftë siperfaqe me gjelbërim “të egër” që rrethon qytetin. Ky zgjerim është i paevitueshëm për sa kohë ka  ende migrim të brendshëm.  

    Po të shikojmë pas në kohë, ideja e bulevardit u dha nga urbanisti Armando Brasini në vitet 1925, i cili ka qenë nga urbanistët më të mirë italianë të kohës. Pasi Tirana ishte zgjedhur si kryeqytet në 1920, kryeministri i atëhershëm, Ahmet Zogu, i kërkoi Italisë ndihmë në figura intelektuale, të cilat i mungonin Shqipërisë në ato vite; dhe këtyre u kërkohej një transformim i qytetit, nga një qytet i karakterit vernakular tipik oriental, pa shumë vlera historike në raport me qytetet e tjerë shqiptarë, në një kryeqytet me tipare perendimore evropiane. Brasini jep idenë radikale të bulevardit të orientuar thuajse në aksin veri-jug, tipar ky i ndërhyrjeve urbanistike që kryenin romakët e lashtë në kolonitë e tyre sipas aksit të ashtuquajtur në latinisht “cardo maximus”,  që ndërthurej me aksin lindje-përendim “decumanus maximus”, duke krijuar në pjesën e ndërthurjes së akseve një “Forum” , që në latinisht është sheshi , pra“piazza”. Ideja e aksit veri-jug dhe sheshit qendror u aplikua më lehtë gjatë projektimit të sistemit të ansamblit të ministrive nga Florestano Di Fausto, të cilin e ndërthuri me disa linja urbane të objekteve ekzistuese, sidomos duke nxjerrë në pah Xhaminë e Et'hem Beut.

    Më pas Gherardo Bosio me planin rregullues të vitit 1941 vë në qendër të strukturës së evolucionit të Tiranës bulevardin, i cili si një gur i hedhur mbi një siperfaqe uji që lë rrathët e tij koncentrike, do të rrethohej nga një sistem i mirëstudjuar rrugësh i lidhur po ashtu me sisteme të tjerë me të vegjël urbanë. Vetëm 10% e atij plani u zbatua nga sistemi i mëpasshëm komunist. I vetmi sens pozitiv që u ndërmor në atë kohë ishte kijimi paksa i thatë, por ndoshta pozitiv i dy poleve disi indipendentë urbanë të Kombinatit dhe të Kinostudios por ndoshta dhe të një nënpoli, siç ishte Xhamlliku. Me ardhjen e demokracisë dhe me migrimin e brenda qytetit të shtresës të intelektualëve (pasi për shtresa të pasura nuk mund të flitej) si dhe zëvëndësimin e tyre me të ardhurit e rinj, këto pole ju bashkangjitën fjetores së madhe duke u njëtrajtësuar me të.

    Ajo që kërkohet me urgjencë, është një decentralizim i menjëhershem i strukturës së qytetit, pasi nuk mund të frenojmë zhvillimin urban të Tiranës. Por si duhet bërë? Ç’do të thotë kjo dhe cilat janë përfitimet tona si qytetarë?

    Tirana ka nevojë të shpalosë një mënyrë të re moderne mendimi në ideimin e qendrave te reja brënda qytetit si alternativë jo konkuruese e bulevardit, sheshit Skendebej apo “Bllokut”, por si zona plotësuese të tyre. Kjo strategji moderne ka dhënë rezultat ne qytetet evropianë si Paris, Berlin, Londer,Barcelonë etj. Modeli është shumë i qartë dhe të mirat që sjell janë të shumanshme. Natyrisht kjo duhet të jetë strategji e planifikimit urban të drejtimit lokal dhe jo e individëve privatë që mendojnë vetëm përfitimin e shpejtë dhe akut në ndërtimet që kryejnë.

    Atëherë, hapi i parë është shperndarja sa më parë nëpër hapësirat urbane ose më mirë decentralizimi i funkioneve me karakter të fortë publik në zona që tani duken të dorës së fundit. Tipologjia e funksioneve mund të jetë ajo e zyrave shtetërore, teatrove, Biblotekës Kombëtare, objekteve të kultit, objekteve sportive apo stadiumeve, kinemave etj, pse jo edhe të vetë ministrive. Mendoni sa vlerë ka momentalisht zona ku ndodhet Ministria e Jashtme prej prezences së saj, edhe pse e vendosur tangjent me unazën e jo në menyrë dinjitoze me një shesh publik përpara.

    Krijimi i një qyteti poroz me pole urbanë është hapi i dytë, ku minimumi çdo pol ka një shesh qëndror pranë funkionit të fortë publik, i cili automatikisht do ndërthuret me funksione të tjerë me karakter rekreativ dhe shlodhës për të gjitha moshat. Pas vendosjes së kësaj bërthame magnetike urbane nis një vrull i uritur i investitorëve privatë për të investuar përreth.

    Nga ana ekonomike, çmimet e banesave nuk do të kenë variacione të mëdha për shkak të rëndësisë së njëjtë që kane këto pole. Kështu që edhe prirja e investitorëve për të ndërtuar është e shtrirë njëtrajtësisht mbi zonat e lëna në dispozicion për ekspansion nëpër këto miniqëndra.

    Nga ana sociale nuk do të kemi getto-izim për shkak të çmimeve të larta në pjesë të qytetit, të cilat shndërrohen në makth e vatër kriminaliteti. Nuk do të ketë zona totalisht të kristalizuara në të pasur apo të varfër, pra kështu minimizohet migrimi i brendshëm i qytetit. Psikologjikisht qytetarët ndihen më të barabartë e pjestarë të denjë të qytetit.

    Transporti do të reduktohej ndjeshëm, pasi nuk do të jetë nevoja për të shkuar patjetër në qendër për nevoja administrative, komerciale, kulturore apo dhe thjesht për një kafë, pasi çdo gjë do të gjendet fare pranë banesës apo dhe ambjentit të punës. Kjo do të thotë më pak kaos nëpër rrugët tona. Automatikisht kjo e fundit redukton ndotjen e mjedisit që shkaktohet nga djegja e karburanteve me reduktimin e spostimeve nga fjetorja e madhe drejt të vetmes qëndër aktuale.

    Qyteti bëhet më dinamik e më interesant për qytetarët që e jetojnë, por jo vetëm. Qyteti bëhet shumë interesant edhe për turistët, që do u duhet disa ditë të qëndrojnë në të për t’i vizituar këto qëndra në distancë nga njëra tjetra dhe godinat me karakter të fortë publik e me arkitekturën interesante që do t’i karakterizojë.

    Hapi i trete është sistemimi i një rrjeti funksional transporti rrugor dhe me shina që do të ndërlidhë të gjithë këto pole njëri me tjetrin dhe me sistemet nacionale të transportit.

    Natyrisht që këtij koncepti të ri të projektimit urban do t’i bashkangjiten të gjitha parametrat evropianë të distancave të ndërtesave, parametrat e gjelbërimit, parkimit etj.

    Them se tani mund të kthehemi në tokë e të ripërballemi me sfidën e përditshme. Avantazhi që ne kemi si popull është që neve na mjafton vetëm të shohim përreth se ç’kanë bërë të tjerët duke mësuar nga gabimet e të mirat që kanë bërë. Tirana nuk ka nevojë për eksperimente dhe ndërhyrjet e lartpëmëndura jane jetike.