Jo thjesht Nuk Bëhemi, ndoshta Nuk Bëjmë

Postuar në 08 Maj, 2021 22:29
Skerdilajd Zaimi

 

Opozita ka vënë një objektiv shumë ambicioz: të tejkalojë veten. Ajo po deklaron se zgjedhjet janë blerë dhe se ajo do të përpiqet ta faktojë këtë. Mandej do të kërkojë rivlerësim mandatesh. Me këtë tezë PD-ja synon të justifikojë qenien në krye të z. Lulzim Basha dhe mandej të thotë se nuk humbi. Madje u cenua demokracia.

I gjithë ky autorrëfim ka diçka të rreme, sepse opozita ka qenë pjesë e një sistemi të korruptuar për të cilin nuk bëri thuajse asgjë për ta pastruar. Paditë dhe ankesat e saj në SPAK e gjetkë kanë rënë si gjethe vjeshte duke pastruar ato figura që kanë qenë nën akuzë.

Edhe presidenti që është pol opozitar i vetëshpallur nuk po di çfarë të thotë. Ai premtoi dorëheqje nëse z. Rama do të fitonte, kurse sot ankohet se demokracia u dëmtua. Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura ka humbur pusullën dhe me gjasë po pret qershorin që t’i gjejë punë vetes, duke shkuar ose te pemtoret e qershive në Skrapar, ose të nguqet në ndonjë plazh.

Këta personazhe e dinë shumë mirë se ku jetojnë. Ata e dinë se ata që votuan kundër tyre, ose për kundërshtarin, nuk janë ca të gënjyer. Jo. Janë një pjesë e shoqërisë që ka interesa, ka disa garanci dhe miraton tërësisht hajdutërinë e pushtetit aktual. Që është më efektiv në hajninë e vet sesa efektiviteti teorik që propozon rotacioni. Vota nuk pati asgjë morale, asnjë mesazh për ndryshim real. Ajo votë ishte për dëshpërimin që ka kapluar një pjesë të vendit, për përçmimin ndaj kësaj shumice me të cilën opozita ka flirtuar aq sa dënoi veten me bojkot.

Jetojmë në Shqipëri, një vend komik brenda të cilit luhet drama e jetës së një shoqërie të tërë që mesa duket ka dorëzuar besimin tek e ardhmja te gënjeshtra, korrupsioni dhe ikja. Ndaj kjo lojë kukafshehti e një opozite që gdhihet me tekste predikimi moral vetëm 24 orë pasi ka humbur, dhe pak muaj pasi kërkonte bashkëqeverisje me “organizatën kriminale” në pushtet mund të legjitimohet në një skenë si kjo jona, ku ne të gjithë si spektatorë duartrokasim me cinizmin që na ka mbetur pasi kemi kuptuar se ndoshta Nuk Bëjmë, jo se thjesht nuk Bëhemi. Nuk bëjmë për këtë sistem vlerash, për këtë kontratë që shkruajmë, për atë që pretendojmë me imitimet tona, me sistemin e referimit kulturor. Ne i qëndrojmë kaq të huaj, të kundërt madje Ëndrrës europiane, të cilën mesa duket as e kemi realisht tonën, as dimë ta interpretojmë, por na e kanë mbjellë përfytyrimet, zilia, komplekset e një perspektive jete në Shqipërinë e dështuar që ka mbetur në duar të atyre që dinë ta kullandrisin një tenxhere të tillë.

Edhe në qoftë kështu, dikush duhet ta luajë lojën e dirigjentit, dikush do ta kapë mikrofonin të performojë si profet a si lider. Kaq është edhe fabula e kësaj politike ku aderon edhe kjo gjoja opozitë, që është parimisht në pushtet, por do që të ketë edhe të drejtën e firmës. Si të besosh sot se PD-ja dhe Ilir Meta po kërkojë votën e lirë dhe demokracinë? Të paktën të merrnin diçka nga filozofia e fasadës së kryeministrit që mund të vijë dita të përurojë edhe rrjedhën e re të Vjosës, si vizion të një zhvillimi që asnjë brez nuk e ka imagjinuar.  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.