Shënim: Formula qesharake “Pa dallim bindjesh” dhe “bindjet politike të mësuesve”

Postuar në 03 Gusht, 2015 17:34

Edhe kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, u betua në ceremoninë e marrjes së mandatit të ri, duke theksuar se do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallim bindjesh politike. Më parë e dha këtë mesazh Veliaj në Tiranë e të tjerët gjetkë. A duhet vërtet theksuar kjo? A nuk është e padiskutueshme që bashkia do t’u shërbejë të gjithëve, e po kështu qeveria në rang kombëtar? Por fakti që kjo formulë duhet theksuar patjetër publikisht, tregon se në realitet ndodh e kundërta. Ilustrimi vjen jo më larg sesa sot, me e-mailin të Drejtorisë Rajonale Arsimore të Tiranës, ku u kërkohet drejtorëve edhe bindja politike e mësuesve. Materiali i ekspozuar nga PD, tregon për një mesazh që u ka shkuar të paktën 76 shkollave të kryeqytetit, ku shefat e arsimit u kërkojnë drejtuesve të shkollave të bëjnë raport të plotë për punonjësit e tyre dhe për bindjet e tyre politike. Më 27 korrik ka mbërritur në shkollat e Tiranës një porosi urgjente, ku i kërkohet drejtorëve që deri të nesërmen në orën 11, duhet të dërgojnë listën e stafit dhe përbri, thotë urdhri, bindjen politike për secilin. Duket se për të ruajtur vendin e punës, mësuesit duhet që gjatë gushtit të reflektojnë dhe të adoptojnë bindjen e duhur politike, në të kundërt mund të pushohen nga puna... pa dallim bindjesh politike. Në orët e pasdites Drejtoria Arsimore e Qarkut të Tiranës, Eglantina Metani reagoi me argumentin se adresa elektronike e asistentes së saj ishte hakeruar dhe hodhi poshte akuzat se ka patur një kërkesë të saj për listë arsimtarësh sipas bindjeve politike. "Dëshpërimi i atyre që nuk duan të shohin reformat e ndërmarra në arsimin parauniversitar ka arritur kulmin. Në përpjekje për të baltosur punën e bërë në keto dy vjet nga Drejtoria Arsimore Rajonale e Qarkut Tiranë, ditët e fundit në adresën time të email-it janë ndërmarrë disa sulme që tentonin të thyenin fjalëkalimin për të përdorur me pas atë llogari. Fatkeqësisht, edhe pse dështuan me adresën time të postës elektronike, viktimë e këtij sulmi ka rënë asistentja ime, të cilës me sa duket jo vetëm i është thyer fjalëkalimi, por llogaria i është përdorur edhe për qëllime të ulëta politike"-thuhet në njoftim. Por edhe pse flet për hakerim të llogarisë elektronike drejtoresha e DAR të Qarkut të Tiranës nuk ka bërë denoncim për këtë çështje, duke replikuar politikisht me opozitën. "Për ne, shkolla është e depolitizuar dhe siç treguam në zgjedhjet e fundit të qershorit, koha kur mësuesit përfshiheshin në fushata elektorale ka marrë fund. Koha kur mësuesit përdoreshin politikisht nga eprorët ka mbaruar, pasi kjo administratë është e vendosur për t'i mbajtur plotësisht të depolitizuara institucionet arsimore"-përfundon njoftimi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.