Parashikimet për fundin e Izraelit*

Postuar në 14 Maj, 2021 16:58
Omar Ahmed

 

Lideri suprem i Iranit, Aliut Ali Khamenei, deklaroi për herë të parë në 2015 se Izraeli nuk do t’i arrijë 25 vitet e ardhshme. "E para, Izraeli nuk do t'i shohë 25 vitet e ardhshme", tha Khamenei. "Dashtë Zoti, nuk do të ketë një gjë të tillë si një regjim sionist në 25 vjet. Deri atëherë, morali luftarak, heroik dhe xhihadist nuk do t’i lërë asnjë moment të qetë sionistët".

Kjo u deklarua në lidhje me Planin e Përbashkët të Përgjithshëm të Veprimit (JCPOA) i cili u nënshkrua në fillim të atij viti midis Teheranit dhe P5 + 1, i cili në teori do të skadonte për 25 vjet. Edhe deklarata u bë në këtë kontekst.

Kjo retorikë është përsëritur edhe në të kaluarën nga Republika Islamike, për shembull, kur ish-Presidenti Mahmoud Ahmadinexhad tha 10 vjet më parë se, "ky regjim që pushton Jeruzalemin duhet të zhduket nga faqja e kohës". Kjo ishte përkthyer gabimisht dhe keqcituar në mediat perëndimore në atë kohë si "Izraeli duhet të fshihet nga harta". Vetë citimi origjinal i atribuohej themeluesit të Republikës Islamike, Ajatollah Ruhollah Khomeini.

"25 vjet" u kthye në njëfarë mënyre në mantra, ajo u ribotua zyrtarisht në faqen e internetit të Khamenei një vit më pas, në 2016, dhe kreu i ushtrisë së Iranit, gjeneral-majori Abdolrahim Mousavi e përsëriti pretendimin në 2017 gjatë një ceremonie përkujtimore të të rënëve gjatë Luftës Iran-Irak.

Mousavi u citua gjithashtu së fundmi nga mediat iraniane, duke komentuar trazirat në Palestinën e pushtuar se "shenjat e rënies së regjimit sionist vrasës dhe të paligjshëm të fëmijëve janë bërë të dukshme".

"Ka gjithashtu indikacione premtuese për një ndryshim në ekuilibrin e fuqisë në favor të Palestinës", shtoi ai. "Të gjitha tregojnë vërtetësinë e parashikimit se regjimi sionist nuk do t’i shohë 25 vitet e ardhshme."

Sidoqoftë, në dritën e situatës aktuale politike midis Izraelit dhe palestinezëve, nxitur nga sulmi i shtetit dhe përdhosja e kompleksit të Xhamisë Al-Aqsa dhe dëbimet e detyruara në Sheik Jarrah dhe konfliktin që po shkon gjithnjë e më pranë asaj që njihet si intifada (kryengritja) e tretë, duket se parashikimi i Khameneit mund të konkretizohet, duke lënë mënjanë retorikën.

Në fakt, kreu i shtetit të Iranit nuk do të ishte i pari që parashikonte rënien e shtetit të Izraelit. Shtetari veteran amerikan Henry Kissinger, i cili është me origjinë hebreje dhe po u afrohet të 100-ave, ishte më pak bujar në parashikimin e tij për fatin e shtetit hebre. Pretendohet se ai ka deklaruar në 2012 se "Për 10 vjet nuk do të ketë më Izrael." Edhe pse kjo u pranua edhe nga Haaretz, Times of Israel duke cituar një staf të Kissinger, mohoi se ai e ka bërë një deklaratë të tillë.

Duke supozuar se ish-sekretari amerikan i Shtetit e bëri këtë deklaratë, atëherë parashikimi i tij për rënien e Izraelit do të ishte diku vitin e ardhshëm.

Ide të tilla për aftësinë e shtetit për të mbijetuar janë më afër vendit sesa Izraeli dhe mbështetësit e tij do të donin të besonin. Në një opinion të botuar në “Yedioth Ahronot”, në shkurt, Yuval Diskin, ish-shef i Shin Bet, shkruan se Izraeli nuk do të mbetet për brezat e ardhshëm. Dhe këtë nuk e thotë në mënyrë figurative.

"Nuk e kam fjalën për kërcënimin bërthamor iranian, raketat Hezbollah, ose Islamin ekstremist fondamentalist. Po flas për trendet demografike, sociale dhe ekonomike që tashmë po ndryshojnë thelbin e shtetit dhe janë të destinuara të rrezikojnë ekzistencën e tij në një gjeneratë".

"Në rreth 40 vjet, rreth gjysma e qytetarëve të vendit do të jenë ultra-ortodoksë dhe arabë," shkroi ai. Ky është qartazi shqetësim i sigurisë për shtetin, veçanërisht pasi të dyja këto komunitete përjashtohen nga ushtria dhe siç pranoi Diskin, "në të dy dominojnë tendencat anti-sioniste".

Teoria e bombës demografike është diskutuar gjerë përgjatë viteve, veçanërisht kur merret në konsideratë popullsia totale e Gazës dhe Bregut Perëndimor të okupuar, së bashku me të ashtuquajturën popullsi izraelite arabe, të cilët zënë rreth 20 për qind të vendit. Prandaj Izraeli nuk mund të jetë një shtet me shumicë hebreje dhe një demokraci në të njëjtën kohë, "nëse nuk mund të jetë të dyja njëkohësisht, ëndrra sioniste mbi të cilën është themeluar Izraeli do të marrë fund", argumentonte gazetari Michael Petrou, në 2008.

Siç shihet në pamjet e fundit që përhapen me shpejtësi në internet, të rinjtë arabë izraelitë që bashkohen në protesta të papara në të gjitha qytetet veriore dhe qendrore të Izraelit kanë përqafuar identitetin e tyre kombëtar palestinez në unitet me vëllezërit e tyre në territoret e okupuara.

Përballë argumentit të demografisë, kërcënimi i menjëhershëm ndaj Izraelit vjen vërtet në formën e konfliktit të armatosur. Arritja e objektivit palestinez, ose në fakt e çdo shtetësie, përfundimisht qëndron në një zgjidhje ushtarake që i paraprin një të tille politike, njësoj siç u krijua Izraeli në 1948.

Si pjesë e planit të tij me nëntë hapa për të "eleminuar" Izraelin, pas Luftës 2014 kundër Gazës, Khamenei hodhi teorinë se, në mungesë të mundshme të një referendumi nga banorët vendas për të zgjidhur konfliktin, "konfrontim i fuqishëm dhe rezistencë e vendosur dhe e armatosur" është opsioni i vetëm i zbatueshëm që mbetet. Kjo u bën jehonë ndjenjave të aktivistit afrikano-amerikan për të drejtat civile, Malcolm X, i cili shpjegoi në 1963 se çdo revolucion i vërtetë përfshin në mënyrë të pashmangshme "gjakderdhje".

Ndërsa ata që ndjekin konfliktin shpalosen në kohë reale në mediat sociale, lëvizja palestineze e rezistencës Hamas ka nisur sulmet e saj më të mëdha dhe më të përhapura hakmarrëse deri më tani. Dje Qendra Palestineze e Informacionit njoftoi se rreth 137 predha u lëshuar nga raketat drejt qyteteve izraelite në vetëm pesë minuta. Gjithashtu janë shfaqur pamje të sulmeve që synojnë Tel Avivin, megjithatë pas sulmeve vdekjeprurëse ajrore të Izraelit në Gaza, Hamas është zotuar se shënjestrimi i ndërtesave civile do të rezultojë në sulme të mëtejshme në shkallë më të gjerë ndaj qytetit.

Ajo që është vënë në pikëpyetje është edhe sistemi mbrojtës i Izraelit, Kupola e Hekurt, i cili është ekspozuar gjatë gjithë kësaj fushate; nga shtatë raketat e para fillestare të hedhura nga Gaza, vetëm një u kap nga sistemi. Ilan Goldenberg, drejtori i Sigurisë së Lindjes së Mesme në CNAS me qendër në Uashington DC vuri në dukje dje se, "Hamas duket se po arrin më shumë sukses sesa në të kaluarën në Kupolën e Hekurt me breshëri më të mëdha".

Korrespondenti i Jerusalem Post për Lindjen e Mesme, Seth Frantzman, ndërkohë duke komentuar për përshkallëzimin e "përplasjeve" në qytete ishte kritik për faktin se "shumica e politikanëve dhe autoriteteve duket se thjesht po e lënë këtë të ndodhë, duke shpresuar se ajo thjesht do të mbarëojë vetë". "Nuk ka lidership në Izrael sot për këtë çështje", vërejti ai. Ajo që është e qartë është se Izraeli tashmë po humbet luftën e PR dhe informacionit me ngarkesën e punës që kanë për shkak të hasbara. Edhe gjatë përshkallëzimit, u shfaqën video nga kolonët që pushtonin shtëpitë e Palestinës në Sheikh Jarrah. Në një video të tillë, njëri prej kolonëve justifikonte vjedhjen duke thënë se nëse nuk do ta bënte ai, do ta bënte dikush tjetër. Një sjellje e tillë e qartë kriminale bëhet gjithnjë e më e vështirë për t'u parandalur, veçanërisht kur shkelësit nuk e mohojnë.

Më poshtëruese nga të gjitha edhe pse për shtetin sionist ishte pezullimi i stërvitjes ushtarake "Karrocat e Zjarrit" që synonte përballjen me një luftë hipotetike multi-frontale, që thuhet të jetë stërvitja më e madhe për ushtrinë izraelite në 30 vjet. Ushtria deklaroi se ishte anuluar "për të përqendruar të gjitha përpjekjet në përgatitjet dhe gatishmërinë për skenarët e përshkallëzimit".

Megjithatë, nëse protestuesit e zemëruar ishin mjaftueshëm për të gjithë këtë, le të themi, kjo paraqet pyetje serioze në lidhje me gatishmërinë e Izraelit në trajtimin e raketave Hamas, për të mos folur për armikun më të fuqishëm në kufirin verior - Hezbollah, i cili deri më tani nuk është përfshirë ende, megjithëse kjo mund të ndryshojë. Prova tjetër e koordinimit dhe bashkëpunimit të Boshtit të Rezistencës ka qenë njoftimi nga udhëheqësi i lëvizjes Ansarallah, Abdulmalik Al-Houthi, se ata qëndrojnë "krah për krah" me palestinezët në luftën e tyre dhe u ofrojnë mbështetje të plotë.

Vlen gjithashtu të kujtojmë veten se, pavarësisht se Izraeli është shtet që disponon armatim bërthamor, çdo përdorim aktual i armëve të tilla do të ishte dështim i parandalimit. Interesante është se një raketë siriane "e gabuar" ra në afërsi të zonës së reaktorit bërthamor Dimona, pavarësisht se kaloi përmes hapësirës ajrore të mbrojtur muajin e kaluar.

Një diskutim anësor është aspekti ekonomik i mbijetesës së Izraelit, ndërsa ai ka hyrë në rrethin e fuqive teknologjike botërore, ai ende mbështetet shumë te SHBA-të për ekzistencën e tij të qëndrueshme si shtet. Vartësia e Izraelit nga SHBA-të është përshkruar si "ekzistenciale" nga Chuck Freilich, një ish-këshilltar i Sigurisë Kombëtare Izraelite: "E vërteta e hidhur është se pa Shtetet e Bashkuara, IDF do të ishte një predhë boshe".

SHBA-të kishin interes të veçantë të vazhdueshëm në Izrael pas disfatës spektakolare të ushtrive të bashkuara arabe në Luftën Gjashtë Ditore në 1967. Megjithatë, e përballur me problemet e veta financiare, ndihma ushtarake e financuar nga taksapaguesit e SHBA po mbahet gjithnjë e më shumë në vëzhgim dhe po kërkohet që kjo ndihmë të kushtëzohet nga respektimi i të drejtave të njeriut.

Sidoqoftë, një letër dypalëshe e nënshkruar muajin e kaluar tregon se shumica e ligjvënësve këmbëngulin megjithatë se 3.8 miliardë dollarë ndihmë ushtarake vjetore për Izraelin duhet të mbetet e pakushtëzuar bazuar në përfitimet e tyre të perceptuara strategjike. Pavarësisht, SHBA-të që i kuptojnë ekuilibrat e fuqisë në skenën ndërkombëtare, janë të prira të zhvendosin fokusin dhe burimet e tyre në Azinë Lindore në dëm të mundshëm të interesave të saj në Lindjen e Mesme.

Nëse një gjeneratë përcaktohet përafërsisht 20-30 vjet, dhe Intifada e parë dhe e dytë ishin përkatësisht në vitet 1980 dhe 2000, atëherë ka kuptim që jemi dëshmitarë të një brezi tjetër palestinezësh të vendosur të luftojnë për të drejtat e tyre në formën e një intifade e tretë. Nëse është vërtet kështu, atëherë siç pohova vitin e kaluar, ne mund të presim një mbështetje shumë më të madhe nga Irani krahasuar me kryengritjen e mëparshme. Lidhur me këtë ka qarkulluar një video e një zëdhënësi të Brigadës Al-Quds, krahut të armatosur të Xhihadit Islamik Palestinez që ka lidhje më të ngushta me Teheranin krahasuar me Hamasin, i cili gjithashtu ka shprehur mirënjohje për Republikën Islamike për sigurimin e raketave Badr-3.

Përpara përvjetorit të 73-të të Izraelit që kur u krijua si një shtet-komb në 14 maj 1948, shumica mbizotëruese hebreje e vendit është në rrezik më të madh se kurrë më parë në historinë e tij relativisht të shkurtër, pasi demografia nuk është më në anën projektit sionist. Trazirat aktuale politike dhe shoqërore midis perspektivave të një kryengritjeje të patejkalueshme të armatosur nga populli palestinez gjithashtu sugjerojnë se as koha nuk është në anën e këtij projekti.

/Middle East Monitor/ 

*Titulli i origjinalit: Sipas parashikimit të Khameneit, Izraelit i kanë mbetur 19 vjet, Kissinger parashikon fundin vitin e ardhshëm

Përkthimi për ResPublica: Gazmira Sokoli

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.