Ekspert shumicën e kohës, politikan kur lë në baltë

Postuar në 12 Maj, 2021 12:00

Oerd Bylykbashi rezulton së fundmi një kritik i vendimeve të PD-së gjatë viteve të fundit. Në një dalje televizive dje, zyrtari demokrat ka vënë në dukje sesa parimor është në qasjet e tij ndaj politikës.

Unë jam një nga individët më kritikë për shumë nga vendimet që janë marrë, por jam luajal gjithashtu. Shqetësimet i ngre brenda partisë, i diskutoj brenda dhe zbatoj edhe vendimet e partisë, duke nisur me djegien e mandateve, mos-hyrja në zgjedhje, e të tjera me radhë.

Kjo analizë nuk ndodh sot. Kjo analizë bëhet më mbrapa. Sot kemi për detyrë të faktojmë këto që kanë ndodhur që njerëzit të kuptojnë, a mos jemi në një udhëkryq shumë të rrezikshëm, ku zgjedhjet nuk kanë më rëndësi në Shqipëri. Nëse arrijmë në këtë konkluzion kemi mbyllur punë me demokracinë

ka thënë z. Bylykbashi.

E vërtet që Lulzim Basha ka përgjegjësinë e madhe të humbjes në zgjedhje, të mosafirmimit si një lider që di të tërheqë dhe mobilizojë, por vërejtja ndaj tij për djegien e mandateve dhe mos-hyrjen në zgjedhjet lokale vështirë se mund të shndërrohet në kritikë të vërtetë pa u shtjelluar mirë.

Ata që mbrojnë z. Basha sot po thonë se ai ia doli të merrte rezultatin më të mirë për PD-në, me rreth 160 mijë vota shtesë në krahasim me zgjedhjet e fundit. E thonë këtë për ta mbrojtur dakord, por ky është fakt, i cili e përgënjeshtron dëmin e pretenduar se ka sjellë djegia e mandateve. Në këtë kuptim, të ashtuquajturit parlamentarë të thekur të PD-së nuk duket se kanë arsyetimin e duhur për të lidhur aktin e braktisjes së Parlamentit me humbjen e saj në zgjedhjet e 25 prillit.  Kemi vetëm pozën e kritikut, e objektivit që i flet arsyeja përpara emocionit. Por këtu ka nevojë për analizë, jo për pozat e dikujt që sot bën mikrolojëra.

Nëse ka një arsye bindëse apo të dakordësuar që shpjegon ndër të tjera humbjen e PD-së, kjo është se lidershipi i saj kompromentoi veten  me pushtetin, flirtoi me të dhe se e vetmja lëvizje distancuese ishte djegia e mandateve dhe mos-hyrja në zgjedhje. Mund të ketë shumë qëndrime, dyshime dhe komente, por deri më tani nuk ka asnjë të vetëm që të arsyetojë humbjen e PD-së me djegien e mandateve. Dhe djegia e mandateve nuk e bën një parti anti-parlamentare, të mos akuzojmë për gjëra që nuk qëndrojnë.

Në fund të fundit, ky Bylykbashi që sipas disa zërave nga PD-ja thuhet se është pika e kontaktit të Ramës në atë parti, po na thotë sërish se manipulimi i zgjedhjeve ka ndodhur, madje në atë shkallë saqë sipas tij kanë krijuar psikologjinë se zgjedhjet nuk kanë më rëndësi. Atëherë si jurist dhe ekspert i dikurshëm i OSBE-së, le të na thotë ky zotëri se çfarë mandate ka parlamenti i tanishëm dhe çfarë legjitimiteti. Si mundet të pajtosh si logjike vjedhjen apo manipulimin e zgjedhjeve me nevojën për të qenë pjesë e një parlamenti të prodhuar nga vjedhja?

Sigurisht që në politikë ka vendime të vështira, merren rrugë që kanë kosto morale, por kjo nuk do të thotë që dikush të jetë politikan vetëm kur lë në baltë dhe gjatë gjithë kohës sillet si ekspert apo si fytyrë që zë vend në ekrane. Ka patur PD-ja të tillë përherë. Besnik Mustafaj shkëlqen mes të gjithëve sa për të sjellë një shembull frymëzues, një memorial madje i dredhisë si akti i vetëm politik publik.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.