Gusht e gunë. Zhduken kaldajat e vjetra, qeveria pajis me soba druri 6 ministri, gjithsej 1.5 milionë USD

Postuar në 04 Gusht, 2015 11:21

Ngrohjet qëndrore të godinave kryesore shtetërore prej kohësh kanë dalë jashtë përdorimit. Shumica e zyrave janë pajisur me kondicionerë për të cilët janë bërë edhe tenderët përkatës. Por një mënyrë më “ekologjike” po përdor qeveria Rama së fundi, duke menduar që në gusht për dimrin. Ndërkohë që punëtorët e çmontimit janë të lumtur të marrin për skrap metalin e kaldajave e vjetra, Këshilli i Ministrave ka vënë 1.5 milionë dollarë në dispozicion të blerjes dhe instalimit të sobave ngrohëse me tallash të presuar, pellets. Përmes një vendimi, Qeveria ka bërë publike 6 ministritë ku do të aplikohet kjo teknologji, ndërkohë që shpenzimet do të përballohen nga fondi rezervë i Kryeministrisë. Vetëm se mjetet e reja i quan kaldaja dhe jo soba. Kështu psh në Ministrinë e Brendshme do instalohen 38… kaldaja.

“Efekti financiar, prej 146 172 264 lekësh, të përballohet nga fondi rezervë i Buxhetit të Shtetit, miratuar për vitin 2015”, thekson vendimi i Qeverisë. Ministritë ku do të aplikohet kjo teknologji janë: Ministria e Shëndetësisë (ku do instalohen 31 kaldaja), Ministria e Energjisë dhe Industrisë (ku do instalohet 1 kaldajë), Ministria e Arsimit dhe Sportit (ku do instalohet 1 kaldajë), Ministria e Punëve të Brendshme (ku do instalohen 38 kaldaja), Ministria e Drejtësisë (ku do instalohen 26 kaldaja), Ministria e Kulturës (ku do instalohen 8 kaldaja).

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.