credins
Data sot është 18-05-2013, ora 23:30

Author Bios

Blogs by this author:

  • Quhet Masiela Lusha dhe është ndoshta shqiptarja më e famshme në botë, por që në vendin ku ka lindur nuk njihet dhe nuk nderohet aspak. Është e pafalshme që mediat shqiptare mbushin faqe gazetash dhe programe televizive për personalitete pa pikë vlere dhe pa asnjë lidhje me vendin dhe neglizhojnë plotësisht ata që e nderojnë Shqipërinë tonë në mbarë botën.

    Nuk është një fakt i panjohur që shqiptarët u kthejnë kurrizin heronjve dhe personaliteteve që i përkasin plotësisht kombit, ndërsa kërkojnë me ngulm të bëjnë heronj ata me pak ose aspak prejardhje shqiptare dhe atyre që nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat e vërteta kombëtare, që nuk gëzojnë statusin e profesionistit në fushën e tyre dhe që nuk e njohin aspak Shqipërinë dhe gjuhën e saj. Nuk është rastësi që në 20 vitet e fundit sportistët shqiptarë fitojnë medalje në kompeticione të ndryshme sportive me flamuj të kombeve të tjerë, që fëmijët shqiptarë shfaqin gjenialitetin e tyre kudo nëpër botë veç këtu në vendin e tyre, apo intelektualë që kontribuojnë më talentin e tyre në vende jashtë Shqipërisë, të gjithë, vetëm e vetëm sepse janë braktisur nga kombi i tyre. Askush nuk i nderon ata!

    Të zhytur në ethet e luftës politike dhe të përfshirë plotësisht në të, shoqëruar me një jetë artistike me aktivitete amatoreske plot skandale të rëndomta, shpesh të fryra artificialisht për pseudo-celebrities shqiptare, mediat në Shqipëri nuk e marrin mundimin të indentifikojnë të famshmit dhe të nderuarit e vërtetë të botës shqiptare kudo ku ndodhen duke i lënë ata të panjohur për publikun e gjerë.

    Por rasti i një vajze tiranase të quajtur Masiela Lusha është më flagranti dhe më i pakuptueshmi, sepse ajo i përket botës së kinemasë dhe televizionit kaq të dëshiruar nga mediat. E megjithatë në 26-vjetorin e saj askush s’u kujtua të shkruante një mesazh urimi, apo të transmetonte disa minuta reportazh televiziv për këtë personalitet të botës shqiptare. Duket qartë se me low profile-n e saj ajo nuk  “meritonte” asnjë dedikim që u rezervohet diletanteve që përfshihen në skandale, të cilët më shumë duken se bëjnë bujë e zhurmë kot. Dhe me të vërtete, jemi mësuar tashmë të shohim fotografi me bikini sa vetë faqja kryesore e gazetave të një vajze shqiptare që ka vendosur t’ia tregojë botës lulen dhe frutin e saj natyral, apo një tjetre që bën porno hardcore joprofesioniste në Shtetet e Bashkuara, apo se sa bërtet e çirret Bleona Qerreti për kontributin e saj nudo në çështjen shqiptare apo sherrin catfight të dy këngëtareve amatore, raportimet për të cilin duket se nuk do të mbarojnë kurrë, e shumë e shumë të tjera të tipit tabloid. Dhe pastaj, ne ndjemë fort tërmetin e fuqishëm që shkaktoi vizita në Tiranë e Eliza Dushkut, e cila nuk ka ndonjë lidhje të afërt me Shqipërinë, ku kryetari i pazgjedhur i Bashkisë, krah saj, zgërdhihej me buzëqeshjen e tij të ngrirë si një manekin në një skenë filmi, dhe ku të gjithë ne mësuam sa mirë Eliza Dushku e fliste anglishten. Nuk kam asgjë me Eliza Dushkun, megjithëse vizita e saj politike në Tiranë më la të kuptoj sa poshtë ka rënë në të vërtetë; ajo ka babain me origjinë shqiptare dhe ndoshta meriton pak nderim, por kyetari i Bashkisë së Tiranës ndoshta nuk e di se një vajzë e lindur në Tiranë, nga prindër shqiptarë është e një kalibri më të madh se Eliza Dushku, sepse përveç aktore e njohur, ajo është shkrimtare, përkthyese, aktiviste dhe një gjeni sipas vlerësimit të disa mediave amerikane. Dhe në 23 tetor, kryetari i Bashkisë, mediat dhe gjithë shqiptarët harruan t’i uronin asaj, Masiela Lushës, Gëzuar Ditëlindjen. Sa turp, kur e mendon se sa do të thotë kjo për një njeri që jeton në Shtetet e Bashkuara dhe që e do me shpirt vendin ku ka lindur.

    Masiela nuk ka nevojë të bëjë tatuazh shqiponjën përkundrejt pagesës dhe pastaj t’ua shesë mediave si patriotizëm demodé; ajo e ka shqiponjën në zemër që ditën kur lindi në këtë vend. Por e urtë e fjalëpakë, e adhuruar dhe e respektuar, larg skenave të skandaleve të bujshme, ajo personifikon më së miri vlerat dhe tiparet e vajzës shqiptare, krenare dhe e bukur si vetë vendi ku ka lindur. Por duke qënë e tillë ajo lihet jashtë vëmendjes së mediave shqiptare dhe për pasojë jashtë vëmendjes së bashkëkombasve të saj. Por kjo e bën atë edhe më madhështore, edhe më të lartësuar, edhe më të pakapshme, ndërsa mediat shqiptare i bën të reflektojnë mirë për atë ç’ka janë dhe ku duhet të jenë.

    Po kush është Masiela Lusha?

    Mënyra si mësova për Masiela Lushën është krejt e veçantë. Në vitet 2006- 2007 shikoja çdo ditë në televizor një nga sitcom-et e mi të preferuar “George Lopez Show”, një sitcom amerikan  me platformë meksikane, të cilit nuk i kisha kushtuar rëndësi për emrat e aktorëve në fillim të episodeve. Një ditë, krejt rastësisht, lexoj emrin Masiela Lusha, vajza që në show interpreton Carmen Lopez-in,  të bijën e George Lopez-it. Emri nuk më tingëlloi amerikano-jugor, madje mbiemri Lusha dhe emri Masiela, dukeshin si të njohur në Shqipëri. I emocionuar u ula menjëherë në kompjuter dhe hyra në Google. Aty, i mrekulluar mësova se vajza e bukur e George Lopez nuk ishte latine, por mesdhetare dhe ishte patriotja ime. Mësova pastaj se si një vajzë e lindur në Tiranë, me pjesë të fëmijërisë jetuar në Hungari dhe Austri, që ishte vendosur në Shtetet e Bashkuara vetëm 8 vjet më parë (1993), përzgjidhet në 2002 si aktore kryesore në një show plotësisht meksikan duke sfiduar mijëra të përzgjedhur latino-amerikanë të lindur në Shtetet e Bashkuara. Nuk mund ta përmbaja krenarinë për suksesin e saj dhe faktin që një shqiptare luante aq bukur rolin e nje amerikane me origjinë meksikane.

    Mësova gjithashtu se ky show nuk ishte shfaqja e saj e parë në televizion, se ajo fliste rrjedhshëm disa gjuhë të huaja, se në moshën 12 vjeçare kishte botuar një libër me poezi në dy gjuhë, të titulluar “Persiatje të brendshme”, duke u bërë autorja më e re në botë në këtë stil; mësova se si u njoh si një ndër 10 Poetët më të Talentuar të Amerikës së Veriut dhe përgëzimi publik që mori nga ish- presidenti Bill Clinton i cili e inkurajoi atë të qëndronte si shembull për brezat e ardhshëm…

    Dhe që atëhere karriera e kësaj vajze të talentuar njohu vetëm ngjitje, në botën e kinemasë, letërsisë dhe aktivizmit humanitar, sidomos në mbrojtje të fëmijëve dhe jo vetëm. Në 2007 ajo themeloi kompaninë e prodhimeve kinematografike Illuminary Pictures dhe ka prodhuar deri tani dy filma të suksesshëm. Për një numër të madh aktivitetesh, ajo ka fituar respekt dhe adhurim kudo, përveç ndoshta vendit të saj të lindjes dhe popullit të cilit ajo i kushtoi një deklaratë të fortë para mediave amerikane: “Ka një butësi të ndjeshme rreth popullit shqiptar dhe unë kam qënë dëshmitare e mikpritjes dhe e mbështetjes që ata ofrojnë. Në venat e mia rrjedh gjaku i tyre dhe unë jam krenare që të quhem shqiptare”  

    Duke kërkuar ndjesë për impenjimet e mia dhe pamundësinë e shkrimit të një artikulli më 23 tetor, ditëlindjen e 26-të të kësaj figure të madhe, ndonëse me vonesë i uroj asaj:

    GEZUAR DITELINDJEN, MASIELA! Dhe vazhdo të na bësh krenarë që jemi shqiptarë!

     

  • Shqipëria është një rast tragjik! Ndoshta ka qënë kështu për shekuj me radhë, por në periudhën 20-vjeçare të post-komunizmit kjo është provuar katërcipërisht. Në vitin 1990 shqiptarët ishin populli më entuziast dhe ëndërrimtar që po përmbysnin komunizmin me një shpresë të papërshkueshme se më në fund do të jetonin të lirë e të begatë në vendin e rrënuar prej diktaturave dhe qeverive autoritare. Ata ishin të sigurt se tashmë do të ishin pjesë e vendit të tyre dhe se do të mundnin më në fund të ndërtonin një qeveri nga populli dhe për popullin. Të gjitha këto shpresa ata i varnin tek ajo që e kishin dëgjuar, por nuk e kishin parë e prekur kurrë më parë: Demokracinë. Për shqiptarët Demokracia ishte ajo nuse e bukur dhe e fortë, e dhimbsur dhe krenare, një simbol të të cilës ata tek-tuk e kishin parë shkarazi në ndonjë film apo lexuar në histori: Statuja e Lirisë në New York.

    Por shumë shpejt, madje brenda nje viti pas përmbysjes së komunizmit, ëndërrat dhe shpresat e shqiptarëve për një bashkëjetesë harmonike mes tyre dhe mes të gjithave ngjyrave politike do të merrnin një goditje të rëndë. Turmat që shkatërronin dyqane, ndërtesa e zyra të udhëhequra nga huliganë dhe të frymëzuara nga ajo fytyrë që do të personifikonte më pas “demokracinë” shqiptare deri në ditët e sotme, filluan t’u lënë shqiptarëve shijen e hidhur se e ardhmja nuk do të ishte aq e mbarë sa ata kishin shpresuar. Dhe 21 vitet që pasuan e vërtetuan atë paralajmërim të kobshëm. 

    Po sot Shqipëri, pa më thuaj si je?

    Si një grua e përdhunuar dhe e flakur përdhe

    Më vjen turp e s'kam fytyrë të të shoh në sy

    Sepse s’munda të të mbroja kur u sulën mbi ty

    Kjo do të ishte shprehja e dhimbjes së miliona shqiptarëve që sot po vuajnë nga shtypja dhe mjerimi që buroi nga kjo mender “demokracie” shqiptare, por edhe prej turpit, paçka se ndoshta nuk e ndjejnë sot, që nuk ia prenë rrugën këtij çnderimi dhe masakrimi të truallit të të parëve tanë, të cilët mundën ta mbrojnë atë për shekuj me radhë në histori kur kombe të tërë janë zhdukur në beteja të përgjakshme pafund.

    Demokracia shqiptare është funksionale, por e brishtë – dëgjohen të thonë në kor zëra nga brenda e nga jashtë, si për t’iu hedhur hi syve shqiptarëve se ja, edhe ndonja 200 vjet dhe çdo gjë do të rregullohet. Por të gjithë e dinë, edhe ata vetë, që kjo është një gjepur e stisur sa për ta hedhur dhe ca kohë. Demokracia shqiptare nuk është as e brishtë e as fëminore, sepse s’ka se si të jetë e tillë kur ajo nuk lindi kurrë. Në vend të saj lindi një krijesë e shpifur, nje kryqëzim  i shëmtuar mes demokracisë dhe diktaturës që e mori emrin DEMOKRATURË, e cila u rrit shpejt dhe u shndërrua në një përbindësh mitik që vetëm kërkon gjak dhe flijime në emër të saj. Kjo pjellë e keqe lëshoi këlyshët e saj kudo nëpër vend për të gllabëruar gjithçka që gjenin përpara mbi trupin e Shqipërisë sonë të shtrenjtë, që kurrë me parë, as në trembëdhjetën, nuk ka klithur kaq shumë nga dhimbjet nga copëtimi që po i bëhet mishit të saj. Këto krijesa vampirike, pjella të ligësisë së errët të mosarsyes, lëshohen me komandë për të pirë edhe pikën e fundit të gjakut të popullit të nënshtruar shqiptar.

    Ky sistem i quajtur Demokraturë është më i lig e më i rrezikshëm se çdo diktaturë. Gjysmë demokraci e gjysmë diktaturë si një sfinks tmerrshëm i kohëve moderne  zbatuesit e këtij sistemi i lejojnë vetes të përfitojnë nga liritë e demokracisë për të grabitur prona e pushtete dhe pastaj t’i mbrojnë ato me mjetet e diktaturës duke përdorur pushtetin ligjzbatues dhe të drejtësisë ashtu siç bëhej dikur.

    Dhe njerëzit e thjeshtë mbeten gjithmonë jashtë këtij sistemi, por përdoren vetëm për të mbushur xhepat e përbindëshave të vegjël, pjellë e këtij sistemi monstruoz. Ndërsa kërrusen nën peshën e halleve, taksave, varfërisë, papunësisë e mjerimit, shqiptarët e thjeshtë shohin se pinjollët e këtij sistemi të shëmtuar, kryqëzim i pasioneve të errëta të etjes për gjak dhe babëzisë së shfrenuar për pasuri dhe perversione seksuale, shtojnë luksin me kërrbaçin e padrejtësisë, e s’u mbetet gjë tjetër veç të fryhen nga marazi për këtë fatkeqësi që iu ra mbi kokë. Shumë prej tyre nuk po e durojnë dot këtë mjerim dhe zgjedhin rrugën e tragjike të vetflijimit.

    Pavarësisht kësaj, në ekranet e televizioneve shfaqen fytyrat e ministrave që shkëlqejnë nga dhjami i makutërisë, të cilat flasin për mrekullira planetare në histori që edhe Evropa e Amerika nuk i paskan njohur kurrë, dhe që nga ato ekrane iu qeshin njerëzve të thjeshtë e halleplotë mu në fytyrë duke iu thënë të ulin kokën, sepse nëse e mbajnë lart, ajo kokë do t’iu pritet. Gazetat dhe televizionet e sistemit mbushen me tituj me gërma të mëdha se “qeveria dha kaq lekë për pensionistët, kaq për mësuesit e kaq lekë për bizneset”, a thua se qeveria jonë po i nxjerr këto lekë nga xhepi i vet për t’ua dhënë shqiptarëve si bamirësi. Për ata që zhgarravisin nëpër këto palo gazeta qeveria nuk është institucion, por nje tortë që ndahet mes pjestarëve të saj si në sistemet gadafiane e mubarakiane. Dhe pastaj analistë të sistemit, të pispillosur dhe stolisur si ato prostitutat 100 euro/ora, turren të shpjegojnë se si ky sistem i shëmtuar na qenka e bukura e dheut, të cilën ne duhet ta duam dhe adhurojmë të gjithë.

    Bisha e tërbuar kërkon të gllabërojë gjithçka që ka mbetur, vret e pret për këtë, ia këput kokën kujtdo që e kundërshton nuk nginjet kurrë edhe pse nuk ka më asgjë për të gllabëruar. Kur i kundërvihesh ajo bëhet edhe më e tërbuar, të vret pa mëshirë dhe pabesisht si në 21 Janar, të vret natën që është koha e saj e gjahut si në rastin e deputetit e kryekomunarit, të vret edhe në mes të qytetit në atentate mafioze, apo me banda që u jep gjak nga gjaku i saj i helmatisur. Por vrasja më e preferuar e këtij përbindëshi është pasi ta ka bërë gjyqin vetë, me tufën e lakejve me toga të zeza si zombies të ardhur prej errësirës së përjetshme, që edhe vetë inkuizicioni do t’i kishte frikë.  

    Demokratura shqiptare është e fortë dhe e pathyeshme, e egër dhe e pamëshirshme, sepse ajo shfrytëzon hapësirat e demokracisë për të zbatuar diktaturën. Në botën jashtë Shqipërisë ajo vesh mantelin e përulësisë deri në servilizëm, ndërsa brenda kufijve të vendit ajo është me fytyrën e saj të vërtetë, të egër dhe gjakatare. Jashtë, edhe pse të gjithë e njohin atë dhe krimet e saj ndaj këtij populli, e trajtojnë butësisht sepse siç duket edhe ata fitojnë ndonjë copë nga gjaku dhe mishi i viktimave të saj dhe këtij trualli të përdhunuar deri në palcë

    Shqipëria mund të jetë gjithçka, por vetëm demokraci nuk është, dhe për këtë nuk ma mbush dot mendjen asnjë individ, nga jashtë apo nga brenda, sepse po e ndiej çdo ditë në lëkurën time kthetrat e kësaj demokrature të shëmtuar që mundohen të na e servirin si demokraci të kulluar. Mundësia që më eshtë dhënë të kaloj gjysmën e jetës në vendet më demokratike të botës, përfshi Shtetet e Bashkuara, më ka bërë ta njoh e ndiej mirë demokracinë e vërtetë, që ndoshta është e prerë, por e bukur, mahnitëse dhe e drejtë. Ndaj unë dhe miliona shqiptarë të tjerë jemi të rraskapitur duke dëgjuar përfaqësuesit apo të dërguarit e huaj, ata që duhet të ndihmonin në lindjen e demokracisë së vërtetë në Shqipëri, tek flasin e shkruajnë për arritjet mbresëlënësë të kësaj demokrature gjakderdhëse. Nëse nuk kanë asgjë për të thënë për ne, të paktën të mos dalin nga dhjetë herë në ditë nëpër televizione se na i sollën zorrët tek gryka. Është e qartë tashmë se përbindëshi deri tani me një kokë po kthehet në një kuçedër me shumë koka për të helmatisur edhe më shumë shqiptarët e rrënuar, nëpërmjet asaj që një gazetar i respublica.al e ka emërtuar në mënyrën më të goditur si Ambasador-ocraci. Dhe një ambasador e pranoi hapur se ata e paskin ushqyer për 20 vjet këtë përbindësh të tmerrshëm.

    Shqipëria është një demokraci diktatoriale neandertale, sepse zinxhiri e evolucionit të pjestarëve të saj, e ka kapërcyer hallkën e homo sapiens-it. Se si do të na vejë halli në këtë çorbë të flliqët, askush nuk e ka idenë. Zoti pastë mëshirë për ne!

  • Nuk është thjesht një deklaratë, por një sinjal SOS i lëshuar nga një prej tre milionë shqiptarëve të thjeshtë të pambrojtur nga asnjë agjenci ligjzbatuese dhe të braktisur pa asnjë mjet për të mbijetuar në xhunglën e egër të shoqërisë shqiptare.

    Rritja katastrofike e kriminalitetit në vend dhe ngjarjet e fundit të vrasjeve politike dhe mbi të gjitha moszbardhja e asnjë prej tyre bëjnë që të jetosh në një terror të plotë, gjithmonë me frikën që kështu si po venë punët, gjëra të tmerrshme mund të të ndodhin ty ose ndonjë pjestari të familjes. Ato ngjarje dhe shumë të tjera vitet e fundit zbuluan se deri ku ka shkuar organizimi mafioz dhe eleminues i botës së krimit dhe sa e lartë është shkalla e shkrirjes së tij me organizmat shtetërore dhe sa e pa vlerë është bërë jeta e shqiptarëve të thjeshtë si unë. Zhvlerësimi i jetës, pronës dhe pasurimi marramendës i njerëzve të lidhur me krimin e bën Shqipërinë një vend krejtësisht të pasigurt ku njerëzit jetojnë në një stres dhe presion psikologjik të jashtëzakonshëm, të kontrolluar në çdo aspekt të jetës së tyre nga struktura kriminale. Këto të fundit gjenden kudo, në çdo post a zyrë, në çdo instancë të drejtësisë, të pushtetit lokal dhe të atij qendror. Dhe në të gjithë këtë aktivitet njerëzor, unë si miliona shqiptarë të thjeshtë, të varfër e të nëpërkëmbur, do detyrohem të bie në kontakt me individë të kësaj bote, të cilëve ne si të pavlerë që jemi, duhet tu bëjmë temena e t’u mbushim xhepat me paratë e bukës së familjes për të përfituar ndonjë të drejtë apo favor minimal, nëse nuk na flakin jashtë, na pështyjnë e na rrahin.

    E ku të kërkoj ndihmë unë, i panjohuri, i pavlefshmi, inekzistenti? Unë s’kam fytyrë, s’kam pozitë e s’kam as emër. Unë quhem thjesht popull, ai që duhet t’u shërbejë zotërinjve të rinj të katrahurës sonë post-komuniste, atyre që duhet t’u përulesh deri në tokë e t’u puthësh këmbën edhe pse ke kulturën e vlerat evropiane, arsimin maksimal me rezultate të shkëlqyera dhe zotëron disa gjuhë të huaja, ndërsa zotërinjtë e gjithëpushtetshëm nuk dinë të shkruajnë as emrin e tyre që e kanë bërë të madh me gjak e terror, dhe kanë vënë në kornizë në muret e zyrave të tyre luksoze kartona pavlerë universitetesh fantazmë, të blerë më paratë e fituara nga ky gjak e terror.

    Unë kam frikë dhe duhet të kem frikë. Kur dora vrastare ngrihet mbi vetë të zgjedhurit e popullit, mbi përfaqësuesit e pushtetit juridik në mes të qytetit ditën me diell, për të treguar forcën e vet, mbi qytetarët në sytë e gjithë botës në bulevardin qëndror, dhe mbetet përherë e pandëshkuar, ç’problem do ta ketë kjo dorë që të heq qafe një si unë në rrugicat e pandriçuara të Tiranës, Fierit, Elbasanit apo Vlorës thjesht për argëtim. Unë nuk vlej, unë jam askushi, unë jam thjesht një statistikë, një i vdekur që merr frymë. Dhe në kushtet e krijuara, jam mëse i bindur se kontigjenti ynë i askushëve shumë shpejt do të shndërrohen në gjah njerëzor për të kënaqur etjen për gjak dhe eksperienca vrastare  të njerëzve perversë të kamur nga e gjithë bota, që do t’u pagonin shuma të majme zotërinjve që sundojnë këtë vend, për të provuar ndjesinë e marrjes së jetëve njerëzore. Kush e ka parë filmin Objektiv i Vështirë (Hard Target) me aktorin Van Damme do ta kuptonte mirë për çfarë e kam fjalën.

    Unë kam frikë për jetën time dhe kjo është njerëzore. Edhe sikur të bëj të pamundurën të shmang çdo kontakt me këta njerëz në rrafshin shoqëror, kush më garanton se padashje nuk përplasem në rrugë me një syresh dhe ai, pa më të voglin hezitim, nxjerr armën dhe qëllon, sepse unë jam i pavlerë dhe nuk duhej të ndodhesha në të njëjtën udhë me të? Sa jetë janë humbur vetëm me motivin “pse më shikon?”, sepse në venat e këtyre njerzve rrjedh gjaku i ligësisë që i bën ata djallëzorë, të pamëshirshëm dhe shpërfillës në maksimum ndaj jetës, si mrekullia unike në univers.

    Por unë nuk kam frikë prej tyre! Ata nuk më frikësojnë dot, se nuk janë më të fortë se unë, sepse unë jam populli prej me shumë se tre milionë dhe jam gati të luftoj dhemb për dhemb me ta, flakë për flakë me të njëjtat mjete që ata disponojnë. Dhe do të fitoj mbi ta, sepse kam me vete të drejtën të jetoj i qetë e i lumtur jetën që Zoti a natyra ma dha, dhe vetëm Ai a ajo ka të drejtë të ma marrë. Por unë nuk mundem ta bëj këtë, sepse në çdo qelizë të qënies sime ka zënë rrënjë frika më e madhe, jo nga ata, por nga Shteti im që e ka për detyrë të më mbrojë. Nëse ngrihem e luftoj dhëmb për dhëmb me ta, dhe iu jap atë që me të vërtetë meritojnë, shteti do të sulet mbi mua me gjithë makinerinë e tij të egër dhe po ata gjyqtarë që sot çirren se duan mbrojtje për jetët e tyre do të më kryqëzojnë si bandit e kriminel që lufton kundër simbolit të dlirësisë dhe ndershmërisë shqiptare. Këtë kuptim ka marrë shteti që unë e zgjedh dhe e paguaj, dhe këta njerëz nuk do të ekzistonin dot një orë pa përkrahjen e atij shteti që unë votoj me votën time. Dhe këtu qëndron i gjithë problemi: Mua më vret vota ime! Edhe sa kohë do më duhet ta kuptoj se jeta ime varet nga ajo votë që duhet mbrojtur me gjak, sepse edhe nëse vritesh, të paktën do t’u garantosh jetën fëmijëve dhe pasardhësve të tu dhe lumturinë që shoqëron atë. Dhe për sa kohë unë do ta shes atë votë për një kacidhe, dhe nuk ndërgjegjësohem se po shes vetë jetën time,do të vazhdoj të jetoj me frikën dhe panikun se do të gjendem një ditë në ndonjë kanal, i kalbur dhe i paidentifikuar, i hedhur atje nga këta njerëz që marrin jetë nga vota ime.

    Ah sikur edhe ne, nxitur nga kjo frike e pasiguri për jetën, ta hidhnim tej indiferentizmin dhe të merrnim guximin për të nisur një lëvizje paqësore mbarëpopullore, vetëm me fletushka e bluza me mbishkrime:

     

    ·Unë kam frikë për jetën time

    ·Unë jam viktimë e krimit

    ·Objektivi tjetër jam unë …etj,

     

    për të sensibilizuar opinionin publik evropian e amerikan për gjendjen e pashpresë në vendin tonë, sepse duket qartë se qeveritë e tyre janë dakort me gjendjen e krijuar dhe pushtimin e Shqipërisë nga krimi i organizuar.

    Le të tregojmë që jemi evropianë të vërtetë dhe që nuk mposhtemi para frikës, por qëndrojmë bashkë, krah njeri tjetrit, për të demonstruar se e ardhmja na përket neve. Flakeni indiferentizmin, sepse ndoshta para ligjit jo, por para krimit jemi të gjithë të barabartë.

     

  • Krahas shumë funksioneve antinjerëzore dhe antikombëtare qeveria shqiptare e vitit 2009 ka marrë edhe funksionin e agjensisë imobiliare në aktivitetin e të cilës përfshihet shitja e 28 mijë km² të Republikës së Shqipërisë dhe zonave të saj detare. Kur flasim për shitje të Shqipërisë nuk është fjala për shitje interesash kombëtare në politika ekonomike apo favore ndaj të huajve për të qëndruar në pushtet, sepse këto afera kanë dominuar historinë e Shqipërisë që nga koha kur ajo filloi të dokumentohej. Jo, flitet në kuptimin e drejtpërdrejtë për shitje reale të trojeve e parcelave tokësore dhe detare të vendit të të parëve dhe pasardhësve tanë. Dhe kjo nuk do të ishte hera e parë në historinë e Shqipërisë që pjesë të saj shiten nga qeveri të pavotuara, anadollake dhe tradhtare deri në palcë. Mund të përmendim rastin e shitjes së Manastirit dhe Shën Naumit jugosllavëve nga qeveria e Zogut, vetëm për të mbajtur atë në pushtet, me një marrëveshje poshtëruese dhe kriminale për një njeri të zakonshëm, jo më për një kryeministër të vetshpallur mbret. Sigurisht edhe në historinë e botës perëndimore shitje territoresh nuk janë të panjohura. Më të famshmet janë blerja e Alaskës prej Shteteve të Bashkuara Rusisë në 1867 dhe blerja e Luizianës Francës së Napoleonit në 1803, territori i së cilës,duhet ta pranojmë që nuk kishte përmasat e shtetit të sotëm të Luizianës, por përfshinte gati ¼ e territorit aktual të SHBA. Por, ka një ndryshim thelbësor: ato ishin koloni të cilat Franca dhe Rusia e atëhershme ndoshta nuk mundeshin t’i kontrollonin dot më. Të shesësh troje nga trungu mëmë është krimi më i madh që mund të bëhet sepse, ashtu si vdekja, ajo ndodh vetëm një herë dhe zgjat përjetësisht. E këtë Shqipërisë nuk do t’ia bënte kurrë një shqiptar i vërtetë.

    Kabllogramet e WikiLeaks-it zbuluan shumë anë të errëta të këtij procesi shitjesh që filloi me territoret ujore në atë që u quajt “marrëveshja e famshme e ujrave”, për të cilën shumica e shqiptarëve të thjeshtë treguan një indiferentizëm të turpshëm. U desh vetëm një zotëri i nderuar, patriot i vërtetë, ta ngrinte këtë çështje kombëtare në media e komunikim publik, një opozitë e ndershme për ta çuar në gjykatë Kushtetuese dhe një gjykatë e pavaruar nga tradhëtarët historikë që ta shvlerësonte atë. Por mënyra si i bëri negociatat qeveria shqiptare dhe si arriti në këtë marrëveshje, me kërkesën e Greqisë, që të tjerët të mos e merrnin vesh, është një prostitucion ndërshtetëror.

    Kjo që ndodhi ngre hije dyshimi për atë që mund të pasojë në të ardhmen. A mos vallë kriza greke ishte e provokuar, ngaqë grekët fshehën paratë për t’i përdorur më vonë për blerje të territoreve jugore të Shqipërisë, qeveria e sotme e së cilës është e gatshme t’ia ofrojë pa asnjë mëdyshje? Duket si një konspiracion i pamundur, por ngjarjet e fundit të bëjnë të mendosh se gjithçka mund të ndodhë.  Kur Greqia bëri presion për aprovimin e MSA-së, atëherë rruga më e ndershme do të ishte që qeveria shqiptare ta ngrinte këtë çështje në instancat më të larta të Bashkimit Evropian, duke denoncuar ambicjet e shtetit grek dhe duke ua thënë troç e prerë atyre se Greqia po përdor pozitën e saj në Bashkim Evropian për të realizuar qëllimet e saj shoviniste dhe po përdor superfuqitë e Evropës për përfitime të paligjshme. Dhe sigurisht vendet anëtare të BE-së nuk do të rrinin duarkryq. Por qeveria shqiptare e nënshtruar deri në përulësi nuk e bëri këtë për arsye që dihen tashmë.

    Shembulli më i qartë i rezistencës ndaj synimeve greke është Maqedonia, e cila po lufton për një emër dhe simbol kombëtar, që në fund të fundit nuk i përkasin asaj, sepse sllavët erdhën në Ballkan shumë shekuj më vonë se sa shkëlqimi dhe rënia e perandorisë së Filipit dhe Aleksandrit të Madh. Në këtë rast grekët nuk po marrin dot një simbol dhe emër që historia, duam apo s’duam ne, e drejtë apo e padrejtë, ia njeh asaj si pjesë e historisë së lashtësisë të qytetërimit helen.

    Por kur vjen puna me Shqipërinë, Greqia merr gjithçka që do, kur dhe si e do. Madje kur qeveria jonë e nënshtruar nuk e ka në dorë t’ia japë asaj atë që ajo kërkon, një Ministër i Jashtëm grek kërcënon nga Prishtina popullin shqiptar se do të mbetet jashtë Evropës dhe një gjysh shfaqet pa pritur në Tiranë dhe me mishin e flashkur prej viteve mbi supe, kërcënon Ministrin tonë të Jashtëm njëqind e ca kilësh dhe me fizikun e një lojtari Wrestling-u, për të bërë sa më shpejt regjistrimin e popullsisë ashtu si do Greqia.

    T’i falësh Greqisë fshehurazi, sikur të ishe një organizatë ilegale, pjesë të territorit dhe ndoshta t’i premtosh të tjera më vonë, kjo është tradhëtia më e madhe kombëtare dhe ata që e bëjnë këtë nuk janë shqiptarë. Edhe këtë e them në kuptimin më të drejtpërdrejtë të fjalës. Historianët, nëse ka gjallë ndonjë shqiptar të vërtetë, duhet të nisin studimin e origjinës së njerëzve që ideuan dhe po realizojnë këtë copëtim të ri të Shqipërisë.

    Shqiptarët e pastër ndihen sikur dikush i ka shtrirë përtokë dhe u ka vënë shkelmin në grykë dhe po i mbyt ngadalë me dhembje të tmerrshme. Dhe në këtë agoni të pashpresë në veshët e tyre vjen zëri i ndërkombëtarëve që thotë të durojnë deri sa dhimbja të marrë fund dhe vdekja t’i përpijë. Nëse shqiptarët do të pranojnë të pushojnë së ekzistuari apo do ta flakin tej këtë thundër që po i mbyt, do të jetë një zgjedhje që ata duhen ta bëjnë vetë sa më shpejt të jetë e mundur. 

  • Ambasadori amerikan ka përsëritur disa herë nevojën e një pakti kombëtar për integrimin e vendit në BE, fill pasi Kryetari i LSI-së doli me këtë ide “madhështore” për zgjidhjen e problemeve të mëdha që po kalon sot vendi. Nëse dy mbështetësit e kësaj iniciative, Ilir Meta dhe Aleksandër Arvizu, e kanë diskutuar më parë këtë ide apo ky i fundit u njoh me të në takimin që pati me Ministrin e Jashtëm dhe nënkryetarin e LSI-së Haxhinasto, kjo nuk dihet dhe ndoshta nuk do të merret vesh kurrë. Megjithatë, këmbëngulja e zotit Arvizu në këtë pikë, sidomos në krah të kryetarit të pazgjedhur të Tiranës, i cili e sfidoi atë hapur në marrjen me “dhunë” të postit të kryetarit të bashkisë, duke i dhënë një goditje të rëndë imazhit të tij personal si ambasador, Departamentit të Shtetit dhe të gjithë qeverisë amerikane në sytë e shqiptarëve dhe mbase edhe më gjerë, duket se fsheh pas vetes disa pika të errëta, të cilat duhet të qartësohen mirë. Mosreagimi ndaj vrasjes së demonstruesve në 21 Janar dhe akuzave të Berishës për përfshirjen e opozitës në këto vrasje si edhe qëndrimi asnjanës në manipulimin e zgjedhjeve në Tiranë i dhanë një goditje shkatërruese ndjenjës pro-amerikane të popullit shqiptar dhe besimit se vlerat amerikane të lirisë e demokracisë gjejnë zbatim në çdo vend e për çdo popull. Rezultat i saj i pashmangshëm është tashmë humbja e besimit tek ambasada amerikane dhe nismat e ndërmarra nga ajo.

    Nuk jam aspak kundër një pakti kombëtar, por jo për shprehjen e dalë boje të integrimit. Kjo fjalë është shndërruar në një term të urryer për shumicën e shqiptarëve, sepse ka shërbyer e shërben për mbulimin e paudhësive të kësaj qeverie. Jam dakort si një qytetar i këtij vendi për një pakt mbarëkombëtar për ndërtimin e një shteti modern evropian, për ngritjen e strukturave të zbatimit të ligjit sipas modelit perëndimor, për ta pastruar vendin nga krimi, korrupsioni dhe trafiqet dhe garantimi i pacënueshmërisë së lirive civile të qytetarëve shqiptarë. Kur kjo të ndodhë, integrimi bëhet një proces i pashmangshëm dhe i vetvetishëm.

    Por supozojmë se bihet dakort për këtë pakt. Çfarë do të përmbajë ai dhe mbi të gjitha kush do ta garantojë mbarëvajtjen dhe funksionimi e duhur të tij? Ambasadori Arvizu këshillon nje pakt si  Kroacia dhe Sllovenia. Krahasimi më pëlqen shumë, sidomos po të merret parasysh që ish-kryeministri kroat u arrestua për korrupsion dhe po ndiqet penalisht për akuza lidhur me të. A do të përmbajë pakti kombëtar shqiptar pika ku të kërkohet arrestimi i zyrtarëve të korruptuar në çfarëdo pozicioni qofshin dhe ndëshkimi i tyre sipas ligjit? Nëse jo, atëherë çfarë do të përmbajë ky pakt? Sigurisht, për këtë përgjigja do të ishte e shpejtë: Marrëveshje politike dhe miratim ligjesh me shumicë të cilësuar! Ja pra ku kalojmë përsëri tek muzika e vjetër se problemet në Shqipëri qenkan ligjet dhe jo zbatimi i tyre. Ne mund të ndërtojmë një mijë gjykata dhe njëmijë herë do të rritet pushteti i kryeministrit, sepse ato do të vihen menjëherë nën kontrollin e tij. Atëherë ç’vlerë ka një gjykatë administrative në gjendjen e krijuar, veç të shtojë korrupsionin dhe problemet me pronat, tashmë shumë të rënduara? Po ja, kështu e dashka Evropa dhe integrimi. Shumë mirë, nëse duhet vetëm kjo atëherë le ta bëjmë! Por askush nuk i beson këto përralla. Shqipëria ka shumë probleme dhe integrimi kërkon zgjidhjen e tyre nëpërmjet zbatimit të ligjit. Por, nëse Evropa do të pranojë në gjirin e saj një qeveri me listën e tipareve dhe veprimtarive të saj si ato të renditura më poshtë atëherë le të thërrasim të gjithë haleluja:

     

    -E korruptuar në përmasa të frikshme.

    -E lidhur me krimin e organizuar.

    -Ka vënë nën kontroll drejtësinë dhe policinë.

    -Zotëron 80% të medias dhe e ka kthyer televizionin publik në mjet propagandistik.

    -E papërgjegjshme në ekonomi dhe e ka çuar popullsinë në varfëri ekstreme.

    -Administratë në nivel qëndror dhe lokal militantiste dhe të paarsimuar.

    -Ka vënë në pronësi sektorët më të rëndësishëm dhe arsimin.

    -Nuk respekton pronën dhe liritë themelore të njeriut.

    -Shkatërron sindikatat që mbrohen me ligj.

     Dhe dy më të famshmet:

     -Manipulon zgjedhjet.

    -Vret protestues me armë dhe akuzon opozitën.

    * * * * * 

    Personalisht gjithmonë kam menduar se ndërkombëtarët kanë qënë të painformuar mbi atë çka ndodhte në Shqipëri dhe mendoja se mua dhe gjithë të tjerëve, që kishin mundësinë dhe mjetet, na lindte detyra të informonim sa të mundnim ata për realitetin shqiptar. Por botimet e fundit në WikiLeaks provuan se qeveritë evropiane dhe ajo amerikane janë shumë më të mirë-informuara nga sa do të mund të jenë vetë shqiptarët mbi atë që ndodh në këtë vend. Atëherë çfarë duhet të presim të bëhet me Shqipërinë? Çudia më e madhe është se ambasadorët e huaj që nuk lënë vend pa shkuar, kamera pa dalë dhe evenimente pa marrë pjesë, që nga përurimi i një rrugice, dhurimi i dhjetë kompjuterave të përdorur nje shkolle deri tek birra falas, nuk kanë thënë asnjë fjalë për ata minatorë të varfër në Bulqizë që po nëpërkëmben pa të drejtë në dinjitet dhe bukën familjare dhe po përballen si heronj të vërtetë më këtë qeveri që ata e njohin kaq mirë? A nuk janë edhe ata minatorë pjesë e paktit kombëtar dhe integrimit? Aah, kjo është çështje e brendshme, ndërsa të tjerat, si të ndërhysh në punët e prokurorisë apo si t’i thuash liderit të opozitës të ulë kokën, këto nuk qenkan çështje të brendshme!

    Por edhe nëse një pakt i tillë realizohet dhe palët bien dakort për ta nënshkruar, kush do ta garantojë respektimin e tij? Kush do ta sigurojë popullin shqiptar dhe opozitën se mjeshtri i shkeljes së marrëveshjeve nuk do ta kthejë edhe këtë pakt kombëtar në një paçavure pa vlerë? Askush nuk mund ta bëjë këtë, as vetë ndërkombëtarët. Fundi i 2010-s dhe viti 2011 provuan qartë se Berisha nuk i pyet shumë ndërkombëtarët kur vendos për diçka, që nga Parlamenti Evropian (kur shkeli rezolutën e miratuar unanimisht nga dy krahët e tij), deri tek Lajçak e Countryman që dolën garant për zgjedhjet lokale dhe zgjidhjen e krizës nëpërmjet mbajtjes së tyre. Por duket se pikërisht tek ky dështim i ndërkombëtarëve qëndron qëllimi i vërtetë i paktit kombëtar për integrimin.

    Fakti është se pas vjedhjes në mënyrë demonstrative të mandatit të Tiranës me Ristanin dhe Kolegjin Zgjedhor, Kryeministri Berisha ndodhet në një pozitë të vështirë izolimi ndërkombëtar. Këta të fundit po i tregojnë Berishës se, edhe pse nuk e duan opozitën shqiptare dhe liderin e saj, përkrahja për të ka një kufi dhe nuk mund të shkojë deri tek manipulimi i hapur i zgjedhjeve dhe shtrembërimi i vullnetit të popullit pasi procesi ka mbaruar. Por komuniteti ndërkombëtar është gjithashtu i ndërgjegjshëm se mbarëvajtia e zgjedhjeve ishte garanci që i ishte dhënë popullit dhe opozitës shqiptare nga ata vetë dhe rëndimi i krizës ishte dështim i plotë i strategjisë se tyre për zgjidhjen e saj. Ata e dinë fort mirë se në rast të acarimit të situatës, gjë që është më e mundshmja të ndodhë, ata do të përfshiheshin në një konflikt të padëshirueshëm dhe do të ndodheshin nën shigjetat e mediave më të mëdha ndërkombëtare për paftësinë që po tregojnë në Shqipëri dhe favorizimet e mëdha që i bëjnë Berishës, megjithëse shumë media kanë filluar ta etiketojnë atë si një Gadaf të Ballkanit. Përballë kësaj situate ata do të detyrohen ta dënojnë Berishën hapur si një kryeministër i një regjimi totalitar dhe hapi i parë do të ishte përjashtimi i Shqipërisë nga NATO. Për ta është mëse e qartë se Berisha nuk do të bënte as një hap prapa edhe me këto masa, por populli do të gjente një shtysë dhe nxitje për t’u ngritur në këmbë për rrëzimin e kësaj qeverie, dhe rezultati do të ishte revolucioni dhe gjakderdhja. Por me një pakt të ashtuquajtur kombëtar për integrimin, ndërkombëtarët e Tiranës synojnë zgjidhjen e këtyre dy problemeve kyçe shumë lehtë: së pari lajnë baltën që iu është hedhur në fytyrë gjatë zgjedhjeve të 8 majit dhe së dyti rehabilitojnë Berishën me shpresë se do të munden ta kufizojnë sadopak në ambicjet e tij për moskufizim pushteti. I angazhuar në një pakt për integrimin, barrierat e izolimit ndërkombëtar për kryeministrin do të binin ngadalë dhe ai do të fillonte të rehabilitohej edhe në organizmat ndërkombëtarë. Ambasadorëve të huaj në Tiranë nuk u intereson integrimi dhe aspirata e popullit shqiptar. Rëndësi për ta ka ta heqin përgjegjësinë nga vetja.  

    Por ky pakt ka edhe një prapavijë tjetër politike: ai do të shërbente për ta goditur fort opozitën në rast se ajo refuzon të angazhohet në të. Por nga ana e saj opozita mund ta kthejë këtë iniciativë në favorin e saj duke dalë me një propozim për një pakt edhe më të gjërë kombëtar gjithpërfshirës, me qëllim vendosjen e shtetit ligjor në Shqipëri duke filluar me zbardhjen e vrasjeve të 21 janarit dhe akuzat e menjëhershme të kryeministrit për përfshirjen e opozitës në këto vrasje si edhe bërja publike e kontratave koncesionare për burimet minerale dhe naftën në Shqipëri. Vetëm pasi të zbardhen këto pika mund të vazhdohet me pikat e tjera të këtij pakti dhe realizimin e qëllimit të tij përfundimtar. Si do të reagojë opozita në lidhje me këtë iniciativë dhe sa do të jetë ajo e gatshme t’i japë edhe një herë dorën kryeministrit ta hedhë lumin edhe këtë herë, varet vetëm nga vetë përfaqësuesit e opozitës. Por nga kjo do të varet edhe përkrahja që populli do t’i japë Partisë Socialiste në të ardhmen.  

    Sidoqoftë, duket qartë se qëllimi i vërtetë i paktit nuk është integrimi i Shqipërisë, por dalja nga izolimi i Berishës dhe ndreqja e imazhit të trojkës që u shndërrua në një show të mërzitshëm televiziv pa pike rëndësie. Megjithë nevojën e madhe të një pakti mbarëkombëtar jo vetëm të politikës po të gjithë jetës institucionale të vendit, fakti i mosgarantimit të funksionimit të tij e bën atë të paarritshëm dhe fare  të pavlerë.  

  • Pyetja në titull është me vend sepse çështja tashmë nuk shtrohet nëse shteti shqiptar do të falimentojë, por kur do të ndodh ky falimentim? Gjendja e sotme ekonomike dhe sociale e vendit nuk lë asnjë shpresë që një falimentim i mundshëm të shmanget. Qeveria nga ana e saj e quan këtë katrahurë të rrezikshme si një mrekulli ekonomike të paparë ndonjëherë në botë. Të parët që flasin për një sukses të tillë janë ekonomistët shqiptarë, të cilët vetëquhen të gjithë Doktorë të Shkencave Ekonomike, një titull pompoz që nënkupton së këta individë kanë dhënë një kontribut të madh në zhvillimin e teorive  dhe modeleve ekonomike, por që për fat të keq nuk e kanë fare haberin nga ajo anë, Është një fakt i pakundërshtueshëm, që ashtu si me diplomat universitare, edhe me titujt akademikë ne kemi një superprodhim të tyre, si një gjë pa vlerë që blihet dhe shitet në pazar të diletantizmit shoqëror. Këta diletantë në rastin më të mirë nuk marrin vesh fare nga ekonomia dhe në rastin më të keq nuk kundërshtojnë dot udhëheqësin e tyre. Nëse udhëheqësi quan investime vitale ato publike, të cilat përfshihen në shpenzimet qeveritare, po ashtu e bëjnë edhe ata. Nëse udhëheqësi, në delir e sipër, sfidon ekonominë gjermane dhe franceze, të cilave “u mungoka” stabiliteti i ekonomisë shqiptare, edhe ata lajthisin pas tij duke sfiduar nga ana e tyre ekonomistët në këto vende. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë në raportet e tij flet me një gjuhë të pakuptueshme, me terma të improvizuara që nuk gjenden në asnjë nga teoritë ekonomike moderne. Nëse ka ndonjë person që përkthen raportimet e tij në media, do t’i mirëkuptoja me sinqeritet  vështirësitë që ai/ajo do të haste në këtë detyrë, sado njohës i shkëlqyer i gjuhës dhe ekonomisë që mund të jetë. Me përjashtim të opozitës dhe disa analizave realiste në televizionet më të mëdha të vendit Top Channel dhe Vizion+ si edhe disa gazetave si Shekulli dhe Tema askush nuk e përmend krizën e rëndë ekonomike në Shqipëri dhe pasojat e saj të rënda. Këtë nuk e përmend as FMN-ja e as organizma të tjerë ndërkombëtarë, kjo për faktin se kriza ekonomike në këtë vend mbase nuk është e dukshme. Shqiptarët, ndryshe nga popujt e tjerë të Evropës, preferojnë të shtrëngojnë rripin në maksimum dhe të jetojnë në varfëri se sa të ngrihen në demonstrata të dhunshme për shkaqe ekonomike, si në të gjithë botën e qytetëruar. Por mosshprehja e krizës nuk do të thotë që ajo nuk ekziston; dhe në Shqipëri kjo krizë është shumë e rëndë dhe e gjithanshme.

    Janë një sërë faktorësh që të ndërthurur së bashku formojnë nje bazë të fortë që e bëjnë falimentin e shtetit shqiptar të pashmangshëm. Këta faktorë janë renditur më poshtë në bazë të rëndësisë së tyre në këtë proces:

    Borxhi i lartë kombëtar

    Kriza ekonomike në vend

    Kriza ekonomike në Itali dhe Greqi

    Aferat korruptive me asetet kombëtare dhe burimet natyrore

    Mospërkatësia në BE dhe devijimi nga kursi evropian

    Tashmë është një fakt i ditur dhe i shumëdebatuar që Shqipëria ka nje borxh kombëtar në vlera shumë të larta, deri mbi 60% të prodhimit të përgjithshmëm kombëtar (GDP). Por për masën më të madhe të popullsisë ky tregues nuk ka ndonjë kuptim të veçantë, perderisa dikush nuk ia shpjegon qartë pasojat që rrjedhin prej tij për vetë ekzistencën e shtetit shqiptar. Deri tani askush nuk e ka marrë mundimin ta bëjë këtë, sepse ndoshta ka menduar se nuk është detyra e tij/saj.

    Por jam i bindur se gjithkush që dëgjon se kreu i një familje merr nga banka borxhe për të larë borxhet e vjetra, menjëherë i shkon mendja se një ditë të bukur, jo shumë larg, banka do të vijë e t’i marrë shtëpinë e pronat me laçkë e me plaçkë dhe do ta lërë atë pa gjë fare. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe me një shtet pavarësisht ndryshimeve që ekzistojnë mes një individi dhe shtetit të një vendi. Një gjë ama e kanë të përbashkët: të dy, në një moment të caktuar, do të detyrohen të shpallin falimentin, pra pamundësinë për të paguar borxhet ndaj keditorëve. 

    Një qeveri merr borxhe për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve të saj të kryera mbi buxhetin, pra kur ka deficit buxhetor. Borxhi nënkupton së në të ardhmen, brezat që vijnë duhet të paguajnë taksa më të larta për të paguar këto borxhe. Ndaj është në interesin e përgjithshëm të një vendi, nëse këto borxhe përdoren në sektorë që garantojnë një rritje ekonomike sa më të lartë dhe gjenerojnë punësim në shkallë të konsiderueshme, e thënë ndryshë, rritje të bizneseve të shëndosha dhe efiçente që nga ana e tyre rrisin punësimin. Në terma ekonomike kjo quhet rritje e produktivitetit të një vendi dhe shtyllat mbi të cilat ajo bazohet janë:

     Formimi i Kapitalit

    Teknologjia bashkëkohore

    Arsimi dhe trajnimi i duhur

    Sigurisht që presupozohet që qeveria në këtë vend nuk është e korruptuar dhe ligji zbatohet me rigorozitet.

    Në rastin e Shqipërisë, si një vend i varfër, kemi një panoramë krejt të kundërt. Shpenzimet më të mëdha qeveritare, të financuara me borxhe nga tregu i huaj, të cilat trumpetohen më të madhe si investime, kanë shkuar dhe vazhdojnë të shkojnë në fusha dhe projekte aspak efiçente dhe me kosto përtej mundësisë edhe të një vendi shumë më të zhvilluar se Shqipëria. Rasti i rrugës Durrës-Kukës me 60 kilometrat e saj dhe kosto të paimagjinueshme prej më shumë se një miliard Euro është shembulli më tipik i fundosjes së financave publike. Më pas, ndërtimi i një rruge tjetër apo i një ndërtese parlamentare me shuma shumë më të mëdha se në vendet e BE-së apo SHBA-së, mendohet t’i japin një goditje të fortë stabilitetit financiar të shtetit shqiptar. Këto projekte nuk gjenerojnë asnjë të ardhur për qeverinë dhe vendin, përveç pak punësim të përkohshëm për një pjesë njerëzish në nevojë. Por këto projekte marramendëse kanë edhe një tipar tjetër që i bëjnë edhe më jo efiçente: ato realizohen nga kompani të huaja të cilat marrin paratë si fitime dhe i depozitojnë në llogaritë e tyre jashtë vendit. Pra shqiptarët duhët të paguajnë një borxh gjysma e të cilit nuk qëndroi fare në vend. Borxhi shqiptar i jashtëm, që përbën rreth gjysmën e totalit, rreth 4 miliardë dollarë është marrë me interesa shumë të larta, për shkak të besueshmërisë së ulët që ka qeveria shqiptare për pagesën e borxhit në klasifikimet ndërkombëtare. Por këto interesa të larta duhet të paguhen dhe qeveria nuk ka asnjë mënyrë tjetër për grumbullim parash, veç taksave, pra me rritjen e borxhit taksat duhet të rriten. Por qeveria e di se gjendja e biznesit është e mjerë, për shkak të politikave monopoliste tregëtare e politikisht selektive dhe mbi të gjitha vjedhjeve të pabesueshme të fondeve publike dhe të zhvillimit. Ndaj qeveria e bën lojën edhe më të rrezikshme duke marrë borxhe të reja me interes akoma më të lartë për të paguar ato të vjetrat. Akumulimi i ketyre interesave më të larta do ta bëjë qeverinë të dorëzohet, ndërsa po bëhet gjithmonë e më e vështirë për të që të gjejë treg për të marrë borxhe të reja.

    Deri para krizes boterore të vitit 2008, qeveritë shqiptare e kishin më të lehtë manaxhimin e vendit sepse remitancat nga shqiptarët rezidentë jashtë vendit, sidomos Itali dhe Greqi, përbënin një burim të rëndësishëm kapitali për ekonominë e vendit. Por kriza greke dhe papunësia që e shoqëroi atë i tkurri të ardhurat nga ky burim në mënyrë drastike. Një shpërthim i një krize në Itali do t’i tkurrte ato edhe më tej dhe do t’ia hiqnin ekonomisë shqiptare një burim të tillë kapitali. Por edhe nëse kriza italiane shmanget vetë plani i masave të kursimit të ndërmarrë nga qeveria italiane dhe reçensioni ekonomik atje e kanë bërë tashmë punën e tyre.

    Shqipëria kishte shanse të mëdha të përfitonte nga burimet e saj natyrore për të mbajtur një rritje të lartë ekonomike, por aferat e rënda korruptive të qeverive shqiptare ia hoqën asaj edhe këtë mundësi. Shitjet e lira të sektorëve strategjikë kompanive të dyshimta, duke përjashtuar hapur dhe në mënyrë sfiduese ato serioze të vendeve të mëdha perëndimore, e privuan qeverinë dhe vendin nga burime të mëdha të ardhurash që mund të investoheshin në fusha që garantonin rritje ekonomike dhe mirëqenie për qytetarët shqiptarë. Koncesionet me pasuritë natyrore të Shqipërisë, naftën dhe minierat, janë shembulli më i qartë i papërgjegjshmërisë historike të qeveritarëve shqiptare që janë gati të shesin gjithçka, vetëm të pasurohen dhe të rrinë në pushtet, tipar që e ka shoqëruar Shqipërinë për shekuj me radhë. Ajo që ndodh me naftën është një grabitje e përmasave gjigande. Kompanitë koncesionare, shumica e të cilave janë fantazma dhe që thuhet se iu përkasin njerëzve të qeverisë, por mbi të gjitha Bankers Petroleum, shfrytëzojnë pamëshirë nëntokën naftëmbajtëse duke deklaruar kuota të ulëta prodhimi. Nafta shitet në tregun e huaj dhe të ardhurat e fituara transferohen në llogari bankare në Kanada, që do të thotë se më shumë se gjysma e vlerës monetare të rezervave të naftës shqiptare nuk llogaritet fare në ekonominë e vendit. Pjesa që merr shteti shqiptar është vetëm një thërrime nga pasuria kombëtare më e madhe e shqiptarëve në këtë kohë krize të madhe ekonomike në vend dhe kërkesash në rritje për “arin e zi” në tregun ndërkombëtar. Sigurisht, punonjësit e këtyre kompanive marrin rroga të mira për nivelin e pagave të vendit, por kjo nuk duhet të na bëjë krenarë, sepse është një lëmoshë përballë fitimeve marramendëse që këto kompani realizojnë fare pa mundim. Shitja e kullave të puseve ekzistuese për skrap dhe kalimi i fitimeve nga shitja e tyre kompanive koncesionare e bën edhe më të koklavitur situatën dhe përgjigjen ndaj pyetjes “Përse ndodh kjo?” edhe më të vështirë.

    Kriza e rëndë financiare që pritet të godasë së shpejti Shqipërinë do të çojë në falimentimin e shtetit edhe për një arsye tjetër. Ndërsa Greqia dhe vendet e tjera si pjesë e Euro-zonës dhe anëtare të BE-së kanë mbështetjen e vendeve më të zhvilluara të Evropës si Gjermania dhe Franca në përballimin e krizës, Shqipëria, që nuk ka as statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, do të gjendet e vetme përballë një krize të rëndë financiare, pasojat e së cilës, shoqëruar me krizën e rëndë ekonomike dhe varfërinë e popullsisë, pritet të jenë katastrofike. Edhe vendet që tani shfrytëzojnë lidhjet e dyshimta me qeverinë për përfitime në interes të tyre, do ta lënë atë vetëm në ato momente të vështira.

    Deri tani qeveria shqiptare ka arritur t’ia faturojë krizën qytetarëve shqiptarë nëpërmjet shkurtimit të shpenzimeve në sektorë jetikë dhe ndihmës sociale, rritjes së papunësisë nga kalimi në pronësi të huaj të kompanive shtetërore dhe mënyrave të tjera aspak ortodokse. Por tani, kur varfëria ka arritur nivelet e viteve 89-90-të për shumicën e shqiptarëve, është e pamundur që kjo praktikë të vazhdojë të realizohet më tej. Prandaj situate nuk paraqitet aspak optimiste për të ardhmen e financave kombëtare.

    Ajo që pritet të ndodh më pas është lehtësisht e parashikueshme. Varfëria e mëtejshme dhe rënia e strukturave të dobëta shtetërore do shkaktojnë trazira dhe rrëmuja të mëdha të pakontrolluara që do të çojnë në pështjellim dhe rritje të paparë të kriminalitetit në vend dhe Shqipëria mund të hyjë në një spirale të rrezikshme që do të linte pasoja të rënda për dekada të tëra në të ardhmen.   

     

  • Shqipëria ndodhet padyshim në një udhëkryq të historisë së vet, në përpjekjet e saj për tu ndarë përfundimisht nga e kaluara e mospërkatësisë në perëndim dhe kalimi i asaj që një analist i njohur e ka quajtur “vija e Theodhosit”, vijës ndarëse midis saj dhe përendimit demokratik dhe të zhvilluar ekonomikisht. Por a është ajo në rrugën e duhur për realizimin e kësaj aspirate që kërkon një reformin të gjithanshëm të sistemit politik dhe madje të vetë shoqërisë shqiptare dhe mentalitetit mbizotërues? Këtu zhvillohet beteja më e madhe dhe më e pakuptimtë midis pjesës më të madhe të popullit shqiptar dhe megafonëve të qeverisë së sotme, të ndihmuar në mënyrë të pashpjegueshme edhe nga komuniteti ndërkombëtar, të cilët, edhe pse Shqipëria ka devijuar plotësisht nga kursi evropian, përpiqen të bindin shqiptarët se vendi i tyre po zvarritet ndrejt BE qoftë edhe me zigzage . Nëse Shqipëria po shkon në drejtimin e duhur apo të kundërt me kursin evropian, mjafton të ballafaqojmë aspektet dhe shtyllat kryesore ku mbështetet sistemi shqiptar me ato të vendeve të BE dhe SHBA, dhe krijojmë kështu një ide për vete, por më shumë për komunitetin ndërkombëtar që të shohin me realizëm zhvillimet në Shqipëri dhe të reshtin së gënjyeri shqiptarët për të ardhmen e tyre në BE me këtë qeveri.

     Qeveria, zgjedhjet dhe media

     Krahasuar me qeveritë perëndimore qeveria shqiptare i ngjan një administrate të një ndërmarrje familjare, ku biznesi dhe prona është vetë Shqipëria. Ajo ka një kontroll absolut dhe të drejtpërdrejtë në jetën e çdo shqiptari, që nga pastruesja në një shkollë periferike deri tek zyrtarët më të lartë të administratës. Kjo e fundit është totalisht militantiste dhe krejt e paaftë, e ndihmuar kjo nga roli që partia në pushtet ka në aktivitetin e përditshëm të shoqërisë dhe jetën ekonomike të vendit. Punësimi në sektorë buxhetorë bëhet me rekomandim të degës lokale të partisë në pushtet dhe nuk bazohet në aftësinë profesionale, por në kontributin e dhënë për këtë parti, që kryesisht konsiston në mitingje, blerje votash dhe pjesmarrje në grupime për shtrembërimin e vullnetit të zgjedhësve. Qeveritarët shqiptarë pasurohen shumë dhe shpejt dhe janë shtresa më e pasur e kombit, e cila zotëron prona në çdo skaj të vendit, ç’ka tregon për një shkallë të paimagjinueshme të korrupsionit. Por ndryshe nga vendet e BE dhe SHBA, ku një minister dënohet me burg sepse ka abuzuar me 10 mijë euro fonde publike apo nje senator dërgohet në gjyq sepse nuk ka deklaruar burimin e parave për riparimin e shtëpisë së tij, qeveritarët shqiptarë dhe deputetët janë të paprekshëm edhe kur aferat e tyre kapin shuma miliona euroshe dhe kanë dalë në dritë të diellit në media apo në investigime të organizmave të ndryshëm. Madje ata reagojnë me arrogancë kur kapen gafil duke fyer dhe sulmuar ashpër ata që zbulojnë dhe publikojnë këto afera, dhe më pas, të gjithë popullin shqiptar. Koncepti i dorëheqjes nuk njihet fare as për akuza shumë të rënda si vrasje, trafik njerzor apo vjedhje të shumave shokuese të fondeve publike dhe nuk është si në perëndimin demokratik, ku një minister dhe lideri i ardhshëm e partisë së tij të madhe, largohet nga politika i akuzuar për plagjaturë ose një tjetër që jep dorëheqjen sepse bashkëshortja e tij përdori makinën e institucionit për të psonisur në supermarket.

    Të gjithë e dinë si zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri dhe ngaqë kjo është një temë e trajtuar gjerësisht nuk po ndalemi fare, sepse e dimë që standartet e tyre janë thjesht një temë muhabeti sa për ta hedhur lumin edhe një herë tjetër.

    Media si pushteti i katërt luan një rol dominant në jetën e një vendi dhe balancimi i saj, shoqëruar me një etikë strikte profesionale, janë treguesi i nivelit demokratik të një vendi. Po sa e balancuar është media në Shqiperi? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje kemi më poshtë një tabelë që pasqyron balancën e gazetave dhe televizioneve në Shqipëri dhe lidhjet e tyre me politikën:

     Mbështetës të qeverisë                    Të paanëshme           Anti-qeveritare ose

    dhe sponsorizuar prej saj                                                    mbështetës të opozitës

     Televizione:

     TVSH                                                  Top Channel                            ---------

    Klan                                                     Vizion+

    ABC News                                          Ora News

    News 24

    AS

    SCAN

    NTV

    UFO

    Planet…

    Shumica e Televizione

    Lokale

     Gazeta

     Koha Jonë                                           Shqip                                       Zëri I Popullit

    RD                                                      Revista Mapo                           Shekulli

    55                                                       Ballkan                                     Tema

    Panorama                                                                                            Sot

    Metropol

    Mapo

    Gazeta Shqiptare

    Revista Klan

    Agon

     Siç shihet nga tabela, qeveria shqiptare ka hegjemoni të plotë mbi mediat, televizione apo gazeta, ku ato të paanëshme janë në një numër të papërfillshëm krahasuar me ato të varuara nga qeveria. Në asnjë vend demokratik nuk gjen vend një raport i tillë mes mediave. Uzurpimi i televizionit publik, për të cilin paguajnë të gjithë qytetarët, dhe kthimi i tij në shërbim të partisë në pushtet ndodh vetëm në diktatura. Politizimi i tejskajshëm i Këshillit Mbikqyrës të Radiove dhe Televizioneve në favor të qeverisë dhe Partisë Demokratike ka bërë që të mos ketë standart për mediat dhe etikë profesionale tepër jetike në këtë sektor. Televizionet e sponsorizuara nga qeveria transmetojnë kronika dhe edicione lajmesh agresive kundër çdo zëri kritikues ndaj qeverisë, jashtë çdo standarti dhe etike, sidomos e përqëndruar në jetën private e familjare dhe fushata denigrimi, duke shkelur kështu të drejtat e njeriut dhe privacinë. Mungesa e një organizmi klasifikues për shikueshmërinë dhe audiencën e programeve të veçanta bën që emisione të mërzitshëm dhe me format të vjetër dhe të ngathët të vazhdijnë të zënë kohë transmetimi pothuajse në të gjitha televizionet.  

     Ekonomia

     Ekonomia shqiptare është një ekonomi e dobët, kryesisht komerciale, e mbështetur në importin e mallrave nga jashtë dhe pa një model të qartë zhvillimi. Ajo mbështetet kryesisht në monopole të nxitura dhe organizuar nga qeveria me të cilat njerëz të lidhur me qeverinë kontrollojnë tregun në çdo aspekt. Konkurenca e ndershme është një nocion i papranueshëm dhe kushdo sipërmarrës i ndershëm, pa lidhje me qeverinë, që do të zgjeronte aktivitetin e tij duke përdorur aftësitë e tij manaxheriale dhe marketuese, do të falimentohej me mjete banditeske, si gjoba nga tatimorët, sekuestrim malli madje dhe kërcënime për jetën nëse do të cënonte sadopak monopolin në treg të njerzve të qeverisë. Raste të tilla janë të panumërt dhe shpesh kanë marrë jehonë në shkallë kombëtare, por asgje nuk ka ndryshuar sepse çdo gjë varet dhe bëhet nga qeveria. Sektorët strategjikë dhe pasuritë natyrore u janë dhënë me koncesion kompanive fantazmë, të panjohura edhe në vendet nga ato pretendojnë se vijnë, të cilat shfrytëzojnë pamëshirë nëntokën dhe punëtorët e varfër shqiptarë duke shkelur të drejtat e njeriut dhe konventat ndërkombëtare. Rasti i fundit i grevës së urisë së minatorëve të Bulqizës dhe reagimi antinjerzor i kompanisë koncesionare ACR dhe presidentes së kompanisë mëmë Decometal Austria kundër minatorëve dhe sindikatës është vetëm maja e ajsbergut të praktikave mafioze dhe skllavëruese të këtyre kompanive ndaj popullit dhe kombit shqiptar. Por nëse këta zotërinj do të guxonin të vepronin kështu ne vendet e BE, pasojat do të ishin të rënda për ta dhe bizneset e tyre.

     Sistemi Gjyqësor

    Drejtësia së bashku me median janë dy fusha ku Shqipëria dallon nga vendet e BE dhe SHBA si nata me ditën. Sistemi i drejtësisë në Shqipëri është fare i padrejtë. Ligji vetë nuk është baza mbi të cilin ky system bazohet, por paraja dhe politika. Varësia e gjyqësorit nga qeveria nuk është fakt i fshehtë tashmë. Vitet e fundit qeveria e kryeministrit Berisha ka vënë nën kontroll të gjitha gjykatat në çdo shkallë të tyre. Fundi i 2010-s shënoi kalimin e Gjykatës së fundit, asaj Kushtetuese, në varësi të qeverisë dhe Partisë Demokratike duke shënuar nënshtrimin e plotë të sistemit gjyqësor dhe drejtësisë në përgjithësi. Korrupsioni në drejtësi është vënë në dukje fort edhe nga vetë Komisioni i BE-së dhe organizma të tjerë, por në vend që të ketë ndryshim, qeveria vazhdon të vërë nën kontroll çdo qelizë të këtij sistemi. Një nga treguesit e kësaj varësie është vendimi i Kolegjit Zgjedhor në lidhje me procesin elektoral të Tiranës, ku fituesi u bë humbës dhe humbësi fitues. Një tjetër tregues është që në katër vitet e fundit në  apelet në Gjykatën e Lartë dhe Kolegjin Zgjedhor opozita nuk ka fituar asnjë të vetme. E njëjta gjë ka ndodhur me apelimet e këtij viti në Gjykatën Kushtetuese. Sa është mundësia që qeveria të fitojë çështje në gjykatë në BE dhe SHBA? Më pak se 30%. Atëherë, si është e mundur që në Shqipëri ashtë ajo që fiton gjithmonë? Në cilin sistem qeveria fiton gjithmonë në gjyqe? Sigurisht, në sistemet totalitare ku gjykatat dhe qeveria janë një. Nuk po trajtojmë këtu rastet e lirimit të krimineleve të rrezikshëm në sallën e gjyqit kundrejt parave apo presionit se pastaj situate do të paraqitej e pashpresë dhe dëshpëruese, por nuk mund të lëmë pa përmendur rastin e arrestimit të Strauss-Kahn, njeriut më të fuqishëm të financave botërore, nga policia e New York-ut, me akuzën për përdhunim, vetëm me një deponim të një punonjëse hoteli, dhe rastin e ministrit shqiptar që u filmua tek tentonte të përdhunonte një vajzë me gjithë kundërshtimet e saj dhe më pas pretendonte për prishje imazhi.   

    Po kështu paraqitet situata në arsim ku edhe sot qeveria ende përcakton kuotat e studentëve (!?), ndjek programe që dëmtojnë arsimin publik dhe favorizojnë atë privat që është shndërruar në fabrikë kartonash diplome pa asnjë nivel njohurish, pronë të njerzve të lidhur me pushtetin. Sa është numri i atyre që dikur e lanë shkollën në klasë të katërt dhe sot kanë nga katër diploma dhe janë gjyqtarë, ekonomistë dhe drejtorë shkollash? Shumë dhe ne i njohim të gjithë

    Po kështu është edhe sistemi shëndetësor, me korrupsion e grabitje të pacientëve, vdekje nga neglizhenca dhe papërgjegjshmëria e mjekëvë dhe higjenën jashtë çdo standarti.

    Mund të trajtojmë te gjitha aspektet e shoqërisë shqiptare me detaje dhe do të shohim që asnjë nuk i afrohet as largësisht atyre evropiane dhe amerikane. Atëhere në cilin drejtim po ecën Shqipëria në kursin e saj evropian? Ku e ka Shqipëria rrugën e integrimit të trumpetuar me të madhe nga ambasadorët këtu në Tiranë apo zyrtarët në Bruksel e Washington? Duke i parë gjërat me gjakftohtësi, shihet qartë se në këtë rrugë, integrimi do të mbetet thjesht një vegim, pavarësisht nga çka thonë më qëllim e paqëllim përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar, sepse është e qartë si kristali që Shqipëria nuk është demokraci por një sistem hibrid pa ndjenjë njerzore, drejtësi e ligje.

    Po a ka qoftë edhe një gjë të vetme që është bërë si në Evropë? Nuk me vjen asgjë në mendje por kush di ndonjë rast është i lutur të na e bëjë të ditur.   

  • Dy mijë vjet më parë krenaria më e madhe ishte të thoje civis Romanus sum [Unë jam qytetar romak]. Sot, në botën e lirisë, krenaria më e madhe është të thuash “Ich bin ein Berliner”[Unë jam Berlinez!]… Të gjithë njerëzit e lirë, kudo që jetojnë, janë qytetarë të Berlinit, prandaj, si njeri i lirë, unë ndiej një krenari të papërshkrueshme të shqiptoj para gjithe botës fjalët “Ich bin ein Berliner!”

                                                                                                    J.F.Kennedy

    Berlin, 26 qershor 1963. Lufta e ftohtë kishte arritur kulmin e saj. Gati një vit më parë bota kishte shkuar në prag të një apokalipsi bërthamor me krizën e raketave kubane. Lindja komuniste kishte filluar të shtonte agresivitetin e vet që kulmoi me ngritjen e një muri ndarës në Berlin, 22 muaj më parë. Presidenti më i ri në historinë e Shteteve të Bashkuara, John F. Kennedy, ishte në një vizitë historike në Berlinin e ndarë, simbol i papajtueshmërisë mes dy botëve armike për vdekje. Ai i afrohet podiumit ngadalë dhe mban para 450 mijë banorëve të ekzaltuar të Berlinit Perëndimor një fjalim të zjarrtë, të cilin e mbyll me fjalinë që ndezi zemrat e të gjithë botës dhe jehon edhe sot si një thirrje për të mos iu nështruar vullneteve diktatoriale dhe ligësisë: “Ich bin ein Berliner!”

    Ishte një thirrje drejtuar krerëve të botës komuniste se Berlini i përkiste të gjithë botës; se ai ishte kryeqyteti i lirisë dhe do të mbrohej me çdo kusht e mjet; ishte një thirrje monumentale që ata ta njihnin këtë fakt dhe ta pranonin pa më të voglën kundërshti.

    Muri i Berlinit ka 21 vjet që ka rënë dhe qyteti është tashmë më i bashkuar se kurrë. 21 vjet më parë shqiptarët rrëzuan murin e tyre të lartë të një izolimi të frikshëm dhe vrapuan krahëhapur të bashkoheshin me banorët e tjerë të kontinentit evropian. Thirrjet e tyre qenë, të ishin si ta dhe bashkë me ta. Por shqiptarëve do tu rezervohej po ai fat i shekujve me radhë të një veçimi poshtërues dhe të pajustifikueshëm. Banorët e Berlinit, kudo që jetonin nuk i donin ata mes tyre. Një mur tjetër filloi të ngrihet dhe vazhdon edhe sot, por këtë radhë nga vetë udhëheqësit e asaj bote të lirë që Presidenti Kennedy iu referohej si mbrojtës të lirisë. 21 vjet më vonë shqiptarët janë shumë më larg nga ata banorë të Berlinit, megjithëse kanë punuar e luftuar me gjithë shpirt për të qënë me ta; 21 vjet më vonë, ata që rrëzuan murin e akullt të Luftës së Ftohtë, atë lajmëtarë të botës së lirë, qëndrojnë si shtylla mbështetëse të një diktature të pamëshirshme post-komuniste në Shqipëri dhe luajnë me fatet dhe jetët e shqiptarëve të urtë e të mirë, të cilët të çoroditur, mundohen të kuptojnë se ç’po ndodh dhe si përfunduan atje ku e nisën. Dhe nën presionin e padurueshëm nga brenda e nga jashtë, ata ulin kokën të gatshëm të nënshtrohen, sepse ky paska qenë fati ynë e ne nuk jemi si ata. Era e largët e paragjykimeve dhe tabuve ndaj shqiptarëve po fryn fuqishëm edhe sot dhe ka rrezik ta shtyjë “anijen” e Shqipërisë edhe më larg portit ku ajo prej kohësh mundohet të ankorohet. Përballë kësaj padrejtesie, më lind e drejta të ngjitem në podiumin më të lartë të historisë dhe dinjitetit njerzor dhe të thërras me gjithë fuqinë e shpirtit që ta dëgjojë gjithë bota mbarë: “ICH BIN EIN EUROPÄER!” - Unë Jam Evropian - dhe ky është një fakt që të gjithë papërjashtim duhet ta pranojnë. Dhe me vendosmërinë e frymëzuar nga fjalët e presidentit Kennedy, unë refuzoj të bëj kompromis me këtë. Historia tregon se unë kam mbartur vlera të qytetërimeve të mëdha dhe kam kontribuar në krijimin e vlerave të sotme evropine shumë shekuj më parë se ata, që sot e quajnë veten të tillë, të ndërgjegjësoheshin për qënësinë e tyre si pjesë e së tërës. Dhe kjo është e prekshme thjesht me një vizitë në Shqipëri, ku mund të shihet qartë se qytete të lashta iliro-greko-romake të ndërthurura mes tyre, provojnë se ky popull ka qenë i integruar në bashkëjetesën e këtyre qyteterimeve të lashta si një pjesë e pandashme e tyre.

    Ishte ky populli im që zotërinjtë e Perëndimit e paragjykojnë si jo evropian që, pesë shekuj më parë, u vetsakrifikua për t’i bërë ballë fuqisë më të madhe të kohës në emër të mbrojtjes së vlerave evropiane, të cilat atij i përkisnin, dhe një kontinenti pjesë e të cilit ai ishte.

    Megjithëse, rrymat e fuqishme që përplaseshin mbi këtë vend dhe pazaret në kurriz të këtij populli, ku Perëndimi ka rolin e vet të pamohueshëm, kanë bërë që në shekullin e fundit të dalin në krye udhëheqës dhe qeveri anti-evropiane në Shqipëri, shpirti i popullit dhe sytë e shqiptarëve kanë qënë atje, tek vendi që u takon mes atyre vendeve që sot e konsiderojnë atë padenjë.

    Edhe mbështetja që mund t’i jepet sot një diktature orientale në emër të lirisë, siç kërkojnë të na bindin, ngaqë na konsiderojnë të trashë për të kuptuar hiletë e tyre të trasha, nuk do të mund të më bëjnë mua dhe shqiptarët e tjerë të heshtim, përkundrazi, do të na bëjnë të thërrasim më fort se Ne Jemi Evropianë. Të gjithë do të bënin mirë ta dëgjonin këtë zë, si zëri i së vërtetes së kombit shqiptar.

    “Ich bin ein Europäer!”.  Unë jam evropian dhe nuk kam arsye të pres të ma konfirmojë këtë, ndonjë zonjë a zotëri i Parlamentit evropian, as ndonjë komisioner i BE-së e as ndonjë kryeministër apo president i vendeve të Evropës. Kjo është ajo që unë jam dhe askush nuk mund të thotë ndryshe. Dhe si i tillë më lind e drejta dhe detyrimi të kontribuoj në ndërtimin e një Shqipërie të drejtë për të gjithë, një vend ku liritë e secilit respektohen dhe garantohen, një vend që garanton kushte që njerëzit të ndjekin lumturinë e tyre materiale dhe shpirtërore, një vend ku prona publike apo private konsiderohet e shenjtë dhe e pacënueshme, një vend ku pushteti buron nga populli dhe është në shërbim të qytetarëve, një vend ku vrasësit dhe grabitësit, pavarësisht pozicionit të tyre, të përfundojnë pas hekurave, për të garantuar qetësi dhe siguri për të gjithë. Çdo Shqipëri tjetër, jashtë këtyre parametrave, nuk është Shqipëria që shqiptarët duan, pavarësisht jehonës që mund të marrë nga megafonë e mjete mediatike të blerë me varfërinë dhe mjerimin e këtij populli. Kushdo zyrtar i huaj që më ofron Shqipërinë e sotme si sukses planetar, më fyen në ndjenjën dhe qenien time evropiane dhe si i tillë meriton përçmimin tim.

     Unë jam evropian dhe i përkas vlerave dhe traditave evropiane. Ato më mësojnë të luftoj për të drejtat e mia të pamohueshme dhe të mos i nënshtrohem kurrë tiranisë, çfarëdo që të jetë çmimi.

     Po. “Ich bin ein Europäer”, dhe kështu janë të gjithë shqiptarët e mi të mirë, të mençur e trima. Dhe së bashku ne do të dimë ta bëjmë Shqipërinë të denjë për vendin që i takon në mes më të mirëve, vend që ajo e meriton prej shekujsh. 

  • “E dua njerëzimin; janë njerëzit që nuk duroj dot!”. Imagjinoni sikur kjo shprehje e famshme me humor filozofik e kartonistit Charles M. Schultz  të pranohej nga konglomeratët shumëkombëshe, që operojnë në çdo cep të globit, si motoja e tyre e marrëdhënieve me klientët dhe konsumatorët. Ndoshta edhe ka ndodhur, por sigurisht jo brenda kufijve të botës perëndimore, sepse atëhere do të ishte bërë hataja; jashte asaj bote magjike le të ndodh badërdia, dhe këtu Shqipëria është ndoshta rasti më i keq. Konsumatori shqiptar  poshtërohet, shtypet dhe nëpërkëmbet si askërkund tjetër në botë. E kush  është ajo familje shqiptare që nuk ka rënë pre e skemave rjepëse të kompanisë CEZ me fatura disa milionë lekë? Apo faturime me shuma ekstreme si ajo prej 48 mijë dollarësh në muaj për një grua që jeton vetëm në shtëpi, e barabartë kjo me faturën që paguan e gjithë selia e Kombeve të Bashkuara? Apo ndërprerjet  në zona të tëra të Shqipërisë si dënim kolektiv sepse një pjesë e popullsisë së asaj zone nuk ka paguar detyrimet ndaj kompanisë?  E kush nuk e njeh zonjën e hekurt të CEZ-it që shfaqet para kamerave si e gjithëpushtetshme dhe shprehet pa iu dridhur qerpiku se “do ta sjellim energjinë vetëm kur të paguajnë të gjithë. Nuk kemi ç’të bëjmë!”? Nuk kemi ç’të bëjmë?! Më fal moj zonjë e nderuar, po ata shqiptarë të ndershëm që paguajnë rregullisht, ç’kusur kanë të vuajnë? Kësaj pyetje zonja i përgjigjet me një nënqeshje tallëse. Asaj nuk i interesojnë ata. Ajo mund të shkaktojë vuajtje sa e si të dojë e prapë të tallet para kamerave. Nuk e di se ç’bën CEZ-i në Evropë, por ju garantoj një gjë: nëse kjo kompani do të vepronte kështu në Shtetet e Bsahkuara, jo vetëm që do të ishtë mbyllur menjëherë dhe pasuritë e saj do t’iu ishin ndarë konsumatorëve si dëmshpërblime për dëmet e shkaktuara, por drejtuesit e saj do të ndanin qelitë me vrasës të dënuar me disa  burgime të përjetëshme dhe do të ishin shndërruar në balerinat dhe  top modelet e burgjeve më famëkeqe amerikane. Por këtu është Shqipëri dhe lejohet çdo gjë.

    Por CEZ-i është vetëm një hallkë në zinxhirin e gjatë të praktikave poshtëruese të kompanive të shërbimeve, të cilat në shumicën e tyre, po bëhet gjithmonë e më e qartë se janë prona të pushtetarëve ose të lidhur me ta. Zinxhiri vazhdon me Telekomin dhe praktikat  tij të padëgjuara të kufizimit të doënload-imeve në internet, të cilat jam i bindur janë shpikur vetëm për të grabitur shqiptarët ndaj dhe aplikohen vetëm këtu. Pastaj vijnë kompanitë e celularëve me çmime të kripura sa dy apo trefishi i çmimeve në bashkimin evropian e më tej. Por ‘Miss Albania’ e praktikave të shëmtuara ndaj konsumatorit dhe klientit shqiptar është sistemi bankar me komisionet që bankat marrin për çdo llogari, pagë apo transaksion. Vetëm në Shqipëri ndodh që t’i depozitosh paratë në bankë dhe në fund të një viti të marrësh më pak se sa ke depozituar.  Ka një praktikë të ndjekur nga të gjitha bankat që, nëse ke llogari rrjedhëse je i detyruar të paguash rreth 2 Euro komision në muaj, të cilin banka e justifikon me faktin se të paska ruajtur paratë!. Eh, ç’nuk ndodh në Shqipëri! T’i japësh bankës paratë e tua që t’i xhirojë në funksion të rolit të saj primar dhe, në vend të të japë shpërblim për këtë, të ndëshkon me gjobë.

    Kur banka huazon pará përfton interes që është pagesë që huamarrësi bën për përdorimin e parave të tjetrit, ose e quajtur kosto mbi huanë e dhënë. Kjo është e kuptueshme dhe mësohet në çdo libër elementar ekonomie. Ndërsa kur banka merr pará në formë depozitash dhe ajo prapë merr interes, dmth ajo të taton për paratë që ka marrë, kjo në cilin libër mësohet?

    Por asnjë nga këto nuk mund të krahasohet me praktikat më çnjerezore, më poshtëruese dhe më të rrezikshme të shërbimit shëndetësor në këtë vend të ndërtuar mbrapsht. Spitale pa ilaçe, higjenë përtokë dhe doktorë e infermiere që janë shndërruar në tregtarë jetësh njerzore, që bëjnë pazare e japin e marrin e ryshfete që as matrapazi më i madh nuk do t’ii bënte, jo më njerëz me bluza të bardha, detyra e të cilëve është mbrojtja e jetës.

    Ajo që të revolton është fakti i dhembshëm se shërbimi shëndetësor në Shqipëri është shndërruar në tregëti shitjesh me pakicë: në fillim paguaj dhe pastaj merr shërbimin, tamam si një dyqan byrekësh në cep të rrugës. Dhe nëse nuk ke para atëherë je i dënuar me vdekje. A nuk është mizore kjo, sidomos kur bëhet në spitale të ndërtuar nga këta njerëz të nëpërkëmbur dhe që tani gabimisht quhen shtetërorë, nga mjekë që të paktën rrogën e spitalit e marrin nga këta taksapagues të dënuar me vdekje?

    Këtij trajtimi barbar nuk i shpëtojne as ata që paguajnë sigurime shëndetësore, sepse ky lloj sigurimi është thjesht një tjetër skemë vjedhjeje që nuk të shërben për asgjë. Por edhe po të paguash sa tëkërkojë babëzia e bluzave të bardha, përsëri jetën nuk e ke të sigurt. Sa mijëra njerëz vdesin çdo vit për shkak të neglizhencës apo paaftësise së mjekëve, edhe pasi këta të fundit kanë marrë pará?Sa shumë prej tyre kanë qenë familjarët apo të njohurit tanë! Dhe sa është numri i mjekëvë të penalizuar? Zero.! Sa kriminale është pastaj, të lejosh një mjek që ka mbi shpinë vdekjen e katër pacientëve të shëndetshëm, për shkak të neglizhencës apo paaftesisë së tij, të vazhdojë të ushtrojë profesionin! Sa më shumë rrëmon aq më e qelbur bëhet katrahura dhe çorba e shoqërise shqiptare.

    Megjithatë është e çuditshme që askush nuk flet për këto, askush nuk bën thirrje për organizim në parandalimin e kësaj masakre sociale; as ata qindra mijëra vetë që kanë jetuar e jetojnë në perëndim, dhe që, përballë ndonjë keqkuptimi të vogël me AT&T, Deutsche Telekom, apo ndonje kompani tjetër në perëndim, kanë sharë në telefon  me libër shtëpie punonjësen e Shërbimit ndaj Klientit, duke i kujtuar me zërin në kupë të qiellit të drejtat e tyre si klientë të asaj kompanie dhe banorë të atij vendi. Dhe të tillë unë kam njohur dhe njoh shumë. Por për ç’ndodh këtu, as iu vete në mendje të kërkojnë të drejtat.

    Si është e mundur që përballë këtyre shkeljeve flagrante të të drejtave të njeriut nuk pipëtin fare Shoqata shqiptare? Po si mundet të flasë Organizata Shqiptare e te Drejtave te Njeriut kur kryetarja e saj shfaqet çdo ditë në televizione si analiste politike dhe merr atributet e një punonjëseje  të administratës apo zëvendës-ministreje?

    Si mund të flasë Amnesty International Albania kur ka në kryesi një analist mediokër që i është betuar për besnikëri kryeministrit deri në vdekje?

    Si mund të flasin ato dhjetra OJQ që vërdallisen nëpër Tiranë kur J-ja e mesit u ka rënë plotësisht?

    Sa herë e pyesim veten dhe Zotin: Jam shqiptar dhe e dua Shqipërinë, por përse ndiej kaq dhimbje dhe pse më poshtërojnë kaq shumë vetëm se  jam i tillë? Pse nuk u ndjeva një herë rehat dhe i qetë në vendin tim?

    Këto shumë pse nuk kanë nevojë për përgjigje, por ndoshta i ndryshojmë duke filluar nga këta mekanizma shtypës, grabitës dhe poshtërues. Mbase me qeverinë nuk matemi dot, por po të organizohemi, ua tregojmë vendin këtyre sharlatanëve dhe i largojmë nga trualli yne ata që nuk e kanë vendin këtu. Sepse duket që këta mashtrues i duan paratë e shqiptarëve, por ata vetë i shtypin me këmbë.

  • Gjithmonë i kam urryer komentet fataliste për Shqipërine dhe njerëzit që i bënin ato. Nuk mund të duroja dot kur thonin se “Shqipëria nuk bëhet”, “ky vend është i mallkuar”, “ky popull është i dënuar të vuajë”, madje as kur i referoheshin thënies së të madhit Faik Konica “Shqipëri të kam dhj…”.  Kisha një optimizëm të palëkundur se kishte ardhur koha që ne shqiptaret, të zinim vendin që na takonte përkrahë popujve të tjerë, se thirrja apostolike “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” do të ishte slogan udhëheqës në sfidat që na prisnin për të realizuar këtë detyrë të veshtirë. Megjithatë si shumica e shqiptarëve, edhe unë e ndieja që në fillim se gjërat nuk po bëheshin ashtu si duhet, se njerëz pa arsimin më minimal dhe të mirënjohur në botën e krimit po bëheshin shefa komisariatesh, po zinin poste drejtuese në administratë, në diplomaci, në dogana e tatime, madje edhe në drejtësi e arsim, dhe më pas, brenda muajsh u pajisën me një sërë diplomash e masterash. Furtuna e ngritjes së injorancës në pozita sunduese dhe pasojat që e shoqëruan atë, sigurisht që më revoltonin pa masë, por thoja se konkurenca do t’i eliminonte dhe koha do t’i flakte tutje si mbeturina të një tranzicioni të çrregullt; kjo e nxitur edhe nga fati që pata që ndesha një makinë të nje misioni humanitar,  mbushur me botime universitare, dhuratë e universiteteve amerikane dhe që shoferi, pasi kishte shkuar shkollë më shkollë e asnjë nuk ia kishte pranuar , kishte vendosur t’i shkarkonte në plehra. I llahtarisur nga kjo, e binda shoferin të ma jepte mua ngarkesën, dhe pasi zgjodha një gamë të gjerë botimesh për biblotekën time personale, ua shpërndava librat (që të jem i sinqertë, ishin shumë) nxënësve dhe studentëve që ndeshja në rrugë apo që i njihja. Ishte me të vërtetë e dhimbshme tek shikoja disa ditë më pas që me faqet e librit “The American Government – Freedom and Power”, botimi më i plotë për qeverinë amerikane nga autorët Lowi & Ginsberg, mblidheshin farat e lulediellit në buzë të trotuarit apo byrekët që shiteshin në kioskat e qytetit dhe rrethinave. Si njohës i mirë i gjuhës angleze fillova të studioja me ëndje librat e ekonomisë dhe të politikës për të kuptuar më tej atë që prisja të ndodhte në Shqipëri ku, sigurisht, eleminimi i të paaftëve do të ishte një proces i pashmangshëm .

    Dhe pastaj vijoi “marrëzia kombëtare”e firmave piramidale, ku shqiptarët ishin aq të etur për të falur para, sa paguanin njerëz me shuma të majme për të qëndruar në radhë për ta. Pamja e atyre njerëzve në radhë të gjata, madje nga padurimi edhe duke u kacafytur, për të flakur tej kursimet e tyre nga puna e rëndë në emigracion apo nga shitja e shtëpisë dhe të ardhmes së fëmijëve, më ndjek nga pas si një vegim i shëmtuar i një marrëzie të paprecedent në historinë botërore dhe një turpi kombëtar të pashembullt. Duke qënë se në atë kohë isha shumë i apasionuar pas CNN-it, ku analizohej se ç’po ndodhte në Shqipëri me këtë fenomen dhe pasojat që do të rridhnin prej tij, u përpoqa me gjithë shpirt të bind sa më shumë njerëz për rrezikun që iu kanosej, por pa dobi. Thirrjeve të mia të tipit të Gjon Pagëzorit në shkretëtirë, drejtuar të njohurve të mi që t’i thërrisnin arsyes, ata i përgjigjeshin me tallje e shprehje fyese se unë nuk merrja vesh nga këto punë dhe se këto fondacione ishin për të ndihmuar shqiptarët të pasuroheshin shpejt. O Zot, ç’trashësi legjendare!

    Dhe rrjedhojë e kësaj marrëzie ishte tragjedia e ’97-s. Ajo thjesht u emërtua “trazirat e ’97-s”, por nga numri i viktimave dhe pasojat afatgjata në vend meriton me plot gojën të quhet luftë civile. Por, në vend të pakësohej, optimizmi im njohu nivele të reja edhe më të larta. Ishte një përmbysje madhështore, që u tregoi të gjithëve se shqiptarët nuk do ta pranonin më tiraninë dhe çorbën e hidhur që iu ofrohej si liri e democraci. Tani do të kishim një lider të ri që të na udhëhiqte drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimit në familjen evropiane. Por vitet u rrokullisën si rrota e fatit, e shigjeta nuk ndaloi kurrë në zonën Progres. Zënka e grindje politike për sfera influence, korrupsioni galopant, varfërim të popullsisë dhe papunësi, shitje të dyshimta të pasurive kombëtare, infrastrukturë e rrënuar dhe drejtësi e masakruar. Këto ishin ato që udhëheqësi ynë i ri na garantoi pa më të voglin dyshim, për gjakun që u derdh për ta liruar nga burgu dhe për ta ngjitur direkt në fronin e shefit të vendit. Shpejt u provua se njeriu tek i cili ne kishim varur shpresat për të ardhmen tonë, ishte nje playboy i vonuar dhe i dehur në miniaturë, që përpiqej të kapte kohën e humbur të kënaqësive të pa provuara, që e bënin qesharak dhe të pështirë. Këtu, për herë të parë, optimizmi im, ashtu si i miliona shqiptarëve, u lëkund fort, por nuk u shua, sepse, ndonëse e humba besimin tek qeveritë dhe politika, prapë kisha besimin të pakufijshëm tek populli im, tek ata njerëz të mirë, trima e punëtorë. Kisha besim, se ne vetë, do ta sillnim ndryshimin. Vite të tëra beteje për demokraci dhe prosperitet, do t’i kishin bërë këta njerëz të ndërgjegjshem se ishin ata që kishin fatet e politikanëve në dorë dhe jo e kundërta; kisha besim se ndjenja e përkatësisë në një komunitet, i kishte sjellë këta njerëz më afër me njeri-tjetrin; se ndjenja qytetare dhe aspirata e Shqipërisë evropiane është më e fortë se tundimi me një post apo vend pune, si një lemoshë që gjahtari ia jep zagarit të tij. Por koha dhe vitet që rrodhën,të pistë si uji i lumenjve tanë të përdhunuar, provoi që isha plotësisht i gabuar. Vitet e rënda të tranzicionit, mentaliteti oriental dominues dhe shthurja e çdo morali shoqëror e kishte nënshtruar këtë popull. Pritshmëria ime e hershme, se injoranca në poste drejtuese, do të eliminohej nga konkurenca nuk u realizua kurrë. Përkundrazi, ky kontigjent tashmë zotëronte çdo qelizë të shoqërisë dhe ishtë rritur në masë e përmbajtje, madje kishte hapur edhe universitete për të përgatitur breza të rinj si soji i tyre.

    Armiqtë e dikurshem ishin bërë miq dhe kishin bashkuar forcat vetëm kundër një individi. Ata bënin pazare për shkrirjen në një, dhe të përjetesonin kështu sundimin e tyre. Madje kukullat ish-ministra e kryeministra, predikonin paqe dhe alternim pushtetesh vetëm me zgjedhje. E respektoj plotësisht këtë, por sa herë dëgjoj nga ata këto predikime, me lind vetvetiu pyetja “A do të kishte lirim nga burgu nëse nuk do te ishte ’97-a; a do te ishin bërë ministra dhe kryeministra këta pastorët e tanishëm të paqes dhe bashkëjetesës? Vështirë të besohet kjo! Dhe kaq shumë është qelbur koka e ka zënë erë sa edhe kur derdh gjakun për tu falur liri e poste ata prapë tallen me ty.

    Askush në atë vit të lavdishëm 1990 nuk do ta besonte se Shqiperia do të ndodhej ku është sot në 2011. Por, ja tek jemi, 21 vjet më vonë, më shumë se kurrë larg ëndrrës sonë për nje Shqipëri si Evropa, ekstremisht të varfër dhe fare të pashpresë. Duket sikur kemi bërë një levizje orbitale 20-vjeçare, për t’u kthyer atje ku e nisëm. Po si ndodhi kështu? A jemi me të vërtetë të mallkuar në tokën tonë?

    Nuk gjej asnjë arsye të besoj në një mallkim të ardhur nga historia. As në legjendën për dënimin e përjetshëm të këtij populli për të patur gjithmonë në krye një qeveri që e shtyp. Por jam plotësisht i prirur të besoj tek INDIFERENTIZMI dhe PAPERGJEGJSHMERIA e shqiptarëve, tipare, që edhe pse nuk duam t’i pranojmë, qëndrojnë në themel të karakterit tonë kombëtar. Indiferentizmi ndaj rëndësisë që ka një votë si formë pjesëmarrjeje në përcaktimin e fateve kombëtare dhe përgjegjësia qytetare për ta respektuar atë si vullnet individual çojnë në manipulime zgjedhjesh, shitje e blerje votash dhe pazare të ndyra politike me ndikim të madh në jetën e të gjithë vendit. Pasoja fatale e kësaj është ngjitja dhe qëndrimi në pushtet i individëvë bajraktarë të çfarëdo krahu politik, që luajnë me kombin dhe jetën e njerëzve si me çiflikun e tyre, pikërisht për shkak të indiferentizmit të shqiptarëve ndaj ndjenjës kombëtare dhe papërgjegjshmëria për fatet e vendit dhe të ardhmes së brezave që vijnë. Është kombinimi i këtyre dy tipareve, për mendimin tim, që ka bërë që në një shekull histori, shteti modern shqiptar të dominohet nga vetëm katër njerëz që kanë vepruar me vendin si të ishtë pronë e tyre private duke e zhytur popullin në varfëri e mjerim. Është papërgjegjshmeria e gjykatësit, mjekut, mësuesit, policit, kryetarit të bashkisë, ministrit, prodhuesit, biznesmenit dhe vetë popullit që Shqipëria ndodhet në këtë situatë kaotike pa respekt dhe frikë ndaj ligjit, dhe sigurisht, pa më të voglën etikë dhe moral minimal. Dhe sa për largimin e kastës së vjetër politike vetëm me votë, kjo është vetëm një gënjeshtër e përmasave historike. Nëse një qeveri, qoftë e zgjedhur edhe me votë, bëhet tiranike, shtyp popullin dhe vepron kundër interesave të kombit, largohet me forcë nga vetë populli sovran pa pritur ditën e votimit, dhe pjestarët e saj vihen para ligjit i cili parashikon ndëshkime të rrepta.. Kjo është e sanksionuar në çdo kushtetutë të botës nën shembullin e asaj amerikane.

    “Po a do të bëhet Shqipëria?” – një pyetje që për shekuj me radhe shqiptarët ia kanë bërë vetvetes, sikur të prisnin që dikush të vinte dhe t’ua gatiste sipas shijeve të tyre. Për turpin tonë, kjo pyetje është në rend të ditës edhe sot, në epokën e dominimit të idealeve të lirisë, barazisë dhe prosperitetit ekonomik për të gjithë. Perspektiva është e zymtë dhe vetëm një mrekulli e ardhur nga ndërgjegjësimi i vetë shqiptarëve për të ardhmen e atdheut të tyre, do ta ndriçonte këtë perspektivë. Unë vetë nuk do t’i përgjigjem kësaj pyetje, duke i ftuar të gjithë të shprehin mendimin e tyre. Tek e fundit çdo gjë varet nga ne, apo jo?