Protestat e opozitës nuk zgjidhin asgjë

Postuar në 30 Prill, 2021 22:51
 Erjus Mezini

 

Ndonëse nuk kanë kaluar as njëzet e katër orë nga numërimi total i votave në të gjithë vendin, presidenti i republikës Ilir Meta dhe aleatët e tij në selinë blu duket se po përgatitin revolucionin e radhës. Të njëjtit njerëz që përpara dy vitesh vendosën të përdornin protestat studentore dhe pakënaqësinë e gjerë të publikut duket se shqiptarëve po u kërkojnë tani që të shikojnë të njëjtin film: filmin ku Lulzim Basha vihet në rolin e Robin Hudit, Meta në rolin e shokut të ngushtë (Xhon Vogëlushit) dhe gjithë të tjerët në rolin e fshatarëve të uritur që në fund nuk fitojnë asgjë, as bukën e gojës.

Fakti përse në këtë version shqiptar të legjendës së Robin Hudit fitorja dhe çdo trofe i kalojnë mbretit dhe jo fshatarëve të uritur ka të bëjë me mungesën e seriozitetit që karakterizon politikën shqiptare këto vite tranzicioni. Se t’u thuash shqiptarëve që të mblidhen përpara kryeministrisë për të rrëzuar qeverinë dhe pastaj t’u thuash që qeveria nuk mund të rrëzohet nëse Lulzim Basha nuk merr dritën jeshile nga Presidenti i Republikës dhe nga Ambasada e SHBA është një lloj talljeje apo, më saktë, një shaka pa kripë.

Këtë version të filmit Robin Hud e pamë në vitin 2019 në Tiranë dhe po të njëjtin version duket se tani po këshillohemi që ta shikojmë nga e para, midis zërave “kryengritës” të Ilir Metës, Lulzim Bashës, Sali Berishës, Mark Markut dhe shumë aktorëve të tjerë brenda opozitës. Se sa oreks kanë shqiptarët (edhe ata më të margjinalizuarit nga të tërë) për të parë të njëjtin film sërish (në një kohë pandemie dhe lodhjeje psikologjike) është një pyetje që nuk do shumë arsyetim. Ajo çka lyp një farë arsyetimi, e madje shkakton një farë kureshtjeje, në rastin shqiptar është fakti që robinhudët tanë duken kaq qesharakë në krahasim me robinhudët e Anglisë (apo me robinhudët e çdo shteti tjetër të Evropës).

Edhe fshatarësia e uritur që ndjek robinhudët shqiptarë të jep nganjëherë përshtypjen se privohet nga serioziteti. Njerëz që rrihen me njëri-tjetrin në protesta, jo-studentë që protestojnë për tarifat në universitete, analfabetë që protestojnë për teatrin, shakaxhinj të egërsuar, mashtrues të betuar, e kësi paradoksesh qesharake që vëren vazhdimisht në protestat e Tiranës. Pyetja pra përse versioni shqiptar i Robin Hudit është kaq qesharak, ndonëse nuk është qesharake aspak gjendja e vegjëlisë shqiptare, besoj se e gjen përgjigjen te mungesa e seriozitetit që karakterizon jetën publike të Shqipërisë këto tridhjetë vitet e fundit.

Në rastin e versionit shqiptar të këtij filmi a legjende shakaja fillon që me njeriun që bën Robin Hudin shqiptar, që me Lulzim Bashën. Në kundërshtim me protagonistin e legjendës angleze, robinhudi i Shqipërisë nuk është kundra shtetit shqiptar, por vetëm se ka dëshirë që të vihet vetë në krye të këtij shteti. Në kundërshtim me legjendën, robinhudi shqiptar bën të pamundurën që mos ta thyejë ligjin e shkruar apo të pashkruar të pushtetit, por vetëm të shtyjë ndjekësit e tij që ligjin ta thyejnë sipas kërkesës. Në kundërshtim me legjendën, robinhudët shqiptarë nuk duan të jetojnë vetë si vegjëlia (në varfëri dhe ilegalitet), por duan të jetojnë si parallinj të cilët respektohen nga elitat vendase dhe të huaja.

Në kundërshtim me robinhudin anglez, robinhudi shqiptar mbretin e lufton nga xhelozia, jo nga mospajtimi moral. Këto janë pak a shumë arsyet përse legjenda e Robin Hudit në Shqipëri gjithmonë katandiset në komedi (nga ato që të thyejnë brinjët) si në këto vite tranzicioni ashtu edhe më përpara, kur rolin e Robin Hudit e lozte ndonjë Esad, ndonjë Zog, a ndonjë Enver. Këto janë arsyet përse në betejat robinhudiane në rrugicat dhe bulevardet e Tiranës, vegjëlia të jep më shumë përshtypjen që ka shkuar aty për t’u zbavitur dhe jo për të bërë një luftë të vërtetë, një luftë nga ku Shqipëria me të vërtetë rilind. Njerëzit që shkojnë në këto protesta me apo pa dëshirën e tyre bëhen qesharakë për arsyen se ata edhe vetë e dinë që robinhudi shqiptar nuk është serioz, por është thjesht një humorist, orator a shakaxhi, i cili në pamje të jashtme kopjon Robin Hudin e Anglisë, kurse në mendjen e tij kërkon gjithmonë të zërë vendin e mbretit të Shqipërisë, në rastin tonë konkret, vendin e Edvin Ramës.

Në mbyllje do desha të shtoja se ajo që mësuam nga votimet e 25 prillit ishte se gjendja tragjiko-komike e vendit nuk mund t’i atribuohet vetëm mbretit, por mund t’i atribuohet edhe vegjëlisë që pranon të shitet kaq kollaj –si te mbreti, ashtu edhe te robinhudët e rremë shqiptarë. Shkaqet përse në rastin shqiptar Robin Hudi vetëm i rremë mund të quhet i sqarova më lart. Ato që nuk kam shpjeguar dhe as nuk e di nëse marrin shpjegim janë shkaqet përse shqiptarët (edhe ata më të margjinalizuarit nga të tërë), pranojnë vazhdimisht për t’u bërë pjesë e një komedie apo maskarade ku vegjëlia gjithmonë humb dhe mbreti gjithmonë fiton. Nëse këto protesta të opozitës nuk ishin maskaradë e komedi, por ishin beteja me vlerë, atëherë ato nuk do të kërkonin as votime të parakohshme dhe as largimin e Edvin Ramës.

Betejat e opozitës duhet të kishin kërkuar shumë muaj përpara votimeve masa konkrete dhe të rrepta për penalizimin si të njeriut që e blen votën ashtu edhe të njeriut që e shet votën. Protesta të cilat përsëritin ngjarjet e vitit 2019 (apo më saktë versionin qesharak e filmit Robin Hud) Shqipërisë dhe qytetarëve të saj nuk u sjellin asnjëfarë dobie.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.