Ti qofsh që nuk je në një Listë!

Postuar në 18 Prill, 2021 16:39
Skerdilajd Zaimi

 

Le të mendojmë për një çast se çfarë gjërash serioze bëri opozita në 8 vjet. Sido që ta kapësh, janë vetëm tre episode që i shërbejnë interesit publik: dekriminalizimi si nismë ligjore megjithë problemet e veta, djegia e mandateve si akt moralisht dhe politikisht i paqortueshëm qoftë edhe duke parë koston për vetë opozitën dhe evidentimi i fitimeve të biznesmenit Carlo Bollino me firma IT.

Përtej këtyre tre episodeve është e vështirë të mbash mend ndonjë gjë serioze apo së paku të saktë. Tani ka dalë i ashtuquajtur skandali i patronazhistëve. Është fryrë e stërfryrë kjo gjë, a thua brenda PS-së ka mendje dhe aftësi konceptimi dhe organizimi që do ia merrnin edhe gjigandëve të teknologjisë.

Nga aq sa kuptohet sistemi i patronazhistëve është në thelb një sistem informimi dhe përpunimi që presupozon të ndërtojë një fotografi të qartë të ecurisë së procesit zgjedhor përmes llogaritjes së pjesëmarrjes në të të njerëzve që janë të identifikuar paraprakisht për bindjen e tyre politike. Akuza: të dhënat kanë rrjedhur nga sistemet shtetërore.

Edhe sikur sistemi të jetë saktësisht kështu, edhe sikur të kemi skandalin e rrjedhjes së të dhënave nga një sistem shtetëror, askush prej atyre që sot po ngrenë alarmin, nuk di të sqarojë sesi një skemë e tillë ndihmon në manipulimin, apo ndikimin e zgjedhjeve. Sesi vendosja e të dhënave tona në një listë partie, së bashku me supozimin për bindjen tonë politike, apo mënyrën si kemi votuar në vitin 2013, do të na ndryshojë mendjen.

Aq më hipokrite paraqitet situata me këtë incident kur dihet fare mirë se mes gazetarëve ka kohë që qarkullojnë baza të dhënash shtetërore që përdoren rëndom për verifikime të ndryshme, sikundër është e padiskutueshme se një bazë e tillë disponohet edhe nga partitë e tjera.

Bazat zyrtare të të dhënave i disponojnë, apo i aksesojnë një sërë institucionesh, përfshirë subjekte private si noterët në rastin e Regjistrit të Gjendjes Civile, çka rrjedhimisht e bën thuajse të pamundur të marrësh seriozisht konceptin e rrjedhjes së bazës së të dhënave personale në një vend ku ato qarkullojnë në Pazar. Apo në një vend listash informale për çdo gjë.

P.sh vetë partitë, apo paradhomat e tyre për mediat kanë listat e gazetarëve. Në PD-në ka pas qenë një kafe e vjetër gazetarësh dhe deputetësh ku “përpunoheshin” në rrugë operative biografitë e njërit apo tjetrit, përshkruheshin bindjet dhe origjinat, qëndrimet e kështu parashikohej edhe e ardhmja e tyre.

Le të mos harrojmë edhe listat informale të gazetarëve që përfliten lart e poshtë me zëra të qartë të kadastrës patriotike; ky i grekut, ai i turkut e kështu me radhë. Është edhe lista e ambasadave me gazetarë të preferuar që mbajnë në këmbë llustrën e sistemit demokratik ku jetojmë të gjithë. Për të vazhduar pa ndalim, por pa përditësim drejt llogoreve që i kemi krijuar të gjithë, sa për interes, sa për prirje, e sa për inat, gjithnjë me pamjen e të paditurit në fytyrë dhe buzëqeshjen kordiale gati. Është lista e spiunëve të Sigurimit, me pseudonime që valëvitet sa herë e do puna, lista e takimeve…Lista e këtyre pakicave të zhurmshme siç do thoshte Erion Veliaj që zhurmon më fort se listat e shumicave të heshtura që ikin, janë pa punë, apo as nuk përfaqësohen në asnjë vend. 

Jemi pra të gjithë në një defter së paku në këtë vend, ku vetë liria jonë kushtëzohet apo varet katërcipërisht nga siguria për të nesërmen. Siguri ekonomike dhe karriere vetëm nëse je në një listë. Përndryshe…ti qofsh që je, o i pa-listë!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.