Lufta në Izrael “ngrin” përpjekjet për riaktivizimin e marrëveshjes bërthamore

Postuar në 15 Maj, 2021 16:56

Ministri i Jashtëm Iranian, Mohammad Javad Zarif, anuloi sot një vizitë në Vjenë, ku po zhvillohen negociatat për riaktivizimin e marrëveshjes bërthamore. Anulimi i vizitës erdhi në shenjë proteste ndaj vendimit të kancelarit Sebastian Kurz për t’u solidarizuar me Izraelin duke ngritur flamurin e tij mbi ndërtesën e kancelarisë. Lajmin e bën të ditur agjencia e lajmeve “Reuters”. Vendimi vjen në një moment kur dukej se kishte progres në riaktivizimin e marrëveshjes së nënshkruar në 2015. Përafrimi i qasjeve të SHBA, e cila nën Trump u tërhoq nga marrëveshja, me Iranin, i cili kërkon heqjen e sanksioneve, kohët e fundit ka ndezur shpresat për rifunksionalizimin e marrëveshjes.  

Republika Islamike ka një pozicion armiqësor ndaj Izraelit dhe mbështet grupe palestineze si Hamas, i cili aktualisht është i përfshirë në konflikt me shtetin hebre.

Sipas agjencive perëndimore të inteligjencës, Irani ka asistuar militantët e Hamasit për arsenalin e armëve që u bëri të mundur të godasin shënjestrat brenda Izraelit. Drejtues të lartë të Hamasit mendohet të kenë bërë vizita të shpeshta në Iran, ku janë trajnuar për prodhimin dhe përdorimin e sistemeve të sofistikuara të armëve si edhe objektet e prodhimit të raketave, të kontrolluara nga Trupat e Gardës Revolucionare.

Pasi pushtetin e mori Sebastian Kurz, Austria u zhvendos drejt një qëndrimi pro-izraelit pas dekadash të tëra në mbrojtje të të drejtave të palestinezëve. Në vitin 2018, gjatë një fjalimi në Forumin Global të Komitetit Hebre Amerikan në Jeruzalem, Kurz deklaroi se siguria e Izraelit ishte "në interesin kombëtar" të Austrisë.

Mbështetja e qartë për Izraelin në këtë konflikt, thonë ekspertët, rrezikon përplasjen me një nga shtyllat e politikës së jashtme austriake: rolin e tij si një mikpritës i organizatave ndërkombëtare dhe negociatave, të tilla si marrëveshja bërthamore e Iranit.

Në Vjenë kanë selinë më shumë se 40 organizata ndërkombëtare, midis tyre Kombet e Bashkuara, Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.