Tregu arab/BE-ja i heq verës alkoolin

Postuar në 08 Maj, 2021 18:08

Dealkoolizimi i verës ka qenë një temë që është diskutuar shpesh vitet e fundit në BE, por pak ditë më parë është hedhur një hap konkret. Shumica e vendeve anëtare e mbështesin një hap të tillë, duke e parë si një mundësi të mirë për shtrirjen në tregjet arabe. Praktikisht, propozimi bazohet mbi një dokument të Presidencës së Këshillit të Ministrave të BE-së, në të cilin adresohet praktika e heqjes së pjesshme dhe totale të alkoolit nga verërat. Propozimi parashikon autorizimin e eliminimit total ose të pjesshëm të alkoolit në kontekstin e praktikave enologjike me mundësinë e shtimit të ujit.

Kjo nismë vjen në një moment të vështirë për sektorin, për shkak të një rënieje të konsumit.

"Po flasim për një marrëveshje të mundshme midis Presidencës së Këshillit të drejtuar nga portugezët, me Ministren e Bujqësisë Maria do Céu Antunes, Parlamentit dhe Komisionit të Bashkimit Evropian, e cila u diskutua së fundmi", thotë për WineNews, Paolo De Castro, koordinatori në Komisionin e Bujqësisë të Parlamentit Evropian.

Megjithë diskutimet, nuk pritet një marrëveshje ndërinstitucionale Komision-Këshill para qershorit të këtij viti.

Ky është korniza politike, e cila nxitet nga njëra anë nga nevojat e tregut, dhe për këtë arsye e një natyre thjesht ekonomike, dhe nga ana tjetër nga një kontekst evropian në të cilin lufta për politika gjithnjë e më të shëndetshme - e përmbledhur në "Planin e BE-së kundër kancerit”- gjen mbështetje të gjerë midis Ministrave të Bujqësisë të Evropës Veriore. “Padyshim, një marrëveshje e mundshme është arritur, por prodhuesit e mëdhenj - vazhdon De Castro - e shohin atë si mundësi. Shembulli më i përshtatshëm, i cili doli gjatë dialogut, është ai i vendeve arabe. Ne nuk po heqim asgjë nga ajo që ekziston tashmë, duke krijuar një mundësi të jashtëzakonshme në ato tregje që nuk konsumojnë pije alkoolike. Ashtu si birra joalkoolike ka krijuar tregun e vet, nuk përjashtoj që vera të bëjë të njëjtën gjë. Sidoqoftë, për diçka dua të jem i qartë: ta quash verë një pije të bërë me lëng rrushi të dealkoolizuar nuk ka sens”.

Në Itali, një nga vendet me prodhimin më të lartë, kjo nismë nuk është pritur mirë. Konfederata Kombëtare e Fermerëve (Coldiretti) e quan propozimin një mashtrim të legalizuar.  

"Është një mashtrim i legalizuar për konsumatorët që e gjejnë veten duke e paguar ujin për verë, një produkt në të cilin karakteristikat e natyralitetit kompromentohen si rezultat i një trajtimi invaziv që ndërhyn në procesin e transformimit të rrushit", citohet Konfederata nga ANSA. BE-ja gjithashtu i ka dhënë dritën jeshile edhe verës 'pa rrush', domethënë, një vere të dalë nga fermentimi i frutave, nga mjedrat tek rrushi pa fara, një praktikë enologjike, e cila, sërish sipas Coldiretti-t, ndryshon vetë natyrën e verës, e cila tradicionalisht është përftuar nga rrushi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.