Franca do të hetojë pasuritë e kreut të Bankës Qendrore të Libanit

Postuar në 06 Qershor, 2021 15:09

Franca ka hapur një hetim mbi pasurinë personale të Riad Salameh, shefi i bankës qendrore në Liban.

Prokurorët francezë po hetojnë mbi dyshimet për lidhje kriminale dhe pastrim parash nga Salameh, një gjë që e ka bërë më parë edhe Zvicra. Gjetjet e hetimit mund të hedhin dritë mbi origjinën e pasurisë së bankierit 70-vjeçar.

Salameh është në detyrë që nga viti 1993 dhe është akuzuar në mënyrë të përsëritur nga qeveria e kryeministrit të përkohshëm Hassan Diab si përgjegjës për rënien e paundit libanez.

Ai dhe zyrtarë të tjerë të lartë shihen me dyshim në Liban lidhur me zërat për transferimin e parave jashtë gjatë kryengritjes së vitit 2019.

Që atëherë, në Liban ka pasuar një krizë ekonomike për të cilën Banka Botërore thotë se është ndër më të këqijat që nga shekulli i XIX.

Një njeri i afërt i familjes së fuqishme Hariri, Salameh ka qenë nën hetim për muaj me radhë në Zvicër për dyshimin e pastrimit të parave dhe përvetësimit nga Banka e Libanit. Ai zotëron disa prona në Francë dhe mund të ketë transferuar para atje.

Sipas dosjes së prokurorëve francezë, të cilës i referohet AFP e më pas France 24, Salameh dhe familjarë të tij dyshohet se kanë krijuar pasuri në Europë.

Siç raporton faqja libaneze Daraj.com dhe Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, paditësit besojnë se pasuria totale e Salameh në të gjithë botën arrin në më shumë se 2 miliardë dollarë.

Ai e kundërshton këtë shifër, duke thënë se pasuritë i ka trashëguar dhe i ka bërë përmes karrierës si bankier dhe investimeve të ligjshme që nga marrja e detyrës në 1993.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.