Rusia e viteve ’50 në objektivin e aparatit të një “spiuni” amerikan

Postuar në 29 Prill, 2021 23:43

Në vitin 2014, një zonjë e moshuar në qytetin Kirkland, disa milje në lindje të Seattle, vdiq, duke ia lënë sendet e saj personale një miku të familjes, pasi ajo dhe burri i saj, i cili vdiq në vitin 2005, nuk kishin fëmijë. Personi që i trashëgoi zbuloi diçka për të cilën kishte nevojë për ndihmë dhe për të marrë përgjigje arriti te historiani dhe shkrimtari Douglas Smith.

Kur Smith, një ekspert në historinë e Rusisë, erdhi në shtëpinë e të ndjerit, ai bëri një zbulim të jashtëzakonshëm: një pirg me filma fotosh.

" Varrimi i Stalinit" shkruhej në një prej tyre. Aty ishte dokumentuar Moska nga vitet 1950.

I gjithë arkivi që përmbante një panoramë unike në jetën sovjetike e viteve 1950 u botua nga Radio Evropa e Lirë / Radio Liria, së bashku me historinë e autorit të saj, majorit të ushtrisë amerikane Martin Manhoff.

Manhoff lindi në vitin 1917 dhe u diplomua në Universitetin e Uashingtonit. Ai u bashkua me Ushtrinë e SHBA pas diplomimit dhe luftoi në Evropë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas luftës, ai u kthye në ShBA dhe u martua me një grua të quajtur Jeannette Kozicki në 1950.

Manhoff kishte kapur momenin më 9 mars 1953, duke shkrepur aparatin nga një dritare e Ambasadës Amerikane - e cila ndodhej në Rrugën Mokhovaya në Moskë në atë kohë.

Ai dokumentoi një nga ngjarjet më të rëndësishme në botë në atë kohë - funeralin e diktatorit sovjetik Joseph Stalin.

Para se të zbulohej arkivi i Manhoff, nuk kishte asnjë pamje jozyrtare të varrimit të Stalinit dhe i vetme regjistrim vizual i disponueshëm ishin materialet e sanksionuara nga sovjetikët.

Fotografitë, të bëra nga majori i Ushtrisë amerikane, sollën një perspektivë tjetër të një prej ngjarjeve kryesore në historinë sovjetike.

Ai fiksoi në foto turma që kalonin nëpër Manezhnaya Ploshchad aty pranë, ndërsa qindra njerëz nxitonin në fund të Kremlyovsky Proezd, një rrugë e shkurtër që çon në Sheshin e Kuq.

Pamjet e tjera tregojnë ushtarë që qëndrojnë roje në Kremlyovsky Proezd duke u mbledhur nga i ftohti i marsit, pamje që nuk shihet në asnjë filmim zyrtar.

Përveç varrimit të diktatorit, Manhoff - një udhëtar dhe fotograf i përkushtuar - bëri foto të jetës së përditshme sovjetike në vendet që vizitoi gjatë qëndrimit të tij në BRSS.

Jo shumë vonë pas këtij momenti, në 1952, çifti u transferua në Bashkimin Sovjetik, ku Manhoff mori detyrën e ndihmësit të atasheut ushtarak në Ambasadën e SHBA. I pajisur me mjete fotografike dhe vizionin e një artisti, Manhoff bëri fotografi unike të asaj që ishte një nga vendet më të izoluara në botë gjatë ditëve të para të Luftës së Ftohtë.

Megjithëse filmimet e Manhoff u përdorën me siguri për qëllime të inteligjencës, në to u vërejt edhe një cilësi artistike e paparë. Majori Manhoff kishte syrin e një artisti dhe fotografit të shkëlqyer.

Mania e Manhoff për të fotografuar jetën në BRSS mori fund papritur kur ai u dëbua nga Bashkimi Sovjetik me akuza spiunazhi në 1954.

Spiuni i dyshuar arriti të kontrabandonte punën e tij prej dy vjetësh, e cila ridoli në sipërfaqe vetëm pas dixhitalizimit dhe botimit në mars 2017, duke gjeneruar interes të madh midis rusëve dhe amerikanëve.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.