Sindroma e Havanës, përgjim që gjeneroi një armë të re?

Postuar në 10 Qershor, 2021 20:47

E ashtuquajtura sindroma e Havanës mund të jetë pasojë e përpjekjes për të mbledhur informacion nga pajisjet elektronike të punonjësve të qeverisë amerikane. Së fundmi, nën administratën Biden, inteligjenca amerikane ka hetuar intensivisht, por nuk ka arritur të shpjegojë dëmtimet e trurit të diplomatëve dhe zyrtarëve të tjerë brenda dhe jashtë vendit.

Brenda radhëve të punonjësve të inteligjencës nuk ka konsensus lidhur me "teknikën, qëllimin, kush është në shënjestër dhe atë që mund të ketë qenë thjesht një rastësi".

Një ndër hipotezat kryesore është se diplomatët në fjalë mund të jenë dëmtuar nga pajisjet e destinuara për të nxjerrë informacion nga celularët dhe pajisjet e tjera personale, raporton NBC News.

Megjithëse dëmi fizik mund të mos ketë qenë qëllimi fillestar, zyrtarët amerikanë tani besojnë se kushdo që mund të jetë përgjegjës, tani e di shumë mirë që pajisjet mund të shkaktojnë simptoma dobësuese dhe do të kërkojnë t'i përdorin ato për të synuar dhe dëmtuar fizikisht individët, duke e kthyer këtë në një armë që është e vështirë të gjurmohet.

Sindroma e Havanës është vënë re jo vetëm te disa diplomatë, por edhe të zyrtarë brenda SHBA-ve. Muajin e kaluar, një ish-punonjës i Departamentit të Mbrojtjes raportoi simptoma të tilla që sipas tij i kanë nisur ndërsa ishte në Uashington.

Inteligjenca Kombëtare tha se ka rritur përpjekjet për të identifikuar shkakun e simptomave misterioze dhe për të përcaktuar nëse është përfshirë një “dorë” e huaj.

"Deri tani, ne nuk kemi asnjë informacion përfundimtar në lidhje me shkakun e këtyre incidenteve dhe është e parakohshme dhe e papërgjegjshme të spekulosh," citohet zëdhënësi i Zyrës së Inteligjencës Kombëtare.

Sindroma e Havanës u raportua fillimisht te disa oficerë të CIA-s që shërbenin si diplomatë në Kubë. I njëjti fenomen u raportua më vonë në Kinë dhe pas disa vlerësimeve SHBA konfirmoi zyrtarisht një rast të një punëtori të prekur. Kohët e fundit, raste shtesë janë raportuar në Azi, si dhe në Rusi, Evropën Perëndimore dhe madje edhe në ShBA.

Më shumë se 130 individë nga e gjithë qeveria amerikane kanë dalë me simptoma të mundshme të Sindromës së Havanës. Nga ata, 60 deri në 80 persona janë të lidhur me Departamentin e Mbrojtjes.

Një raport i vitit 2020 nga Akademia Kombëtare të Shkencave zbuloi se simptomat ishin në përputhje me efektet e energjisë së drejtuar nga mikrovalët.

Zyrtarët amerikanë besojnë se Rusia qëndron pas sulmeve të dyshuara, por nuk kanë prova përfundimtare.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.