Për luftën kundër evazionit fiskal në ditët e nxehta të gushtit

Postuar në 04 Gusht, 2015 13:10
Armand Shkullaku

Qeveria po përgatitet të hartojë një ligj të rreptë kundër evazionit fiskal, ku ndër të tjera parashikohet deri dënim me burg për ata individë që nuk kanë kasë fiskale apo nuk lëshojnë kupon tatimor në bizneset e tyre. Por edhe kjo betejë e madhe e shpallur nga kryeministri duket se është në vazhdën e masave ndëshkimore dhe jo të reformave të strukturuara. Kërcënimi me burg nuk mund të kompensojë gropën e qeverisë në mbledhjen e të ardhurave dhe as dështimin e nënshkrimit të kontratës me FMN. Ky kërcënim për të mbledhur me frikën e kërbaçit thërrimet e mbijetesës së bizneseve të vogla nuk mund të mbulojë gjithashtu miliona euro të vjedhura e të humbura në dogana e tatime.

Vajzat reformatore të Edi Ramës që do t’i ndryshonin faqen administratës publike, dolën për faqe të zezë në misionin që ua ngarkuan në shpinë. Një dëshmi më shumë se shteti nuk mund të funksionojë as me gjetjet e rrejshme të imazhit dhe as me kërcënimin e burgut. Duhen reforma të thella e të studiuara, duhen njerëz që kanë përgjegjësi ndaj detyrës dhe ndaj emrit të tyre, duhen më parë ekonomistët e ekspertët dhe pastaj policët e taksidarët.

Një ilustrim të kësaj gjendjeje më qëlloi ta shoh në jug të vendit, në zonën e plazhit në Drimadhë. Ndërsa lajmet u bombarduan nga kryqëzata e radhës e kryeministrit kundër evazionit fiskal, si një justifikim për dështimin me FMN, një tabor me policë tatimorë zbarkoi për të vënë në jetë porosinë e partisë dhe të udhëheqësit. Të mbuluar nga djersët, të ndërsyer ca nga urdhri nga lart e ca nga të nxehtit përvëlues, ata ngjanin më shumë me një grup terrori sesa me inspektorë normalë të një shteti normal.

Në pikun e sezonit, shfaqja e tyre ishte më shumë se e shëmtuar. Të bërtitura, kontrolle në vitrina e banakë, madje kontrolle edhe në makinat private mos kishte të fshehur ndonjë shishe alkool pa pullë fiskale… Shumë mirë, mund të thotë dikush nga mbështetësit e dorës së fortë të shtetit kundër evazionit që nuk po e lë të ngrejë krye ekonominë shqiptare. Shumë mirë, do të thosha edhe unë, po të mos e dija që të paktën prej disa ditësh që gjendem këtu, energjia elektrike mungon nga 7-9 orë në ditë. Mungojnë shumë gjëra që janë detyrim i shtetit, që kërkon taksa ndaj biznesit që duhet t’i paguajë ato. Por të mbetemi tek energjia.

Kush ua kompenson naftën që harxhohet për gjeneratorët këtyre individëve që u kërcet në shpinë edhe shkopi i tatimorëve? Po pajisjet që shkatërrohen, peshkun e mishin që prishet… Si mundet që pa bërë minimumin për një shërbim normal të kërkosh maksimumin për arkën tënde? A e di kryeministri që 30 ditë, vetëm 30 ditë, këta njerëz mund të punojnë dhe jo më shumë, pasi këtu gjithçka është e shkretë dhe kurrë nuk pati një projekt serioz për të zhvilluar turizmin, gjallëruar bregdetin, stimuluar prodhimin e vogël në fshatra e plot mundësi të tjera që sezoni të zgjatet si në vendet fqinje të paktën katër muaj. Pastaj flasim për çmime të larta në një situatë ku për 30 ditë, një operator apo shërbim në zonën turistike duhet të paguajë punëtorët, të sigurojë furnizim në kushte të vështira, të përballojë taksat dhe mungesën e energjisë elektrike njëkohësisht.

Sigurisht që taksat duhen paguar, por t’i përdorësh ato si shkop vetëm për të goditur biznesin pa ofruar asgjë, nuk është reformë. Një gjë e tillë vetëm e armiqëson individin me shtetin e tij, nuk e bën të kuptojë se taksat duhen paguar si një detyrim qytetar për arkën e përbashkët. Në të kundërt, e tentojnë të kërkojë rrugë për t’i fshehur ato, për t’i shpëtuar detyrimit, për të gjetur mënyra mbijetese dhe jo investime për t’u rritur e zhvilluar.

Në ligjin e ri që pritet të dalë në shtator, thuhet se do të ketë dënim me burg në rast përsëritjeje të mosdhënies së kuponit tatimor nga një biznes. Po në rastin kur nuk ka energji elektrike, nga ta prodhojë kuponin biznesi? Mjafton ky fakt banal për të kuptuar që shteti duhet të pranojë përgjegjësinë e tij, të ofrojë shërbime e pastaj të flasë për arrestime. Edhe Rama i vogël i bashkisë së madhe të Tiranës, i frymëzuar nga atmosfera e prangave e kërcënimeve, po mendon të dënojë ata që kryejnë nevojat personale poshtë urave e nëpër parqe. Mirë do bënte, por më parë duhet të ndërtojë tualetet publike e pastaj të kërkojë llogari për ujët e derdhur vend e pa vend.

Dallimi mes reformave dhe masave ndëshkimore ka të bëjë në radhë të parë me raportin me asaj që i ofron qytetarit dhe detyrimit që ka ky pastaj për ta paguar atë shërbim. Nëse ky raport bëhet i njëanshëm do të mbetemi gjithnjë brenda një rrethi vicioz, ku taksat dhe detyrimet i mbledh frika dhe jo ndërgjegjësimi. Sado të flasë për burg kryeministri, arka e shtetit nuk mbushet me kërcënime. Shembulli i keq i korrupsionit në zyrat e larta të tatimeve e doganave dhe impotenca e shtetit për të ofruar shërbime ndaj qytetarit, nuk japin asnjë garanci se situata mund të ndryshojë. Reforma duhet të fillojë pikërisht me këto dy elemente dhe pastaj çdo masë tjetër do të ishte e legjitimuar. Por që në fillim, kryeministri ynë ka dëshmuar se preferon ta nisë nga fundi.

"Mapo"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.