Noterët e alibisë

Postuar në 25 Maj, 2021 18:49

Partia Demokratike duket se ka marrë sot një goditje të re sa i përket pretendimeve të saj për manipulim masiv elektoral më 25 prill 2021. Gjatë një aktiviteti në Përmet, ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca ka deklaruar se zgjedhjet përmbushën standardet dhe se Shqipërisë tashme duhet t’i hapet drita jeshile për konferencën ndërqeveritare.

Zgjedhjet parlamentare ishin një test Shqipëria e kaloi me sukses. Sa i përket Bashkimit Europian, ne mund të themi se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet për të mbajtur Konferencën Ndërqeveritare. Shtetet anëtare do të marrin vendim në javët në vijim, ne mendojmë se ka ardhur koha që ky vendim të merret dhe ne vazhdojmë të besojmë se BE-ja nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor.

Ne konsideronim provim ditën e zgjedhjeve, pra mënyra se si do të shkonte dita e zgjedhjeve dhe në fakt raporti paraprak i OSBE/ODIHR e tha qartë: Dita e zgjedhjeve ka ecur në mënyrë të rregullt, pa probleme. Pra për ne test ishte dita e zgjedhjeve!

tha Soreca.

Sigurisht që deklarimet e një ambasadori nuk duhen absolutizuar, por nisur nga përvoja politike e deritanishme ne mund të marrim me mend se aksioni i tanishëm i PD-së për zgjedhjet ngjan se po izolohet.

Ne patëm rast të shohim denoncimin e dy dosjeve për zgjedhjet e kaluara dhe sërish asgjë nuk ndodhi. Kjo jo vetëm për shkak të qëndrimeve të Perëndimit, por edhe për shkak të inkosistencës së PD-së e cila në dy momente të vetat braktisi objetivin e shpallur publikisht. Ndaj ky mesazh i Sorecës, sikundër mesazhe të tjera të ngjashme, me shumë gjasë priren të kapitalizohen si alibi nga lidershipi demokrat që e ka të qartë se këmbëngulja për zgjedhjet do të lexohet si kokfortësi dhe mandej si element për ta defaktorizuar atë.

Me aq sa mund të shihet nga jashtë, pakkush beson realisht në PD se zgjedhjet janë manipuluar apo blerë dhe thuajse askush nuk beson tek aksioni post zgjedhor që vë në pikëpyetje rezultatin e tyre. Kjo është evidente edhe për faktin se partitë tashmë janë vetëm mundësi karriere dhe mburojë interesash dhe asgjë më shumë. Këtu qëndron edhe garancia për Lulzim Bashën që nesër mund të thotë se askush nuk e dëgjoi PD-në për zgjedhjet dhe manipulimin e tyre duke dekurajuar kështu edhe interesin më minimal për procesin dhe duke e çliruar PD-në e tij nga çdo detyrim real për t’u angazhuar për mbrojtjen e interesit publik.

Po hyjmë në një moment të ri, kur politika diktohet thjesht dhe vetëm, formalisht dhe jo, nga 4-5 njerëz dhe 2-3 ambasadorë, model i denjë ky për republika bananesh. Jo se deri më tani ka patur kush iluzione se ndodhte ndryshe, por me këto që po ndodhin, por griset edhe fasada e një politike që pretendon se përfaqëson popullin. Ai që e pagëzoi politikën e implantimeve të këtilla është Erjon Veliaj, ardhur prej kurrkund dhe duke qenë askushi, e për t’u bërë pa i hyrë gjemb në këmbë një ndër njerëzit me më shumë pushtet. Në këtë mjedis njerëz si Veliaj dhe Basha harlisen dhe ngjallen sepse burimi i pushtetit të tyre është konsensusi i korridoreve dhe asgjë më shumë se kaq dhe si njerëz që i thonë po çdo shërbimi të kërkuar janë të pakonkurueshëm.

Pa pretendime intelektuale, pa profil real, pa ide të vetat, pa ndonjë brengë për historinë, qenie të tilla politike janë qysh tani problemi i një shoqërie që herët apo vonë do të kërkojë të përfaqësohet me të vërtetë, por nuk do të përfillë kush. Dhe ky është fillimi ose i një konflikti, ose i një raporti të ri me të përbashkëtën, me kontratën sociale që në termat e vjetër ka kohë që është grisur. Me ndihmën edhe të këtyre ambasadorëve si z. Soreca.

s.zaimi 

Comments

Submitted by g.o.n.e. (not verified) on

Nëse standartet e 25 prillit ishin standarte evopiane të zgjedhjeve atëhere e ka marrë lumi edhe Evropën, se ne na ka marrë prej kohësh. Por Soreca nuk është Evropa, është Brukseli.

Zbythja e Sorecës dhe BE-së para Ramës - në fakt, para Erdoganit - tregon shumë për gjendjen e BE-së sot. Është një gjysmë-perandorie në shpërbërje e sipër, ambasadorët e së cilës vijnë vërdallë nëpër botë si pula pa kokë, që vihen në lojë nga spurdhjakët e Tiranës dhe që shefes së tyre nuk i ofrohet as një karrige për tu ulur në takimet zyrtare.

Ndërsa për Bashën nuk ka më asnjë garanci që do ta hedhë lumin edhe një herë, pa rrezikuar shkërmoqjen përfundimtare të bazës së PD-së ose të një puçi brenda PD-së. Me Berishën e ridalë në skenë dhe Metën që mezi po pret që ta shkarkojnë, për të refuzuar të iki nga Presidenca i mbrojtur nga mbështetësit opozitarë, Basha nuk i bën dot më bisht pozicionimit të qartë: ose do të pranojë që zgjedhjet ishin me standarte dhe të dorëhiqet se i humbi ai, ose zgjedhjet ishin të manipuluara duke u blerë dhe atëherë ai duhet të nxjerrë demokratët në rrugë për të kërkuar ndëshkimin e manipuluesve dhe zgjedhje të reja.

Një regjim që nuk lejon zgjedhje të lira është diktaturë dhe mund të largohet vetëm me dhunë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.