credins
Data sot është 19-05-2013, ora 23:28

Author Bios

Blogs by this author:

  • U shtangëm të gjithë. Olimpi shqiptar vdiq. Ylli i shpresës së shqiptarëve të Maqedonisë shkoi në amshim. Shkoi për të mos u kthyer fizikisht mw kurrë. Shkoi, por mbeti në përjetësi. Për të do të flitet pwr ditë, muaj, vite e shekuj me radhw. Do të fliten fjalë miradije. Nuk do të mjaftojnë fjalët për të thurur lavdinë e këtij njeriu, shkëlqimin dhe mendjemprehtësinë e tij. Sepse fjalët janë pak përpara njeriut të madh të veprave, njeriut që me të drejtë e quajtën rilindasi shqiptar. Jo rilindës, po më shumë se i tillë. Do të na mungojë urtësia, vizioni dhe guximi i tij.  Ngase njerëzit si ai i kemi shumë të rrallë, e pothuajse nw gishta. U shfaq atëherë kur më së shumti na u desht. Kur shpresat na ishin venitur fare. Kur kryeneçësisë së Gligorovit dhe sojit të tij nuk i bënin përshtypje pyetjet e politikanëve : « I ke dhëmbët natyrale apo të vendosura » ? E Gligorovi u përgjigjej me mburrje, « Nuk është me rëndësi si i kam, me rëndësi është se me to kafshoj shumë mirë ». Doli Arbëri arbëror. Doli si kur del dielli në mëngjesin pranveror, si një dritë në fund të tunelit të errët shqiptar, që na kish futur mungesa e vizionit dhe diturisë së politikanëve shqiptarë dhe nacionalizmi ksenofob i shtetarëve maqedonas. Doli Arbëri mendjendritur, e u theu dhëmbët me diturinë e tij, guximin, qartësinë, precizitetin dhe vizionin qarqeve të errëta dhe gazetëravë shoven. Drejtoi forcën politike shqiptare avangardë të interesave shqiptare në Maqedoni. Mbrojti interesin nacional shqiptar, mu atëherë kur ai ishte në kapitullim e sipër.

    Stoiciteti i tij ishte arma e vetme që na kishte mbetur për të mos kapitulluar dhe pwr tw mos u dorëzuar përpara qarqeve të errëta shovene. Poltronët shqiptar natyrisht do të nxitonin përmes qarqeve të errëta të nxinin bardhësinë e tij, por ec e nxije këtë figurë të pastër. Këtë figurë madhore. Këtë figurë gjigande. Apofonia e tij kumbonte shpresë dhe dritë. Ky apologjet i  kombit shqiptar do të vlerësohej tej mase nga faktori ndërkombëtar fillimthi. Me të drejtë Havier Solana do të shprehej në një rast se « Shqiptarët e Maqedonisë kanë fat që kanë në ballë një lider të madh si Arbëri ». Kjo figurë do të reflektonte shpresë edhe për shqiptarët e Shqipërive të tjera të vogla. Ngase dituria dhe kthjelltësia e ideve tw tij ishte përtej kufinjve, metakufitare.

    Ardhja e tij në qeveri të Maqedonisë ndryshoi gjendjen e shqiptarëve për 180 shkallë. Bëri projekte që s`arritën të tjerët t`i bënin asnjëherë, e që s`do arrijnë po të kenë jetë edhe 10 shekuj. Ngase jo rastësisht nuk është thënë « Jeto, por jeto si mbret dhe lë gjurmë, bëhu i vijueshëm ». E Arbëri, jo vetëm  që la gjurmë të pashlyeshme, por u bë prototip i politikanit të duhur modern, shqiptar dhe nacionalist i arsyeshëm, si dhe shembëlltyrë e mendimit politik shqiptar e ballkanik. Liroi të burgosurit shqiptarë duke u bërë mish për top ndaj Gligorovit dhe duke e mposhtur politikisht atë krijesë shovene. Më vonë ata që do të liroheshin nga burgu, të frikësuar nga madhështia e Arbërit, nuk do të reshtnin të bënin karrierë politike duke sharë pikërisht liberatorin shqiptar. Do të thurnin shkrime e analiza të shumta halabakët dhe habdallët analistë, servilët dhe veglat e pushtetit. Por, a frigohet ariu me shoshë ? Aq mposhtej Arbëri famëmadh. Ky vigan sypatrembur rritej e shkëlqente në permanencë. Analistët servilë e puthadorë bënin zhurmë fishekzjarresh, përpara topit gjëmues, por kot. Arroganca dhe mendjemadhësia e disave u shndërrua në suicidim për vet ata. Klithmat dhe klishetë e zombieve nuk patën sukses.

    Kontributi i tij i madh në themelimin e Universitetit të Tetovës, në zyrat e partisë së tij, ishte i pazëvendësueshëm. (Kujdes, jo Universitetit shtetëror të Tetovës, por atij të Tetovës). Menaxhimi i suksesshëm i ngjarjeve të flamurit më 1997 ishte i pashoq. Durimi dhe vigjilenca e tij ndaloi malltretimin dhe sakatosjen e shqiptarëve. Nuk ishte koha e patriotizmit flakadan të llojit me çifteli. Kosova rënkonte nga Serbia, e Shqipëria ishte buzë greminës. Shqiptarëve të Maqedonisë nuk iu duhej përbaltja dhe humnera. Nuk iu duhej nëpërkëmbja e dinjitetit.

    Ky vigan sypatrembur do të ishte meritori më i madh për ngritjen e Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, projekt i ndërkombëtarëve me insistimin e Arbërit. Kjo fole e studimeve do të shndërronte Tetovën feudale në një qytet modern. Si rezultat  i kësaj në Tetovë do të gravitonin studentët dhe studentet shqiptare për të nxënë dituri, ndërsa ata që deri dje shanin projektin e madh kombwtar të Arbërit, me turr do të vraponin pas këtij tempulli të diturisë për rroga të majme, duke lëpirë atë që kishin pështyrë më herët.

    Arbëri si zakonisht fjalë pak e vepra shumë heshte dhe nuk i pengonin lehjet e akadhemykëve, të cilat edhe sot e kësaj dite nuk i dhanë të paktën një mirënjohje këtij njeriu për kontributin e tij tw madh. Në këtë Universitet, ku pata rastin të punoja edhe unë, ata që shanin dhe ofendonin pa ia nda po të njëjtin Universitet, punonin sikur mos të kishte ndodhur asgjë, ndërsa njerëzit që u ngritën në sajë të qëndrimit afër Arbërit, në një rast edhe nuk miratuan lejen për promovim të librit të Enver Robellit me titull « Arbër Xhaferi në Tetovë në kërkim të kuptimit ». S`ke ç`ti bëjsh akadhemykëve xheloz. Një mirënjohje, lavdëratë nuk i dhanë këtij njeriu të madh, ndërsa oponentët politik që vepronin kundër tij, punonin si butakë po në këtë Universitet. Po për Arbërin, nuk ishte me rëndësi përkatësia politike po panshqiptarizmi dhe intelektualizmi. Ai nuk posesivizoi UEJL në edhe pse pati mundësi ta bënte këtë. Me të vërtetë njeri i përmasve kolosale. E më shumë se kaq, bile.

    Suksesi i tij më i madh do të ishte pa dyshim ndihma në menaxhimin e luftës së Kosovës, duke dalë tejet rezultativ. E padyshim ajo që do të mbetet në histori si veprim monumental, do të jetë legjitimimi i konfliktit absurd të vitit 2001, respektivisht të formacionit luftarak shqiptarë në Maqedoni, i cili formacion doli me kërkesën e arsyeshme për çlirim kombëtar, ndwrsa e minimizoi këtë çlirim, po shihet kjo sot në robërim. Po për këtë një herë tjetër. Ky legjitimim i atyre do tw rrwzonte nga pushteti Arbwrin, po pwr tw pushteti nuk ishte asgjw, qwllimi i tij ishte interesi kombwtar.

    Mjafton të lexohet libri i Koço Danajt « Kryengritje e pambaruar », si dhe libri më i ri i Veton Surroit « Libri i fluturave » dhe nuk do më shumë koment. Ngritja e figurës së oponentit të tij politik Ali Ahmetit, legjitimimi i tij si politikan, mos heqja dorë nga Marrëveshja e Prizrenit tw 22 majit 2001, përkundër presioneve të parreshtura ndërkombëtare dhe vendore, dëshmoi stoicitetin e këtij njeriu të madh. Ai para së gjithash kishte interesin kombëtar, e jo atë pushtetor.  Nuk veproi si Ibrahim Rugova, veprimet e të cilit për pak sa nuk ndezën luftën ndërshqiptare në Kosovë, duke mos pwrkrahur formacionin ushtarak tw shqiptarwve, edhe pse lufta e Kosovws dhe e Maqedonisw kanw dallime shumw tw mwdha e tw pakrahasueshme. Arbëri veproi me maturi dhe përjashtoi çdo skenar të tillë. I lumtë këtij njeriu jo të zakonshëm. Por hienat apolitike do ta heshtnin këtë veprim madhor të Arbërit. Ata do të punonin nën tokw për të rrëzuar këtë njeri të madh. Më në fund, Arbëri humbi pushtetin, po jo edhe madhështinë e tij, jo edhe shkëlqimin. Ai fitoi pavdekësinë e veprave, mu si bëjnë burrat e mëdhenj. E hienat vazhduan ngjitjen e tyre drejt majave të Olimpit të rrejshëm, duke humbur edhe atë pak dinjitet që (nuk)kishin.

    Suksesi i tij në hapjen e Insitutit të trashëgimisë shpirtërore është i pakrahasueshëm, edhe pse po ky Institut, do të nëpërkëmbej më pas nga të njëjtat hiena, me direktiva të qarqeve të errëta antishqiptare. Por, uji kur ec ndoshta shterret, ama lë gjurmë. E Arbëri la gjurmë.

    Nuk do ta harroj kurrë për jetë takimin dhe qëndrimin tim më se shtatë orësh me këtë njeri të madh, në hotel Internacional Tirana, në Tiranë në diskursin e organizuar nga Forumi për Demokraci dhe Etikë, respektivisht me miqtë z. Arian Galdini, z. Bekim Hyseni……. Momente të paharruara për mua. Mësova shumë. Bibliotekë e vërtetë. Sikur të lexoja një sfond të tërë librash.

    Gjurmët e tij do të mbeten përherë shembull i veprimit të të tjerëve pas tij, edhe pse kam frikë se kjo vdekje e tij na gjeti të papërgatitur shumë. Varrimi i tij, në përcjellje të shumë njerëzve që e deshën, që e çmuan, që e mallkuan, e shanë dhe e lavdëruan, por kurrë nuk e mposhtën, dëshmoi se njerëzit vdesin, por veprat mbesin. E në altarin e këtij kombi, vepra e Arbërit do të reflektojë dritë saherë që do të errësohemi. Ajo dritë do të jetë udhërrëfyes i yni. Pavdekësia e Arbërit dhe vdekja e tij fizike, megjithë zhurmën prej halabakësh të disa horrave që shpejtuan të shpallin Arbërin heretik, ateist e kush e di se çka tjetër jo, duke e nxjerrë nga konteksti gabimisht, duke u vënë me (pa)qëllim në shërbim të politikës sllave, u kthye si bumerang kur pamë momentet e varrosjes së tij sipas traditave kombëtare shqiptare dhe fetare myslimane. Andaj, Arbëri do të shkëlqejë e do të na shëndrisë në pafundësi.  Malet tunden po nuk bien. Arbëri është vargmal dhe Himalaje shqiptare. Le të na shërbejë vepra e tij si model edhe pwr ne, si krijesa të Zotit, se një ditë patjetër që do vdesim të gjithë, por të lwmë gjurmë. Arbëri jetoi jetën si trim, mendimtar dhe guximtar i pashoq. Nuk jetoi gjatë, por ama jetoi me dinjitet dhe ç`i duhet ndokujt të jetojë kur « Jeta me turp është vdekje për së gjalli ». Se sa do të na mungojë ky njeri, këtë as që dua ta fus në mendje, ngase do të zhytem në pesimizëm, por vlerën e tij tw pakrahasueshme, do ta kuptojmë të gjithë ndoshta ndonjëherë. E ndoshta që nesër. Por, ama, mungesën e tij do ta ndjejmë përherë. Për të do të vlejnw vargjet që shkrimtari i shquar Çajupi shkroi për Naim Frashërin, në poezinë « Vdiq Naimi ». E unë me të drejtë marr guximin të shprehem me këto vargje.

    Arbër Xhaferit *

    Vdiq Arbëri, vdiq Arbëri, 
    moj e mjera Shqiptari! 
    Mendjelarti, zemërtrimi, 
    vizionari si ai!

    Vdiq Arbëri, po vajtoni 
    shqipëtarka, shqipëtarë! 
    këtë njeri kur të kujtoni, 
    mos pushoni duke qarë! 

    Vdiq Arbëri gjithë thonë, 
    gzohuni hiena, gzohuni kaurë! 
    Ciceroni i shqiptarisë tonë 
    s'do të dëgjohet më kurrë!

    Vdiq Arbëri që udhëhoqi
    me guxim popullin e shqiptarinë 
    vdiq Arbëri, që projektoi
    vizionin, dijen dhe mençurinë

    Vdiq Arbëri po ç'të gjeti, 
    o moj Shqiptari e mjerë! 
    Vdiq Arbëri, pas tij kush mbeti? 
    Si ai nuk ka më të tjerë.

    Vdiq Arbëri Vdekj' e shkretë, 
    pse more të tillë burrë? 
    I ndritë shpirti për jetë, 
    mos i vdektë vepra dhe emri kurrë!

     

    *Kjo poezi e Andon Zako- Çajupit e shkruar për hir të vdekjes së Naim Frashërit, rilindasit shqiptar, është marrë dhe përshtatur nga autori i tekstit për Arbër Xhaferin, ndjesë shpirti i pastë, nga aspekti i peshës së rëndë të vdekjes së këtyre dy rilindasve që jetuan në përiudha të ndryshme kohore, por që si model patën Shqiptarizmin

  • U bënë më se 4 vite që mbi shqiptarët e Maqedonisë ka pllakosur e keqja, që na u servua nga qeverisja e keqe VMRO DPMNE dhe BDI. Më se katër vjet shqiptari përbuzet, rrihet, keqtrajtohet, leckoset, varfërohet, kërkon azil nëpër vende të ndryshme të botës mu si nomad, burgoset pa pikë faji….

    Se deri kur do të vazhdojë kjo e keqe këtë nuk e di askush. Nuk e di askush se përderisa marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni janë të tensionuara aq shumë, sa që janë në pikën kritike të vlimit dhe shpërthimit, marrëdhëniet mes partnerëve të koalicionit janë të shkëlqyera. Krejt kjo ngase disa kleptomanë të partisë shqiptare në pushtet, me bekimin edhe të liderit të tyre, u pasuruan dhe u zënë mat nga Gruevski, hynë në hipoteka të mëdha, saqë ec e dil nga qeveria, kur dera e Gruevskit ua ka zënë bishtin e s`i len as të hynë e as të dalin nga ajo. Sot qeveritari shqiptar, ka më pak peshë se secila sekretareshë maqedonase me minifund dhe me syze. Sot qeveritari shqiptar me të drejtë po mos tu shikoheshin fytyrat e zgjebosura, do të ngjasonte në anëtarin më të devotshëm të VMRO DPMNE së, ndërsa BDI në filialë të VMRO DPMNE së. Se deri kur kjo do të vazhdojë nuk e di. Por një gjë e di, durimit është ka i vjen fundi. Ky durim i shqiptarëve, i cili mëton të shpërthejë orë e cast ka një adresë, adresën e partisë shqiptare qeverisëse, e cila përmes deklaratave të përfaqësuesve të saj ngjason në një degë partiake të VMRO DPMNE së.

    Sot edhe më tej qytetari shqiptar i pafajshëm, mu sikursë në rastin e Smilkovcit, maltretohet dhe rrahet pa kurrfarë preteksti. Ndërsa përfaqësuesi shqiptar në qeveri kërkon argumente, ndërsa po lideri i kësaj partie krekoset me Maqedoninë kur gjoja kjo e fundit do të hyjë në BE dhe NATO.

    Duke u marrë me rastet më të fundit, për të cilat nuk u la pa u thënë më asgjë, e shohim një gjë, e shohim se më në fund po fillon fillimi i fundit të kësaj qeverie të mbrapshtë. Por, përderisa shpresat e qytetarit shqiptar këtu, po edhe të tjerëve, janë leckosur dhe venitur, a thua e mendojmë ndonjëherë se si ndjehen dhe çfarë shpresash të pashpresa kanë të burgosurit shqiptar. Nga biseda telefonike e përhershme me një të burgosur, Rexhail Qerimi, për të cilin kam shkruar shumë herë, e të cilin rastësisht e kam bashkëfshatar, i dënuar nga gjykatat maqedonase me burgim të përjetshëm për një (pa)faj që s`arriti kurrë ta mësojë as ai, as familja e tij, as fshati i tij, as unë e as një shqiptar, mu ashtu sikurse nuk arritën të kuptojnë fajin e tyre as të 130 pjesëtarët e kryengritjes shqiptare që janë në burg, e as 13 shqiptarët e dënuar me burgim të përjetshëm nga organet e këtij shteti, kur për këtë nuk çan kokën as zëvendësministri shqiptar i punëve të brendshme, e as partia shqiptare në pushtet, edhe ai (Rexhaili) më foli për shpresat e vdirrshme dhe të humbura titanike, nga ana e të burgosurve shqiptarë, ose nga Shqipëria e vogël mu në zemër të burgut të Shutkës, ku ai vuajti paraburgimin, si dhe në Idrizovë ku po vuan aktualisht burgimin.. O tempora, o mores.

    Duke i ikur patetizmit dhe refrenizimit të gjërave, mund të shtoj se për këta të burgosur shqiptarë, nuk ka asnjë shpresë përpos rënie e kësaj qeverie, ridefinim të marrëdhënieve ndëretnike dhe lirim pa kusht, dhe marrje të rolit të duhur të shqiptarëve, ku qeveritari dhe ministri shqiptar do të jetë qeveritar dhe ministër, e jo hyzmetqar e blerës burekësh e gjivrekësh.

    Deri atëherë, Rexhail Qerimi dhe të tjerët si Rexhaili, do të duhet të mos i humbin shpresat, të kenë besim të plotë tek Zoti dhe tek njerëzit e ndërgjegjshëm, dhe të tregohen stoik. Ky kuietizëm, kjo omertë shqiptare, ky poltronizëm, ky maskarallëk, kjo heshtje vrastare…… ky servilizëm i folësve shqiptarë në qeverinë Gruevski do të marrë fund njëherë e përgjithmonë.

    Jo rastësisht nuk thuhet kot “Populli të bën vezir, populli të bën rezil. Ngase ata tanimë janë duke shkuar teposhtë, duke iu ngjitur majave të Olimpit të rrejshëm, por kësaj radhe të vetëdijshëm dhe duke mos pasur tjetër shtegdalje.

    Mbase këtë e vërtetuan imazhet nëpër ekranet televizive, ku popullata që hiç më larg se para një viti, si dhe tre viteve i votoi, u ngrit masovikisht kundër tyre. Më kot lideri i tyre u mundua të krahasohet me ish kancelarin gjerman Kol. Ky i fundit bashkoi Gjermaninë dhe gjermanët, ndërsa ky i “yni” na ndajti dhe përçau edhe më shumë, ai e solli lirinë për gjermanët, ky i “yni” na solli burgosje, maltretime, vrasje të djemve të pafajshëm, eliminim të komandantave më të spikatur të luftës, varfëri ekonomike, migrime masive, varfëri intelektuale, krizë, rrahje të civilëve, dhe më në fund na e solli lirinë e robit dhe të skllavit.

                                                                                               

  • Javën që kaloi patëm rastin të shohim interpelancën e kërkuar nga ana e deputetëve të partisë opozitare shqiptare, PDSH së, ndaj ministreshës së punëve të brendshme të këtij shteti, Gordana Jankullovskës. Interpelanca kishte të bënte në lidhje me marrëveshjen e këtij shteti me shtetin e Serbisë për patrullime të përbashkëta të policive të këtyre dy shteteve. Kjo edhe nuk më shashtrisi aq shumë, ngase duke e parë kursin politik të kësaj qeverie, nuk do të ishte çudi nëse që nesër do të shpallej Maqedonia pjesë e shtetit serb, ndërsa ne shqiptarëve të na gjejë ashtu siç na gjen çdoherë, të përgjumur, të fjetur, në letargji dhe në hibernacion. Interpelanca dhe reagimet e deputetëve shqiptarë ishin me vend, po ja që reagimet e njëpasnjëshme në mënyrë serike hasnin në vesh të shurdhër si nga ana e ministreshës poashtu edhe nga ana e zyrtarëve të tjerë qeveritarë, po bile edhe nga vet kryeministri.

    Kësisoj, tani qytetarët e këtij vendi të brishtë, “nuk do të kenë” më problem, do të jenë më të “sigurtë”, ngase policia serbe, e cila hiç më larg se para një dekade vriste e masakronte shqiptarë, do të “na ruajë” aq shumë sa që do të ndihemi më të sigurtë se kurrnjëherë më parë. Edhe atë kjo polici do të patrullojë dhe “sigurojë” në dy qytetet me shumicë shqiptare, Tetovë dhe Strugë. Thuaja se nuk ka Maqedonia shtet tjetër fqinj, thuaja se Kosova dhe Shqipëria nuk kanë polici, si dhe me to nuk duhet të nënshkruhet një marrëveshje e njejtë, edhe pse popullata shqiptare në këtë shtet është shumicë decizive dhe faktor, e për këto dy shtete nuk vlen marrëveshja e emërtuar “sipas agjendave europiane”.

    Nuk më çuditi as mua, por besoj edhe as auditorin e gjerë takimi i ministrit të mbrojtjes, Fatmir Besimi, javë më parë, i cili i dalur nga partia që pretendon trashëgiminë e kryengritjes së vitit 2001, bëri ca skandale me radhë, duke filluar përuljen para “branitellëve”, mburrjen me “skopjankën” Nënën Terezë, me fjalimet e tij në gjuhën maqedonase, si dhe skandali i fundit, takimi me gjeneralin kriminel serb, shefin e shtatmadhorisë serbe, Lubisha Dikoviqin, për të cilin vet Natasha Kandiq, drejtorja e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, thotë dhe jep dëshmi se ka qenë pjesëmarrës direkt në krimet e kryera ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Kosovë, gjatë luftës. Është e vetmja serbe, së bashku me Çedomir Jovanoviqin, kryetarin e partisë liberale serbe, që kërkojnë EPIFANINË, ballafaqimin me të vërtetën, dhe që bëjnë thirrje për katarsën serbe dhe denacifikimin serb. Bile, bile janë më të zëshëm se edhe disa shtetarë dhe qeveritarë në Kosovë dhe këtu ke ne, të cilëve i`u mungon solipsizmi, aftësia për të perceptuar mënyrën tjetër për botën, mënyrën reale dhe objektive, si dhe të cilët i ka kapur demenca e frikshme, e nuk kujtohen në asgjë, e duke mos u kujtuar në asgjë, bëjnë koncesione në dëm të çështjes kombëtare shqiptare.

    Por, ajo që më shqetësoi pa masë mua, ishte deklarata e ministreshës së punëve të brendshme maqedonase, Gordana Jankullovskës, e cila gjatë pyetjeve të deputetit shqiptarë të partisë opozitare PDSH së, z. Orhan Ibrahimit, në lidhje me shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm për bashkëfshatarin tonë Rexhail Qerimin dhe dy persona të tjerë, për gjoja vrasje të policit të njëisë speciale ALFA, me përkatësi etnike shqiptare, krim ky që kurrë nuk u zbardh si duhet, sepse ishte i ngarkuar dhe i ngjyrosur politikisht,  gjatë fjalimit të saj pra, u shpreh se nuk i vinte keq fare që i ishte shqiptuar dënimi këtyre shqiptarëve me burgim të përjetshëm, e bile sipas saj ndoshta ky ishte edhe dënim i butë, sepse duhej dënim edhe më i rëndë, edhe më drakonik. Hajde e mos u shqetëso. Pra, dënimi më i rëndë, mund të jetë vrasja. E, ec e mos shkruaj e mos reago.

    Ndërsa në lidhje me këtë rast kam shkruar për të satën herë unë, mandej kemi deklaratën e vet prindit të viktimës, i cili thotë se personat të cilëve iu është shqiptuar dënimi nuk janë vrasësit e djalit, respektivisht policit, mandej janë një mori pikash që të shpiejnë në konstatimin se ndaj Rexhail Qerimit dhe të tjerëve është kryer një proces i pastër i montuar, e tëra kjo duke u mbështetur në këto fakte : e para, gjatë vrasjes së policit ka pasur kamera sigurie, kur janë kërkuar kamerët e sigurisë, respektivisht inçizimet ato nuk janë ekspozuar si argumente në gjykatë, gjatë gjykimit, e dyta, personat dënohen pa argumente fare, ngase po të lexosh aktgjykimin të vjen për të qeshur dhe për të qarë për drejtësinë gjysmake këtu, pa kurrfarë argumentesh, e treta për të njëjtin rast, pra për vrasjen e policit, janë bastisur me dhjetëra familje shqiptare, thuaja se në këtë krim kanë marrë pjesë gjysma e një fshati, si dhe argumenti tjetër, fill pas vrasjes së policit të njësisë speciale, arrestohet Rexhail Qerimi dhe disa të tjerë, e pas 5 ose 6 orësh lirohen, për tu arrestuar më vonë pas ca javësh, dhe për t`u dënuar me burgim të përjetshëm. E ministresha, nuk është e kënaqur me shqiptimin e dënimit, ngase nuk çan kokën se një familje shqiptare nuk ka më të dashurin e saj afër vetes, ngase nuk brengoset që një fshat i tërë dhe një komunë ndan dhembjen dhe mllefin për padrejtësinë e organeve të këtij shteti që merr në qafë njerëz pa pikë faji. Por, ministreshës nuk i bëhet vonë, as për Rexhail Qerimin e as për 130 pjesëtarët e kryengritjes shqiptare që janë në burg, e as për 13 shqiptarët e dënuar me burgim të përjetshëm nga organet e këtij shteti, kur për këtë nuk çan kokën as zëvendësministri shqiptar, e as partia shqiptare në pushtet. O tempora, o mores. Pse ky kuietizëm, pse kjo omertë shqiptare, ky poltronizëm, ky maskarallëk, kjo heshtje vrastare…… ky servilizëm. Kush duhet vallë të mendojë për djemtë tanë që dergjen burgjeve të Maqedonisë, pa pikë faji ? Si mund të shpjegohet fakti që Maqedonia, ky shtet që pretendon të bëhet pjesë e organizatave demokratike, të mos çajë kokën për problemet e mëdha që i rrinë mbi kokë. Pse kjo amnezi (harresë politike dhe historike) nga ana e faktorit politik shqiptar në pushtet ? Pse ky popull shqiptar pranoi të gëlltisë dhe të mishërohet me situatën kafkiane, bizare dhe frustruese për vete ?  A thua i dijnë politikanët shqiptarë në pushtet, vargjet e poetit Azem Shkreli, i cili shprehet, « Ka ra poshtë  duke u ngjitur drejt majave të një Olimpi të rrejshëm » ? Kjo e fundi ishte pyetje retorike, ngase përgjigja dihet. Nuk dinë dhe nuk duan të dinë. Ngase ata ende edhe sot e kësaj dite janë duke shkuar teposhtë, duke iu ngjitur majave të Olimpit të rrejshëm. E krejt kjo sepse është e sata herë që shtetarët dhe politikanët maqedonas në qeveri, i`a hedhin partisë shqiptare në pushtet e ata nuk bëzajmë. Nuk thuan kot, « Të hodha njëherë unë jam maskarai, të hodha dy herë ti je idioti ». Por, kjo nuk është e dyta herë, është e pafundta herë apo jo ??

     

  • Lajmi mori dhenë. U nënshkrua marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, me të cilën Kosova do të paraqitet jashtë vendit në dy mënyra të çuditshme, do t`i referohet rezolutës absurde dhe alogjike 1244 në njërën anë, e në tjetrën anë me denominimin KOSOVO (term sllav) do të jetë në linjë me deklaratën e GJND-së për pavarësinë e Kosovës. Ja edhe teksti decid i marrëveshjes (Kosovo* do të jetë denominimi i vetëm që do të përdoret dhe fusnota do ta ketë këtë tekst): “Ky emërtim është pa paragjykimin për statusin, dhe në linjë me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244 si dhe Opinionit të GJND-së për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”. Se çka nënkupton kjo marrëveshje nuk mund ta deshifrojë askush, po përmes kësaj marrëveshje njihet mosnjohja e pavarësisë së Kosovës. Është e habitshme se si kryenegociatorja kontraverse Edita Tahiri pranoi të nënshkruajë këtë marrëveshje me amenin e padronit të saj kryeministrit kosovar, Hashim Thaçit, duke anashkaluar elementin bazë të një shteti për tu njohur ndërkombëtarisht, sovranitetin dhe duke pranuar fjollën e borës për këtë shtet. Me këtë marrëveshje cenohet sovraniteti i Kosovës edhe de jure. Ngase legjitimohet një rezolutë e bërë për një shtet që nuk ekziston më, për Jugosllavinë e vdekur. Është e habitshme se si faktori ndërkombëtar i referohet një rezolute për një shtet që nuk ekziston, për një territor të një vendi i cili nuk është më i tillë çfarë ka qenë. Kësisoj me këtë veprim, pavarësia e Kosovës e humb kuptimin e saj, ngase teksti në fjalë i marrëveshjes është me ambiguitete dhe me anomali. Kjo marrëveshje vërteton atë që pata shkruar disa muaj më parë, shndërrimin e Kosovës në kondominium. Kondominiumi në marrëdhëniet ndërkombëtare njihet si term ku sovranitetin ndaj një territori e ushtrojnë dy apo më tepër shtete, respektivisht subjekte. Në Kosovë ushtron sovranitetin edhe Kosova edhe Serbia, e që të jetë kjo e çuditshme dhe shokuese, e njëjta legjitimohet nga qeveria e Thaçit.

    Kjo marrëveshje e turpit e cila në fakt është antishqiptare, antishtetërore dhe anti Kosovë, sjell dyshime, ambiguitete dhe cenim të sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës. Edhe pse klishetë drejtuar partive që kundërshtuan me të drejtë këtë marrëveshje, lëshuar nga ana e ambasadorit amerikan dhe sovranit mbret, Dellit, i cili me përzierjet e tija të njëpasnjëshme në punët më të ndjeshme të Kosovës, ka thyer edhe normat dhe funksionin e tij si diplomat, kanë qenë në vazhdën e asaj për të matur pulsin se sa qeveritarët shqiptarë të Kosovës janë stoik dhe të vendosur. Po kur shihet se po këta qeveritarë janë të prirur për koncesione pa kurrfarë përfitimi, po bile për humbje pse të insistohet ndryshe. E kemi rastin e Gjermanisë dhe deklaratave të shtetarëve të saj të cilat janë më pro sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës, se sa qëndrimet e shtetarëve të Kosovës. Krejt kjo ngase shtetarët e Kosovës e kanë harruar kuptimin e sovranitetit dhe të shtetit. Nëse merremi me definicionin e shtetit do të shohim se shteti, apo ai që jo rrallë në mënyrë të vagët në komunikimin ndërkombëtar dhe kombëtar quhet edhe si vend, shumë shpesh vazhdon të perceptohet si një bazë territoriale e gjeografike, pra si një territor i veçantë i populluar dhe me kufij plotësisht të përcaktuar. Përderisa përpos kësaj, koncepti i shtetit ka edhe përmbajtjen politike që lidhet me qeverisjen e territorit dhe qytetarëve që banojnë aty, pra në atë territor. Kësisoj përpos territorit gjeografik e pushtetit qeverisës, aty bën pjesë edhe pushteti gjyqësor, që të gjitha këto së bashku përbëjnë sovranitetin e shtetit. Ndërkaq elementi thelbësor dhe kryesor i shtetit, sovraniteti është i pacenueshëm dhe i patjetërsueshëm.

    Me marrëveshjen e turpit të arritur sot, vërtetohet amullia, paqartësia dhe pranimi i shtetarëve të Kosovës si dhe shndërrimi i kësaj të fundit në kondominium, me legjitimim dhe bekim të vet qeveritarëve të saj, mirëpo tatëpjeta e kësaj qeverie ka marr hov dhe nuk do të ketë të ndalur. Qeveritarët e Kosovës nuk duan të shohin këtë realitet, ata bëhen se kinse janë duke u ngjitur majës së Olimpit të rrejshëm. Por, populli ju bën vezir, populli ju bën rezil. Keni harruar se zëri i popullit është zëri i Zotit, vox populi, vox dei. Andaj duhet hedhur poshtë kjo marrëveshje e turpit dhe duhet dënuar kondominiumin e legjitimuar nga shtetarët e Kosovës, nga vet populli, përmes protestave të paralajmëruara, si dhe në ditën e zgjedhjeve, që me gjasa do jenë të parakohshme, atëherë kur Edita Tahiri dhe qeveria e saj të presë shkrirjen e fjollës së saj (lexo: fjolla, fusnota të cilës do të duhet t`i referohet Kosova sipas marrëveshjes së arritur), por edhe të karrierës së vet personale. 

    (Autori është profesor i gjuhës dhe letërsisë frënge, magjistër i diplomacisë dhe shkencave politike, si dhe opinionist dhe kolumnist i rregullt)