Një ndjesë civile për ca miliona të vrarë

Postuar në 29 Maj, 2021 13:17

Këto dy javë në zemër të atij që pretendon se është rajoni i demokracisë liberale, që ka në themel të qytetërimit të vet të drejtat e njeriut, në Gjermani dhenë Francë, ka patur dy zhvillime shumë të ngjashme. Të dyja këto vende kanë njohur apo pranuar përgjegjësinë direkte për kryerjen e akteve të genocidit në Namibi dhe në Ruanda. Në Namibi, ka dorë Gjermania që qysh në fillim të shekullit të 20-të, në emër të qytetërimit të vet të shkëlqyer kualifikonte të drejtën e jetës nisur nga ngjyra e lëkurës dhe kraniometria. Në Ruanda ka dorë Franca e liri, barazi, vëllazërimit që kaosin e vet shpirtëror, frustracionet historik i ka shndërruar në politikën e “shkel e shkosë” në Europë.

Të dyja vendet kanë kërkuar ndjesë. Kanë pranuar fajin për atë mynxyrë njerëzore dhe morale që kanë kryer të qetë, me struktura dhe ideologji, me cinizëm dhe ftohtësi. Janë akte që njihen sot si proces politik, nuk janë denoncime të një shoqërie, çka i jep një përmasë cinizmi të gjithë kësaj që po shohim.

Janë këto vende, këto shoqëri që gjykojnë e shqyrtojnë botën me metrin e tyre edhe sot që flasim, që shpërndajnë pikëpamjet e veta deri edhe për raportet seksuale duke blerë politikë dhe legjislacionin e vendeve që s’janë vende si puna e kësaj Shqipërisë sonë, gjithnjë me premisë e tutorit të demokracisë dhe garantit të zhvillimit.

Janë vende prej nga ku emetimi i etiketave politike është thuajse vijë e pandryshueshme sjelljeje; një herë përparim i dukshëm, pastaj vend autoritar, më në fund dictator dhe më tej revolucion, pranverë.

Pse qenka problem një kërkesë faljeje? Reparacionet materiale janë tanimë kodi zakonor i mbarë njerëzimit që njësoj si në kodet mesjetare e ble dhe shet gjakun pas të cilit amortizohet edhe cenimi i dinjitetit.

Lexoni se çfarë thonë mediat e këtyre dy vendeve për Bjellorusinë, Lukasheknkon, për Kinën dhe ujgurët për të kapur se deri në cilën ekstazë hipokrize ka shkuar ky predikim moral në një botë që shkon para duke shkelur lumen e gjakut që ka derdhur në emër të përparimit.

Kujt I bëhet ky predikim? Kinezëve, bjellorusëve që po u shtypet opozita, të cilën siç mund ta dimë shpesh e mban me serum ndonjë vend demokratik si Gjermania apo Franca që shpresojnë se edhe liria mund të eksportohet. Madje mbillet në vende të tjera në përputhje me vizionin që këto vende kanë për të.

Nuk mund të mos shohësh se çfarë lloj politike ndiqet prej dekadash ndaj Iranit, nga vendi më demokratik në botë, SHBA. Demokratik pse krimin e ka politikë kinematografike madje, aty edhe e denoncon.

Teksa në emër të moralit dhe lirisë, të drejtave kundërshtonte regjimin e ajatollahqëve, mbyllte sytë para përdorimit të armëve kimike nga Sadam Husein, të cilin befas një ditë e kuptoi që ishte maskara. Dhe si të tillë edhe e ekzekutoi. Pa ceremoni, pa protokoll. Fundja Iraku nuk ishte shtet. Ishte një strukturë e organizuar nën një bandit të blerë.

Ky perëndim që sot kërkon falje pse dje shkoi në vende të tjera dhe vriste njerëz si kavie, vazhdon të na numëroj në kufi, të na perceptojë në doganë përmes policëve kufitarë, mideja dhe shqyrtimi racor I të cilëve është çelësi për ta kaluar pragun. Është e njëjta politikë që numëron azilkërkuesit shqiptarë që 6 muaj janë shqetësim madhor në Paris, Amsterdam dhe Berlin, e pastaj zhduken sikur të mos ishin.

Çfarë mendojnë ruandezët apo namibianët për këto skuza dozhësh të shekullit të 21-të? Ku ta dish. Ka disa vende që mbeten përherë larg asaj “që ndodh” në “botë”, ndryshe nga vende si ky yni, ku siç na thuhet e ka të pashuar entuziazmin për këtë farë Perëndimi që e mban të lidhur vetëm me imagjinatë dhe publicitet budallallëkun tonë politik që tregtohet si zgjedhje strategjike. Ka genocide gjykohen në gjykatë, ka të tjerë për të cilët kërkohet ndjesë…

Fundja dikur, edhe Toni Blair kërkoi falje pse në 1913, paraardhësit e tij morën gërshërët e i hynë Ballkanit në hartë sipas midesë. Ça rëndësie ka se çfarë ndodhi për 100 vjet, qameti 4 breza njerëzish janë. Ndjesë, shqiptarësh…

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.